{"collection":"Bible & Christianity","html_url":"https://unchartedknowledge.5gfusion.net/browse/bib/wb/alb/ch2.htm","path":"bib/wb/alb/ch2.htm","source_url":"https://sacred-texts.com/bib/wb/alb/ch2.htm","text":"1:1 Salomoni, bir i Davidit, u forcua shum\u00eb n\u00eb mbret\u00ebrin\u00eb e tij, dhe Zoti, Per\u00ebndia i tij, qe me t\u00eb dhe e b\u00ebri jasht\u00ebzakonisht t\u00eb madh.\n1:2 Salomoni i foli t\u00ebr\u00eb Izraelit, komandant\u00ebve t\u00eb mijesheve dhe t\u00eb qindsheve, gjyqtar\u00ebve, t\u00ebr\u00eb princave t\u00eb t\u00eb gjith\u00eb Izraelit, t\u00eb par\u00ebve t\u00eb sht\u00ebpive at\u00ebrore.\n1:3 Pastaj Salomoni bashk\u00eb me t\u00ebr\u00eb asamblen\u00eb shkoi n\u00eb vendin e lart\u00eb, q\u00eb ishte n\u00eb Gabaon, sepse aty ndodhej \u00e7adra e mbledhjes s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb q\u00eb Moisiu, sh\u00ebrb\u00ebtori i Zotit, kishte nd\u00ebrtuar n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb.\n1:4 Ark\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb, p\u00ebrkundrazi, Davidi e kishte mbartur nga Kirjath-Jearimi n\u00eb vendin q\u00eb kishte p\u00ebrgatitur p\u00ebr t\u00eb; n\u00eb t\u00eb v\u00ebret\u00eb ai kishte ngritur p\u00ebr t\u00eb nj\u00eb \u00e7ad\u00ebr n\u00eb Jeruzalem.\n1:5 Altarin prej bronzi, q\u00eb e kishte b\u00ebr\u00eb Betsaleeli, bir i Urit, q\u00eb ishte bir i Urit, e vendosi p\u00ebrpara tabernakullit t\u00eb Zotit. Salomoni dhe asambleja shkuan p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar Zotin.\n1:6 Atje Salomoni u ngjit n\u00eb altarin prej bronzi p\u00ebrpara Zotit, q\u00eb ishte n\u00eb \u00e7adr\u00ebn e mbledhjes, dhe mbi t\u00eb ofroi nj\u00eb mij\u00eb olokauste.\n1:7 At\u00eb nat\u00eb Per\u00ebndia iu shfaq Salomonit dhe i tha: \"M\u00eb k\u00ebrko at\u00eb q\u00eb do dhe un\u00eb do t\u00eb ta jap\".\n1:8 Salomoni iu p\u00ebrgjigj Per\u00ebndis\u00eb: \"Ti je treguar shum\u00eb dashamir\u00ebs me Davidin, atin tim, dhe m\u00eb ke b\u00ebr\u00eb mua t\u00eb mbret\u00ebroj n\u00eb vend t\u00eb tij.\n1:9 Tani, o Zot Per\u00ebndi, u realizoft\u00eb premtimi yt q\u00eb i ke b\u00ebr\u00eb Davidit, atit tim, sepse ti me ke b\u00ebr\u00eb mbret mbi nj\u00eb popull t\u00eb madh si pluhuri i tok\u00ebs!\n1:10 M\u00eb jep, pra, dituri dhe zgjuarsi, q\u00eb t\u00eb mund t\u00eb hyj dhe t\u00eb dal para k\u00ebtij populli, sepse kush mund ta qeveris\u00eb, vall\u00eb, k\u00ebt\u00eb popull t\u00eb madh t\u00ebndin?\".\n1:11 Per\u00ebndia i tha Salomonit: \"Me qen\u00eb se kjo ishte gj\u00ebja q\u00eb kishe n\u00eb zem\u00ebr dhe nuk m\u00eb ke k\u00ebrkuar as pasuri, as mall, as lavdi, as jet\u00ebn e armiqve t\u00eb tu dhe as jet\u00eb t\u00eb gjat\u00eb, por k\u00ebrkove p\u00ebr vete diturin dhe zgjuarsin q\u00eb t\u00eb mund t\u00eb qeveris\u00ebsh popullin tim mbi t\u00eb cilin t\u00eb vura mbret,\n1:12 dituria dhe zgjuarsia t\u00eb jan\u00eb dh\u00ebn\u00eb. P\u00ebrve\u00e7 tyre do t\u00eb t\u00eb jap pasuri, mall dhe lavdi, t\u00eb cilat nuk i ka pasur asnj\u00eb mbret para teje dhe nuk do t'i ket\u00eb asnj\u00eb pas teje\".\n1:13 Salomoni u kthye pastaj nga vendi i lart\u00eb q\u00eb ishte n\u00eb Gabaon, nga \u00e7adra e mbledhjes, n\u00eb Jeruzalem, dhe mbret\u00ebroi mbi Izraelin.\n1:14 Salomoni grumbulloi qerre dhe kalor\u00ebs, dhe pati nj\u00eb mij\u00eb e kat\u00ebrqind qerre dhe dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb kalor\u00ebs, t\u00eb cil\u00ebt i vendosi n\u00eb qytetet e qerreve dhe pran\u00eb mbretit n\u00eb Jeruzalem.\n1:15 Mbreti veproi gjithashtu n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb till\u00eb q\u00eb n\u00eb Jeruzalem argjendi dhe ari t\u00eb ishin t\u00eb r\u00ebndomt\u00eb si gur\u00ebt, dhe kedrat t\u00eb bollsh\u00ebm si fiku i Egjiptit n\u00eb fush\u00eb.\n1:16 Kuajt e Salomonit importoheshin nga Egjipti dhe nga Kue; tregtar\u00ebt e mbretit shkonin t'i merrnin n\u00eb Kue me nj\u00eb \u00e7mim t\u00eb caktuar.\n1:17 Ata sillnin dhe importonin nga Egjipti nj\u00eb qerre p\u00ebr gjasht\u00ebqind sikla argjendi dhe nj\u00eb kal\u00eb p\u00ebr nj\u00ebqind e pes\u00ebdhjet\u00eb. K\u00ebshtu, me an\u00eb t\u00eb k\u00ebtyre tregtar\u00ebve, ua eksportonin t\u00ebr\u00eb mbret\u00ebrve t\u00eb Hitejve dhe t\u00eb Siris\u00eb.\n2:1 Pastaj Salomoni vendosi t\u00eb nd\u00ebrtoj\u00eb nj\u00eb tempull n\u00eb em\u00ebr t\u00eb Zotit dhe nj\u00eb pallat p\u00ebr vete.\n2:2 Salomoni rekrutoi shtat\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb burra q\u00eb t\u00eb mbartnin pesha, tet\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb nxirrnin gur\u00eb n\u00eb malet dhe tre mij\u00eb e gjasht\u00ebqind veta p\u00ebr t'i mbikqyrur.\n2:3 Pastaj Salomoni i \u00e7oi fjal\u00eb Hiramit, mbretit t\u00eb Tiros: \"Ashtu si ke b\u00ebr\u00eb me Davidin, atin tim, t\u00eb cilit i d\u00ebrgove kedra p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtuar nj\u00eb sht\u00ebpi n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn t\u00eb banonte, b\u00ebj t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn gj\u00eb me mua.\n2:4 Ja un\u00eb jam duke nd\u00ebrtuar nj\u00eb tempull n\u00eb em\u00ebr t\u00eb Zotit, Per\u00ebndis\u00eb tim, p\u00ebr t'ia kushtuar atij, p\u00ebr t\u00eb djegur para tij temjan er\u00ebmir\u00eb, p\u00ebr t\u00eb ekspozuar vazhdimisht buk\u00ebt e paraqitjes dhe p\u00ebr t\u00eb ofruar olokauste n\u00eb m\u00ebngjes dhe n\u00eb mbr\u00ebmje, t\u00eb shtunave, kur t\u00eb ket\u00eb h\u00ebn\u00eb t\u00eb re dh\u00eb n\u00eb festat e caktuara nga Zoti, Per\u00ebndia yn\u00eb. Ky \u00ebsht\u00eb nj\u00eb ligj i p\u00ebrjetsh\u00ebm p\u00ebr Izraelin.\n2:5 Tempulli q\u00eb un\u00eb do t\u00eb nd\u00ebrtoj do t\u00eb jet\u00eb i madh, sepse Per\u00ebndia yn\u00eb \u00ebsht\u00eb m\u00eb i madh se t\u00ebr\u00eb per\u00ebndit\u00eb e tjera.\n2:6 Po kush do t\u00eb jet\u00eb n\u00eb gjendje t'i nd\u00ebrtoj\u00eb nj\u00eb tempull me qen\u00eb se qiejt\u00eb dhe qiejt\u00eb e qiejve nuk jan\u00eb n\u00eb gjendje ta nxen\u00eb? E kush jam un\u00eb q\u00eb t'i nd\u00ebrtoj nj\u00eb tempull, qoft\u00eb edhe vet\u00ebm p\u00ebr t\u00eb djegur temjan para tij?\n2:7 Prandaj d\u00ebrgom\u00eb tani nj\u00eb njeri t\u00eb shkath\u00ebt q\u00eb di t\u00eb punoj\u00eb arin, argjendin, bronzin, hekurin, purpurin, t\u00eb kuqen flak\u00eb, ngjyr\u00eb vjollc\u00ebn dhe q\u00eb t\u00eb dij\u00eb t\u00eb b\u00ebj\u00eb \u00e7do lloj prerjesh, duke punuar bashk\u00eb me specialist\u00ebt q\u00eb jan\u00eb pran\u00eb meje n\u00eb Jud\u00eb dhe n\u00eb Jeruzalem, dhe q\u00eb ati im David ka p\u00ebrgatitur.\n2:8 D\u00ebrgom\u00eb edhe nga Libani dru kedri, qiparisi dhe santali, sepse e di q\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tu jan\u00eb t\u00eb aft\u00eb t\u00eb presin drurin e Libanit; dhe ja, sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e mi do t\u00eb punojn\u00eb bashk\u00eb me sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tu,\n2:9 p\u00ebr t\u00eb m\u00eb pregatitur l\u00ebnd\u00eb druri me shumic\u00eb, sepse tempulli q\u00eb do t\u00eb nd\u00ebrtoj do t\u00eb jet\u00eb i madh dhe i mrekulluesh\u00ebm.\n2:10 Dhe sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tu q\u00eb do t\u00eb rr\u00ebzojn\u00eb dhe do t\u00eb presin drur\u00ebt un\u00eb do t'u jap nj\u00ebzet mij\u00eb kore gruri, nj\u00ebzet mij\u00eb kore elbi, nj\u00ebzet mij\u00eb bate ver\u00eb dhe nj\u00ebzet mij\u00eb bate vaji\".\n2:11 Dhe Hirami, mbret i Tiros, u p\u00ebrgjigj me nj\u00eb shkrim, q\u00eb i d\u00ebrgoi Salomonit: \"Me qen\u00eb se Zoti e do popullin e tij, t\u00eb ka caktuar mbret mbi t\u00eb\".\n2:12 Hirami thoshte gjithashtu: \"I bekuar qoft\u00eb Zoti, Per\u00ebndia i Izraelit, q\u00eb ka b\u00ebr\u00eb qiejt\u00eb dhe tok\u00ebn, sepse i ka dh\u00ebn\u00eb mbretit David nj\u00eb bir t\u00eb urt\u00eb, shum\u00eb t\u00eb zgjuar dhe t\u00eb aft\u00eb, q\u00eb do t\u00eb nd\u00ebrtoj\u00eb nj\u00eb tempull p\u00ebr Zotin dhe nj\u00eb pallat mbret\u00ebror p\u00ebr vete!\n2:13 Un\u00eb po t\u00eb d\u00ebrgoj nj\u00eb njeri t\u00eb shkath\u00ebt dhe t\u00eb ditur t\u00eb atit tim Hiram, q\u00eb \u00ebsht\u00eb\n2:14 bir i nj\u00eb gruaje nga bijat e Danit, nd\u00ebrsa i ati ishte nj\u00eb njeri nga Tiro. Ai di t\u00eb punoj\u00eb arin, bronzin, hekurin, gurin, drurin, purpurin dhe ngjyr\u00eb vjollc\u00ebn, t\u00eb kuqe flak\u00eb, p\u00eblhur\u00ebn e holl\u00eb dhe di t\u00eb b\u00ebj\u00eb \u00e7do prerje dhe \u00e7do lloj vizatimi q\u00eb i besohet. Ai do t\u00eb punoj\u00eb me specialist\u00ebt e tu dhe me specialist\u00ebt e zotit tim David, atit t\u00ebnd.\n2:15 Tani, pra, imzot le t'u d\u00ebrgoj\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tij grurin, elbin, vajin dhe ver\u00ebn, q\u00eb u ka premtuar;\n2:16 dhe ne do t\u00eb presim t\u00ebr\u00eb drur\u00ebt e Libanit p\u00ebr t\u00eb cilat ke nevoj\u00eb; do t'i sjellim me trap n\u00ebp\u00ebr det deri n\u00eb Jafo dhe ti do t'i mbart\u00ebsh n\u00eb Jeruzalem\".\n2:17 Salomoni regjistrioi t\u00ebr\u00eb t\u00eb huajt q\u00eb ndodheshin n\u00eb vendin e Izraelit, mbas regjistrimit q\u00eb kishte b\u00ebr\u00eb Davidi, i ati; ata ishin nj\u00ebqind e pes\u00ebdhjet\u00eb e tre mij\u00eb e gjasht\u00ebqind veta,\n2:18 dhe mori shtat\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb prej tyre p\u00ebr t\u00eb mbartur pesha, tet\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb p\u00ebr t\u00eb prer\u00eb gur\u00eb n\u00eb mal dhe tre mij\u00eb e gjasht\u00ebqind mbikqyr\u00ebs q\u00eb ta b\u00ebnin popullin t\u00eb punonte.\n3:1 Salomoni filloi pastaj nd\u00ebrtimin e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit, n\u00eb Jeruzalem mbi malin Moriah, aty ku Zoti i ishte shfaqur Davidit, atit t\u00eb tij, n\u00eb vendin q\u00eb Davidi kishte p\u00ebrgatitur n\u00eb l\u00ebmin e Ornanit, Jebuseut.\n3:2 Ai filloi t\u00eb nd\u00ebrtoj\u00eb dit\u00ebn e dyt\u00eb t\u00eb muajit t\u00eb dyt\u00eb t\u00eb vitit t\u00eb kat\u00ebrt t\u00eb mbret\u00ebrimit t\u00eb tij.\n3:3 K\u00ebto jan\u00eb p\u00ebrmasat e themeleve q\u00eb hodhi Salomoni p\u00ebr nd\u00ebrtimin e sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb. Gjat\u00ebsia ishte gjasht\u00ebdhjet\u00eb kubit\u00eb (n\u00eb kubit\u00eb t\u00eb mas\u00ebs s\u00eb vjet\u00ebr) dhe gjer\u00ebsia nj\u00ebzet kubit\u00eb.\n3:4 Portiku p\u00ebrpara tempullit ishte nj\u00ebzet kubit\u00eb i gjat\u00eb, duke barazuar k\u00ebshtu gjat\u00ebsin\u00eb e tempullit, dhe ishte i lart\u00eb nj\u00ebqind e nj\u00ebzet kubit\u00eb. Ai e veshi nga brenda me ar t\u00eb kulluar.\n3:5 E veshi sall\u00ebn e madhe me dru qiparisi, pastaj e veshi me ar t\u00eb kulluar dhe mbi t\u00eb gdhendi deg\u00eb palme dhe zinxhir\u00eb t\u00eb vegj\u00ebl.\n3:6 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj e zbukuroi sall\u00ebn me gur\u00eb t\u00eb \u00e7muar si ornament; dhe ari ishte ai i Parvaimit.\n3:7 Veshi gjithashtu me ar tempullin, trar\u00ebt, pragjet, muret dhe portat; dhe mbi muret gdh\u00ebndi kerubin\u00eb.\n3:8 Pastaj nd\u00ebrtoi vendin shum\u00eb t\u00eb shenjt\u00eb. Ky ishte nj\u00ebzet kubit\u00eb i gjat\u00eb, duke barazuar k\u00ebshtu gjer\u00ebsin\u00eb e tempullit, dhe nj\u00ebzet kubit\u00eb i gjer\u00eb. E veshi me ar t\u00eb kulluar me nj\u00eb vler\u00eb prej gjasht\u00ebqind talentash.\n3:9 Pesha e arit p\u00ebr gozhdat ishte pes\u00ebdhjet\u00eb sikla. Veshi me ar edhe dhomat e sip\u00ebrme.\n3:10 N\u00eb vendin shum\u00eb t\u00eb shenjt\u00eb b\u00ebri dy kerubin\u00eb t\u00eb gdh\u00ebndur dhe i veshi me ar.\n3:11 hap\u00ebsira e krah\u00ebve t\u00eb kerubin\u00ebve ishte nj\u00ebzet kubit\u00eb; nj\u00eb krah i nj\u00eb kerubini, i gjat\u00eb pes\u00eb kubit\u00eb, prekte murin e tempullit, nd\u00ebrsa krahu tjet\u00ebr, gjithashtu i gjat\u00eb pes\u00eb kubit\u00eb, prekte krahun e kerubinit t\u00eb dyt\u00eb.\n3:12 Njeri krah i kerubinit t\u00eb dyt\u00eb, i gjat\u00eb pes\u00eb kubit\u00eb, prekte murin e tempullit, nd\u00ebrsa tjetri i gjat\u00eb gjithashtu pes\u00eb kubit\u00eb, prekte krahun e kerubinit tjet\u00ebr.\n3:13 Krah\u00ebt e hapur t\u00eb k\u00ebtyre kerubin\u00ebve ishin nj\u00ebzet kubit\u00eb t\u00eb gjat\u00eb. Ata q\u00ebndronin drejt n\u00eb k\u00ebmb\u00eb me fytyr\u00eb t\u00eb kthyer nga pjesa e brendshme e tempullit.\n3:14 Ai b\u00ebri gjithashtu velin me fill ngjyr\u00eb vjollc\u00eb t\u00eb purpurt, t\u00eb kuqe flak\u00eb dhe me p\u00eblhur\u00eb t\u00eb holl\u00eb, dhe mbi to q\u00ebndis\u00ebn kerubin\u00eb.\n3:15 P\u00ebrpara tempullit b\u00ebri dy shtylla t\u00eb larta tridhjet\u00eb e pes\u00eb kubit\u00eb; kapiteli n\u00eb maj\u00eb t\u00eb \u00e7do shtylle ishte pes\u00eb kubit\u00eb.\n3:16 B\u00ebri gjithashtu zinxhira t\u00eb vegj\u00ebl, si ato q\u00eb ishin n\u00eb shenjt\u00ebrore dhe i vendosi n\u00eb maj\u00eb t\u00eb shtyllave; pastaj b\u00ebri nj\u00eb mij\u00eb sheg\u00eb dhe i vuri mbi zinxhir\u00ebt e vegj\u00ebl.\n3:17 Pastaj ngriti shtyllat p\u00ebrpara tempullit, njer\u00ebn n\u00eb t\u00eb djatht\u00eb dhe tjetr\u00ebn n\u00eb t\u00eb majt\u00eb; t\u00eb djatht\u00ebn e quajti Jakin dhe t\u00eb majt\u00ebn Boaz.\n4:1 Pastaj b\u00ebri nj\u00eb altar prej bronzi t\u00eb gjat\u00eb nj\u00ebzet kubit\u00eb, t\u00eb gjer\u00eb nj\u00ebzet kubit\u00eb dhe t\u00eb lart\u00eb dhjet\u00eb kubit\u00eb.\n4:2 B\u00ebri gjithashtu nj\u00eb det prej metali t\u00eb shkrir\u00eb, n\u00eb form\u00eb rrethi, q\u00eb nga nj\u00eb cep n\u00eb cepin tjet\u00ebr ishte dhjet\u00eb kubit\u00eb; lart\u00ebsia e tij ishte pes\u00eb kubit\u00eb dhe rrethi i tij tridhjet\u00eb kubit\u00eb.\n4:3 Posht\u00eb buz\u00ebs kishte figura t\u00eb ngjashme me qet\u00eb, dhjet\u00eb p\u00ebr \u00e7do kubit, q\u00eb rrethonin detin nga \u00e7do an\u00eb. Qet\u00eb, t\u00eb vendosur n\u00eb dy radh\u00eb, ishin derdhur bashk\u00eb me detin.\n4:4 Ky mb\u00ebshtetej mbi dymb\u00ebdhjet\u00eb qe, nga t\u00eb cil\u00ebt tre shikonin nga veriu, tre nga per\u00ebndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti ishte vendosur mbi ta dhe pjes\u00ebt e tyre t\u00eb pasme ishin kthyer nga ana e brendshme.\n4:5 Ai kishte trash\u00ebsin\u00eb e nj\u00eb p\u00ebll\u00ebmbe; buza e tij ishte b\u00ebr\u00eb si buza e nj\u00eb kupe, si lulja e nj\u00eb zambaku; deti mund t\u00eb p\u00ebrmbante deri tre mij\u00eb bate.\n4:6 B\u00ebri edhe dhjet\u00eb en\u00eb p\u00ebr pastrim dhe i vendosi pes\u00eb n\u00eb t\u00eb djatht\u00eb dhe pes\u00eb n\u00eb t\u00eb majt\u00eb; n\u00eb to laheshin gj\u00ebrat q\u00eb i p\u00ebrkisnin olokaustit; n\u00eb det laheshin p\u00ebrkundrazi prift\u00ebrinjt\u00eb.\n4:7 B\u00ebri dhjet\u00eb shandane prej ari, sipas normave t\u00eb caktuara, dhe i vendosi n\u00eb tempull, pes\u00eb n\u00eb t\u00eb djatht\u00eb dhe pes\u00eb n\u00eb t\u00eb majt\u00eb.\n4:8 B\u00ebri dhjet\u00eb tryeza dhe i vendosi n\u00eb tempull pes\u00eb n\u00eb t\u00eb djatht\u00eb dhe pes\u00eb n\u00eb t\u00eb majt\u00eb. B\u00ebri gjithashtu nj\u00ebqind kupa prej ari.\n4:9 Pastaj b\u00ebri oborrin e prift\u00ebrinjve dhe oborrin e madh me portat e tij t\u00eb veshura me bronz.\n4:10 Pas k\u00ebsaj e vendosi detin nga krahu i djatht\u00eb, n\u00eb drejtim t\u00eb juglindjes.\n4:11 Hirami b\u00ebri gjithashtu en\u00ebt, lopat\u00ebzat dhe legen\u00ebt e vegj\u00ebl. K\u00ebshtu Hirami p\u00ebrfundoi pun\u00ebn q\u00eb duhet t\u00eb b\u00ebnte p\u00ebr mbretin Salomon n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb;\n4:12 dy shtyllat, dy kapitelet me vazo n\u00eb maj\u00eb t\u00eb shtyllave, dy rrjet\u00ebzat p\u00ebr t\u00eb mbuluar dy kapitelet me vazo n\u00eb maj\u00eb t\u00eb shtyllave,\n4:13 kat\u00ebrqind sheg\u00eb p\u00ebr dy rrjet\u00ebzat (dy radh\u00eb sheg\u00ebsh p\u00ebr \u00e7do rrjet\u00ebz me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb mbulohen dy kapitelet me vazo n\u00eb maj\u00eb t\u00eb shtyllave).\n4:14 B\u00ebri edhe qerr\u00ebzat dhe en\u00ebt e m\u00ebdha mbi qerr\u00ebzat,\n4:15 detin, nj\u00eb t\u00eb vet\u00ebm, dhe dymb\u00ebdhjet\u00eb qet\u00eb n\u00ebn detin,\n4:16 si edhe en\u00ebt, lopat\u00ebzat, pirun\u00ebt dhe t\u00eb gjitha sendet e tyre, q\u00eb mjeshtri Hiram i b\u00ebri prej bronzi t\u00eb shndritsh\u00ebm p\u00ebr mbretin Salomon, p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Zotit.\n4:17 Mbreti i shkriu n\u00eb fush\u00ebn e Jordanit, n\u00eb nj\u00eb tok\u00eb argjilore, midis Sukothit dhe Tseredahut.\n4:18 Salomoni i b\u00ebri k\u00ebto vegla n\u00eb nj\u00eb sasi kaq t\u00eb madhe, sa q\u00eb pesha e bronzit nuk u p\u00ebrcaktua dot.\n4:19 K\u00ebshtu Salomoni p\u00ebrgatiti t\u00eb gjitha orendit\u00eb p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb; altarin prej ari dhe tryezat mbi t\u00eb cilat vendoseshin buk\u00ebt e paraqitjes,\n4:20 shandan\u00ebt me llambat e tyre prej ari t\u00eb kulluar q\u00eb duhet t\u00eb ndizeshin sipas norm\u00ebs s\u00eb caktuar para shenjt\u00ebrores;\n4:21 lulet, llambat dhe veglat n\u00eb form\u00eb g\u00ebrsh\u00ebre prej ari; ishin prej ari shum\u00eb t\u00eb kulluar;\n4:22 thikat, legen\u00ebt, kupat dhe mangall\u00ebt prej ari t\u00eb kulluar. Sa p\u00ebr hyrjen e tempullit, portat e brendshme q\u00eb t\u00eb \u00e7onin n\u00eb vendin shum\u00eb t\u00eb shenjt\u00eb dhe portat q\u00eb t\u00eb futnin n\u00eb anijat\u00ebn e tempullit ishin prej ari.\n5:1 K\u00ebshtu u p\u00ebrfundua t\u00ebr\u00eb puna q\u00eb Salomoni kishte urdh\u00ebruar p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Zotit. At\u00ebher\u00eb Salomoni solli t\u00ebr\u00eb gj\u00ebrat q\u00eb i ati kishte shenjt\u00ebruar: argjendin, arin dhe t\u00eb gjitha veglat, dhe i futi n\u00eb thesaret e sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb.\n5:2 At\u00ebher\u00eb Salomoni mblodhi n\u00eb Jeruzalem pleqt\u00eb e Izraelit dhe t\u00eb gjith\u00eb krer\u00ebt e fiseve, princat e familjeve at\u00ebrore t\u00eb bijve t\u00eb Izraelit, p\u00ebr ta \u00e7uar lart ark\u00ebn e bes\u00eblidhjes t\u00eb Zotit nga qyteti i Davidit, dometh\u00ebn\u00eb nga Sioni.\n5:3 T\u00ebr\u00eb burrat e Izraelit u mblodh\u00ebn rreth mbretit p\u00ebr fest\u00ebn q\u00eb binte n\u00eb muajin e shtat\u00eb.\n5:4 K\u00ebshtu t\u00ebr\u00eb pleqt\u00eb e Izraelit erdh\u00ebn dhe Levit\u00ebt mor\u00ebn ark\u00ebn.\n5:5 Ata e \u00e7uan lart ark\u00ebn, \u00e7adr\u00ebn e mbledhjes dhe t\u00eb gjitha p\u00ebrdor\u00ebset e shenjta q\u00eb ndodheshin n\u00eb \u00e7ad\u00ebr. K\u00ebto gj\u00ebra i mbart\u00ebn prift\u00ebrinjt\u00eb dhe Levit\u00ebt.\n5:6 Mbreti Salomon dhe t\u00ebr\u00eb asambleja e Izraelit, e mbledhur rreth tij, u grumbulluan rreth ark\u00ebs dhe flijuan nj\u00eb sasi kaq t\u00eb madhe dhensh dhe lop\u00ebsh q\u00eb nuk mund t\u00eb num\u00ebroheshin as t\u00eb llogariteshin.\n5:7 Prift\u00ebrinjt\u00eb e \u00e7uan pastaj ark\u00ebn e bes\u00eblidhjes t\u00eb Zotit n\u00eb vendin e vet, n\u00eb shenjt\u00ebroren e tempullit, n\u00eb vendin shum\u00eb t\u00eb shenjt\u00eb, n\u00ebn krah\u00ebt e kerubin\u00ebve.\n5:8 N\u00eb fakt kerubin\u00ebt i shtrinin krah\u00ebt mbi vendin e ark\u00ebs dhe mbulonin nga lart ark\u00ebn dhe shufrat e saj.\n5:9 Shufrat ishin aq t\u00eb gjata sa q\u00eb skajet e tyre n\u00eb ark\u00eb mund t\u00eb shiheshin p\u00ebrball\u00eb vendit shum\u00eb t\u00eb shenjt\u00eb, por nuk dukeshin nga jasht\u00eb. Ato kan\u00eb mbetur atje deri dit\u00ebn e sotme.\n5:10 N\u00eb ark\u00eb nuk kishte asgj\u00eb tjet\u00ebr ve\u00e7 dy pllakave q\u00eb Moisiu kishte vendosur n\u00eb malin Horeb, kur Zoti lidhi nj\u00eb bes\u00eblidhje me bijt\u00eb e Izraelit, kur k\u00ebta kishin dal\u00eb nga Egjipti.\n5:11 Tani, nd\u00ebrsa prift\u00ebrinjt\u00eb dilnin nga vendi i shenjt\u00eb (t\u00ebr\u00eb prift\u00ebrinjt\u00eb e pranish\u00ebm n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb ishin shenjt\u00ebruar pa respektuar rendin e klasave,\n5:12 dhe t\u00ebr\u00eb Levit\u00ebt k\u00ebng\u00ebtar\u00eb, Asafi, Hemani, Jeduthuni, bijt\u00eb dhe v\u00ebllez\u00ebrit e tyre, t\u00eb veshur me li t\u00eb bardh\u00eb, me cembale, harpa dhe qeste n\u00eb dor\u00eb rrinin m\u00eb k\u00ebmb\u00eb n\u00eb lindje t\u00eb altarit, dhe bashk\u00eb me ta nj\u00ebqind e nj\u00ebzet prift\u00ebrinjt\u00eb q\u00eb u binin borive)\n5:13 dhe kur trumbetar\u00ebt dhe k\u00ebng\u00ebtar\u00ebt si nj\u00eb njeri i vet\u00ebm b\u00ebn\u00eb t\u00eb d\u00ebgjohet bashkarisht z\u00ebri i tyre p\u00ebr t\u00eb l\u00ebvduar dhe p\u00ebr t\u00eb kremtuar Zotin dhe e ngrit\u00ebn z\u00ebrin n\u00eb tingullin e borive, t\u00eb cembaleve dhe t\u00eb veglave t\u00eb tjera muzikore dhe l\u00ebvduan Zotin: \"Sepse \u00ebsht\u00eb i mir\u00eb, sepse mir\u00ebsia e tij vazhdon n\u00eb p\u00ebrjet\u00ebsi\", ndodhi q\u00eb sht\u00ebpia, sht\u00ebpia e Zotit, u mbush me nj\u00eb re,\n5:14 dhe prift\u00ebrinjt\u00eb nuk mund\u00ebn t\u00eb rrinin p\u00ebr t\u00eb sh\u00ebrbyer p\u00ebr shkak t\u00eb res\u00eb, sepse lavdia e Zotit mbushte sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb.\n6:1 At\u00ebher\u00eb Salomoni tha: \"Zoti ka shpallur se do t\u00eb banoj\u00eb n\u00eb ren\u00eb e d\u00ebndur.\n6:2 Dhe un\u00eb kam nd\u00ebrtuar p\u00ebr ty nj\u00eb sht\u00ebpi t\u00eb madh\u00ebrishme, n\u00eb vendin ku do t\u00eb banosh p\u00ebrjet\u00eb\".\n6:3 Pastaj mbreti u kthye dhe bekoi t\u00ebr\u00eb asamblen\u00eb e Izraelit, nd\u00ebrsa t\u00ebr\u00eb asambleja e Izraelit q\u00ebndronte m\u00eb k\u00ebmb\u00eb.\n6:4 Pastaj tha: \"I bekuar qoft\u00eb Zoti, Per\u00ebndia i Izraelit, q\u00eb ka kryer me fuqin\u00eb e tij at\u00eb q\u00eb i kishte premtuar me goj\u00ebn e vet atit tim David, duke th\u00ebn\u00eb:\n6:5 \"Nga dita q\u00eb nxora popullin tim t\u00eb Izraelit nga vendi i Egjiptit, un\u00eb nuk kam zgjedhur asnj\u00eb qytet nd\u00ebr t\u00eb gjitha fiset e Izraelit p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtuar nj\u00eb sht\u00ebpi, ku emri im t\u00eb mbetej, dhe nuk kam zgjedhur njeri q\u00eb t\u00eb b\u00ebhet princ mbi popullin tim t\u00eb Izraelit,\n6:6 por kam zgjedhur Jeruzalemin, q\u00eb emri im t\u00eb mbetet aty, dhe kam zgjedhur Davidin q\u00eb t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb mbi popullin tim t\u00eb Izraelit\".\n6:7 Davidi, ati im, kishte n\u00eb zem\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtonte nj\u00eb tempull, n\u00eb em\u00ebr t\u00eb Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb Izraelit,\n6:8 por Zoti i tha Davidit, atit tim: \"Ti ke pasur n\u00eb zem\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtosh nj\u00eb tempull n\u00eb emrin tim, dhe ke b\u00ebr\u00eb mir\u00eb q\u00eb ke pasur nj\u00eb gj\u00eb t\u00eb till\u00eb n\u00eb zem\u00ebr;\n6:9 por nuk do t\u00eb jesh ti q\u00eb do ta nd\u00ebrtosh tempullin, por biri yt q\u00eb ka p\u00ebr t\u00eb dal\u00eb nga ij\u00ebt e tua, do t\u00eb jet\u00eb ai q\u00eb do ta nd\u00ebrtoj\u00eb tempullin n\u00eb emrin tim\".\n6:10 K\u00ebshtu Zoti e mbajti fjal\u00ebn q\u00eb kishte shqiptuar, dhe un\u00eb zura vendin e Davidit, atit tim dhe u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte premtuar Zoti, dhe nd\u00ebrtova tempullin n\u00eb emrin e Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb Izraelit.\n6:11 Aty vendosa ark\u00ebn, n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn ndodhet bes\u00eblidhja e Zotit, q\u00eb ai ka b\u00ebr\u00eb me bijt\u00eb e Izraelit\"\n6:12 Pastaj Salomoni zuri vend para altarit t\u00eb Zotit, p\u00ebrball\u00eb asambles\u00eb s\u00eb Izraelit dhe shtriu duart\n6:13 (Salomoni n\u00eb fakt kishte nd\u00ebrtuar nj\u00eb tribun\u00eb prej bronzi, t\u00eb gjat\u00eb pes\u00eb kubit\u00eb, t\u00eb gjer\u00eb pes\u00eb kubit\u00eb dhe t\u00eb lart\u00eb tre kubit\u00eb, dhe e kishte vendosur n\u00eb mes t\u00eb oborrit; ai hipi n\u00eb t\u00eb, u gjunj\u00ebzua para t\u00ebr\u00eb asambles\u00eb s\u00eb Izraelit, zgjati duart n\u00eb drejtim t\u00eb qiellit),\n6:14 dhe tha: \"O Zot, o Per\u00ebndi i Izraelit, nuk ka asnj\u00eb Per\u00ebndi t\u00eb ngjash\u00ebm me ty as n\u00eb qiell, as n\u00eb tok\u00eb. Ti i p\u00ebrmbahesh bes\u00eblidhjes dhe m\u00ebshir\u00ebs ndaj sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tu q\u00eb ecin p\u00ebrpara teje me gjith\u00eb zem\u00ebr.\n6:15 Ti me sh\u00ebrb\u00ebtorin t\u00ebnd David, atin tim, e mbajte at\u00eb q\u00eb i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dor\u00ebn t\u00ebnde at\u00eb q\u00eb kishe premtuar me goj\u00ebn t\u00ebnde.\n6:16 Prandaj tani o Zot, Per\u00ebndi i Izraelit, mbaje me sh\u00ebrb\u00ebtorin t\u00ebnd David, atin tim, at\u00eb q\u00eb i ke premtuar duke th\u00ebn\u00eb: \"Ty nuk do t\u00eb t\u00eb mungoj\u00eb asnj\u00eb nga ata q\u00eb ulen n\u00eb fronin e Izraelit, me kusht q\u00eb bijt\u00eb e tu t\u00eb kujdesen p\u00ebr sjelljen e tyre dhe t\u00eb ecin sipas ligjit tim ashtu si ke ecur ti p\u00ebrpara meje\".\n6:17 Tani, pra, o Zot, Per\u00ebndi i Izraelit, u b\u00ebft\u00eb fjala q\u00eb i ke th\u00ebn\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtorit t\u00ebnd David!\n6:18 Por a \u00ebsht\u00eb n\u00eb fakt e v\u00ebrtet\u00eb q\u00eb Per\u00ebndia banon me njer\u00ebzit n\u00eb tok\u00eb? Ja, qiejt\u00eb dhe qiejt\u00eb e qiejve nuk mund t\u00eb t\u00eb nx\u00ebn\u00eb, aq m\u00eb pak ky tempull q\u00eb un\u00eb kam nd\u00ebrtuar!\n6:19 Megjithat\u00eb, o Zot, Per\u00ebndia im, kushtoji v\u00ebmendje lutjes s\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtorit t\u00ebnd dhe k\u00ebrkes\u00ebs s\u00eb tij, duke d\u00ebgjuar britm\u00ebn dhe lutjen q\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtori yt t\u00eb drejton ty.\n6:20 Syt\u00eb e tu jan\u00eb drejtuar dit\u00eb e nat\u00eb ndaj k\u00ebtij tempulli, n\u00eb drejtim t\u00eb vendit q\u00eb ke th\u00ebn\u00eb: \"Atje do t\u00eb jet\u00eb emri im\", p\u00ebr t\u00eb d\u00ebgjuar lutjet q\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtori yt do t\u00eb b\u00ebj\u00eb duke u kthyer n\u00eb drejtim t\u00eb k\u00ebtij vendi.\n6:21 D\u00ebgjo lutjet e sh\u00ebrb\u00ebtorit t\u00ebnd dhe t\u00eb popullit t\u00ebnd t\u00eb Izraelit kur do t\u00eb luten t\u00eb kthyer nga ky vend. D\u00ebgjo nga vendi i banes\u00ebs sate, nga qiejt\u00eb; d\u00ebgjo dhe fali.\n6:22 N\u00eb qoft\u00eb se ndokush kryen nj\u00eb m\u00ebkat kund\u00ebr t\u00eb af\u00ebrmit t\u00eb tij dhe, i detyruar t\u00eb betohet, vjen t\u00eb betohet p\u00ebrpara altarit t\u00ebnd n\u00eb k\u00ebt\u00eb tempull,\n6:23 ti d\u00ebgjo nga qielli, nd\u00ebrhy dhe gjyko sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tu; d\u00ebno fajtorin, duke b\u00ebr\u00eb q\u00eb t\u00eb bjer\u00eb mbi kok\u00ebn e tij sjellja e tij, dhe shpalle t\u00eb drejt\u00eb t\u00eb pafajshmin duke i dh\u00ebn\u00eb hak.\n6:24 Kur populli yt i Izraelit do t\u00eb mundet nga armiku sepse ka m\u00ebkatuar kund\u00ebr teje, n\u00eb rast se kthehet te ti dhe l\u00ebvdon emrin t\u00ebnd, n\u00eb rast se t\u00eb lutet dhe t\u00eb st\u00ebrlutet n\u00eb k\u00ebt\u00eb tempull,\n6:25 d\u00ebgjo nga qielli dhe fale m\u00ebkatin e popullit t\u00ebnd t\u00eb Izraelit, dhe b\u00ebje t\u00eb kthehet n\u00eb vendin q\u00eb i ke dh\u00ebn\u00eb atij dhe et\u00ebrve t\u00eb tij.\n6:26 Kur qielli do t\u00eb jet\u00eb i mbyllur dhe nuk do t\u00eb ket\u00eb shi sepse kan\u00eb m\u00ebkatuar kund\u00ebr teje, n\u00eb qoft\u00eb se ata luten t\u00eb drejtuar nga ky vend, n\u00eb qoft\u00eb se lavd\u00ebrojn\u00eb emrin t\u00ebnd dhe heqin dor\u00eb nga m\u00ebkati i tyre sepse i ke p\u00ebrulur,\n6:27 ti d\u00ebgjo nga qielli, fale m\u00ebkatin e sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tu dhe t\u00eb popullit t\u00ebnd, t\u00eb Izraelit, duke u m\u00ebsuar rrug\u00ebn e mir\u00eb n\u00ebp\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn duhet t\u00eb ecin, dhe d\u00ebrgo shiun mbi tok\u00ebn q\u00eb i ke dh\u00ebn\u00eb si trash\u00ebgimi popullit t\u00ebnd.\n6:28 Kur n\u00eb vend do t\u00eb ket\u00eb zi buke apo murtaj\u00eb, ndryshk ose bloz\u00eb, dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku do t'i rrethoj\u00eb n\u00eb vendin e tyre, o n\u00eb qytetet e tyre, kur do t\u00eb p\u00eblcas\u00eb nj\u00eb fatkeq\u00ebsi ose nj\u00eb epidemi \u00e7far\u00ebdo,\n6:29 \u00e7do lutje, \u00e7do k\u00ebrkes\u00eb p\u00ebr falje q\u00eb do t\u00eb t\u00eb drejtohet nga \u00e7far\u00ebdo individ apo nga t\u00ebr\u00eb populli yt i Izraelit, kur secili ka pranuar plag\u00ebn e tij dhe dhimbjen e tij dhe ka zgjatur duart e tij ndaj k\u00ebtij tempulli,\n6:30 ti d\u00ebgjo nga qielli, vend i banes\u00ebs sate, dhe fali; dhe jepi secilit sipas sjelljes s\u00eb vet, ti q\u00eb njeh zemr\u00ebn e secilit (vet\u00ebm ti n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb njeh zemr\u00ebn e bijve t\u00eb njer\u00ebzve),\n6:31 me q\u00ebllim q\u00eb ata t\u00eb t\u00eb ken\u00eb frik\u00eb dhe t\u00eb ecin n\u00eb rrug\u00ebt e tua p\u00ebr gjith\u00eb koh\u00ebn q\u00eb do t\u00eb jetojn\u00eb n\u00eb vendin q\u00eb u ke dh\u00ebn\u00eb et\u00ebrve tan\u00eb.\n6:32 Kur i huaji, q\u00eb nuk i p\u00ebrket popullit t\u00eb Izraelit, do t\u00eb vij\u00eb nga nj\u00eb vend i larg\u00ebt p\u00ebr shkak t\u00eb emrit t\u00ebnd t\u00eb madh, t\u00eb dor\u00ebs sate t\u00eb fuqishme dhe t\u00eb krahut t\u00ebnd t\u00eb shtrir\u00eb, kur do t\u00eb vij\u00eb t\u00eb t\u00eb lutet duke u kthyer nga ky tempull,\n6:33 ti d\u00ebgjo nga qielli, nga vendi i banes\u00ebs sate, dhe jepi t\u00eb huajit ato q\u00eb t\u00eb k\u00ebrkon, me q\u00ebllim q\u00eb t\u00ebr\u00eb popujt e tok\u00ebs t\u00eb njohin emrin t\u00ebnd dhe t\u00eb ken\u00eb frik\u00eb nga ti, ashtu si b\u00ebn populli yt i Izraelit, dhe t\u00eb din\u00eb q\u00eb emri yt p\u00ebrmendet n\u00eb k\u00ebt\u00eb tempull q\u00eb kam nd\u00ebrtuar.\n6:34 Kur populli yt do t\u00eb hyj\u00eb n\u00eb luft\u00eb kund\u00ebr armiqve t\u00eb tij duke ndjekur rrug\u00ebn n\u00ebp\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn e d\u00ebrgove, n\u00eb rast se t\u00eb luten duke u drejtuar ndaj k\u00ebtij qyteti q\u00eb ti ke zgjedhur dhe ndaj tempullit q\u00eb un\u00eb kam nd\u00ebrtuar n\u00eb emrin t\u00ebnd,\n6:35 d\u00ebgjo nga qielli lutjen dhe k\u00ebrkes\u00ebn p\u00ebr falje dhe p\u00ebrkrah \u00e7\u00ebshtjen e tyre.\n6:36 Kur do t\u00eb kryejn\u00eb m\u00ebkate kund\u00ebr teje (sepse nuk ka njeri q\u00eb t\u00eb mos kryej\u00eb m\u00ebkate) dhe ti, i zem\u00ebruar kund\u00ebr tyre, do t'i braktis\u00ebsh n\u00eb dor\u00eb t\u00eb armiqve q\u00eb do t'i internojn\u00eb n\u00eb nj\u00eb vend t\u00eb larg\u00ebt ose t\u00eb af\u00ebrt,\n6:37 n\u00eb qoft\u00eb se n\u00eb vendin ku jan\u00eb internuar vijn\u00eb n\u00eb vete, kthehen ndaj teje dhe t\u00eb luten fort n\u00eb vendin e rob\u00ebris\u00eb s\u00eb tyre, duke th\u00ebn\u00eb: \"Kemi kryer m\u00ebkate, kemi vepruar padrejt\u00ebsisht, kemi b\u00ebr\u00eb t\u00eb keqen\",\n6:38 n\u00eb rast se kthehen me gjith\u00eb zem\u00ebr dhe me t\u00ebr\u00eb shpirt n\u00eb vendin e rob\u00ebris\u00eb s\u00eb tyre ku jan\u00eb shp\u00ebrngulur dhe t\u00eb luten duke u drejtuar ndaj vendit t\u00eb tyre, ndaj qytetit q\u00eb ti ke zgjedhur dhe tempullit q\u00eb kam nd\u00ebrtuar n\u00eb emrin t\u00ebnd,\n6:39 d\u00ebgjo nga qielli, vend i banes\u00ebs sate, lutjen dhe st\u00ebrlutjen e tyre, p\u00ebrkrah \u00e7\u00ebshtjen e tyre dhe fale popullin t\u00ebnd q\u00eb ka m\u00ebkatuar kund\u00ebr teje!\n6:40 Tani, o Per\u00ebndia im, mbaj syt\u00eb hapur dhe d\u00ebgjo me v\u00ebmendje lutjen q\u00eb b\u00ebhet n\u00eb k\u00ebt\u00eb vend!\n6:41 Tani, pra, \u00e7ohu, o Zot Per\u00ebndi, dhe eja n\u00eb vendin e shlodhjes sate, ti dhe arka e forc\u00ebs sate. Qofshin prift\u00ebrinjt\u00eb e tu, o Zot Per\u00ebndi, t\u00eb veshur me shp\u00ebtimin dhe u ngaz\u00ebllofshin n\u00eb mir\u00ebsi shenjtor\u00ebt e tu.\n6:42 O Zot Per\u00ebndi, mos e kthe fytyr\u00ebn e t\u00eb vajosurit t\u00ebnd; mbaj mend favoret q\u00eb i ke b\u00ebr\u00eb Davidit, sh\u00ebrb\u00ebtorit t\u00ebnd!\".\n7:1 Kur Salomoni mbaroi s\u00eb luturi, nga qielli ra nj\u00eb zjarr q\u00eb konsumoi olokaustin dhe flijimet dhe lavdia e Zotit mbushi tempullin.\n7:2 Prift\u00ebrinjt\u00eb nuk mund t\u00eb hynin n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, sepse lavdia e Zotit mbushte sht\u00ebpin\u00eb e Zotit.\n7:3 T\u00ebr\u00eb bijt\u00eb e Izraelit, kur pan\u00eb q\u00eb zjarri po zbriste dhe lavdia e Zotit po vendosej mbi tempullin, ran\u00eb p\u00ebrmbys me fytyr\u00eb mbi dysheme, duke adhuruar dhe l\u00ebvduar Zotin, \"sepse \u00ebsht\u00eb i mir\u00eb, sepse mir\u00ebsia e tij vazhdon n\u00eb p\u00ebrjetsi\".\n7:4 Pastaj mbreti dhe t\u00ebr\u00eb populli ofruan flijime p\u00ebrpara Zotit,\n7:5 mbreti Salomon ofroi si flijim nj\u00ebzet e dy mij\u00eb lop\u00eb dhe nj\u00ebqind e nj\u00ebzet mij\u00eb dele. K\u00ebshtu mbreti dhe t\u00ebr\u00eb populli shenjt\u00ebruan sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb.\n7:6 Prift\u00ebrinjt\u00eb kryenin detyrat e tyre, po k\u00ebshtu Levit\u00ebt me veglat e tyre muzikore t\u00eb kushtuara Zotit, q\u00eb mbreti David kishte b\u00ebr\u00eb p\u00ebr t\u00eb l\u00ebvduar Zotin, \"sepse mir\u00ebsia e tij \u00ebsht\u00eb e p\u00ebrjetshme\", sa her\u00eb q\u00eb Davidi l\u00ebvdonte me an\u00eb t\u00eb tyre. Prift\u00ebrinjt\u00eb u binin borive para tyre, nd\u00ebrsa t\u00ebr\u00eb Izraeli q\u00ebndronte n\u00eb k\u00ebmb\u00eb.\n7:7 Salomoni shenjt\u00ebroi pjes\u00ebn q\u00ebndrore t\u00eb oborrit q\u00eb ishte p\u00ebrball\u00eb sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit; aty pik\u00ebrisht ofroi olokauste dhe dhjamin e flijimeve t\u00eb falenderimit, sepse altari prej bronzi q\u00eb Salomoni kishte b\u00ebr\u00eb nuk i zinte dot olokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin.\n7:8 N\u00eb at\u00eb koh\u00eb Salomoni kremtoi fest\u00ebn shtat\u00eb dit\u00eb dhe t\u00ebr\u00eb Izraeli bashk\u00eb me t\u00eb. Me Salomonin u bashkua nj\u00eb mori e madhe njer\u00ebzish t\u00eb ardhur nga rrethinat e Hamathit deri n\u00eb p\u00ebrroin e Egjiptit.\n7:9 Dit\u00ebn e tet\u00eb b\u00ebn\u00eb nj\u00eb mbledhje solemne, sepse kishin kremtuar kushtimin e altarit shtat\u00eb dit\u00eb dhe fest\u00ebn shtat\u00eb dit\u00eb t\u00eb tjera.\n7:10 Dit\u00ebn e nj\u00ebzetetret\u00eb t\u00eb muajit t\u00eb shtat\u00eb ai e ktheu n\u00eb \u00e7adrat e tij popullin t\u00ebr\u00eb qejf dhe t\u00eb g\u00ebzuar p\u00ebr t\u00eb mir\u00ebn q\u00eb Zoti i kishte b\u00ebr\u00eb Davidit, Salomonit dhe Izraelit, popullit t\u00eb tij.\n7:11 K\u00ebshtu Salomoni p\u00ebrfundoi sht\u00ebpin\u00eb e Zotit dhe pallatin mbret\u00ebror t\u00eb tij, dhe arriti t\u00eb mbaroj\u00eb gjithshka q\u00eb kishte n\u00eb zem\u00ebr p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Zotit dhe p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e vet.\n7:12 Pastaj Zoti iu shfaq nat\u00ebn Salomonit dhe i tha: \"E plot\u00ebsova lutjen t\u00ebnde dhe zgjodha k\u00ebt\u00eb vend p\u00ebr vete si sht\u00ebpi flijimesh.\n7:13 Kur do t\u00eb mbyll qiellin dhe nuk do t\u00eb ket\u00eb m\u00eb shi, kur do t\u00eb urdh\u00ebroj q\u00eb karkalecat t\u00eb gllab\u00ebrojn\u00eb vendin, kur do t'i d\u00ebrgoj murtaj\u00ebn popullit tim,\n7:14 n\u00eb qoft\u00eb se populli im, i cili thirret me emrin tim, p\u00ebrulet, lutet, k\u00ebrkon fytyr\u00ebn time dhe kthehet prapa nga rrug\u00ebt e k\u00ebqija, un\u00eb do ta d\u00ebgjoj nga qielli, do t'i fal m\u00ebkatin e tij dhe do ta sh\u00ebroj vendin e tij.\n7:15 Tani syt\u00eb e mi do t\u00eb jen\u00eb t\u00eb hapur dhe vesh\u00ebt e mi t\u00eb v\u00ebmendsh\u00ebm p\u00ebr lutjen e b\u00ebr\u00eb n\u00eb k\u00ebt\u00eb vend,\n7:16 sepse tani kam zgjedhur dhe shenjt\u00ebruar k\u00ebt\u00eb tempull, q\u00eb emri im t\u00eb mbetet aty p\u00ebrjet\u00eb; syt\u00eb dhe zemra ime do t\u00eb jen\u00eb gjithnj\u00eb aty.\n7:17 Sa p\u00ebr ty, n\u00eb qoft\u00eb se do t\u00eb ec\u00ebsh para meje ashtu si ka ecur Davidi, ati yt, duke kryer t\u00eb gjitha ato q\u00eb t\u00eb kam urdh\u00ebruar, dhe n\u00eb rast se do t\u00eb respektosh statutet dhe dekretet e mia,\n7:18 do ta b\u00ebj t\u00eb q\u00ebndruesh\u00ebm fronin e mbret\u00ebris\u00eb sate, ashtu si\u00e7 jam marr\u00eb vesh me Davidin, atin t\u00ebnd, duke th\u00ebn\u00eb: \"Nuk do t\u00eb mungoj\u00eb kurr\u00eb nj\u00eb njeri q\u00eb t\u00eb mbet\u00ebroj\u00eb mbi Izraelin\".\n7:19 Por n\u00eb rast se do t\u00eb drejtoheni gjetiu dhe do t\u00eb braktisni statutet dhe urdh\u00ebrimet e mia q\u00eb ju kam v\u00ebn\u00eb p\u00ebrpara dhe do t\u00eb shkoni t'u sh\u00ebrbeni per\u00ebndive t\u00eb tjera dhe t\u00eb bini p\u00ebrmbys p\u00ebrpara tyre,\n7:20 at\u00ebher\u00eb do t'ju \u00e7rr\u00ebnjos nga vendi im q\u00eb ju kam dh\u00ebn\u00eb dhe nuk do t\u00eb jem m\u00eb i pranish\u00ebm n\u00eb k\u00ebt\u00eb tempull q\u00eb ia shenjt\u00ebrova emrit tim, duke e b\u00ebr\u00eb gazin dhe loj\u00ebn e t\u00eb gjith\u00eb popujve.\n7:21 Kushdo q\u00eb do t\u00eb kaloj\u00eb pran\u00eb k\u00ebtij tempulli aq t\u00eb madh\u00ebrish\u00ebm do t\u00eb habitet dhe do t\u00eb thot\u00eb: \"Pse Zoti e ka trajtuar k\u00ebshtu k\u00ebt\u00eb vend dhe k\u00ebt\u00eb tempull?\".\n7:22 At\u00ebher\u00eb do t'i p\u00ebrgjigjen: \"Sepse kan\u00eb braktisur Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e et\u00ebrve t\u00eb tyre q\u00eb i nxori nga vendi i Egjiptit, kan\u00eb pranuar per\u00ebndi t\u00eb tjera, kan\u00eb r\u00ebn\u00eb p\u00ebrmbys para tyre dhe u kan\u00eb sh\u00ebrbyer; prandaj Zoti ka sjell\u00eb mbi ta t\u00ebr\u00eb k\u00ebt\u00eb fatkeq\u00ebsi\"\".\n8:1 Nj\u00ebzet vjet pasi Salomoni nd\u00ebrtoi sht\u00ebpin\u00eb e Zotit dhe pallatin mbret\u00ebror t\u00eb tij,\n8:2 Salomoni rind\u00ebrtoi qytetet q\u00eb Hirami i kishte dh\u00ebn\u00eb Salomonit dhe b\u00ebri q\u00eb t\u00eb banojn\u00eb n\u00eb to bijt\u00eb e Izraelit.\n8:3 Salomoni marshoi pastaj kund\u00ebr Hamath-Tsobahut dhe e pushtoi.\n8:4 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj rind\u00ebrtoi Tadmorin n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb dhe t\u00eb gjitha qytetet e furnizimit q\u00eb kishte nd\u00ebrtuar n\u00eb Hamath.\n8:5 Rind\u00ebrtoi Beth-Horonin e sip\u00ebrm dhe Beth-Horonin e posht\u00ebm, qytete t\u00eb fortifikuara me mure, porta dhe shufra,\n8:6 si edhe Baalathin dhe t\u00ebr\u00eb qytetet e furnizimit q\u00eb i p\u00ebrkisnin Salomonit, t\u00eb gjitha qytetet e qerreve, qytetet e kalor\u00ebsis\u00eb, me nj\u00eb fjal\u00eb t\u00eb gjitha ato q\u00eb i p\u00eblqyen t\u00eb nd\u00ebrtoj\u00eb n\u00eb Jeruzalem, n\u00eb Liban dhe n\u00eb t\u00ebr\u00eb vendin q\u00eb ndodhej n\u00ebn sundimin e tij.\n8:7 T\u00ebr\u00eb njer\u00ebzit e mbetur nga Hitejt\u00eb, nga Amorejt\u00eb, nga Perezejt\u00eb, nga Hivejt\u00eb dhe nga Jebusejt\u00eb, q\u00eb nuk ishin nga Izraeli,\n8:8 (dometh\u00ebn\u00eb pasardh\u00ebsit e tyre q\u00eb kishin mbetur pas tyre n\u00eb vend dhe q\u00eb Izraelit\u00ebt nuk kishin mundur t'i shkat\u00ebrronin) Salomoni i rekrutoi p\u00ebr pun\u00eb t\u00eb detyrueshme deri dit\u00ebn e sotme.\n8:9 Por nga bijt\u00eb e Izraelit Salomoni nuk p\u00ebrdori asnj\u00eb si sh\u00ebrb\u00ebtor p\u00ebr punimet e tij; k\u00ebta ishin p\u00ebrkundrazi njer\u00ebzit e tij t\u00eb luft\u00ebs, krer\u00ebt e udh\u00ebheq\u00ebsve t\u00eb tij dhe komandant\u00ebt e qerreve dhe t\u00eb kalor\u00ebsis\u00eb s\u00eb tij.\n8:10 Shefat e n\u00ebnpun\u00ebsve t\u00eb mbretit Salomon q\u00eb kontrollonin popullin ishin dyqind e pes\u00ebdhjet\u00eb.\n8:11 Por Salomoni b\u00ebri q\u00eb vajza e Faraonit t\u00eb ngjitej nga qyteti i Davidit n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb q\u00eb kishte nd\u00ebrtuar p\u00ebr t\u00eb, sepse mendonte: \"bashk\u00ebshortja ime nuk duhet t\u00eb banoj\u00eb n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Davidit, mbretit t\u00eb Izraelit, sepse vendet ku ka hyr\u00eb arka e Zotit jan\u00eb t\u00eb shenjta\".\n8:12 At\u00ebher\u00eb Salomoni i ofroi olokauste Zotit mbi altarin e Zotit, q\u00eb ai kishte nd\u00ebrtuar p\u00ebrpara portikut t\u00eb tempullit;\n8:13 dhe e b\u00ebnte k\u00ebt\u00eb n\u00eb baz\u00eb t\u00eb numrit q\u00eb k\u00ebrkohej \u00e7do dit\u00eb, duke i ofruar sipas urdh\u00ebrimeve t\u00eb Moisiut, t\u00eb shtunave, kur kishte h\u00ebn\u00eb t\u00eb re dhe gjat\u00eb festave solemne, tri her\u00eb n\u00eb vit, dometh\u00ebn\u00eb n\u00eb festat e buk\u00ebve t\u00eb ndorme, n\u00eb festat e jav\u00ebve dhe n\u00eb fest\u00ebn e kasolleve.\n8:14 Duke iu p\u00ebrmbajtur normave t\u00eb Davidit, atit t\u00eb tij, ai vendosi klasat e prift\u00ebrinjve p\u00ebr sh\u00ebrbimin e tyre, Levit\u00ebt n\u00eb funksionet e tyre (t\u00eb l\u00ebvdojn\u00eb Zotin dhe t\u00eb sh\u00ebrbejn\u00eb para prift\u00ebrinjve) sipas detyrave t\u00eb p\u00ebrditshme, dhe der\u00ebtar\u00ebt sipas klasave t\u00eb tyre n\u00eb \u00e7do port\u00eb, sepse k\u00ebshtu kishte urdh\u00ebruar Davidi, njeriu i Per\u00ebndis\u00eb.\n8:15 Ata nuk u larguan nga urdh\u00ebri i mbretit, q\u00eb u ishte dh\u00ebn\u00eb prift\u00ebrinjve dhe Levit\u00ebve, p\u00ebr \u00e7do gj\u00eb dhe p\u00ebr thesaret.\n8:16 T\u00ebr\u00eb puna e Salomonit ishte e organizuar mir\u00eb nga dita q\u00eb u hodh\u00ebn themelet e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit deri sa kjo mbaroi. K\u00ebshtu sht\u00ebpia e Zotit u p\u00ebrfundua.\n8:17 At\u00ebher\u00eb mbreti Salomon shkoi n\u00eb Etsion-Geber dhe n\u00eb Elath mbi bregun e detit, n\u00eb vendin e Edomit.\n8:18 Hirami me an\u00eb t\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tij i d\u00ebrgoi anije dhe sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb q\u00eb njihnin detin. K\u00ebta shkuan me sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e Salomonit n\u00eb Ofir, mor\u00ebn aty kat\u00ebrqind e pes\u00ebdhjet\u00eb talenta ari dhe ia \u00e7uan mbretit Salomon.\n9:1 Kur mbret\u00ebresha e Sheb\u00ebs d\u00ebgjoi t\u00eb flitet p\u00ebr fam\u00ebn e Salomonit, ajo vajti n\u00eb Jeruzalem p\u00ebr ta v\u00ebn\u00eb n\u00eb prov\u00eb Salomonin me pyetje t\u00eb v\u00ebshtira, e shoq\u00ebruar nga shum\u00eb njer\u00ebz, me deve t\u00eb ngarkuara me\n9:2 Salomoni iu p\u00ebrgjigj t\u00eb gjitha pyetjeve t\u00eb saj, dhe nuk pati asnj\u00eb gj\u00eb t\u00eb fshehur p\u00ebr Salomonin q\u00eb ai nuk dinte ta shpjegonte.\n9:3 Kur mbret\u00ebresha e Sheb\u00ebs pa diturin\u00eb e Salomonit dhe sht\u00ebpin\u00eb q\u00eb kishte nd\u00ebrtuar,\n9:4 gjell\u00ebrat e tryez\u00ebs s\u00eb tij, banesat e sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tij, sh\u00ebrbimin e kamerier\u00ebve t\u00eb tij dhe rrobat e tyre, kup\u00ebmbajt\u00ebsit e tij dhe rrobat e tyre, si dhe olokaustet q\u00eb ai ofronte n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, ajo mbeti e mahnitur.\n9:5 Pastaj i tha mbretit: \"Ishte, pra, e v\u00ebrtet\u00eb ajo q\u00eb kisha d\u00ebgjuar n\u00eb vendin tim p\u00ebrsa u p\u00ebrket fjal\u00ebve t\u00eb tua dhe dituris\u00eb sate.\n9:6 Por nuk u besova k\u00ebtyre gj\u00ebrave deri sa erdha vet\u00eb dhe i pash\u00eb me syt\u00eb e mi; e mir\u00eb, pra, nuk m\u00eb kishin th\u00ebn\u00eb as gjysm\u00ebn e v\u00ebllimit t\u00eb dituris\u00eb sate. Ti e kalon fam\u00ebn q\u00eb kisha d\u00ebgjuar t\u00eb flitet.\n9:7 Lum njer\u00ebzit e tu, lum k\u00ebta sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb t\u00eb tu q\u00eb rrin\u00eb gjithnj\u00eb para teje dhe d\u00ebgjojn\u00eb diturin\u00eb t\u00ebnde!\n9:8 Qoft\u00eb i bekuar Zoti, Per\u00ebndia yt, q\u00eb t\u00eb deshi, dhe t\u00eb vuri mbi fronin e tij si mbret p\u00ebr Zotin, Per\u00ebndin\u00eb t\u00ebnd! Duke qen\u00eb se Per\u00ebndia yt e do Izraelin dhe do ta b\u00ebj\u00eb t\u00eb q\u00ebndruesh\u00ebm p\u00ebrjet\u00eb, t\u00eb ka vendosur si mbret mbi t\u00eb q\u00eb t\u00eb ushtrosh gjykime dhe drejt\u00ebsi\".\n9:9 Pastaj ajo i fali mbretit nj\u00ebqind e nj\u00ebzet talenta ari dhe nj\u00eb sasi t\u00eb madhe aromash dhe gur\u00ebsh t\u00eb \u00e7muar. Nuk pati kurr\u00eb m\u00eb aroma si ato q\u00eb mbret\u00ebresha e Sheb\u00ebs i dha mbretit Salomon.\n9:10 Sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e Hiramit dhe sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e Salomonit q\u00eb mbartnin ar nga Ofiri, suall\u00ebn edhe dru santali dhe gur\u00eb t\u00eb \u00e7muar;\n9:11 me drurin e santalit mbreti b\u00ebri shkall\u00eb p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Zotit dhe p\u00ebr pallatin mbret\u00ebror t\u00eb tij; ai b\u00ebri gjithashtu qeste dhe harpa p\u00ebr k\u00ebng\u00ebtar\u00ebt. Asnj\u00eb veg\u00ebl si k\u00ebto nuk ishte par\u00eb m\u00eb p\u00ebrpara n\u00eb vendin e Jud\u00ebs.\n9:12 Mbreti Salomon i dha mbret\u00ebresh\u00ebs s\u00eb Shebas t\u00eb gjith\u00eb gj\u00ebrat e d\u00ebshiruara q\u00eb ajo k\u00ebrkoi, shum\u00eb m\u00eb tep\u00ebr nga ato q\u00eb ajo i kishte sjell\u00eb mbretit. Pastaj ajo u kthye, duke shkuar me sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e saj n\u00eb vendin e vet.\n9:13 Pesha e arit q\u00eb Salomoni merrte \u00e7do vit ishte gjasht\u00ebqind e gjasht\u00ebdhjet\u00eb e gjasht\u00eb talenta ari,\n9:14 p\u00ebrve\u00e7 atij q\u00eb merrte nga tregtar\u00ebt; edhe t\u00ebr\u00eb mbret\u00ebrit e Arabis\u00eb dhe qeveritar\u00ebt e vendit i sillnin Salomonit ar dhe argjend.\n9:15 Mbreti Salomon urdh\u00ebroi t\u00eb b\u00ebhen dyqind mburoja t\u00eb m\u00ebdha prej ari t\u00eb rrahur, duke p\u00ebrdorur p\u00ebr secil\u00ebn prej tyre gjasht\u00ebqind sikla ari t\u00eb rrahur,\n9:16 dhe treqind mburoja prej ari t\u00eb rrahur, p\u00ebr secil\u00ebn prej tyre p\u00ebrdori treqind sikla ari; pastaj mbreti i vendosi n\u00eb pallatin e pyllit t\u00eb Libanit.\n9:17 Mbreti b\u00ebri gjithashtu nj\u00eb fron t\u00eb madh prej fildishi, q\u00eb e veshi me ar t\u00eb kulluar.\n9:18 Froni kishte shtat\u00eb shkall\u00ebza dhe nj\u00eb stol prej ari, q\u00eb ishin t\u00eb lidhura me fronin; kishte krah\u00eb n\u00eb an\u00ebt e fronit dhe dy luan\u00eb rrinin pran\u00eb krah\u00ebve.\n9:19 Dymb\u00ebdhjet\u00eb luan\u00eb rrinin n\u00eb t\u00eb dy an\u00ebt e skajeve t\u00eb gjasht\u00eb shkall\u00ebzave. Asgj\u00eb e till\u00eb nuk ishte b\u00ebr\u00eb n\u00eb nj\u00eb mbret\u00ebri tjet\u00ebr.\n9:20 T\u00eb gjitha kupat p\u00ebr pijet e mbretit Salomon ishin prej ari, madje edhe ato t\u00eb pallatit t\u00eb pyllit t\u00eb Libanit ishin prej ari t\u00eb kulluar. N\u00eb koh\u00ebn e Salomonit argjendi n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb nuk kishte asnj\u00eb vler\u00eb.\n9:21 Sepse anijet e mbretit shkonin n\u00eb Tarshish me sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e Hiramit; dhe nj\u00eb her\u00eb \u00e7do tre vjet vinin anijet e Tarshishit, duke sjell\u00eb ar, argjend, fildish, majmun\u00eb dhe pallonj.\n9:22 K\u00ebshtu mbreti Salomon ua kaloi p\u00ebr pasuri dhe dituri t\u00ebr\u00eb mbret\u00ebrve t\u00eb dheut.\n9:23 T\u00ebr\u00eb mbret\u00ebrit e dheut k\u00ebrkonin pranin\u00eb e Salomonit p\u00ebr t\u00eb d\u00ebgjuar diturin\u00eb q\u00eb Per\u00ebndia i kishte v\u00ebn\u00eb n\u00eb zem\u00ebr.\n9:24 Secili prej tyre i \u00e7onte dhurat\u00ebn e vet: sende argjendi, sende ari, rroba, arm\u00eb, aroma, kuaj dhe mushka, nj\u00eb sasi t\u00eb caktuar \u00e7do vit.\n9:25 Salomoni kishte kat\u00ebr mij\u00eb stalla p\u00ebr kuajt dhe p\u00ebr qerret dhe dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb kalor\u00ebs, q\u00eb i shp\u00ebrndau n\u00eb qytetet p\u00ebr qerret dhe n\u00eb Jeruzalem pran\u00eb tij.\n9:26 K\u00ebshtu ai sundoi mbi t\u00ebr\u00eb mbret\u00ebrit nga Lumi deri n\u00eb vendin e Filistejve dhe n\u00eb kufi me Egjiptin.\n9:27 Mbreti veproi n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb till\u00eb q\u00eb n\u00eb Jeruzalem argjendi t\u00eb ishte i r\u00ebndomt\u00eb si gur\u00ebt dhe kedrat t\u00eb bollsh\u00ebm si fiku i Egjiptit n\u00eb fusha.\n9:28 Salomonit i sillnin kuaj nga Egjipti dhe nga t\u00eb gjitha vendet.\n9:29 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Salomonit, nga t\u00eb parat deri n\u00eb t\u00eb fundit, a nuk jan\u00eb vall\u00eb t\u00eb shkruara n\u00eb librin e Nathanit, profetit, n\u00eb profecin\u00eb e Ahijahut nga Shilohu dhe n\u00eb vegimet e Idos, shikuesit, mbi Jeroboamin, birin e Nebatit?\n9:30 Salomoni mbret\u00ebroi n\u00eb Jeruzalem mbi t\u00ebr\u00eb Izraelin dyzet vjet.\n9:31 Pastaj Salomoni pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe e varros\u00ebn n\u00eb qytetin e Davidit, atit t\u00eb tij. N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri, Roboami.\n10:1 Roboami shkoi n\u00eb Sikem, sepse t\u00ebr\u00eb Izraeli kishte ardhur n\u00eb Sikem p\u00ebr ta b\u00ebr\u00eb mbret.\n10:2 Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e m\u00ebsoi k\u00ebt\u00eb (ai ishte akoma n\u00eb Egjipt ku kishte ikur larg pranis\u00eb s\u00eb mbretit Salomon), Jeroboami u kthye nga Egjipti.\n10:3 Prandaj d\u00ebrguan ta th\u00ebrrasin. K\u00ebshtu Jeroboami dhe t\u00ebr\u00eb Izraeli erdh\u00ebn t'i flasin Roboamit dhe i than\u00eb:\n10:4 \"Ati yt e ka b\u00ebr\u00eb zgjedh\u00ebn ton\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00eb; tani ti leht\u00ebsoje rob\u00ebrin\u00eb e fort\u00eb t\u00eb atit t\u00ebnd dhe zgjedh\u00ebn e r\u00ebnd\u00eb q\u00eb ai na ka imponuar, dhe ne do t\u00eb t\u00eb sh\u00ebrbejm\u00eb\".\n10:5 Ai u p\u00ebrgjigj k\u00ebshtu: \"Kthehuni tek un\u00eb pas tri dit\u00ebsh\". Pastaj populli iku.\n10:6 At\u00ebher\u00eb mbreti Roboam u k\u00ebshillua me pleqt\u00eb q\u00eb kishin qen\u00eb n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb atit t\u00eb tij, Salomonit, kur ishte i gjall\u00eb, dhe i tha: \"\u00c7far\u00eb m\u00eb k\u00ebshilloni t'i them k\u00ebtij populli?\".\n10:7 Ata i fol\u00ebn duke th\u00ebn\u00eb: \"N\u00eb rast se tregohesh dashamir\u00ebs me k\u00ebt\u00eb popull dhe e k\u00ebnaq, duke u dh\u00ebn\u00eb atyre nj\u00eb p\u00ebrgjigje t\u00eb favorshme, ata do t\u00eb jen\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb t\u00eb tu p\u00ebrgjithmon\".\n10:8 Por Roboami hodhi posht\u00eb k\u00ebshill\u00ebn e dh\u00ebn\u00eb nga pleqt\u00eb dhe u konsultua me t\u00eb rinjt\u00eb q\u00eb ishin rritur me t\u00eb dhe ishin n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb tij,\n10:9 dhe u tha atyre: \"\u00c7far\u00eb m\u00eb k\u00ebshilloni t'i p\u00ebrgjigjem k\u00ebtij populli q\u00eb m\u00eb foli duke th\u00ebn\u00eb: \"Leht\u00ebsoje zgjedh\u00ebn e v\u00ebn\u00eb nga ati yt?\"\".\n10:10 At\u00ebher\u00eb t\u00eb rinjt\u00eb q\u00eb ishin rritur me t\u00eb i fol\u00ebn, duke th\u00ebn\u00eb: \"K\u00ebshtu do t'i p\u00ebrgjigjesh k\u00ebtij populli q\u00eb t\u00eb \u00ebsht\u00eb drejtuar ty duke th\u00ebn\u00eb: \"Ati yt e ka b\u00ebr\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00eb zgjedh\u00ebn ton\u00eb; tani leht\u00ebsoje at\u00eb\". K\u00ebshtu do t'u thuash atyre: \"Gishti im i vog\u00ebl \u00ebsht\u00eb m\u00eb i trash\u00eb se sa ijet e atit tim;\n10:11 prandaj n\u00eb qoft\u00eb se ati im ju ka v\u00ebn\u00eb nj\u00eb zgjedh\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00eb, un\u00eb do ta b\u00ebj at\u00eb edhe m\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00eb; n\u00eb qoft\u00eb se ati im ju ka nd\u00ebshkuar me fshikull, un\u00eb do t'ju d\u00ebnoj me kamxhik\"\".\n10:12 Pas tri dit\u00ebve, Jeroboami dhe t\u00ebr\u00eb populli erdh\u00ebn te Roboami, ashtu si kishte urdh\u00ebruar mbreti, duke th\u00ebn\u00eb: \"Kthehuni tek un\u00eb pas tri dit\u00ebsh\".\n10:13 Mbreti iu p\u00ebrgjigj atyre r\u00ebnd\u00eb: k\u00ebshtu mbreti Roboam, duke hedhur posht\u00eb k\u00ebshill\u00ebn e dh\u00ebn\u00eb nga pleqt\u00eb,\n10:14 u foli atyre sipas k\u00ebshill\u00ebs s\u00eb dh\u00ebn\u00eb nga t\u00eb rinjt\u00eb, duke th\u00ebn\u00eb: \"Ati im e ka b\u00ebr\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00eb zgjedh\u00ebn tuaj, por un\u00eb do ta b\u00ebj edhe m\u00eb t\u00eb r\u00ebnd\u00eb; ati im ju ka nd\u00ebshkuar me fshikull, un\u00eb do t'ju d\u00ebnoj me kamxhik\".\n10:15 K\u00ebshtu mbreti nuk e d\u00ebgjoi popullin, sepse zhvillimi i ngjarjeve varej nga Per\u00ebndia, me q\u00ebllim q\u00eb Zoti ta \u00e7onte n\u00eb vend fjal\u00ebn e tij, q\u00eb ia kishte drejtuar Jeroboamit, birit t\u00eb Nebatit, me an\u00eb t\u00eb Ahijahut nga Shilohu.\n10:16 Kur t\u00ebr\u00eb Izraeli pa q\u00eb mbreti nuk e d\u00ebgjonte, iu p\u00ebrgjigj mbretit duke th\u00ebn\u00eb: \"\u00c7far\u00eb pjese kemi ne nga Davidi? Nuk kemi asnj\u00eb trash\u00ebgimi nga biri i Isait! Secili n\u00eb \u00e7adr\u00ebn e vet, o Izrael! Tani kujdesohu p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb t\u00ebnde, o David!\". K\u00ebshtu t\u00ebr\u00eb Izraeli shkoi n\u00eb \u00e7adrat e veta.\n10:17 Por mbi bijt\u00eb e Izraelit q\u00eb banonin n\u00eb qytetin e Jud\u00ebs mbret\u00ebroi Roboami.\n10:18 Mbreti Roboam d\u00ebrgoi Hadoramin, t\u00eb ngarkuarin me hara\u00e7et, por bijt\u00eb e Izraelit e vran\u00eb me gur\u00eb dhe ai vdiq. At\u00ebher\u00eb mbreti Roboam u shpejtua t\u00eb hip\u00eb mbi nj\u00eb qerre p\u00ebr t\u00eb ikur me vrap n\u00eb Jeruzalem.\n10:19 K\u00ebshtu Izraeli ka qen\u00eb rebel ndaj sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Davidit deri dit\u00ebn e sotme.\n11:1 Roboami, me t\u00eb arritur n\u00eb Jeruzalem, thirri sht\u00ebpin\u00eb e Jud\u00ebs dhe t\u00eb Beniaminit, nj\u00ebqind e tet\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb luft\u00ebtar\u00eb t\u00eb zgjedhur, p\u00ebr t\u00eb luftuar kund\u00ebr Izraelit dhe p\u00ebr t'i kthyer k\u00ebshtu mbret\u00ebrin\u00eb Roboamit.\n11:2 Por fjala e Zotit iu drejtua k\u00ebshtu Shemajahut, njeriu i Per\u00ebndis\u00eb, duke th\u00ebn\u00eb:\n11:3 \"Foli Roboamit, birit t\u00eb Salomonit, mbretit t\u00eb Jud\u00ebs, dhe t\u00ebr\u00eb Izraelit n\u00eb Jud\u00eb dhe n\u00eb Beniamin, dhe u thuaj atyre:\n11:4 K\u00ebshtu flet Zoti: \"Mos dilni t\u00eb luftoni kund\u00ebr v\u00ebllez\u00ebrve tuaj. Secili t\u00eb kthehet n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e vet, sepse kjo gj\u00eb vjen nga un\u00eb\"\". At\u00ebher\u00eb ata iu bind\u00ebn fjal\u00ebs t\u00eb Zotit dhe u kthyen prapa pa dal\u00eb kund\u00ebr Jeroboamit.\n11:5 Roboami banoi n\u00eb Jeruzalem dhe nd\u00ebrtoi disa qytete p\u00ebr mbrojtje n\u00eb Jud\u00eb.\n11:6 Ai nd\u00ebrtoi Betlemin, Etamin, Tekoan,\n11:7 Beth-Tsurin, Sokon, Adulamin,\n11:8 Gathin, Mareshahun, Zifin,\n11:9 Adoraimin, Lakishin, Azkahun,\n11:10 Tsorahun, Ajalonin dhe Hebronin, q\u00eb u b\u00ebn\u00eb qytete t\u00eb fortifikuara n\u00eb Jud\u00eb dhe n\u00eb Beniamin.\n11:11 P\u00ebrforcoi fortesat dhe vendosi komandant\u00eb dhe depo ushqimesh, vaji dhe vere.\n11:12 N\u00eb \u00e7do qytet vendosi mburoja dhe shtiza dhe i b\u00ebri jasht\u00ebzakonisht t\u00eb forta. K\u00ebshtu ai pati me vete Jud\u00ebn dhe Beniaminin.\n11:13 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj nga t\u00eb gjitha territoret e tyre prift\u00ebrinjt\u00eb dhe Levit\u00ebt e t\u00ebr\u00eb Izraelit mor\u00ebn an\u00ebn e tij.\n11:14 N\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb Levit\u00ebt braktis\u00ebn tokat e tyre p\u00ebr kullot\u00eb dhe pronat e tyre dhe shkuan n\u00eb Jud\u00eb dhe n\u00eb Jeruzalem, sepse Jeroboami me bijt\u00eb e tij i kishte p\u00ebrz\u00ebn\u00eb nga sh\u00ebrbimi si prift\u00ebrinj t\u00eb Zotit,\n11:15 dhe kishte caktuar prift\u00ebrinj p\u00ebr vendet e larta, p\u00ebr demon\u00ebt dhe p\u00ebr vi\u00e7at q\u00eb kishte b\u00ebr\u00eb.\n11:16 Mbas Levit\u00ebve ata nga gjith\u00eb fiset e Izraelit q\u00eb kishin vendosur n\u00eb zem\u00ebr t\u00eb tyre t\u00eb k\u00ebrkonin Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e Izraelit, vajt\u00ebn n\u00eb Jeruzalem p\u00ebr t'i ofruar flijime Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb et\u00ebrve t\u00eb tyre.\n11:17 K\u00ebshtu e p\u00ebrforcuan mbret\u00ebrin\u00eb e Jud\u00ebs dhe e b\u00ebn\u00eb t\u00eb q\u00ebndrush\u00ebm p\u00ebr tre vjet Roboamin, birin e Salomonit, sepse p\u00ebr tre vjet ndoq\u00ebn rrug\u00ebn e Davidit dhe t\u00eb Salomonit.\n11:18 Roboami mori p\u00ebr grua Mahalath\u00ebn, bij\u00ebn e Jerimothit, birit t\u00eb Davidit dhe i Abihajlit, bij\u00ebs s\u00eb Eliabit q\u00eb ishte bir i Isait.\n11:19 Ajo i lindi f\u00ebmij\u00ebt Jeush, Shemariah dhe Zaaham.\n11:20 Mbas asaj mori p\u00ebr grua Maakah\u00ebn, bij\u00ebn e Absalomit, e cila i lindi Abijahun, Atain, Zizan dhe Shelomithin.\n11:21 Roboami e donte Maakah\u00ebn, bij\u00ebn e Absalomit, m\u00eb tep\u00ebr se t\u00eb gjitha bashk\u00ebshortet e konkubinat e tij (ai mori tet\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb bashk\u00ebshorte dhe shtat\u00ebdhjet\u00eb konkubina dhe i lind\u00ebn nj\u00ebzet e tet\u00eb djem dhe gjasht\u00ebdhjet\u00eb vajza).\n11:22 Roboami e caktoi Abijahun, birin e Maakah\u00ebs, si t\u00eb par\u00eb q\u00eb t\u00eb ishte princ midis v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb tij, sepse mendonte ta b\u00ebnte mbret.\n11:23 Ai veproi me zgjuarsi dhe i shp\u00ebrndau disa nga bijt\u00eb e tij n\u00eb t\u00eb gjitha vendet e Jud\u00ebs dhe t\u00eb Beniaminit, n\u00eb t\u00eb gjitha qytetet e fortifikuara; u dha atyre ushqime me shumic\u00eb dhe k\u00ebrkoi p\u00ebr ta shum\u00eb bashk\u00ebshorte.\n12:1 Mbas forcimit t\u00eb mbret\u00ebris\u00eb dhe t\u00eb pushtetit t\u00eb tij, Roboami braktisi ligjin e Zotit bashk\u00eb me t\u00ebr\u00eb Izraelin.\n12:2 N\u00eb vitin e pest\u00eb t\u00eb mbretit Roboam, Shishaku, mbret i Egjiptit, doli kund\u00ebr Jeruzalemit (sepse ata kishin kryer m\u00ebkate kund\u00ebr Zotit),\n12:3 me nj\u00ebmij\u00eb e dyqind qerre dhe gjasht\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb kalor\u00ebs; dhe bashk\u00eb me t\u00eb erdhi nga Egjipti nj\u00eb popull i pallogaritsh\u00ebm: Libian\u00eb, Sukej dhe Etiopias.\n12:4 Ai pushtoi qytetet e fortifikuara q\u00eb ishin pron\u00eb e Jud\u00ebs dhe arriti deri n\u00eb Jeruzalem.\n12:5 At\u00ebher\u00eb profeti Shemajah shkoi te Roboami dhe te krer\u00ebt e Jud\u00ebs, q\u00eb ishin mbledhur n\u00eb Jeruzalem nga frika e Shishakut, dhe u tha atyre: \"K\u00ebshtu thot\u00eb Zoti: \"Ju m\u00eb kini braktisur, prandaj edhe un\u00eb ju braktis n\u00eb duart e Shishakut\"\".\n12:6 At\u00ebher\u00eb princat e Izraelit dhe mbreti u p\u00ebrul\u00ebn dhe than\u00eb: \"Zoti \u00ebsht\u00eb i drejt\u00eb\".\n12:7 Kur Zoti pa q\u00eb ata ishin p\u00ebrulur, fjala e Zotit iu drejtua Shemajahut, duke i th\u00ebn\u00eb: \"Me qen\u00eb se ata u p\u00ebrul\u00ebn, un\u00eb nuk do t'i shkat\u00ebrroj, por do t'ju jap pas pak \u00e7lirimin dhe zem\u00ebrimi im nuk do t\u00eb kthehet kund\u00ebr Jeruzalemit n\u00ebp\u00ebrmjet Shishakut.\n12:8 Megjithat\u00eb do t'i n\u00ebnshtrohen atij, k\u00ebshtu do t\u00eb njohin nga p\u00ebrvoja \u00e7'do t\u00eb thot\u00eb t\u00eb m\u00eb sh\u00ebrbesh mua dhe t'u sh\u00ebrbesh mbret\u00ebrive t\u00eb kombeve\".\n12:9 K\u00ebshtu Shishaku, mbret i Egjiptit, u sul kund\u00ebr Jeruzalemit dhe mori me vete thesaret e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit dhe thesaret e pallatit mbret\u00ebror; mori me vete \u00e7do gj\u00eb; mori edhe mburojat prej ari q\u00eb kishte b\u00ebr\u00eb Salomoni.\n12:10 Dhe n\u00eb vend t\u00eb tyre mbreti Roboam b\u00ebri mburoja prej bronzi dhe ua besoi ruajtjen e tyre kapiten\u00ebve t\u00eb rojeve q\u00eb ruanin port\u00ebn e sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb mbretit.\n12:11 Sa her\u00eb q\u00eb mbreti hynte n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, rojet shkonin dhe i merrnin dhe pastaj i \u00e7onin p\u00ebrs\u00ebri n\u00eb sall\u00ebn e rojeve.\n12:12 Me qen\u00eb se Roboami ishte p\u00ebrulur, zem\u00ebrimi i Zotit u hoq nga ai dhe nuk e shkat\u00ebrroi plot\u00ebsisht; n\u00eb Jud\u00eb kishte akoma gj\u00ebra t\u00eb mira.\n12:13 K\u00ebshtu mbreti Roboam u p\u00ebrforcua n\u00eb Jeruzalem dhe vazhdoi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb. Kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, Roboami ishte dyzet e nj\u00eb vje\u00e7, dhe mbret\u00ebroi shtat\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem, qyteti q\u00eb Zoti\n12:14 Ai veproj keq, sepse nuk u vu me zemr\u00ebn e tij n\u00eb k\u00ebrkim t\u00eb Zotit.\n12:15 B\u00ebmat e Roboamit, nga t\u00eb parat deri n\u00eb t\u00eb fundit, a nuk jan\u00eb vall\u00eb t\u00eb shkruara n\u00eb analet e profetit Shemajah dhe t\u00eb shikuesit Ido, sipas gjenealogjive? Pati luftra t\u00eb vazhdueshme midis Roboamit dhez Jeroboamit.\n12:16 Pastaj Roboami pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe u varros n\u00eb qytetin e Davidit. N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri, Abijahu.\n13:1 N\u00eb vitin e tet\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb t\u00eb mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb Jeroboamit, Abijahu filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb n\u00eb Jud\u00eb.\n13:2 Ai mbret\u00ebroi tre vjet n\u00eb Jeruzalem. E \u00ebma quhej Mikajah; ishte bija e Urielit nga Gibeahu. Pati luft\u00eb midis Abijahut dhe Jeroboamit.\n13:3 Abijahu u p\u00ebrgatit p\u00ebr betej\u00ebn me nj\u00eb ushtri me luft\u00ebtar\u00eb trima, kat\u00ebrqind mij\u00eb njer\u00ebz t\u00eb zgjedhur; edhe Jeroboami u radhit n\u00eb rend beteje kund\u00ebr tij me tet\u00ebqind mij\u00eb burra t\u00eb zgjedhur, njer\u00ebz t\u00eb fort\u00eb dhe trima.\n13:4 Duke q\u00ebndruar n\u00eb malin e Tsemaraimit, q\u00eb ndodhet n\u00eb krahin\u00ebn malore t\u00eb Efraimit, Abijahu tha: \"M\u00eb d\u00ebgjoni, Jeroboam dhe t\u00ebr\u00eb Izraeli!\n13:5 A nuk e dini vall\u00eb q\u00eb Zoti, Per\u00ebndia i Izraelit, ia ka dh\u00ebn\u00eb p\u00ebr gjithnj\u00eb Davidit mbret\u00ebrimin mbi Izrael, atij dhe bijve t\u00eb tij, me nj\u00eb bes\u00eblidhje kripe?\n13:6 Megjithat\u00eb Jeroboami, bir i Nebatit, sh\u00ebrb\u00ebtor i Salomonit, birit t\u00eb Davidit, u ngrit dhe u rebelua kund\u00ebr zot\u00ebris\u00eb s\u00eb tij.\n13:7 Rreth tij ishin mbledhur njer\u00ebz t\u00eb neveritsh\u00ebm dhe horra, q\u00eb ishin b\u00ebr\u00eb t\u00eb fort\u00eb kund\u00ebr Roboamit, birit t\u00eb Salomonit, kur Roboami ishte i ri dhe pa p\u00ebrvoj\u00eb, dhe nuk ishte mjaft i fort\u00eb sa t'u rezistonte atyre.\n13:8 Tani ju mendoni t\u00eb mund t'i rezistoni mbret\u00ebris\u00eb t\u00eb Zotit, q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb duart e bijve t\u00eb Davidit, sepse jeni nj\u00eb shumic\u00eb e madhe dhe keni me vete vi\u00e7at e art\u00eb q\u00eb Jeroboami ka b\u00ebr\u00eb p\u00ebr ju si per\u00ebndit\u00eb tuaja.\n13:9 A nuk keni d\u00ebbuar vall\u00eb prift\u00ebrinjt\u00eb e Zotit, bij t\u00eb Aaronit, dhe Levit\u00ebt dhe nuk jeni b\u00ebr\u00eb prift\u00ebrinj si popujt e vendeve t\u00eb tjera? K\u00ebshtu kushdo q\u00eb vjen me nj\u00eb dem t\u00eb vog\u00ebl dhe me shtat\u00eb desh p\u00ebr t'u shenjt\u00ebruar, mund t\u00eb b\u00ebhet prift i atyre q\u00eb nuk jan\u00eb per\u00ebndi.\n13:10 Sa p\u00ebr ne, Zoti \u00ebsht\u00eb Per\u00ebndia yn\u00eb dhe ne nuk e kemi braktisur; prift\u00ebrinjt\u00eb q\u00eb i sh\u00ebrbejn\u00eb Zotit jan\u00eb bij t\u00eb Aaronit, nd\u00ebrsa Levit\u00ebt kryejn\u00eb detyrat e tyre.\n13:11 \u00c7do m\u00ebngjes e \u00e7do mbr\u00ebmje ata i ofrojn\u00eb Zotit olokauste dhe temjan er\u00ebmir\u00eb; p\u00ebr m\u00eb tep\u00ebr ata i vendosin buk\u00ebt e paraqitjes n\u00eb nj\u00eb tryez\u00eb t\u00eb past\u00ebr, dhe \u00e7do mbr\u00ebmje ndezin shandanin e art\u00eb me llambat e tij, sepse ne respektojm\u00eb urdhrin e Zotit, Per\u00ebndis\u00eb ton\u00eb, por ju e keni braktisur.\n13:12 Dhe ja, vet Per\u00ebndia \u00ebsht\u00eb me ne, mbi kryet ton\u00eb dhe prift\u00ebrinjt\u00eb me buri kumbonj\u00ebse jan\u00eb duke i r\u00ebn\u00eb alarmit kund\u00ebr jush. O bij t\u00eb Izraelit, mos luftoni kund\u00ebr Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb et\u00ebrve tuaj, sepse nuk do t\u00eb keni sukses\".\n13:13 Nd\u00ebrkaq Jeroboami me nj\u00eb prit\u00eb u mori krah\u00ebt p\u00ebr t'i sulmuar; k\u00ebshtu nd\u00ebrsa ai ishte radhitur para Jud\u00ebs, ata t\u00eb prit\u00ebs ndodheshin prapa tyre.\n13:14 Kur ata t\u00eb Jud\u00ebs u kthyen, vun\u00eb re q\u00eb beteja i priste si nga p\u00ebrpara ashtu dhe nga prapa. At\u00ebher\u00eb i klith\u00ebn Zotit dhe prift\u00ebrinjt\u00eb u ran\u00eb borive.\n13:15 Pastaj njer\u00ebzit e Jud\u00ebs l\u00ebshuan nj\u00eb britm\u00eb dhe, nd\u00ebrsa njer\u00ebzit e Jud\u00ebs ul\u00ebrinin, ndodhi q\u00eb Per\u00ebndia goditi Jeroboamin dhe t\u00ebr\u00eb Izraelin p\u00ebrpara Abijahut dhe Jud\u00ebs.\n13:16 K\u00ebshtu bijt\u00eb e Izraelit ik\u00ebn p\u00ebrpara Jud\u00ebs, dhe Per\u00ebndia i dor\u00ebzoi n\u00eb duart e tij.\n13:17 Abijahu dhe njer\u00ebzit e tij i mund\u00ebn keq; nga radh\u00ebt e Izraelit\u00ebve ran\u00eb t\u00eb vdekur pes\u00ebqind mij\u00eb luft\u00ebtar\u00eb t\u00eb zgjedhur.\n13:18 K\u00ebshtu n\u00eb at\u00eb koh\u00eb bijt\u00eb e Izraelit u posht\u00ebruan, nd\u00ebrsa bijt\u00eb e Jud\u00ebs u p\u00ebrforcuan sepse ishin mb\u00ebshtetur tek Zoti, Per\u00ebndia i et\u00ebrve t\u00eb tyre.\n13:19 Abijahu e ndoqi Jeroboamin dhe i mori qytetet q\u00eb vijojn\u00eb: Bethelin me fshatrat p\u00ebrreth, Jeshanahun me fshatrat p\u00ebrreth dhe Efraimin me fshatrat p\u00ebrreth.\n13:20 K\u00ebshtu gjat\u00eb jet\u00ebs s\u00eb Abijahut, Jeroboami nuk e mblodhi m\u00eb veten; pastaj Zoti e goditi dhe ai vdiq.\n13:21 Abijahu p\u00ebrkundrazi u b\u00eb i fuqish\u00ebm, mori kat\u00ebrmb\u00ebdhjet\u00eb gra dhe pati nj\u00ebzet e dy djem dhe gjasht\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vajza.\n13:22 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Abijahut, sjellja dhe fjal\u00ebt e tija jan\u00eb p\u00ebrshkruar n\u00eb kronikat e profetit Ido.\n14:1 Pastaj Abijahun pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe e varros\u00ebn n\u00eb qytetin e Davidit. N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri, Asa. N\u00eb koh\u00ebn e tij vendi qe i qet\u00eb dhjet\u00eb vjet.\n14:2 Asa b\u00ebri at\u00eb q\u00eb isht\u00eb e mir\u00eb dhe e drejt\u00eb n\u00eb syt\u00eb e Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij.\n14:3 Ai hoqi nga vendi altar\u00ebt e per\u00ebndive t\u00eb huaj dhe vendet e larta, shkat\u00ebrroi shtyllat e shenjta dhe i b\u00ebri cop\u00eb-cop\u00eb Asherim\u00ebt.\n14:4 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj urdh\u00ebroi Jud\u00ebn t\u00eb k\u00ebrkoj\u00eb Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e et\u00ebrve t\u00eb tyre, dhe t\u00eb zbatoj\u00eb n\u00eb praktik\u00eb ligjin dhe urdh\u00ebrimet.\n14:5 Hoqi gjithashtu nga t\u00eb gjitha qytetet e Jud\u00ebs vendet e larta dhe idhujt; dhe me t\u00eb mbret\u00ebria njohu nj\u00eb periudh\u00eb qet\u00ebsie.\n14:6 Ai nd\u00ebrtoi qytete t\u00eb fortifikuara n\u00eb Jud\u00eb, sepse vendi ishte i qet\u00eb. N\u00eb ato vite nuk pati asnj\u00eb luft\u00eb kund\u00ebr tij, sepse Zoti i kishte dh\u00ebn\u00eb qet\u00ebsi.\n14:7 Ai u thoshte atyre t\u00eb Jud\u00ebs: \"Le t'i nd\u00ebrtojm\u00eb k\u00ebto qytete dhe t'i rrethojm\u00eb me mure, me kulla, me porta dhe shufra. Vendi \u00ebsht\u00eb akoma n\u00eb dispozicionin ton\u00eb, sepse kemi k\u00ebrkuar Zotin, Per\u00ebndin\u00eb ton\u00eb; ne e kemi k\u00ebrkuar dhe ai na ka dh\u00ebn\u00eb paqe rreth e qark\". K\u00ebshtu ata iu vun\u00eb nd\u00ebrtimit dhe u begatuan.\n14:8 Asa kishte nj\u00eb ushtri prej treqindmij\u00eb njer\u00ebzish nga Juda q\u00eb mbanin ushta dhe mburoja, si dhe dyqind e tet\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb nga Beniamini q\u00eb mbanin mburoja dhe gjuanin me hark; t\u00ebr\u00eb k\u00ebta ishin burra t\u00eb fort\u00eb dhe trima.\n14:9 Kund\u00ebr tyre doli Zerahu, Etiopasi, me nj\u00eb ushtri prej nj\u00eb milion burrash dhe me treqind qerre dhe arriti deri n\u00eb Mareshah.\n14:10 Asa doli at\u00ebher\u00eb kund\u00ebr tij dhe u vendos\u00ebn n\u00eb rend beteje n\u00eb lugin\u00ebn e Tsefathahut pran\u00eb Mareshahut.\n14:11 At\u00ebher\u00eb Asa i klithi Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij, dhe tha: \"O Zot, nuk ka njeri ve\u00e7 teje q\u00eb mund t\u00eb ndihmoj\u00eb n\u00eb luftimet midis nj\u00eb t\u00eb fuqishmi dhe atij q\u00eb i mungon forca. Na ndihmo, o Zot, Per\u00ebndia yn\u00eb, sepse ne mb\u00ebshtetemi te ti dhe dalim kund\u00ebr k\u00ebsaj shumice n\u00eb emrin t\u00ebnd. O Zot, ti je Per\u00ebndia yn\u00eb; mos lejo q\u00eb njeriu t\u00eb ta kaloj\u00eb ty!\".\n14:12 K\u00ebshtu Zoti goditi Etiopasit p\u00ebrpara Asas dhe p\u00ebrpara Jud\u00ebs, dhe Etiopasit ua mbath\u00ebn k\u00ebmb\u00ebve.\n14:13 At\u00ebher\u00eb Asa dhe njer\u00ebzit q\u00eb ishin me t\u00eb i ndoq\u00ebn deri n\u00eb Gherar. Prandaj Etiopasit u mund\u00ebn, prej tyre nuk mbeti asnj\u00eb i gjall\u00eb, sepse ata u shkat\u00ebrruan p\u00ebrpara Zotit dhe ushtris\u00eb s\u00eb tij. Dhe ata mor\u00ebn nj\u00eb pla\u00e7k\u00eb shum\u00eb t\u00eb madhe.\n14:14 Pastaj sulmuan t\u00ebr\u00eb qytetet rreth e qark Gherarit, sepse tmeri i Zotit i kishte z\u00ebn\u00eb, dhe ata pla\u00e7kit\u00ebn t\u00ebr\u00eb qytetet n\u00eb t\u00eb cilat kishte pla\u00e7k\u00eb t\u00eb madhe.\n14:15 Sulmuan gjithashtu vath\u00ebt e bag\u00ebtive dhe mor\u00ebn me vete nj\u00eb num\u00ebr t\u00eb madh dhensh dhe devesh. Pastaj u kthyen n\u00eb Jeruzalem.\n15:1 At\u00ebher\u00eb Fryma e Per\u00ebndis\u00eb erdhi mbi Azarisahun, birin i Odedit,\n15:2 q\u00eb doli t\u00eb takoj\u00eb Asan dhe i tha: \"Asa, dhe ju t\u00eb gjith\u00eb nga Juda dhe nga Beniamini, m\u00eb d\u00ebgjoni! Zoti \u00ebsht\u00eb me ju, kur ju jeni me t\u00eb. N\u00eb rast se e k\u00ebrkoni, ai do t\u00eb vij\u00eb tek ju, por n\u00eb rast se e braktisni, edhe ai do t'ju braktis\u00eb.\n15:3 P\u00ebr nj\u00eb koh\u00eb t\u00eb gjat\u00eb Izraeli ka qen\u00eb pa Per\u00ebndin\u00eb e v\u00ebrtet\u00eb, pa prift\u00ebrinj q\u00eb t\u00eb jepnin m\u00ebsim dhe pa ligj.\n15:4 Por n\u00eb fatkeq\u00ebsin\u00eb e tyre ata u rikthyen tek Zoti, Per\u00ebndia i Izraelit, e k\u00ebrkuan dhe ai i la ta gjenin.\n15:5 N\u00eb at\u00eb koh\u00eb nuk kishte siguri p\u00ebr ata q\u00eb shkonin e vinin, sepse t\u00eb gjith\u00eb banor\u00ebt e vendeve ishin shum\u00eb t\u00eb shqet\u00ebsuar.\n15:6 Nj\u00eb komb shtypej nga nj\u00eb tjet\u00ebr, nj\u00eb qytet nga nj\u00eb tjet\u00ebr, sepse Per\u00ebndia i hidh\u00ebronte me fatkeq\u00ebsira t\u00eb \u00e7do lloji.\n15:7 Por ju jeni t\u00eb fort\u00eb dhe mos lini q\u00eb krah\u00ebt tuaja t\u00eb dob\u00ebsohen, sepse puna juaj do t\u00eb shp\u00ebrblehet.\n15:8 Kur Asa d\u00ebgjoi k\u00ebto fjal\u00eb dhe profecin\u00eb e profetit Oded, mori zem\u00ebr dhe hodhi idhujt e neveritsh\u00ebm nga t\u00ebr\u00eb vendi i Jud\u00ebs dhe i Beniaminit si dhe nga qytetet q\u00eb kishte pushtuar n\u00eb zon\u00ebn malore t\u00eb\n15:9 Pastaj mblodhi t\u00ebr\u00eb Jud\u00ebn dhe Beniaminin dhe ata t\u00eb Efraimit, t\u00eb Manasit dhe t\u00eb Simeonit q\u00eb banonin bashk\u00eb me ta; n\u00eb fakt kishin ardhur tek ai n\u00eb num\u00ebr t\u00eb madh nga Izraeli, kur kishin par\u00eb q\u00eb Zoti, Per\u00ebndia i tyre, ishte me t\u00eb.\n15:10 K\u00ebshtu u mblodh\u00ebn n\u00eb Jeruzalem n\u00eb muajin e tret\u00eb t\u00eb vitit t\u00eb pes\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb t\u00eb mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb Asas.\n15:11 N\u00eb at\u00eb koh\u00eb flijuan p\u00ebr Zotin pla\u00e7ka q\u00eb kishin marr\u00eb, shtat\u00ebqind lop\u00eb dhe shtat\u00eb mij\u00eb dele.\n15:12 Pastaj u zotuan me nj\u00eb bes\u00eblidhje t\u00eb k\u00ebrkojn\u00eb Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e et\u00ebrve t\u00eb tyre, me gjith\u00eb zem\u00ebr dhe me gjith\u00eb shpirtin e tyre.\n15:13 Kushdo q\u00eb nuk e kishte k\u00ebrkuar Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e Izraelit, do t\u00eb d\u00ebnohej me vdekje, qoft\u00eb i madh apo i vog\u00ebl, burr\u00eb apo grua.\n15:14 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj iu betuan Zotit me z\u00eb t\u00eb lart\u00eb dhe me britma g\u00ebzimi, t\u00eb shoq\u00ebruar me borit\u00eb dhe brir\u00ebt.\n15:15 T\u00ebr\u00eb Juda u g\u00ebzua nga betimi, sepse ishin betuar me gjith\u00eb zem\u00ebr dhe kishin k\u00ebrkuar Zotin me gjith\u00eb vullnetin e tyre, dhe ai i kishte l\u00ebn\u00eb ta gjejn\u00eb. K\u00ebshtu Zoti u dha paqe rreth e qark.\n15:16 Ai hoqi nga pozita q\u00eb kishte si mbret\u00ebresh\u00eb edhe Maakah\u00ebn, n\u00ebn\u00ebn e mbretit Asa, sepse ajo kishte b\u00ebr\u00eb nj\u00eb sh\u00ebmb\u00eblltyr\u00eb t\u00eb neveritshme t\u00eb Asherahut. Pastaj Asa e shkat\u00ebrroi sh\u00ebmb\u00eblltyr\u00ebn, e b\u00ebri cop\u00eb-cop\u00eb dhe e dogji pran\u00eb p\u00ebrroit Kidron.\n15:17 Por vendet e larta nuk u zhduk\u00ebn n\u00eb Izrael, megjith\u00ebse zemra e Asas mbeti e ndershme gjat\u00eb gjith\u00eb jet\u00ebs s\u00eb tij.\n15:18 Ai b\u00ebri q\u00eb t\u00eb sillen n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb gj\u00ebrat e shenjt\u00ebruara nga i ati dhe gj\u00ebrat e shenjt\u00ebruara nga ai vet\u00eb: argjendin, arin dhe en\u00ebt.\n15:19 Dhe nuk pati m\u00eb luft\u00eb deri n\u00eb vitin e tridhjet\u00eb e pest\u00eb t\u00eb mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb Asas.\n16:1 N\u00eb vitin e tridhjet\u00eb e gjasht\u00eb t\u00eb mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb Asas, Baasha, mbret i Izraelit, doli kund\u00ebr Jud\u00ebs dhe nd\u00ebrtoi Ramahun p\u00ebr t\u00eb penguar q\u00eb dikush t\u00eb hynte apo t\u00eb dilte nga Asa, mbret i Jud\u00ebs.\n16:2 At\u00ebher\u00eb Asa nxori nga thesaret e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit dhe t\u00eb pallatit mbret\u00ebror argjend dhe ar dhe ia d\u00ebrgoi Ben-Hadadit, mbretit t\u00eb Siris\u00eb, q\u00eb banonte n\u00eb Damask, duke th\u00ebn\u00eb:\n16:3 \"Le t\u00eb ket\u00eb aleanc\u00eb midis teje dhe meje, ashtu si kishte midis atit tim dhe atit t\u00ebnd. Ja, un\u00eb po t\u00eb d\u00ebrgoj argjend dhe ar: prandaj, prishe aleanc\u00ebn me Baashan, mbretin e Izraelit me q\u00ebllim q\u00eb ai t\u00eb t\u00ebrhiqet nga un\u00eb\".\n16:4 Ben-Hadadi e d\u00ebgjoi mbretin Asa dhe d\u00ebrgoi komandant\u00ebt e ushtris\u00eb s\u00eb tij kund\u00ebr qyteteve t\u00eb Izraelit. K\u00ebta sulmuan Ijonin, Danin, Abel-Maimin dhe t\u00eb gjitha qytetet-depozit\u00eb t\u00eb Neftalit.\n16:5 Kur Baasha e m\u00ebsoi k\u00ebt\u00eb, e nd\u00ebrpreu nd\u00ebrtimin e Ramahut dhe pezulloi punimet e tij.\n16:6 At\u00ebher\u00eb mbreti Asa mori t\u00eb gjith\u00eb ata t\u00eb Jud\u00ebs, q\u00eb mor\u00ebn gur\u00ebt dhe l\u00ebnd\u00ebn e drurit q\u00eb Baasha kishte p\u00ebrdorur p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtuar Ramahun dhe me to nd\u00ebrtoi Geban dhe Mitspahun.\n16:7 N\u00eb at\u00eb koh\u00eb shikuesi Hanani shkoi tek Asa, mbret i Jud\u00ebs, dhe i tha: \"Me qen\u00eb se u mb\u00ebshtete te mbreti i Siris\u00eb dhe nuk u mb\u00ebshtete tek Zoti, Per\u00ebndia yt, ushtria e mbretit t\u00eb Siris\u00eb t\u00eb shp\u00ebtoi nga dora.\n16:8 A nuk ishin vall\u00eb Etiopasit dhe Libian\u00ebt nj\u00eb ushtri e pamas\u00eb me nj\u00eb num\u00ebr shum\u00eb t\u00eb madh qerresh dhe kalor\u00ebsish? Megjithat\u00eb, me qen\u00eb se ishe mb\u00ebshtetur tek Zoti ai i dha n\u00eb duart e tua.\n16:9 N\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb Zoti me syt\u00eb e tij shikon p\u00ebrpara dhe mbrapa t\u00ebr\u00eb dheun p\u00ebr t\u00eb treguar forc\u00ebn e tij ndaj atyre q\u00eb kan\u00eb nj\u00eb zem\u00ebr t\u00eb ndershme ndaj tij. N\u00eb k\u00ebt\u00eb ti ke vepruar si nj\u00eb i pamend; prandaj tani e tutje do t\u00eb kesh luft\u00ebra\".\n16:10 Asa u indinjua dhe e futi n\u00eb burg, sepse ishte zem\u00ebruar me t\u00eb p\u00ebr k\u00ebto gj\u00ebra. N\u00eb k\u00ebt\u00eb koh\u00eb Asa u suall eg\u00ebrsisht edhe me disa njer\u00ebz nga populli.\n16:11 Por ja, b\u00ebmat e Asait nga t\u00eb parat deri n\u00eb ato t\u00eb fundit, i gjejm\u00eb t\u00eb shkruara n\u00eb librin e mbretit t\u00eb Jud\u00ebs dhe t\u00eb Izraelit.\n16:12 N\u00eb vitin e tridhjet\u00eb e n\u00ebnt\u00eb t\u00eb mbret\u00ebrimit t\u00eb tij Asa u s\u00ebmur nga k\u00ebmb\u00ebt, dhe s\u00ebmundja e tij ishte shum\u00eb e r\u00ebnd\u00eb, por gjat\u00eb s\u00ebmundjes s\u00eb tij Ai nuk k\u00ebrkoi Zotin, por iu drejtua mjek\u00ebve.\n16:13 K\u00ebshtu Asa pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe vdiq n\u00eb vitin e dyzetenj\u00ebt\u00eb t\u00eb mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb tij.\n16:14 E varros\u00ebn n\u00eb varrin q\u00eb i kishte hapur vetes n\u00eb qytetin e Davidit, e vendos\u00ebn mbi nj\u00eb shtrat plot me aroma dhe melheme t\u00eb ndryshme t\u00eb parfumuara, t\u00eb p\u00ebrgatitura sipas artit t\u00eb parfumierit, dhe dogj\u00ebn nj\u00eb sasi t\u00eb madhe prej tyre p\u00ebr nder t\u00eb tij.\n17:1 N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri Jozafat, q\u00eb u fortifikua kund\u00ebr Izraelit.\n17:2 Ai vendosi trupa n\u00eb t\u00ebr\u00eb qytetet e fortifikuara t\u00eb Jud\u00ebs dhe garnizone n\u00eb vendin e Jud\u00ebs dhe n\u00eb qytetin e Efraimit, q\u00eb ati i tij kishte pushtuar.\n17:3 Zoti ishte me Jozafatin, sepse ai eci n\u00eb rrug\u00ebt e para t\u00eb Davidit, atit t\u00eb tij. Ai nuk k\u00ebrkoi Baalin,\n17:4 por k\u00ebrkoi Per\u00ebndin\u00eb e atit t\u00eb tij dhe eci sipas urdh\u00ebrimeve t\u00eb tij dhe jo sipas b\u00ebmave t\u00eb Izraelit.\n17:5 Prandaj Zoti e p\u00ebrforcoi mbret\u00ebrin\u00eb n\u00eb duart e tij. T\u00ebr\u00eb Juda i \u00e7onte dhurata Jozafatit, dhe ai pati me shumic\u00eb pasuri dhe lavdi.\n17:6 Zemra e tij u forcua n\u00eb rrug\u00ebt e Zotit dhe ai hoqi p\u00ebrs\u00ebri vendet e larta dhe Asherim\u00ebt nga Juda.\n17:7 Vitin e tret\u00eb t\u00eb mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb tij ai i d\u00ebrgoi krer\u00ebt e tij Ben-Hail, Obadiah, Zakaria, Nethaneel dhe Mikajaht q\u00eb t\u00eb jepnin m\u00ebsime n\u00eb qytetin e Jud\u00ebs;\n17:8 dhe me ta d\u00ebrgoi Levit\u00ebt Shemajah, Nethanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramoth, Jonathan, Adonijah, Tobijah dhe Tobadonijah, dhe bashk\u00eb me k\u00ebta edhe prift\u00ebrinjt\u00eb Elishama dhe Jehoram.\n17:9 K\u00ebshtu ata dhan\u00eb m\u00ebsime n\u00eb Jud\u00eb, duke pasur me vete librin e ligjit t\u00eb Zotit; ata kaluan n\u00ebp\u00ebr t\u00ebr\u00eb qytetet e Jud\u00ebs, duke e m\u00ebsuar popullin.\n17:10 Tmerri i Zotit zuri t\u00eb gjitha mbret\u00ebrit\u00eb e vendeve q\u00eb ishin rreth e qark Jud\u00ebs, dhe k\u00ebshtu ato nuk i shpall\u00ebn luft\u00eb Jozafatit.\n17:11 Disa nga Filistejt\u00eb i \u00e7uan Jozafatit dhurata dhe nj\u00eb hara\u00e7 n\u00eb argjend; edhe Arab\u00ebt i soll\u00ebn bag\u00ebti t\u00eb imta: shtat\u00eb mij\u00eb e shtat\u00ebqind desh dhe shtat\u00eb mij\u00eb e shtat\u00ebqind cjep\u00eb.\n17:12 K\u00ebshtu Jozafati u b\u00eb gjithnj\u00eb e m\u00eb i madh dhe nd\u00ebrtoi n\u00eb Jud\u00eb fortesa dhe qytete-depozit\u00eb.\n17:13 Kreu shum\u00eb punime n\u00eb qytetet e Jud\u00ebs, dhe n\u00eb Jeruzalem mbante luft\u00ebtar\u00eb, burra t\u00eb fort\u00eb dhe trima.\n17:14 Ky \u00ebsht\u00eb regjistrimi i tyre, sipas sht\u00ebpive t\u00eb tyre at\u00ebrore. Nga Juda, komandant\u00ebt e mij\u00ebsh\u00ebve ishin Adnahu, si prij\u00ebs, dhe bashk\u00eb me t\u00eb treqind mij\u00eb burra t\u00eb fort\u00eb dhe trima;\n17:15 pas tij vinin Jehohanani, siprij\u00ebs, me dyqind e tet\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb burra;\n17:16 pas tij ishte Amasiahu, bir i Zikrit, q\u00eb i ishte kushtuar vullnetarisht Zotit, dhe me t\u00eb dyqind mij\u00eb burra t\u00eb fort\u00eb dhe trima.\n17:17 Nga Beniamini ishte Eliada, burr\u00eb i fort\u00eb dhe trim, dhe me t\u00eb dyqind mij\u00eb burra t\u00eb armatosur me harqe dhe me mburoja;\n17:18 pas tij vinte Jehozabadi, dhe me t\u00eb nj\u00ebqind e shtat\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb burra gati p\u00ebr t\u00eb marr\u00eb pjes\u00eb n\u00eb luft\u00eb.\n17:19 T\u00ebr\u00eb k\u00ebta ishin n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb mbretit, p\u00ebrve\u00e7 atyre q\u00eb ai kishte vendosur n\u00eb qytetet e fortifikuara t\u00eb t\u00eb gjith\u00eb Jud\u00ebs.\n18:1 Jozafati pati pasuri t\u00eb m\u00ebdha dhe lavdi; ai b\u00ebri krushqi me Ashabin.\n18:2 Mbas disa vjet\u00ebsh ai zbriti n\u00eb Samari tek Ashabi. At\u00ebher\u00eb Ashabi theri p\u00ebr t\u00eb dhe p\u00ebr njer\u00ebzit q\u00eb ishin me t\u00eb nj\u00eb num\u00ebr t\u00eb madh delesh dhe lop\u00ebsh dhe e bindi t\u00eb dilte bashk\u00eb me t\u00eb kund\u00ebr Ramothit nga Galaadi.\n18:3 K\u00ebshtu Ashabi, mbret i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit t\u00eb Jud\u00ebs: \"A do t\u00eb vish me mua kund\u00ebr Ramothit nga Galaadi?\". Jozafati iu p\u00ebrgjigj: \"Ki besim tek un\u00eb si te vetja jote, te njer\u00ebzit e mi si te njer\u00ebzit e tu; do t\u00eb vijm\u00eb n\u00eb luft\u00eb bashk\u00eb me ty\".\n18:4 Pastaj Jozafati i tha mbretit t\u00eb Izraelit: \"T\u00eb lutem, konsulto po sot fjal\u00ebn e Zotit\".\n18:5 At\u00ebher\u00eb mbreti i Izraelit thirri profet\u00ebt, kat\u00ebrqind veta, dhe u tha atyre: \"A duhet t\u00eb shkojm\u00eb t\u00eb luftojm\u00eb kund\u00ebr Ramothit nga Galaadi, apo duhet t\u00eb heq dor\u00eb nga ky veprim?\". Ata iu p\u00ebrgjigj\u00ebn: \"Shko, pra, sepse Per\u00ebndia do ta jap\u00eb at\u00eb n\u00eb duart e mbretit\".\n18:6 Por Jozafati tha: \"Nuk ka k\u00ebtu ndonj\u00eb profet tjet\u00ebr t\u00eb Zotit me t\u00eb cilin mund t\u00eb k\u00ebshillohemi?\".\n18:7 Mbreti i Izraelit iu p\u00ebrgjigj Jozafatit: \"\u00c9sht\u00eb edhe nj\u00eb njeri, Mikajahu, bir i Imlas, me an\u00eb t\u00eb t\u00eb cilit mund t\u00eb k\u00ebshillohemi me Zotin; por un\u00eb e urrej, sepse nuk profetizon kurr\u00eb ndonj\u00eb gj\u00eb t\u00eb mir\u00eb p\u00ebr mua, por vet\u00ebm t\u00eb keqen\". Jozafati tha: \"Mbreti t\u00eb mos flas\u00eb k\u00ebshtu\".\n18:8 At\u00ebher\u00eb mbreti i Izraelit thirri nj\u00eb eunuk dhe i tha: \"Sille shpejt Mikajahun, birin e Imlas\".\n18:9 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Jud\u00ebs, ishin ulur secili n\u00eb fronin e vet, t\u00eb veshur me rrobat e tyre mbret\u00ebrore; ishin ulur n\u00eb l\u00ebmin q\u00eb \u00ebsht\u00eb te hyrja e port\u00ebs s\u00eb Samaris\u00eb; dhe t\u00ebr\u00eb profet\u00ebt b\u00ebnin profeci p\u00ebrpara tyre.\n18:10 Sedekia, bir i Kenaanahut, q\u00eb kishte b\u00ebr\u00eb brir\u00eb prej hekuri, tha: \"K\u00ebshtu thot\u00eb Zoti: \"Me k\u00ebta brir\u00eb do t\u00eb shposh tejp\u00ebrtej Sir\u00ebt deri sa t'i shkat\u00ebrrosh plot\u00ebsisht\"\".\n18:11 T\u00ebr\u00eb profet\u00ebt profetizuan n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn m\u00ebnyr\u00eb, duke th\u00ebn\u00eb: \"Dil kund\u00ebr Ramothit nga Galaadi dhe do t'ia dal\u00ebsh, sepse Zoti do ta jap\u00eb at\u00eb n\u00eb duart e mbretit\".\n18:12 Lajm\u00ebtari, q\u00eb kishte shkuar t\u00eb th\u00ebrriste Mikajahun, i foli duke i th\u00ebn\u00eb: \"Ja, fjal\u00ebt e profet\u00ebve p\u00ebrputhen duke th\u00ebn\u00eb gj\u00ebra t\u00eb mira p\u00ebr mbretin. Prandaj t\u00eb lutem q\u00eb fjala jote t\u00eb jet\u00eb si fjala e secilit prej tyre; edhe ti thuaj gj\u00ebra t\u00eb mira\".\n18:13 Por Mikajahu u p\u00ebrgjigj: \"Ashtu si\u00e7 \u00ebsht\u00eb e v\u00ebrtet\u00eb q\u00eb Zoti rron, \u00e7do gj\u00eb q\u00eb Per\u00ebndia im do t\u00eb thot\u00eb un\u00eb do ta shpall\".\n18:14 Si arriti para mbretit, mbreti i tha: \"Mikajah, a duhet t\u00eb shkojm\u00eb t\u00eb luftojm\u00eb kund\u00ebr Ramothit t\u00eb Galaadit, apo duhet t\u00eb heq dor\u00eb?\". Ai u p\u00ebrgjigj: \"Shkoni, pra, dhe do t'ju dal\u00eb mbar\u00eb, sepse ata do t\u00eb jepen n\u00eb duart tuaja\".\n18:15 At\u00ebher\u00eb mbreti i tha: \"Sa her\u00eb duhet t\u00eb p\u00ebrgj\u00ebrohem q\u00eb t\u00eb m\u00eb thuash vet\u00ebm t\u00eb v\u00ebrtet\u00ebn n\u00eb em\u00ebr t\u00eb Zotit?\".\n18:16 Mikajahu u p\u00ebrgjigj: \"E pash\u00eb t\u00ebr\u00eb Izraelin t\u00eb shp\u00ebrndar\u00eb n\u00eb malet, ashtu si dhent\u00eb q\u00eb jan\u00eb pa bari; dhe Zoti tha: \"Ata nuk kan\u00eb m\u00eb zot; le t\u00eb kthehet secili n\u00eb paqe n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e vet\"\".\n18:17 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: \"A nuk t\u00eb kisha th\u00ebn\u00eb se lidhur me mua ai nuk do t\u00eb profetizonte asgj\u00eb t\u00eb mir\u00eb, por vet\u00ebm t\u00eb keqen?\".\n18:18 At\u00ebher\u00eb Mikajahu i tha: \"Prandaj d\u00ebgjo fjal\u00ebn e Zotit. Un\u00eb e kam par\u00eb Zotin t\u00eb ulur mbi fronin e tij, nd\u00ebrsa t\u00ebr\u00eb ushtria qiellore rrinte n\u00eb t\u00eb djatht\u00eb dhe n\u00eb t\u00eb majt\u00eb t\u00eb tij.\n18:19 Zoti tha: \"Kush do ta mashtroj\u00eb Ashabin, mbretin e Izraelit, q\u00eb ai t\u00eb dal\u00eb dhe t\u00eb vdes\u00eb n\u00eb Ramoth t\u00eb Galaadit?\"\". Dikush u p\u00ebrgjigj n\u00eb nj\u00eb m\u00ebnyr\u00eb, dikush n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb tjet\u00ebr.\n18:20 At\u00ebher\u00eb doli p\u00ebrpara nj\u00eb frym\u00eb q\u00eb u paraqit para Zotit dhe tha: \"Un\u00eb do t'ia mbush mendjen\". Zoti i tha: \"N\u00eb \u00e7far\u00eb m\u00ebnyre?\".\n18:21 Ai u p\u00ebrgjigj: \"Un\u00eb do t\u00eb dal dhe do t\u00eb jem nj\u00eb frym\u00eb i g\u00ebnjeshtr\u00ebs n\u00eb goj\u00ebn e t\u00eb gjith\u00eb profet\u00ebve t\u00eb tij\". Zoti i tha: \"Me siguri do t'arrish ta b\u00ebsh p\u00ebr vete, shko dhe vepro k\u00ebshtu\".\n18:22 Prandaj ja, Zoti ka v\u00ebn\u00eb nj\u00eb frym\u00eb g\u00ebnjeshtre n\u00eb goj\u00ebn e k\u00ebtyre profet\u00ebve t\u00eb tu, por Zoti shpall fatkeq\u00ebsi kund\u00ebr teje\".\n18:23 At\u00ebher\u00eb Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe goditi me nj\u00eb shpull\u00eb Mikajahun, dhe tha: \"Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga un\u00eb q\u00eb t\u00eb flas\u00eb me ty?\".\n18:24 Mikajahu u p\u00ebrgjigj: \"Ja, do ta shoh\u00ebsh dit\u00ebn n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn do t\u00eb shkosh n\u00eb nj\u00eb dhom\u00eb t\u00eb brendshme p\u00ebr t'u fshehur!\".\n18:25 At\u00ebher\u00eb mbreti i Izraelit tha: \"Merreni Mikajahun dhe \u00e7ojeni tek Amoni, qeveritar i qytetit, dhe tek Joasi, bir i mbretit,\n18:26 dhe u thoni atyre: K\u00ebshtu thot\u00eb mbreti: \"Futeni k\u00ebt\u00eb n\u00eb burg dhe ushqejeni me buk\u00eb dhe me uj\u00eb hidh\u00ebrimi, deri sa un\u00eb t\u00eb kthehem sh\u00ebndosh\u00eb e mir\u00eb\"\".\n18:27 Mikajahu tha: \"N\u00eb rast se ti kthehesh me t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb sh\u00ebndosh\u00eb e mir\u00eb, kjo do t\u00eb thot\u00eb q\u00eb Zoti nuk ka folur n\u00ebp\u00ebrmjet meje\". Dhe shtoi: \"D\u00ebgjoni, o ju popuj t\u00eb gjith\u00eb!\".\n18:28 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Jud\u00ebs, dol\u00ebn, pra, kund\u00ebr Ramothit nga Galaadi.\n18:29 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: \"Un\u00eb do t\u00eb vishem ndryshe dhe pastaj do t\u00eb shkoj t\u00eb luftoj, por ti vish rrobat e tua mbret\u00ebrore\". K\u00ebshtu mbreti i Izraelit nd\u00ebrroi rrobat dhe shkuan t\u00eb luftojn\u00eb.\n18:30 Mbreti i Siris\u00eb kishte dh\u00ebn\u00eb k\u00ebt\u00eb urdh\u00ebr kapiten\u00ebve t\u00eb qerreve t\u00eb tij duke th\u00ebn\u00eb: \"Mos luftoni kund\u00ebr askujt, t\u00eb madh apo t\u00eb vog\u00ebl, por vet\u00ebm kund\u00ebr mbretit t\u00eb Izraelit\".\n18:31 K\u00ebshtu, kur kapiten\u00ebt e qerreve pan\u00eb Jozafatin, ata than\u00eb: \"Ai \u00ebsht\u00eb mbreti i Izraelit\". Pastaj e rrethuan p\u00ebr ta sulmuar; por Jozafati l\u00ebshoi nj\u00eb britm\u00eb dhe Zoti i vajti n\u00eb ndihm\u00eb; Per\u00ebndia i shtyu t\u00eb largoheshin prej tij.\n18:32 Kur kapiten\u00ebt e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit, hoq\u00ebn dor\u00eb nga ndjekja.\n18:33 Por nj\u00eb njeri hodhi rast\u00ebsisht nj\u00eb shigjet\u00eb me harkun e tij dhe e goditi mbretin e Izraelit midis lidhjeve t\u00eb parzmores s\u00eb tij; prandaj mbreti i tha shqytarit t\u00eb tij: \"Kthehu dhe m\u00eb \u00e7o larg p\u00ebrleshjes, sepse jam plagosur\".\n18:34 Por beteja ishte aq e ashp\u00ebr at\u00eb dit\u00eb sa q\u00eb mbreti u detyrua t\u00eb q\u00ebndroj\u00eb mbi qerren e tij p\u00ebrball\u00eb Sir\u00ebve deri n\u00eb mbr\u00ebmje, dhe kur per\u00ebndoi dielli ai vdiq.\n19:1 Jozafati, mbret i Jud\u00ebs, u kthye sh\u00ebndosh\u00eb e mir\u00eb n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e tij n\u00eb Jeruzalem.\n19:2 Por shikuesi Jehu, bir i Hananit, i doli p\u00ebrpara dhe i tha mbretit Jozafat: \"A duhet t\u00eb ndihmoje ti nj\u00eb t\u00eb pafe dhe t\u00eb doje ata q\u00eb urrenin Zotin? Prandaj m\u00ebria e Zotit \u00ebsht\u00eb mbi ty.\n19:3 Megjithat\u00eb jan\u00eb gjetur te ti gj\u00ebra t\u00eb mira, sepse ke hequr nga vendi Asheroth\u00ebt dhe zemra jote \u00ebsht\u00eb p\u00ebrpjekur p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar Per\u00ebndin\u00eb\".\n19:4 K\u00ebshtu Jozafati banoi n\u00eb Jeruzalem; pastaj shkoi p\u00ebrs\u00ebri midis popullit, nga Beer-Sheba n\u00eb krahin\u00ebn malore t\u00eb Efraimit, dhe i solli ata p\u00ebrs\u00ebri te Zoti, Per\u00ebndia i et\u00ebrve t\u00eb tij.\n19:5 Pastaj ai em\u00ebroi gjyqtar\u00eb n\u00eb vend, n\u00eb t\u00eb t\u00ebra qytetet e fortifikuara t\u00eb Jud\u00ebs, qytet pas qyteti,\n19:6 dhe u tha gjyqtar\u00ebve: \"Kini kujdes p\u00ebr at\u00eb q\u00eb b\u00ebni, sepse nuk gjykoni p\u00ebr njeriun por p\u00ebr Zotin, q\u00eb do t\u00eb jet\u00eb me ju kur do t\u00eb administroni drejt\u00ebsin\u00eb.\n19:7 Prandaj tani frika e Zotit qoft\u00eb mbi ju. Tregoni kujdes p\u00ebr at\u00eb q\u00eb b\u00ebni, sepse tek Zoti, Per\u00ebndia yn\u00eb, nuk ka asnj\u00eb padrejt\u00ebsi, as an\u00ebsi, as pranim dhuratash.\n19:8 Edhe n\u00eb Jeruzalem Jozafati vendosi disa Levit\u00eb prift\u00ebrinj dhe t\u00eb par\u00eb t\u00eb sht\u00ebpive at\u00ebrore t\u00eb Izraelit p\u00ebr gjykimin e Zotit dhe p\u00ebr grindjet e ndryshme; k\u00ebta banonin n\u00eb Jeruzalem.\n19:9 I urdh\u00ebroi ata duke th\u00ebn\u00eb: \"Ju do t\u00eb veproni duke pasur frik\u00eb nga Zoti, me besnik\u00ebri dhe me zem\u00ebr t\u00eb past\u00ebr.\n19:10 N\u00eb \u00e7do grindje q\u00eb do t'ju parashtrohet para jush nga ana e v\u00ebllez\u00ebrve tuaj q\u00eb banojn\u00eb n\u00eb qytetet e tyre, qoft\u00eb p\u00ebr gjak t\u00eb derdhur ose p\u00ebr shkelje t\u00eb ligjit apo t\u00eb nj\u00eb urdh\u00ebrimi, kund\u00ebr statuteve ose dekreteve, lajm\u00ebrojini q\u00eb t\u00eb mos b\u00ebhen fajtor\u00eb p\u00ebrpara Zotit, dhe zem\u00ebrimi t\u00eb mos bjer\u00eb mbi ju dhe mbi v\u00ebllez\u00ebrit tuaj. Veproni k\u00ebshtu dhe nuk do t\u00eb b\u00ebheni fajtor\u00eb.\n19:11 Dhe ja, prifti m\u00eb i lart\u00eb Amariah do t\u00eb caktohet mbi ju p\u00ebr \u00e7do \u00e7\u00ebshtje q\u00eb i p\u00ebrket Zotit, nd\u00ebrsa Zebadiahu, bir i Ismaelit, i pari i sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Jud\u00ebs, do t\u00eb jet\u00eb p\u00ebr \u00e7do \u00e7\u00ebshtje q\u00eb ka t\u00eb b\u00ebj\u00eb me mbretin; edhe Levit\u00ebt do t\u00eb jen\u00eb n\u00eb dispozicionin tuaj si gjyqtar\u00eb. Tregohuni t\u00eb fort\u00eb dhe i hyni pun\u00ebs, dhe Zoti do t\u00eb jet\u00eb me njeriun e drejt\u00eb\".\n20:1 Mbas k\u00ebtyreve ngjarjeve ndodhi q\u00eb bijt\u00eb e Moabit, bijt\u00eb e Amonit dhe t\u00eb tjer\u00eb me ta s\u00eb bashku me Amonit\u00ebt erdh\u00ebn t\u00eb luftojn\u00eb kund\u00ebr Jozafatit.\n20:2 K\u00ebshtu erdh\u00ebn disa t\u00eb informonin Jozafatin, duke th\u00ebn\u00eb: \"Nj\u00eb shumic\u00eb e madhe \u00ebsht\u00eb nisur kund\u00ebr teje q\u00eb p\u00ebrtej detit, nga Siria; ja, tani ata jan\u00eb n\u00eb Hatsatson-Thamar\" (q\u00eb \u00ebsht\u00eb En-Gedi).\n20:3 At\u00ebher\u00eb Jozafati u tr\u00ebmb dhe filloi t\u00eb k\u00ebrkoj\u00eb Zotin, dhe shpalli nj\u00eb agj\u00ebrim n\u00eb gjith\u00eb Jud\u00ebn.\n20:4 K\u00ebshtu ata t\u00eb Jud\u00ebs u mblodh\u00ebn p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar ndihm\u00ebn e Zotit, dhe nga t\u00eb gjitha qytetet e Jud\u00ebs vinin p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar Zotin.\n20:5 Pastaj Jozafati u ngrit m\u00eb k\u00ebmb\u00eb n\u00eb mes t\u00eb asambles\u00eb s\u00eb Jud\u00ebs dhe t\u00eb Jeruzalemit n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit p\u00ebrpara oborrit t\u00eb ri\n20:6 dhe tha: \"O Zot, Per\u00ebndia i et\u00ebrve tan\u00eb, a nuk je ti Per\u00ebndia q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb qiell? Po, ti sundon mbi t\u00eb gjitha mbret\u00ebrit\u00eb e kombeve, n\u00eb duart e tua jan\u00eb forca dhe fuqia dhe nuk ka njeri q\u00eb mund t\u00eb t\u00eb rezistoj\u00eb.\n20:7 A nuk ke qen\u00eb ti, Per\u00ebndia yn\u00eb, q\u00eb ke d\u00ebbuar banor\u00ebt e k\u00ebtij vendi p\u00ebrpara popullit t\u00ebnd t\u00eb Izraelit dhe ia ke dh\u00ebn\u00eb p\u00ebr gjithnj\u00eb pasardh\u00ebsve t\u00eb mikut t\u00ebnd Abraham?\n20:8 Ata kan\u00eb banuar aty dhe kan\u00eb nd\u00ebrtuar nj\u00eb shenjt\u00ebrore p\u00ebr emrin t\u00ebnd, duke th\u00ebn\u00eb:\n20:9 \"N\u00eb rast se na godet nj\u00eb fatkeq\u00ebsi, shpata, gjykimi apo murtaja ose zia e buk\u00ebs, ne do t\u00eb paraqitemi p\u00ebrpara k\u00ebtij tempulli dhe p\u00ebrpara teje (sepse emri yt \u00ebsht\u00eb n\u00eb k\u00ebt\u00eb tempull), do t\u00eb t\u00eb klithim ty nga fatkeq\u00ebsia jon\u00eb, ti do t\u00eb na d\u00ebgjosh dhe do t\u00eb na vish n\u00eb ndihm\u00eb\".\n20:10 Dhe ja, tani bijt\u00eb e Amonit, t\u00eb Moabit dhe ata t\u00eb malit Seir, n\u00eb territorin e t\u00eb cil\u00ebve nuk e lejove Izraelin t\u00eb hynte kur ata po dilnin nga Egjipti (prandaj ata q\u00ebndruan larg tyre dhe nuk i shkat\u00ebrruan),\n20:11 dhe ja, tani ata na shp\u00ebrblejn\u00eb, duke ardhur t\u00eb na d\u00ebbojn\u00eb nga trash\u00ebgimia jote q\u00eb na ke dh\u00ebn\u00eb n\u00eb zot\u00ebrim.\n20:12 O Per\u00ebndia yn\u00eb, a nuk do t'i d\u00ebnosh ata? Sepse ne jemi pa forc\u00eb p\u00ebrpara k\u00ebsaj shumice t\u00eb madhe q\u00eb vjen kund\u00ebr nesh; nuk dim\u00eb \u00e7far\u00eb t\u00eb b\u00ebjm\u00eb, por syt\u00eb tona jan\u00eb drejtuar te ti\".\n20:13 Tani t\u00ebr\u00eb burrat e Jud\u00ebs, me f\u00ebmij\u00ebt, bashk\u00ebshortet dhe bijt\u00eb e tyre, rrinin m\u00eb k\u00ebmb\u00eb p\u00ebrpara Zotit.\n20:14 At\u00ebher\u00eb n\u00eb mes t\u00eb asambles\u00eb Fryma e Zotit p\u00ebrfshiu Jahazielin, birin e Zakarias, bir i Benajahut, bir i Jejelit, bir i Mataniahut, nj\u00eb Levit nga bijt\u00eb e Asafit.\n20:15 Dhe ky tha: \"D\u00ebgjoni, ju t\u00eb gjith\u00eb nga Juda, ju banor\u00eb t\u00eb Jeruzalemit dhe ti, o mbret Jozafat! K\u00ebshtu ju thot\u00eb Zoti: \"Mos kini frik\u00eb, mos u tronditni p\u00ebr shkak t\u00eb k\u00ebsaj shumice t\u00eb madhe, sepse beteja nuk \u00ebsht\u00eb juaja, por e Per\u00ebndis\u00eb.\n20:16 Nes\u00ebr hidhuni kund\u00ebr tyre; ja, ata do t\u00eb ngjiten n\u00ebp\u00ebr t\u00eb p\u00ebrpjet\u00ebn e Tsitsit, dhe ju do t'i gjeni n\u00eb skajin e lugin\u00ebs p\u00ebrball\u00eb shkret\u00ebtir\u00ebs s\u00eb Jeruelit.\n20:17 Nuk do t\u00eb jeni ju q\u00eb do t\u00eb luftoni n\u00eb k\u00ebt\u00eb betej\u00eb; zini pozicion, q\u00ebndroni pa l\u00ebvizur dhe do t\u00eb shihni lirimin e Zotit, q\u00eb \u00ebsht\u00eb me ju. O Jud\u00eb, o Jeruzalem, mos kini frik\u00eb dhe mos u tronditni; nes\u00ebr do t\u00eb dilni kund\u00ebr tyre, sepse Zoti \u00ebsht\u00eb me ju\"\".\n20:18 At\u00ebher\u00eb Jozafati uli p\u00ebr tok\u00eb fytyr\u00ebn e tij, dhe t\u00ebr\u00eb Juda dhe banor\u00ebt e Jeruzalemit ran\u00eb p\u00ebrmbys p\u00ebrpara Zotit dhe e adhuruan.\n20:19 Pastaj Levit\u00ebt, bijt\u00eb e Kehathit\u00ebve dhe t\u00eb Korahit\u00ebve, u ngrit\u00ebn p\u00ebr t\u00eb l\u00ebvduar me z\u00eb t\u00eb lart\u00eb Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e Izraelit.\n20:20 M\u00ebngjesin vijues u \u00e7uan shpejt dhe u nis\u00ebn p\u00ebr n\u00eb shkret\u00ebtir\u00ebn e Tekoas; nd\u00ebrsa po viheshin p\u00ebr rrug\u00eb, Jozafati, duke q\u00ebndruar n\u00eb k\u00ebmb\u00eb, tha: \"D\u00ebgjom\u00ebni, o Jud\u00eb, dhe ju banor\u00eb t\u00eb Jeruzalemit! Besoni\n20:21 Pastaj, pasi u k\u00ebshillua me popullin, caktoi ata q\u00eb duhet t'i k\u00ebndonin Zotit dhe duhet ta l\u00ebvdonin p\u00ebr shk\u00eblqimin e shenjt\u00ebris\u00eb s\u00eb tij, nd\u00ebrsa ecnin p\u00ebrpara ushtris\u00eb dhe thonin: \"Kremtoni Zotin, sepse mir\u00ebsia e tij zgjat p\u00ebrjet\u00eb\".\n20:22 Kur ata filluan t\u00eb k\u00ebndojn\u00eb dhe t\u00eb l\u00ebvdojn\u00eb, Zoti ngriti nj\u00eb prit\u00eb kund\u00ebr bijve t\u00eb Amonit dhe t\u00eb Moabit dhe atyre t\u00eb malit t\u00eb Seirit q\u00eb kishin ardhur kund\u00ebr Jud\u00ebs, dhe mbet\u00ebn t\u00eb mundur.\n20:23 Bijt\u00eb e Amonit dhe t\u00eb Moabit u ngrit\u00ebn kund\u00ebr banor\u00ebve t\u00eb malit t\u00eb Seirit p\u00ebr t\u00eb realizuar shfarosjen dhe shkat\u00ebrrimin e tyre; mbasi kryen shfarosjen e banor\u00ebve t\u00eb Seirit, ndihmuan njeri-tjetrin p\u00ebr t\u00eb shkat\u00ebrruar veten e tyre.\n20:24 K\u00ebshtu kur ata t\u00eb Jud\u00ebs arrit\u00ebn n\u00eb lart\u00ebsin\u00eb prej nga mund t\u00eb kqyrej shkret\u00ebtira, u kthyen nga turma, dhe ja, nuk kishte ve\u00e7se kufoma t\u00eb shtrira p\u00ebr tok\u00eb, asnj\u00eb nuk kishte shp\u00ebtuar.\n20:25 At\u00ebher\u00eb Jozafati dhe njer\u00ebzit e tij shkuan p\u00ebr t\u00eb marr\u00eb pla\u00e7k\u00ebn e luft\u00ebs; midis tyre gjet\u00ebn nj\u00eb sasi t\u00eb madhe pasurish mbi kufomat e tyre dhe sende me vler\u00eb; mor\u00ebn p\u00ebr vete m\u00eb tep\u00ebr se sa mund t'i mbartnin; iu desh\u00ebn tri dit\u00eb p\u00ebr t\u00eb marr\u00eb pla\u00e7k\u00ebn, aq e shumt\u00eb ishte ajo.\n20:26 Dit\u00ebn e kat\u00ebrt u mblodh\u00ebn n\u00eb Lugin\u00ebn e Bekimit, ku bekuan Zotin; prandaj ky vend quhet Lugina e Bekimit edhe sot.\n20:27 Pastaj t\u00ebr\u00eb njer\u00ebzit e Jud\u00ebs dhe t\u00eb Jeruzalemit, me Jozafatin n\u00eb krye, u nis\u00ebn me g\u00ebzim p\u00ebr t'u kthyer n\u00eb Jeruzalem, sepse Zoti u kishte dh\u00ebn\u00eb shkas t\u00eb g\u00ebzohen mbi armiqt\u00eb e tyre.\n20:28 K\u00ebshtu hyn\u00eb n\u00eb Jeruzalem me harpa, me qeste dhe me bori dhe u drejtuan nga sht\u00ebpia e Zotit.\n20:29 Tmerri i Zotit ra mbi t\u00eb gjitha mbret\u00ebrit\u00eb e vendeve t\u00eb tjera, kur m\u00ebsuan q\u00eb Zoti kishte luftuar kund\u00ebr armiqve t\u00eb Izraelit.\n20:30 Mbret\u00ebria e Jozafatit qe e qet\u00eb; Per\u00ebndia i tij i dha paqe rreth e qark.\n20:31 K\u00ebshtu Jozafati mbret\u00ebroi mbi Jud\u00eb. Ai ishte tridhjet\u00eb e pes\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi nj\u00ebzet e pes\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem; e \u00ebma quhej Azubah dhe ishte bija e Shihlit.\n20:32 Ai ndoqi kudo rrug\u00ebt e atit t\u00eb tij, Asa, dhe nuk u largua prej tyre, duke b\u00ebr\u00eb at\u00eb q\u00eb isht\u00eb e drejt\u00eb n\u00eb syt\u00eb e Zotit.\n20:33 Megjithat\u00eb vendet e larta nuk u hoq\u00ebn, sepse populli nuk e kishte akoma zemr\u00ebn t\u00eb kthyer n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb q\u00ebndrueshme nga Per\u00ebndia i et\u00ebrve t\u00eb tyre.\n20:34 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Jozafatit, nga e para deri n\u00eb at\u00eb t\u00eb fundit, jan\u00eb t\u00eb shkruara n\u00eb analet e Jehut, birit t\u00eb Hananit, q\u00eb p\u00ebrfshihen n\u00eb librin e mbret\u00ebrve t\u00eb Izraelit.\n20:35 Pas k\u00ebsaj Jozafati, mbret i Jud\u00ebs, u lidh me Ashaziahun, mbretin e Izraelit, q\u00eb vepronte me paudh\u00ebsi;\n20:36 ai u lidh me t\u00eb p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtuar anije q\u00eb t\u00eb shkonin n\u00eb Tarshish; i pajis\u00ebn anijet n\u00eb Etsion-Geber.\n20:37 At\u00ebher\u00eb Eliezeri, bir i Dodavahut nga Mareshah, profetizoi kund\u00ebr Jozafatit, duke th\u00ebn\u00eb: \"Nga q\u00eb je bashkuar me Ashaziahun, Zoti ka shkat\u00ebrruar veprat e tua\". K\u00ebshtu anijet u shkat\u00ebrruan dhe nuk arrit\u00ebn dot n\u00eb Tarshish.\n21:1 Pastaj Jozafati pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe e varros\u00ebn me ta n\u00eb qytetin e Davidit. N\u00eb vendin e tij mbret\u00ebroi i biri, Jehorami.\n21:2 Ai kishte v\u00ebllez\u00ebr, bij t\u00eb Jozafatit: Azariahun, Jehielin, Zakarian, Azariahun, Mikaelin dhe Shefatiahun; t\u00ebr\u00eb k\u00ebta ishin bij t\u00eb Jozafatit, mbretit t\u00eb Izraelit.\n21:3 I ati u b\u00ebri atyre dhurata t\u00eb m\u00ebdha prej argjendi, ari dhe sende t\u00eb \u00e7mueshme, bashk\u00eb me qytete t\u00eb fortifikuara n\u00eb Jud\u00eb, por ia dha mbret\u00ebrin\u00eb Jehoramit, sepse ishte i par\u00eblinduri.\n21:4 Por kur Jehorami shtiu n\u00eb dor\u00eb mbret\u00ebrin\u00eb e atit t\u00eb tij dhe u p\u00ebrforcua, vrau me shpat\u00eb t\u00ebr\u00eb v\u00ebllez\u00ebrit e tij dhe disa krer\u00eb t\u00eb Izraelit.\n21:5 Jehorami ishte tridhjet\u00eb e dy vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi tet\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem.\n21:6 Ai ndoqi rrug\u00ebn e mbret\u00ebrve t\u00eb Izraelit ashtu si kishte b\u00ebr\u00eb sht\u00ebpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte nj\u00eb bij\u00eb e Ashabit, dhe b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e keqe n\u00eb syt\u00eb e Zotit.\n21:7 Megjithat\u00eb Zoti nuk deshi ta shkat\u00ebrroj\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Davidit, p\u00ebr shkak t\u00eb bes\u00eblidhjes q\u00eb kishte b\u00ebr\u00eb me Davidin dhe sepse i kishte premtuar t'i jepte atij dhe bijve t\u00eb tij nj\u00eb llamb\u00eb p\u00ebrgjithmon\u00eb.\n21:8 Gjat\u00eb dit\u00ebve t\u00eb mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb tij, Edomi ngriti krye kund\u00ebr pushtetit t\u00eb Jud\u00ebs dhe zgjodhi nj\u00eb mbret.\n21:9 At\u00ebher\u00eb Jehorami u nis me komandant\u00ebt e tij dhe me t\u00eb gjitha qerret e tij; u ngrit, pra, nat\u00ebn dhe i mundi Edomit\u00ebt, q\u00eb e kishin rrethuar at\u00eb dhe komandant\u00ebt e qerreve t\u00eb tij.\n21:10 K\u00ebshtu Edomi nuk iu n\u00ebnshtrua pushtetit t\u00eb Jud\u00ebs deri dit\u00ebn e sotme. N\u00eb at\u00eb koh\u00eb edhe Libnahu ngriti krye kund\u00ebr pushtetit t\u00eb tij, sepse Jehorami kishte braktisur Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e et\u00ebrve t\u00eb tij.\n21:11 Edhe Jehorami nd\u00ebrtoi vende t\u00eb larta n\u00eb malet e Jud\u00ebs, i shtyu banor\u00ebt e Jeruzalemit n\u00eb rrug\u00ebn e kurv\u00ebrimit dhe largoi Jud\u00ebn.\n21:12 At\u00ebher\u00eb i erdhi nj\u00eb shkrim nga profeti Elia, n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn thuhej: \"K\u00ebshtu i thot\u00eb Zoti, Per\u00ebndia i Davditi, atit t\u00ebnd: \"Meq\u00eb nuk ke ndjekur rrug\u00ebt e Jozafatit, atit t\u00ebnd, dhe rrug\u00ebt e Asas, mbretit t\u00eb Jud\u00ebs,\n21:13 por ke ndjekur rrug\u00ebt e mbret\u00ebrve t\u00eb Izraelit dhe ke shtyr\u00eb n\u00eb rrug\u00ebn e kurv\u00ebrimit Jud\u00ebn dhe banor\u00ebt e Jeruzalemit, ashtu si ka vepruar sht\u00ebpia e Ashabit, dhe ke vrar\u00eb v\u00ebllez\u00ebrit e tu, vet\u00eb familjen e atit t\u00ebnd, q\u00eb ishin m\u00eb t\u00eb mir\u00eb se ti,\n21:14 ja, Zoti do t\u00eb godas\u00eb me nj\u00eb fatkeq\u00ebsi t\u00eb madhe popullin t\u00ebnd, f\u00ebmij\u00ebt e tu, bashk\u00ebshortet e tua dhe gjith\u00e7ka q\u00eb ti zot\u00ebron;\n21:15 ti vet\u00eb do t\u00eb goditesh nga s\u00ebmundje shum\u00eb t\u00eb r\u00ebnda, nga nj\u00eb s\u00ebmundje e zorr\u00ebve q\u00eb do t\u00eb t\u00eb nxjerr\u00eb \u00e7do dit\u00eb pak e nga pak zorr\u00ebt\"\".\n21:16 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj Zoti zgjoi kund\u00ebr Jehoramit frym\u00ebn e Filistejve dhe t\u00eb Arab\u00ebve, q\u00eb banojn\u00eb pran\u00eb Etiopasve;\n21:17 dhe k\u00ebta dol\u00ebn kund\u00ebr Jud\u00ebs, e pushtuan dhe mor\u00ebn me vete t\u00ebr\u00eb pasurit\u00eb q\u00eb gjet\u00ebn n\u00eb pallatin mbret\u00ebror, duke p\u00ebrfshir\u00eb bijt\u00eb dhe grat\u00eb e tij; k\u00ebshtu nuk i mbeti asnj\u00eb bir p\u00ebrve\u00e7 Jehoahazit, m\u00eb i vogli prej bijve t\u00eb tij.\n21:18 Mbas t\u00ebr\u00eb k\u00ebsaj Zoti e goditi n\u00eb zorr\u00ebt me nj\u00eb s\u00ebmundje t\u00eb pash\u00ebrueshme.\n21:19 K\u00ebshtu, me kalimin e koh\u00ebs, n\u00eb fund t\u00eb vitit t\u00eb dyt\u00eb, nga shkaku i s\u00ebmundjes, zorr\u00ebt i dol\u00ebn jasht\u00eb dhe vdiq duke hequr mundime t\u00eb tmerrshme. Populli i tij nuk dogji parfume p\u00ebr nder t\u00eb tij, ashtu si kishte b\u00ebr\u00eb p\u00ebr et\u00ebrit e tij.\n21:20 Ai ishte tridhjet\u00eb e dy vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi tet\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem. Iku pa l\u00ebn\u00eb keqardhje; e varros\u00ebn n\u00eb qytetin e Davidit, por jo n\u00eb varret e mbret\u00ebrve.\n22:1 Banor\u00ebt e Jezrualemit shpall\u00ebn mbret birin e tij m\u00eb t\u00eb vog\u00ebl Ashaziahun, n\u00eb vend t\u00eb tij, sepse t\u00ebr\u00eb bijt\u00eb m\u00eb t\u00eb m\u00ebdhenj ishin vrar\u00eb nga banda q\u00eb kishte hyr\u00eb n\u00eb kamp bashk\u00eb me Arab\u00ebt. K\u00ebshtu mbret\u00ebroi Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Jud\u00ebs.\n22:2 Ashaziahu ishte dyzet e dy vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi nj\u00eb vit n\u00eb Jeruzalem. E \u00ebma quhej Athaliah; ishte bij e Omrit.\n22:3 Edhe ai ndoqi rrug\u00ebt e ndjekura nga sht\u00ebpia e Ashabit, sepse e \u00ebma e k\u00ebshillonte t\u00eb vepronte n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb paudh\u00eb.\n22:4 Prandaj ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e keqe n\u00eb syt\u00eb e Zotit, ashtu si vepronin ata t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Ashabit, sepse mbas vdekjes s\u00eb atit t\u00eb tij k\u00ebta qen\u00eb, p\u00ebr shkat\u00ebrrimin e tij, k\u00ebshilltar\u00ebt e tij.\n22:5 Duke ndjekur k\u00ebshill\u00ebn e tyre, ai shkoi me Jehoramin, birin e Ashabit, mbretit t\u00eb Izraelit t\u00eb luftoj\u00eb kund\u00ebr Hazaelit, mbretit t\u00eb Siris\u00eb, n\u00eb Ramoth t\u00eb Galaadit; dhe Sir\u00ebt e plagos\u00ebn Jehoramin.\n22:6 K\u00ebshtu ai u kthye n\u00eb Jezreel p\u00ebr t\u00eb mjekuar plag\u00ebt q\u00eb kishte marr\u00eb n\u00eb Ramah, duke luftuar kund\u00ebr Hazaelit, mbretit t\u00eb Siris\u00eb. Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Jud\u00ebs, zbriti p\u00ebr t\u00eb par\u00eb Jehoramin, birin e Ashabit, n\u00eb Jezreel, sepse ky ishte i s\u00ebmur\u00eb.\n22:7 Vizita q\u00eb i b\u00ebri Ashaziahu Jehoramit ishte vendosur nga Per\u00ebndia p\u00ebr shkat\u00ebrrimin e tij. Kur arriti n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb, ai doli me Jehoramin kund\u00ebr Jehut, birit t\u00eb Nimshit, q\u00eb Zoti kishte vajosur p\u00ebr t\u00eb shfarosur sht\u00ebpin\u00eb e Ashabit.\n22:8 Ndodhi q\u00eb, nd\u00ebrsa Jehu vendoste drejt\u00ebsi n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Ashabit, u takua me krer\u00ebt e Jud\u00ebs dhe me bijt\u00eb e v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb Ashaziahut q\u00eb ishin n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb Ashaziahut dhe i vrau.\n22:9 Urdh\u00ebroi gjithashtu ta k\u00ebrkojn\u00eb Ashaziahun dhe e kap\u00ebn (ai ishte fshehur n\u00eb Samari); e \u00e7uan pastaj tek Jehu q\u00eb e vrau. Pastaj e varros\u00ebn, sepse thonin: \"\u00c9sht\u00eb bir i Jozafatit, q\u00eb e k\u00ebrkonte Zotin me gjith\u00eb zem\u00ebr\". K\u00ebshtu n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Ashaziahut nuk mbeti m\u00eb njeri n\u00eb gjendje t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb.\n22:10 Kur Athaliah, n\u00ebna e Ashaziahut, pa q\u00eb i biri kishte vdekur, u ngrit dhe vrau t\u00ebr\u00eb pasardh\u00ebsit mbret\u00ebror\u00eb t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Jud\u00ebs.\n22:11 Por Jehoshabeath, bija e mbretit mori Joasin, birin e Ashaziahut, e mori tin\u00ebz midis bijve t\u00eb mbretit q\u00eb ishin vrar\u00eb dhe e vendosi bashk\u00eb me taj\u00ebn n\u00eb dhom\u00ebn e saj. K\u00ebshtu Jehoshabeath, bija e mbretit Jehoram, bashk\u00ebshortja e priftit Jehojada (ishte motra e Ashaziahut), e fshehu nga Athialiahu q\u00eb nuk e vrau.\n22:12 K\u00ebshtu mbeti i fshehur me ta n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb gjasht\u00eb vjet, nd\u00ebrsa Athaliah mbret\u00ebronte mbi vendin.\n23:1 Vitin e shtat\u00eb Jehojada mori kurajo, mori komandant\u00ebt e qind\u00ebsh\u00ebve, dometh\u00ebn\u00eb Azariahun, birin e Jerohamit, Ismaelin, birin e Jehohanamit, Azariahun, birin e Obedit, Maasejahun, birin e Adajahut dhe\n23:2 Pastaj ata p\u00ebrshkuan Jud\u00ebn, mblodh\u00ebn Levit\u00ebt nga t\u00eb gjitha qytetet e Jud\u00ebs dhe t\u00eb par\u00ebt e sht\u00ebpive at\u00ebrore t\u00eb Izraelit dhe erdh\u00ebn n\u00eb Jeruzalem.\n23:3 K\u00ebshtu t\u00ebr\u00eb asambleja lidhi nj\u00eb aleanc\u00eb me mbretin n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb. Pastaj Jehojada u tha atyre: \"Ja, biri i mbretit do t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, si ka th\u00ebn\u00eb Zoti p\u00ebr bijt\u00eb e Davidit.\n23:4 Ja \u00e7far\u00eb do t\u00eb b\u00ebni ju: nj\u00eb e treta nga ju, prift\u00ebrinj dhe Levit\u00eb, q\u00eb marrin sh\u00ebrbimin dit\u00ebn e shtun\u00eb, do t\u00eb caktohen n\u00eb portat e tempullit;\n23:5 nj\u00eb e treta tjet\u00ebr do t\u00eb rrij\u00eb n\u00eb pallatin e mbretit, dhe e treta tjet\u00ebr n\u00eb port\u00ebn e themelimit, nd\u00ebrsa t\u00ebr\u00eb populli do t\u00eb rrij\u00eb n\u00eb oborrin e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit.\n23:6 Por askush nuk do t\u00eb hyj\u00eb n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, p\u00ebrve\u00e7 prift\u00ebrinjve dhe Levit\u00ebve t\u00eb sh\u00ebrbimit; k\u00ebta mund t\u00eb hyjn\u00eb sepse jan\u00eb t\u00eb shenjt\u00ebruar; por t\u00ebr\u00eb populli do t'i p\u00ebrmbahet urdhrit t\u00eb Zotit.\n23:7 Levit\u00ebt do ta rrethojn\u00eb mbretin nga \u00e7do an\u00eb, secili me arm\u00ebn e tij n\u00eb dor\u00eb; kushdo q\u00eb hyn n\u00eb tempull do t\u00eb vritet; ju p\u00ebrkundrazi do t\u00eb q\u00ebndroni me mbretin, kur t\u00eb hyj\u00eb dhe t\u00eb dal\u00eb\".\n23:8 Levit\u00ebt dhe t\u00ebr\u00eb Juda b\u00ebn\u00eb pik\u00ebrisht ashtu si kishte urdh\u00ebruar prifti Jehojada; secili mori njer\u00ebzit e tij, ata e merrnin sh\u00ebrbimin t\u00eb shtun\u00ebn dhe ata q\u00eb e linin sh\u00ebrbimin t\u00eb shtun\u00ebn, sepse prifti Jehojada nuk kishte liruar nga puna klasat q\u00eb dilnin.\n23:9 Prifti Jehojada u dha komandant\u00ebve t\u00eb qind\u00ebsh\u00ebve ushtat dhe mburojat e vogla e t\u00eb m\u00ebdha q\u00eb qen\u00eb t\u00eb mbretit David dhe q\u00eb ndodheshin n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb.\n23:10 Pastaj vendosi t\u00ebr\u00eb popullin, secili me arm\u00ebn e tij n\u00eb dor\u00eb, nga krahu i djatht\u00eb deri n\u00eb krahun e majt\u00eb t\u00eb tempullit; gjat\u00eb altarit dhe pran\u00eb tempullit, rrotull mbretit.\n23:11 At\u00ebher\u00eb nxor\u00ebn birin e mbretit, i vun\u00eb mbi kok\u00eb kuror\u00ebn, i dor\u00ebzuan ligjin dhe e shpall\u00ebn mbret; pastaj Jehojada dhe bijt\u00eb e tij e vajos\u00ebn dhe thirr\u00ebn: \"Rroft\u00eb mbreti!\".\n23:12 Kur Athaliah d\u00ebgjoi zhurm\u00ebn e popullit q\u00eb vinte duke brohoritur p\u00ebr mbretin, ajo shkoi drejt popullit, n\u00eb drejtim t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit.\n23:13 Shikoi, dhe ja, mbreti q\u00ebndronte m\u00eb k\u00ebmb\u00eb n\u00eb podiumin e tij n\u00eb hyrje, kapiten\u00ebt dhe borizan\u00ebt ishin pran\u00eb mbretit, t\u00ebr\u00eb populli i vendit ishte i g\u00ebzuar dhe u binte borive dhe k\u00ebng\u00ebtar\u00ebt me veglat e tyre musikore udh\u00ebhiqnin lavd\u00ebrimin. At\u00ebher\u00eb Athaliah grisi rrobat e saj dhe b\u00ebrtiti: \"Tradh\u00ebti, tradh\u00ebti!\".\n23:14 Por prifti Jehojada nxori komandant\u00ebt e qind\u00ebsh\u00ebve q\u00eb komandonin ushtrin\u00eb dhe u tha: \"Nxirreni nga rreshtat dhe kushdo q\u00eb i shkon pas t\u00eb vritet me shpat\u00eb!\". Prifti n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb kishte th\u00ebn\u00eb: \"Mos lejoni q\u00eb t\u00eb vritet n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit\".\n23:15 K\u00ebshtu e mb\u00ebrthyen dhe, sa arriti n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e mbretit n\u00ebp\u00ebr rrug\u00ebn e port\u00ebs s\u00eb kuajve, aty e vran\u00eb.\n23:16 Pastaj Jehojada b\u00ebri nj\u00eb bes\u00eblidhje nd\u00ebrmjet vetes, t\u00ebr\u00eb popullit dhe mbretit, me q\u00ebllim q\u00eb Izraeli t\u00eb ishte populli i Zotit.\n23:17 At\u00ebher\u00eb t\u00ebr\u00eb populli shkoi n\u00eb tempullin e Baalit dhe e shkat\u00ebrroi: cop\u00ebtoi plot\u00ebsisht altar\u00ebt e tij dhe sh\u00ebmb\u00eblltyrat dhe vrau p\u00ebrpara altar\u00ebve Matanin, priftin e Baalit.\n23:18 Pastaj Jehojada ua besoi mbikqyrjen e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit prift\u00ebrinjve levit\u00eb, q\u00eb Davidi kishte vendosur n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit p\u00ebr t'i ofruar olokauste Zotit si\u00e7 \u00ebsht\u00eb shkruar n\u00eb ligjin e Moisiut, me g\u00ebzim dhe k\u00ebng\u00eb, ashtu si kishte urdh\u00ebruar Davidi.\n23:19 Vendosi gjithashtu der\u00ebtar\u00eb n\u00eb portat e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit, me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb mos hynte askush q\u00eb t\u00eb ishte n\u00eb nj\u00eb far\u00eb m\u00ebnyre i papast\u00ebr.\n23:20 Mori pastaj komandant\u00ebt e qind\u00ebsheve, parin\u00eb, ata q\u00eb kishin autoritet mbi popullin dhe t\u00ebr\u00eb popullin e vendit dhe b\u00ebri q\u00eb mbreti t\u00eb zbres\u00eb nga sht\u00ebpia e Zotit; duke kaluar pastaj nga porta e sip\u00ebrme, arrit\u00ebn n\u00eb pallatin mbret\u00ebror dhe e ul\u00ebn mbretin mbi fronin mbret\u00ebror.\n23:21 K\u00ebshtu t\u00ebr\u00eb populli i vendit ishte n\u00eb fest\u00eb dhe qyteti mbeti i qet\u00eb, kur Athaliah u vra me shpat\u00eb.\n24:1 Joasi ishte shtat\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi dyzet vjet n\u00eb Jeruzalem. E \u00ebma quhej Tsibiah dhe ishte nga Beer-Sheba.\n24:2 Joasi b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e drejt\u00eb n\u00eb syt\u00eb e Zotit gjat\u00eb gjith\u00eb koh\u00ebs q\u00eb jetoi prifti Jehojada.\n24:3 Jehojada i zgjodhi p\u00ebr t\u00eb dy bashk\u00ebshorte dhe Joasit i lind\u00ebn djem dhe vajza.\n24:4 Mbas k\u00ebsaj e shtyu zemra Joasin t\u00eb ndreq\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit.\n24:5 Prandaj mblodhi prift\u00ebrinjt\u00eb dhe Levit\u00ebt dhe u tha atyre: \"Shkoni n\u00eb qytetet e Jud\u00ebs dhe mblidhni vit p\u00ebr vit nga gjith\u00eb Izraeli parat\u00eb q\u00eb nevojiten p\u00ebr t\u00eb restauruar sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb tuaj; p\u00ebrpiquni ta kryeni shpejt k\u00ebt\u00eb pun\u00eb\". Por Levit\u00ebt nuk treguan asnj\u00eb nxitim.\n24:6 At\u00ebher\u00eb mbreti thirri kryepriftin Jehojada dhe i tha: \"Pse nuk u k\u00ebrkove Levit\u00ebve q\u00eb t\u00eb sillnin nga Juda dhe nga Jeruzalemi taks\u00ebn e caktuar nga Moisiu, sh\u00ebrb\u00ebtor i Zotit, dhe nga asambleja e Izraelit p\u00ebr \u00e7adr\u00ebn e d\u00ebshmis\u00eb?\".\n24:7 N\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb bijt\u00eb e Athaliah\u00ebs, t\u00eb k\u00ebsaj gruaje t\u00eb keqe, kishin pla\u00e7kitur sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb dhe kishin p\u00ebrdorur madje gjith\u00eb gj\u00ebrat e shenjt\u00ebruara t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit p\u00ebr Baal\u00ebt.\n24:8 Me urdh\u00ebr t\u00eb mbretit b\u00ebn\u00eb nj\u00eb ark\u00eb dhe e vun\u00eb jasht\u00eb, te porta e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit.\n24:9 Pastaj b\u00ebn\u00eb nj\u00eb shpallje n\u00eb Jud\u00eb dhe n\u00eb Jeruzalem, me q\u00ebllim q\u00eb t'i \u00e7ohej Zotit taksa q\u00eb Moisiu, sh\u00ebrb\u00ebtori i Per\u00ebndis\u00eb, i kishte v\u00ebn\u00eb Izraelit n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb.\n24:10 T\u00ebr\u00eb krer\u00ebt dhe t\u00ebr\u00eb populli u g\u00ebzuan dhe soll\u00ebn parat\u00eb, duke i hedhur n\u00eb ark\u00eb deri sa e mbush\u00ebn.\n24:11 Kur arka \u00e7ohej nga Levit\u00ebt tek inspektori i mbretit, sepse shihnin se kishte n\u00eb t\u00eb shum\u00eb para, sekretari i mbretit dhe i ngarkuari nga kryeprifti vinin p\u00ebr t\u00eb zbrazur ark\u00ebn; pastaj e merrnin dhe e \u00e7onin p\u00ebrs\u00ebri n\u00eb vendin e saj. K\u00ebshtu vepronin \u00e7do dit\u00eb; n\u00eb k\u00ebt\u00eb m\u00ebnyr\u00eb grumbullonin nj\u00eb sasi t\u00eb madhe parash.\n24:12 Pastaj mbreti dhe Jehojada ua jepnin k\u00ebto atyre q\u00eb b\u00ebnin sh\u00ebrbimin n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit; dhe ata paguanin gurgdh\u00ebnd\u00ebsit dhe marangoz\u00ebt p\u00ebr t\u00eb restauruar sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, si edhe pun\u00ebtor\u00ebt e hekurit dhe t\u00eb bronzit q\u00eb merreshin me sht\u00ebpin\u00eb e Zotit.\n24:13 K\u00ebshtu pun\u00ebtor\u00ebt i kryen me kujdes punimet dhe me an\u00eb t\u00eb tyre ndreqjet shkuan mbar\u00eb; ata e kthyen p\u00ebrs\u00ebri sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb n\u00eb gjendejn e saj origjinale dhe e p\u00ebrforcuan at\u00eb.\n24:14 Kur kishin mbaruar, parat\u00eb q\u00eb mbet\u00ebn i \u00e7uan para mbretit dhe Jehojad\u00ebs dhe me to b\u00ebn\u00eb orendi p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, orendi p\u00ebr sh\u00ebrbimin dhe p\u00ebr olokaustet, kupa dhe vegla t\u00eb tjera prej ari ose argjendi. Deri sa jetoi Jehojada, u ofruan vazhdimisht olokauste n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit.\n24:15 Por Jehojada, tanim\u00eb i plakur dhe i ngopur me dit\u00eb, vdiq; ai ishte nj\u00ebqind e tridhjet\u00eb vje\u00e7 kur vdiq;\n24:16 e varros\u00ebn n\u00eb qytetin e Davidit bashk\u00eb me mbret\u00ebrit, sepse kishte b\u00ebr\u00eb t\u00eb mira n\u00eb Izrael, ndaj Per\u00ebndis\u00eb dhe ndaj sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb tij.\n24:17 Mbas vdekjes s\u00eb Jehojad\u00ebs, krer\u00ebt e Jud\u00ebs shkuan dhe ran\u00eb p\u00ebrmbys p\u00ebrpara mbretit; dhe mbreti i d\u00ebgjoi.\n24:18 Pastaj ata braktis\u00ebn sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb et\u00ebrve t\u00eb tyre, dhe u sh\u00ebrbyen Asherim\u00ebve dhe idhujve; p\u00ebr shkak t\u00eb k\u00ebtij m\u00ebkati, zem\u00ebrimi i Per\u00ebndis\u00eb ra mbi Jud\u00ebn dhe mbi Jeruzalemin.\n24:19 Zoti u d\u00ebrgoi atyre profet\u00eb p\u00ebr t'i b\u00ebr\u00eb t\u00eb kthehen tek ai; k\u00ebta d\u00ebshmuan kund\u00ebr tyre, por ata nuk desh\u00ebn t'i d\u00ebgjojn\u00eb.\n24:20 At\u00ebher\u00eb Fryma e Per\u00ebndis\u00eb erdhi mbi Zakarian, birin e priftit Jehojada, q\u00eb u ngrit p\u00ebrpara popullit dhe tha: \"K\u00ebshtu thot\u00eb Per\u00ebndia: Pse shkelni urdh\u00ebrimet e Zotit dhe nuk keni mbar\u00ebsi? M\u00ebqe e keni braktisur Zotin edhe ai do t'ju braktis\u00eb\".\n24:21 Por ata komplotuan kund\u00ebr tij dhe me urdh\u00ebr t\u00eb mbretit, e vran\u00eb me gur\u00eb n\u00eb oborrin e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit.\n24:22 K\u00ebshtu mbreti Joas nuk e kujtoi mir\u00ebsin\u00eb q\u00eb Jehojada, ati i Zakarias, kishte treguar ndaj tij dhe ia vrau t\u00eb birin, i cili duke vdekur tha: \"Zoti e shikoft\u00eb dhe t\u00eb k\u00ebrkoft\u00eb llogari!.\n24:23 K\u00ebshtu ndodhi q\u00eb, n\u00eb fillim t\u00eb vitit t\u00eb ri, ushtria e Sir\u00ebve doli kund\u00ebr Joasit. Ata erdh\u00ebn n\u00eb Jud\u00eb dhe n\u00eb Jeruzalem dhe shfaros\u00ebn nga populli t\u00ebr\u00eb krer\u00ebt e tij, dhe t\u00ebr\u00eb pla\u00e7k\u00ebn ia \u00e7uan mbretit t\u00eb Damaskut.\n24:24 Megjith\u00ebse ushtria e Sir\u00ebve kishte ardhur me pak veta, Zoti u dha n\u00eb dor\u00eb nj\u00eb ushtri shum\u00eb t\u00eb madhe, sepse kishin braktisur Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e et\u00ebrve t\u00eb tyre. K\u00ebshtu ata e gjykuan Joasin.\n24:25 Kur Sir\u00ebt u t\u00ebrhoq\u00ebn nga ai (sepse e kishin l\u00ebn\u00eb shum\u00eb t\u00eb s\u00ebmur\u00eb), sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tij kurdis\u00ebn nj\u00eb komplot kund\u00ebr tij, p\u00ebr shkak t\u00eb vrasjes s\u00eb bijve t\u00eb priftit Jehojada, dhe e vran\u00eb n\u00eb shtratin e tij. K\u00ebshtu ai vdiq dhe e varros\u00ebn n\u00eb qytetin e Davidit, por jo n\u00eb varrezat e mbret\u00ebrve.\n24:26 aaa add K\u00ebta jan\u00eb ata q\u00eb komplotuan kund\u00ebr tij: Zabadi, bir i Shimeathit, Amonitja, dhe Jehozbadi, bir i Shimrithit, Moabitja.\n24:27 aaa add P\u00ebrsa u p\u00ebrket bijve t\u00eb tij, profecit\u00eb e shumta t\u00eb th\u00ebna kund\u00ebr tij dhe meremetimi i sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, ja, k\u00ebto gj\u00ebra jan\u00eb shkruar n\u00eb historin\u00eb e librit t\u00eb mbret\u00ebrve. N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri, Amatsiahu.\n25:1 Amatsiahu ishte nj\u00ebzet e pes\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi nj\u00ebzet e n\u00ebnt\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem. E \u00ebma quhej Jehoadan dhe ishte nga Jeruzalemi.\n25:2 Ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e drejt\u00eb n\u00eb syt\u00eb e Zotit, por jo me gjith\u00eb zem\u00ebr.\n25:3 Mbasi p\u00ebrforcoi mbret\u00ebrin\u00eb e tij, ai vrau sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tij q\u00eb kishin vrar\u00eb mbretin, atin e tij.\n25:4 Megjithat\u00eb ai nuk i vriste bijt\u00eb e tyre, por veproi si\u00e7 \u00ebsht\u00eb shkuar n\u00eb ligj n\u00eb librin e Moisiut, t\u00eb cilin Zoti e urdh\u00ebroi duke th\u00ebn\u00eb: \"Et\u00ebrit nuk do t\u00eb vriten p\u00ebr fajin e bijve t\u00eb tyre, dhe as bijt\u00eb e tyre nuk do t\u00eb vriten p\u00ebr fajin e et\u00ebrve; por secili do t\u00eb d\u00ebnohet me vdekje p\u00ebr m\u00ebkatin e vet\".\n25:5 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj Amatsiahu mblodhi ata t\u00eb Jud\u00ebs dhe caktoi mbi ta komandant\u00ebt e mij\u00ebsh\u00ebve dhe t\u00eb qind\u00ebsh\u00ebve sipas sht\u00ebpive t\u00eb tyre at\u00ebrore, p\u00ebr t\u00ebr\u00eb Jud\u00ebn dhe Beniaminin; pastaj b\u00ebri regjistrimin nga nj\u00ebzet vje\u00e7 e lart dhe doli q\u00eb ishin treqind mij\u00eb burra t\u00eb zgjedhur, t\u00eb aft\u00eb p\u00ebr luft\u00eb dhe t\u00eb zot\u00eb t\u00eb p\u00ebrdorin usht\u00ebn dhe mburoj\u00ebn.\n25:6 Rekrutoi gjithashtu me para nj\u00ebqind mij\u00eb burra nga Izraeli, t\u00eb fort\u00eb dhe trima, p\u00ebr nj\u00ebqind talenta argjendi.\n25:7 Por nj\u00eb njeriu i Per\u00ebndis\u00eb erdhi tek ai dhe i tha: \"O mbret, ushtria e Izraelit t\u00eb mos vij\u00eb me ty, sepse Zoti nuk \u00ebsht\u00eb me Izraelin, as me ndonj\u00eb nga bijt\u00eb e Efraimit!\n25:8 Por n\u00eb rast se d\u00ebshiron t\u00eb shkosh, shko megjithat\u00eb; edhe po t\u00eb tregohesh trim n\u00eb betej\u00eb, Per\u00ebndia do t\u00eb t\u00eb b\u00ebj\u00eb t\u00eb biesh para armikut, sepse Per\u00ebndia ka pushtet t\u00eb ndihmoj\u00eb dhe t\u00eb t\u00eb b\u00ebj\u00eb q\u00eb t\u00eb biesh\".\n25:9 Amatsiahu i tha at\u00ebher\u00eb njeriut t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb: \"Por \u00e7do t'i b\u00ebj nj\u00ebqind talentat q\u00eb ia dhash\u00eb ushtris\u00eb s\u00eb Izraelit?\". Njeriu i Per\u00ebndis\u00eb u p\u00ebrgjigj: \"Zoti mund t\u00eb t\u00eb jap\u00eb m\u00eb tep\u00ebr se aq\".\n25:10 At\u00ebher\u00eb Amatsiahu e shp\u00ebrndau ushtrin\u00eb q\u00eb kishte ardhur tek ai nga Efraimi, me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb kthehej n\u00eb sht\u00ebpi t\u00eb saj; por zem\u00ebrimi i pjes\u00ebtar\u00ebve t\u00eb saj u rrit shum\u00eb kund\u00ebr Jud\u00ebs dhe ata u kthyen n\u00eb sht\u00ebpi me nj\u00eb zem\u00ebrim t\u00eb madh.\n25:11 Pastaj Amatsiahu, mbasi mori zem\u00ebr, u vu n\u00eb krye t\u00eb popullit t\u00eb tij, shkoi n\u00eb lugin\u00ebn e Krip\u00ebs dhe vrau dhjet\u00eb mij\u00eb njer\u00ebz t\u00eb Seirit.\n25:12 Bijt\u00eb e Jud\u00ebs kap\u00ebn gjall\u00eb dhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb tjer\u00eb dhe i \u00e7uan n\u00eb maj\u00eb t\u00eb shk\u00ebmbit, prej ku i hodh\u00ebn posht\u00eb; dhe t\u00eb t\u00ebr\u00eb u b\u00ebn\u00eb cop\u00eb-cop\u00eb.\n25:13 Por burrat e ushtris\u00eb, q\u00eb Amatsiahu kishte shp\u00ebrndar\u00eb q\u00eb t\u00eb mos vinin me t\u00eb p\u00ebr t\u00eb luftuar, u v\u00ebrsul\u00ebn mbi qytetet e Jud\u00ebs, nga Samaria deri n\u00eb Beth-Horon, duke vrar\u00eb tre mij\u00eb banor\u00eb dhe duke marr\u00eb nj\u00eb pla\u00e7k\u00eb t\u00eb madhe.\n25:14 Pas kthimit t\u00eb tij nga masakra e Edomit\u00ebve, Amatsiahu urdh\u00ebroi q\u00eb t'i sillnin per\u00ebndit\u00eb e bijve t\u00eb Seirit, i vendosi si per\u00ebndi t\u00eb tij, ra p\u00ebrmbys p\u00ebrpara tyre dhe u ofroj temjan.\n25:15 Prandaj zem\u00ebrimi i Zotit u ndez kund\u00ebr Amatsiahut dhe i d\u00ebrgoi nj\u00eb profet p\u00ebr t'i th\u00ebn\u00eb: \"Pse k\u00ebrkove per\u00ebndit\u00eb e k\u00ebtij populli, q\u00eb nuk kan\u00eb qen\u00eb t\u00eb zot\u00eb t\u00eb \u00e7lirojn\u00eb popullin e tyre nga dora jote?\".\n25:16 Nd\u00ebrsa vazhdonte t\u00eb fliste akoma me t\u00eb, mbreti i tha: \"A t\u00eb kemi b\u00ebr\u00eb vall\u00eb k\u00ebshilltar t\u00eb mbretit? Pusho! Pse k\u00ebrkon t\u00eb vritesh?\". At\u00ebher\u00eb profeti nuk foli m\u00eb, por tha: \"Un\u00eb e di q\u00eb Per\u00ebndia ka vendosur t\u00eb t\u00eb shkat\u00ebrroj\u00eb, sepse ke b\u00ebr\u00eb k\u00ebt\u00eb dhe nuk more parasysh k\u00ebshill\u00ebn time\".\n25:17 At\u00ebher\u00eb Amatsiahu, mbret i Jud\u00ebs, pasi u k\u00ebshillua, d\u00ebrgoi t'i thot\u00eb Joasit, birit t\u00eb Jehoahazit, birit t\u00eb Jehut, mbret i Izraelit: \"Eja t\u00eb ballafaqohemi njeri me tjetrin n\u00eb betej\u00eb\".\n25:18 Por Joasi, mbret i Izraelit, d\u00ebrgoi t'i thot\u00eb Amatsiahut, mbretit t\u00eb Jud\u00ebs: \"Gjembi i Libanit i \u00e7oi fjal\u00eb kedrit t\u00eb Libanit: \"Jepi vajz\u00ebn t\u00ebnde p\u00ebr grua birit tim\". Por nj\u00eb kafsh\u00eb e eg\u00ebr e Libanit kaloi andej dhe e shkeli gjembin.\n25:19 Ti ke th\u00ebn\u00eb: \"Ja, un\u00eb kam mundur Edomin\", dhe zemra jote t\u00eb ka b\u00ebr\u00eb krenar aq sa t\u00eb mburresh. Rri n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb t\u00ebnde. Pse k\u00ebrkon t\u00eb shkaktosh fatkeq\u00ebsi, duke shkat\u00ebrruar veten t\u00ebnde dhe Jud\u00ebn bashk\u00eb me ty?\".\n25:20 Por Amatsiahu nuk e d\u00ebgjoi; kjo gj\u00eb vinte n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb nga Per\u00ebndia, me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb jepeshin n\u00eb dor\u00ebn e armikut, sepse kishin k\u00ebrkuar per\u00ebndit\u00eb e Edomit.\n25:21 K\u00ebshtu Joasi, mbret i Izraelit, doli kund\u00ebr Jud\u00ebs; dhe ai dhe Amatsiahu, mbret i Jud\u00ebs, u ndesh\u00ebn me njeri-tjetrin n\u00eb Beth-Shemesh q\u00eb i p\u00ebrkiste Jud\u00ebs.\n25:22 Juda u mund nga Izraeli, dhe secili ia mbathi n\u00eb \u00e7adr\u00ebn e vet.\n25:23 Joasi, mbret i Izraelit, zuri n\u00eb Beth-Shemesh Amatsiahun, mbretin e Jud\u00ebs, birin e Joasit, bir i Jehoahazit; e \u00e7oi n\u00eb Jeruzalem dhe b\u00ebri nj\u00eb t\u00eb \u00e7ar\u00eb prej kat\u00ebrqind kubit\u00ebsh n\u00eb muret e Jeruzalemit q\u00eb nga porta Efraimit deri te porta e Qoshes.\n25:24 Mori t\u00ebr\u00eb arin dhe argjendin dhe t\u00eb gjitha sendet q\u00eb gjendeshin n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb i ishin besuar Obed-Edomit, thesaret e pallatit mbret\u00ebror dhe disa pengje, pastaj u kthye p\u00ebrs\u00ebri n\u00eb Samari.\n25:25 Amatsiahu, bir i Joasit, mbretit t\u00eb Jud\u00ebs, jetoi edhe pes\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vjet mbas vdekjes s\u00eb Joasit, birit t\u00eb Jehoahazit, mbret i Izraelit.\n25:26 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Amatsiahut, nga t\u00eb parat gjer n\u00eb ato t\u00eb fundit, a nuk jan\u00eb t\u00eb shkruara vall\u00eb, n\u00eb librin e mbret\u00ebrve t\u00eb Jud\u00ebs dhe t\u00eb Izraelit?\n25:27 Mbas largimit t\u00eb Amatsiahut nga Zoti, u kurdis kund\u00ebr tij nj\u00eb komplot n\u00eb Jeruzalem; ai iku n\u00eb Lakish, por e ndoq\u00ebn deri n\u00eb Lakish dhe aty e vran\u00eb.\n25:28 E ngarkuan pastaj mbi kuaj dhe e varros\u00ebn bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij n\u00eb qytetin e Jud\u00ebs.\n26:1 Pastaj t\u00ebr\u00eb populli i Jud\u00ebs mori Uziahun, q\u00eb ishte at\u00ebher\u00eb gjasht\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vje\u00e7 dhe e b\u00ebri mbret n\u00eb vend t\u00eb atit t\u00eb tij, Amatsiahut.\n26:2 Ai nd\u00ebrtoi Elathin dhe ia ripushtoi Jud\u00ebs, mbasi mbretin e pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij.\n26:3 Uziahu ishte gjasht\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb dhe mbret\u00ebroi pes\u00ebdhjet\u00eb e dy vjet n\u00eb Jeruzalem. E \u00ebma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.\n26:4 Ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e drejt\u00eb n\u00eb syt\u00eb e Zotit, pik\u00ebrisht ashtu si kishte b\u00ebr\u00eb Amatsiahu, i ati.\n26:5 Ai k\u00ebrkoi Per\u00ebndin\u00eb gjat\u00eb jet\u00ebs s\u00eb Zakarias, q\u00eb kuptonte vizionet e Per\u00ebndis\u00eb; dhe p\u00ebr deri sa k\u00ebrkoi Zotin, Per\u00ebndia e begatoi.\n26:6 Ai doli dhe luftoi kund\u00ebr Filistejve, rr\u00ebzoi muret e Gathit, muret e Jabnehut dhe muret e Ashdodit, dhe nd\u00ebrtoi qytete n\u00eb af\u00ebrsi t\u00eb Ashdotit dhe midis Filistejve.\n26:7 Per\u00ebndia e ndihmoi kund\u00ebr Filistejve, kund\u00ebr Arab\u00ebve q\u00eb banonin n\u00eb Gur-Baal dhe kund\u00ebr Meunit\u00ebve.\n26:8 Amonit\u00ebt i paguanin Uziahut nj\u00eb hara\u00e7; fama e tij qe p\u00ebrhapur deri n\u00eb kufijt\u00eb e Egjiptit; sepse ishte b\u00ebr\u00eb shum\u00eb i fuqish\u00ebm.\n26:9 Uziahu nd\u00ebrtoi gjithashtu kulla n\u00eb Jeruzalem n\u00eb port\u00ebn e Qoshes, n\u00eb port\u00ebn e Lugin\u00ebs dhe mbi Qoshen e mureve dhe i fortifikoi k\u00ebto.\n26:10 Ai nd\u00ebrtoi kulla edhe n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb dhe g\u00ebrmoi shum\u00eb puse, sepse kishte nj\u00eb num\u00ebr t\u00eb madh bag\u00ebtish, si n\u00eb pjes\u00ebn e poshtme t\u00eb vendit ashtu dhe n\u00eb fush\u00eb; kishte gjithashtu bujq\u00ebr dhe vreshtar\u00eb n\u00eb malet dhe n\u00eb Karmel, sepse e donte tok\u00ebn.\n26:11 Uziahu kishte gjithashtu nj\u00eb ushtri luft\u00ebtar\u00ebsh q\u00eb shkonte n\u00eb luft\u00eb n\u00eb formacion, sipas numrit t\u00eb regjistruar nga sekretari Jeijel dhe nga komisari Maasejah n\u00ebn urdh\u00ebrat e Hananiahut, nj\u00eb nga kapiten\u00ebt e mbretit.\n26:12 Numri i p\u00ebrgjithsh\u00ebm i t\u00eb par\u00ebve t\u00eb sht\u00ebpive at\u00ebrore, njer\u00ebzve t\u00eb fort\u00eb dhe trima, ishte dy mij\u00eb e gjasht\u00ebqind veta.\n26:13 N\u00ebn komand\u00ebn e tyre ndodhej nj\u00eb ushtri prej treqind e shtat\u00eb mij\u00eb e pes\u00ebqind njer\u00ebz t\u00eb aft\u00eb t\u00eb luftojn\u00eb me trim\u00ebri t\u00eb madhe, p\u00ebr t\u00eb ndihmuar mbretin kund\u00ebr armikut.\n26:14 Uziahu i furnizoi ata, dometh\u00ebn\u00eb t\u00ebr\u00eb ushtrin\u00eb, me mburoja, ushta, p\u00ebrkrenare, parzmore, harqe dhe hobe p\u00ebr t\u00eb hedhur gur\u00eb.\n26:15 N\u00eb Jeruzalem specialist\u00ebt i nd\u00ebrtuan gjithashtu disa makina t\u00eb cilat ai i vendosi mbi kullat dhe n\u00eb qoshet, p\u00ebr t\u00eb hedhur shigjeta dhe gur\u00eb t\u00eb m\u00ebdhenj. Fama e tij u p\u00ebrhap larg, sepse u ndihmua n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb mrekullueshme deri sa u b\u00eb i fuqish\u00ebm.\n26:16 Por, mbasi u b\u00eb i fuqish\u00ebm, zemra e tij u b\u00eb krenare aq sa u korruptua dhe ai m\u00ebkatoi kund\u00ebr Zotit, duke hyr\u00eb n\u00eb tempullin e Zotit p\u00ebr t\u00eb djegur temjan n\u00eb altarin e temjanit.\n26:17 Pas tij hyri prifti Azariah me tet\u00ebdhjet\u00eb prift\u00ebrinj t\u00eb Zotit, njer\u00ebz trima.\n26:18 Ata iu kund\u00ebrvun\u00eb mbretit Uziah dhe i than\u00eb: \"Nuk t\u00eb takon ty, o Uziah, t'i ofrosh temjan Zotit, por prift\u00ebrinjve, bijve t\u00eb Aaronit, q\u00eb jan\u00eb shenjt\u00ebruar p\u00ebr t\u00eb ofruar temjan. Dil nga vendi i shenjt\u00eb, sepse ke kryer m\u00ebkat! Kjo nuk do t\u00eb sjell\u00eb asnj\u00eb nder nga ana e Zotit Per\u00ebndi\".\n26:19 At\u00ebher\u00eb Uziahu, q\u00eb kishte n\u00eb dor\u00eb nj\u00eb temjanis\u00eb p\u00ebr t\u00eb ofruar temjanin, u zem\u00ebrua; por nd\u00ebrsa po u hak\u00ebrrohej prift\u00ebrinjve, mbi ballin e tij shp\u00ebrtheu lebra, p\u00ebrpara prift\u00ebrinjve, n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, pran\u00eb altarit t\u00eb temjanit.\n26:20 Kryeprifti Azariah dhe t\u00ebr\u00eb prift\u00ebrinjt\u00eb e tjer\u00eb u kthyen ndaj tij, dhe ja, mbi ballin e tij dukeshin shenjat e lebr\u00ebs. K\u00ebshtu e nxor\u00ebn me t\u00eb shpejt\u00eb dhe ai vet\u00eb nxitoi t\u00eb dal\u00eb sepse Zoti e kishte goditur.\n26:21 Mbreti Uziah mbeti lebroz deri dit\u00ebn e vdekjes s\u00eb tij dhe banoi n\u00eb nj\u00eb sht\u00ebpi t\u00eb izoluar, sepse ishte lebroz dhe ishte p\u00ebrjashtuar nga sht\u00ebpia e Zotit; dhe i biri Jotham ishte kryeintendenti i pallatit mbret\u00ebror dhe administronte drejt\u00ebsin\u00eb e popullit t\u00eb vendit.\n26:22 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Uziahut, nga t\u00eb parat deri n\u00eb t\u00eb fundit, jan\u00eb shkruar nga profeti Isaia, bir i Amotsit.\n26:23 K\u00ebshtu Uziahu pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe e varros\u00ebn bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij n\u00eb fush\u00ebn e varrimit q\u00eb u takonte mbret\u00ebrve, sepse thuhej: \"E ka z\u00ebn\u00eb lebra\". N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri, Jothami.\n27:1 Jothami ishte nj\u00ebzet e pes\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb dhe mbret\u00ebroi gjasht\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem. E \u00ebma quhej Jerushah; ishte bija e Tsadokut.\n27:2 Ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e drejt\u00eb n\u00eb syt\u00eb e Zotit, pik\u00ebrisht ashtu si kishte vepruar i ati, Uziahu; (megjith\u00ebse nuk hyri n\u00eb tempullin e Zotit), por populli i tij vazhdonte t\u00eb korruptohej.\n27:3 Ai nd\u00ebrtoi port\u00ebn e sip\u00ebrme t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit dhe b\u00ebri shum\u00eb punime n\u00eb muret e Ofelit.\n27:4 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj nd\u00ebrtoi qytete n\u00eb krahin\u00ebn malore t\u00eb Jud\u00ebs dhe kala dhe kulla nd\u00ebr pyje.\n27:5 I shpalli gjithashtu luft\u00eb mbretit t\u00eb bijve t\u00eb Amonit dhe i mundi ata. Bijt\u00eb e Amonit i dhan\u00eb at\u00eb vit nj\u00ebqind talenta argjendi, dhjet\u00eb mij\u00eb kore gruri dhe dhjet\u00eb mij\u00eb elbi. Po kjo sasi iu dor\u00ebzua nga bijt\u00eb e Amonit vitin e dyt\u00eb dhe t\u00eb tret\u00eb.\n27:6 K\u00ebshtu Jothami u b\u00eb i fuqish\u00ebm, sepse rregulloi ecjen e tij p\u00ebrpara Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij.\n27:7 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Jothamit, t\u00ebr\u00eb luft\u00ebrat dhe nd\u00ebrmarrjet e tij jan\u00eb shkruar n\u00eb librin e mbret\u00ebrve t\u00eb Izraelit dhe t\u00eb Jud\u00ebs.\n27:8 Ai ishte nj\u00ebzet e pes\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi gjasht\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem.\n27:9 Pastaj Jothamin pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe e varros\u00ebn n\u00eb qytetin e Davidit. N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri, Ashazi.\n28:1 Ashazi ishte nj\u00ebzet vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi gjasht\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem. Ai nuk b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e drejt\u00eb n\u00eb syt\u00eb e Zotit, si\u00e7 kishte b\u00ebr\u00eb Davidi, i ati;\n28:2 por ndoqi rrug\u00ebt e mbret\u00ebrve t\u00eb Izraelit, madje b\u00ebri sh\u00ebmb\u00eblltyra prej metali t\u00eb shkrir\u00eb p\u00ebr Baal\u00ebt.\n28:3 Ai dogji temjan n\u00eb lugin\u00ebn e Birit t\u00eb Hinomit dhe dogji n\u00eb zjarr bijt\u00eb e tij, duke ndjekur veprimet e neveritshme t\u00eb kombeve q\u00eb Zoti kishte d\u00ebbuar p\u00ebrpara bijve t\u00eb Izraelit;\n28:4 p\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj b\u00ebnte flijime dhe dogji temjan mbi vendet e larta, mbi kodrat dhe n\u00ebn \u00e7do pem\u00eb t\u00eb gjelb\u00ebruar.\n28:5 Prandaj Zoti, Per\u00ebndia i tij, ia dha n\u00eb dor\u00eb mbretit t\u00eb Siris\u00eb; ky i mundi dhe zuri nj\u00eb num\u00ebr t\u00eb madh rob\u00ebrish q\u00eb i \u00e7uan n\u00eb Damask. U dha gjithashtu n\u00eb dor\u00eb t\u00eb mbretit t\u00eb Izraelit, q\u00eb i shkaktoi nj\u00eb humbje t\u00eb madhe.\n28:6 N\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb Pekahu, bir i Remaliahut, brenda nj\u00eb dite vrau nj\u00ebqind e nj\u00ebzet mij\u00eb burra n\u00eb Jud\u00eb, t\u00ebr\u00eb trima, sepse kishin braktisur Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e et\u00ebrve t\u00eb tyre.\n28:7 Zikri, nj\u00eb trim nga Efraimi, vrau Maasejahun, birin e mbretit, Azrikam, prefektin e pallatit, dhe Elkanahun, q\u00eb zinte vendin e dyt\u00eb pas mbretit.\n28:8 Bijt\u00eb e Izraelit \u00e7uan rob\u00ebr, midis v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb tyre, dyqind mij\u00eb gra, bij dhe bija; u mor\u00ebn atyre edhe nj\u00eb pla\u00e7k\u00eb t\u00eb madhe, q\u00eb e \u00e7uan n\u00eb Samari.\n28:9 Por aty ishte nj\u00eb profet i Zotit, q\u00eb quhej Obed. Ai doli para ushtris\u00eb q\u00eb po kthehej n\u00eb Samari dhe tha: \"Ja, me qen\u00eb se Zoti, Per\u00ebndia i et\u00ebrve tuaj, ishte i zem\u00ebruar me Jud\u00ebn, ju dha ata n\u00eb duart tuaja, por ju i vrat\u00eb me t\u00ebrbim, q\u00eb arriti deri n\u00eb qiell.\n28:10 Dhe tani doni t'i n\u00ebnshtroni, si skllev\u00ebrit tuaj dhe skllavet tuaja, bijt\u00eb dhe bijat e Jud\u00ebs dhe t\u00eb Jeruzalemit. Por n\u00eb realitet a nuk jeni fajtor\u00eb ju vet\u00eb p\u00ebrpara Zotit, Per\u00ebndis\u00eb tuaj?\n28:11 D\u00ebgjom\u00ebni, pra, dhe kthejini rob\u00ebrit q\u00eb keni z\u00ebn\u00eb midis v\u00ebllez\u00ebrve tuaj, sepse p\u00ebrndryshe zem\u00ebrimi i zjarrt\u00eb i Zotit do t\u00eb bjer\u00eb mbi ju\".\n28:12 At\u00ebher\u00eb disa nga krer\u00ebt e bijve t\u00eb Efraimit, Azariahu, bir i Johananit, Berekiahu, bir i Meshilemothit, Ezekia, bir i Shalumit, dhe Amasa, bir i Hadlait, u ngrit\u00ebn kund\u00ebr atyre q\u00eb ktheheshin nga lufta,\n28:13 dhe u than\u00eb: \"Ju nuk do t'i sillni k\u00ebtu rob\u00ebrit, sepse mbi ne r\u00ebndon tanim\u00eb nj\u00eb faj kund\u00ebr Zotit; ajo q\u00eb keni nd\u00ebr mend t\u00eb b\u00ebni do t'i shtoj\u00eb edhe m\u00eb tep\u00ebr m\u00ebkatet dhe fajin ton\u00eb, sepse faji yn\u00eb \u00ebsht\u00eb mjaft i madh dhe nj\u00eb zem\u00ebrim i zjarrt\u00eb i k\u00ebrc\u00ebnohet Izraelit\".\n28:14 At\u00ebher\u00eb ushtar\u00ebt i lan\u00eb rob\u00ebrit dhe pla\u00e7k\u00ebn p\u00ebrpara komandant\u00ebve dhe t\u00ebr\u00eb asambles\u00eb.\n28:15 Pastaj disa njer\u00ebz t\u00eb thirrur me em\u00ebr u ngrit\u00ebn dhe mor\u00ebn rob\u00ebrit dhe me rrobat e pla\u00e7k\u00ebs vesh\u00ebn t\u00ebr\u00eb ata q\u00eb ishin lakuriq; u dhan\u00eb rroba dhe sandale, p\u00ebr t\u00eb ngr\u00ebn\u00eb dhe p\u00ebr t\u00eb pir\u00eb dhe i vajos\u00ebn; pastaj i mbart\u00ebn t\u00ebr\u00eb t\u00eb dob\u00ebtit mbi gomar\u00eb dhe i \u00e7uan n\u00eb Jeriko, qyteti i palmave, pran\u00eb v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb tyre, pastaj u kthyen n\u00eb Samari.\n28:16 N\u00eb at\u00eb koh\u00eb mbreti Ashaz shkoi t'i k\u00ebrkoj\u00eb ndihm\u00eb mbretit t\u00eb Asiris\u00eb.\n28:17 Edomit\u00ebt kishin ardhur p\u00ebrs\u00ebri, kishin mundur Jud\u00ebn dhe kishin marr\u00eb me vete rob\u00ebrit.\n28:18 Filistejt\u00eb kishin pushtuar edhe qytetet e fush\u00ebs dhe t\u00eb Negevit t\u00eb Jud\u00ebs dhe kishin marr\u00eb Beth-Shemeshin, Ajalonin, Gederothin, Sokon me fshatrat e tij, Timnahun me fshatrat e tij, Gimzon me fshatrat e tij, dhe ishin vendosur aty.\n28:19 Zoti n\u00eb fakt kishte posht\u00ebruar Jud\u00ebn p\u00ebr shkak t\u00eb Ashazit, mbretit t\u00eb Izraelit, q\u00eb kishte nxitur r\u00ebnien morale n\u00eb Jud\u00eb dhe kishte kryer m\u00ebkate t\u00eb r\u00ebnda kund\u00ebr Zotit.\n28:20 K\u00ebshtu Tilgath-Pilneseri, mbret i Asiris\u00eb, doli kund\u00ebr tij dhe e shtypi n\u00eb vend q\u00eb ta ndihmonte,\n28:21 megjithat\u00eb Ashazi kishte marr\u00eb nj\u00eb pjes\u00eb t\u00eb thesareve t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit, t\u00eb pallatit t\u00eb mbretit dhe t\u00eb krer\u00ebve, dhe ia kishte dh\u00ebn\u00eb t\u00eb gjitha mbretit t\u00eb Asiris\u00eb; megjithat\u00eb kjo nuk i vlejti fare.\n28:22 Edhe kur ishte i shtypur, mbreti Ashaz m\u00ebkatoi edhe m\u00eb shum\u00eb kund\u00ebr Zotit.\n28:23 U ofroi flijime per\u00ebndive t\u00eb Damaskut q\u00eb e kishin mundur, duke th\u00ebn\u00eb: \"Me qen\u00eb se per\u00ebndit\u00eb e mbretit t\u00eb Siris\u00eb i ndihmojn\u00eb ata, un\u00eb do t'i ofroj atyre flijime q\u00eb t\u00eb m\u00eb ndimojn\u00eb edhe mua\". Por qen\u00eb pik\u00ebrisht ata q\u00eb shkaktuan shkat\u00ebrrimin e tij dhe at\u00eb t\u00eb t\u00eb gjith\u00eb Izraelit.\n28:24 Ashazi mblodhi gjith\u00eb veglat e sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, i b\u00ebri ato cop\u00eb-cop\u00eb, mbylli portat e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit, nd\u00ebrtoi altare n\u00eb \u00e7do k\u00ebnd t\u00eb Jeruzalemit,\n28:25 dhe n\u00eb \u00e7do qytet t\u00eb Jud\u00ebs vendosi vende t\u00eb larta p\u00ebr t'u djegur temjan per\u00ebndive t\u00eb tjera, duke shkaktuar k\u00ebshtu zem\u00ebrimin e Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb et\u00ebrve t\u00eb tij.\n28:26 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb tij dhe t\u00ebr\u00eb sjelljet e tij, nga e para n\u00eb t\u00eb fundit, jan\u00eb shkruar n\u00eb librin e mbret\u00ebrve t\u00eb Jud\u00ebs dhe t\u00eb Izraelit.\n28:27 Pastaj Ashazin pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe e varros\u00ebn n\u00eb qytet, n\u00eb Jeruzalem, por nuk desh\u00ebn ta v\u00ebn\u00eb n\u00eb varrezat e mbret\u00ebrve t\u00eb Izraelit. N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri, Ezekia.\n29:1 Ezekia ishte nj\u00ebzet e pes\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb dhe mbret\u00ebroi nj\u00ebzet e n\u00ebnt\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem. E \u00ebma quhej Abijah; ishte bija e Zakarias.\n29:2 Ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb ishte e drejt\u00eb n\u00eb syt\u00eb e Zotit, pik\u00ebrisht ashtu si kishte vepruar Davidi, i ati.\n29:3 N\u00eb vitin e par\u00eb t\u00eb mbret\u00ebrimit t\u00eb tij, n\u00eb muajin e par\u00eb, ai hapi portat e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit dhe i restauroi.\n29:4 Pastaj solli prift\u00ebrinjt\u00eb dhe Levit\u00ebt, dhe i mblodhi n\u00eb sheshin lindor,\n29:5 dhe u tha: \"M\u00eb d\u00ebgjoni, o Levit\u00eb! Tani shenjt\u00ebrohuni dhe shenjt\u00ebroni sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb et\u00ebrve tuaj, dhe nxirrni nga vendi i shenjt\u00eb \u00e7do gj\u00eb t\u00eb papast\u00ebr.\n29:6 Sepse et\u00ebrit tan\u00eb kan\u00eb kryer m\u00ebkate dhe kan\u00eb b\u00ebr\u00eb at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e keqe n\u00eb syt\u00eb e Zotit, Per\u00ebndis\u00eb ton\u00eb dhe e kan\u00eb braktisur, duke i hequr fytyrat e tyre nga banesa e Zotit dhe duke i kthyer krah\u00ebt.\n29:7 Ata madje kan\u00eb mbyllur portat e portikut, kan\u00eb shuar llambat dhe nuk kan\u00eb djegur m\u00eb temjan as nuk kan\u00eb ofruar olokauste n\u00eb vendin e shenjt\u00eb t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb Izraelit.\n29:8 Prandaj zem\u00ebrimi i Zotit ra mbi Jud\u00ebn dhe Jeruzalemin, dhe ai i ka braktisur n\u00eb telashe, n\u00eb shkretim dhe n\u00eb p\u00ebrbuzje, si\u00e7 mund ta shihni me syt\u00eb tuaj.\n29:9 Dhe ja, p\u00ebr shkak t\u00eb k\u00ebsaj, et\u00ebrit tan\u00eb ran\u00eb nga goditjet e shpat\u00ebs, dhe bijt\u00eb tan\u00eb, bijat tona dhe grat\u00eb tona jan\u00eb n\u00eb rob\u00ebri.\n29:10 Tani kam n\u00eb zem\u00ebr t\u00eb b\u00ebj nj\u00eb bes\u00eblidhje me Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e Izraelit, me q\u00ebllim q\u00eb zjarri i zem\u00ebrimit t\u00eb tij t\u00eb largohet prej nesh.\n29:11 Bij t\u00eb mij, mos u tregoni t\u00eb shkujdesur tani, sepse Zoti ju ka zgjedhur q\u00eb t'i sh\u00ebrbeni atij, q\u00eb t\u00eb jemi sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tij dhe q\u00eb t'i ofroni temjan\".\n29:12 At\u00ebher\u00eb Levit\u00ebt u ngrit\u00ebn: Mahathi, bir i Amasait, Joeli, bir i Azariahut, nga bijt\u00eb e Kehathit. Nga bijt\u00eb e Merarit, Kishi, bir i Abdiut dhe Azariahut, bir i Jehalelelit. Nga Ghershonit\u00ebt, Joahu, bir i Zimahut dhe Edeni, bir i Joahut.\n29:13 Nga bijt\u00eb e Elitsafanit, Shimri dhe Jeieli. Nga bijt\u00eb e Asafit, Zakaria dhe Mataniahu.\n29:14 Nga bijt\u00eb e Hemanit, Jehieli dhe Shimei. Nga bijt\u00eb e Jeduthunit, Shemajahu dhe Uzieli.\n29:15 Ata mblodh\u00ebn v\u00ebllez\u00ebrit e tyre dhe u shenjt\u00ebruan; pastaj hyn\u00eb n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit p\u00ebr ta pastruar, sipas urdhrit t\u00eb mbretit, n\u00eb p\u00ebrputhje me fjal\u00ebt e Zotit.\n29:16 K\u00ebshtu prift\u00ebrinjt\u00eb hyn\u00eb br\u00ebnda sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit p\u00ebr ta pastruar dhe nxor\u00ebn jasht\u00eb, n\u00eb oborrin e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit, t\u00eb gjitha sendet e papastra q\u00eb gjet\u00ebn n\u00eb tempullin e Zotit; Levit\u00ebt i mor\u00ebn p\u00ebr t'i \u00e7uar jasht\u00eb n\u00eb p\u00ebrroin e Kidronit.\n29:17 Filluan t\u00eb shenjt\u00ebrohen dit\u00ebn e par\u00eb t\u00eb muajit; dit\u00ebn e tet\u00eb t\u00eb muajit hyn\u00eb n\u00eb portikun e Zotit; brenda tet\u00eb dit\u00ebve pastruan sht\u00ebpin\u00eb e Zotit dhe e p\u00ebrfunduan dit\u00ebn e gjasht\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb t\u00eb muajit t\u00eb par\u00eb.\n29:18 Pastaj hyn\u00eb n\u00eb pallatin e mbretit Ezekia dhe i than\u00eb: \"Kemi pastruar t\u00ebr\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, altarin e olokausteve me t\u00eb gjitha veglat e tij dhe tryez\u00ebn e buk\u00ebve t\u00eb paraqitjes me gjith\u00eb veglat e saj.\n29:19 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj kemi v\u00ebn\u00eb p\u00ebrs\u00ebri n\u00eb vend dhe kemi pastruar t\u00eb gjitha p\u00ebrdor\u00ebset q\u00eb mbreti Ashaz n\u00eb m\u00ebkatin e tij kishte flakur tej gjat\u00eb mbret\u00ebrimit t\u00eb tij; dhe ja, tani jan\u00eb p\u00ebrpara altarit t\u00eb Zotit\".\n29:20 At\u00ebher\u00eb mbreti Ezekia u ngrit shpejt, mblodhi parin\u00eb e qytetit dhe u ngjit n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit.\n29:21 Ata soll\u00ebn shtat\u00eb dema, shtat\u00eb desh, shtat\u00eb qengja dhe shtat\u00eb cjep, si flijim p\u00ebr m\u00ebkatin p\u00ebr mbret\u00ebrin\u00eb, p\u00ebr shenjt\u00ebroren dhe p\u00ebr Jud\u00ebn. Pastaj mbreti urdh\u00ebroi prift\u00ebrinjt\u00eb, bijt\u00eb e Aaronit, t'i ofronin n\u00eb altarin e Zotit.\n29:22 K\u00ebshtu ther\u00ebn demat, dhe prift\u00ebrinjt\u00eb mblodh\u00ebn gjakun e tyre dhe sp\u00ebrkat\u00ebn altarin me t\u00eb; n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn m\u00ebnyr\u00eb ther\u00ebn desht\u00eb dhe sp\u00ebrkat\u00ebn gjakun e tyre mbi altar; pastaj ther\u00ebn qengjat dhe sp\u00ebrkat\u00ebn me gjakun e tyre altarin.\n29:23 Pastaj i paraqit\u00ebn mbretit dhe asambles\u00eb cjept\u00eb e flijimit p\u00ebr m\u00ebkatin, dhe ata vun\u00eb mbi to duart e tyre.\n29:24 Prift\u00ebrinjt\u00eb i ther\u00ebn dhe ofruan gjakun e tyre mbi altar si flijim p\u00ebr m\u00ebkatin, si shlyerje e fajit p\u00ebr t\u00ebr\u00eb Izraelin, sepse mbreti kishte urdh\u00ebruar t\u00eb ofronin olokaustin dhe flijimin p\u00ebr m\u00ebkatin, p\u00ebr t\u00ebr\u00eb Izraelin.\n29:25 Mbreti vendosi gjithashtu Levit\u00ebt n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit me cembale, me harpa dhe me qeste, sipas urdhrit t\u00eb Davidit, t\u00eb Gadit, shikuesi i mbretit, dhe t\u00eb profetit Nathan, sepse urdhri ishte dh\u00ebn\u00eb nga Zoti me an\u00eb t\u00eb profet\u00ebve t\u00eb tij.\n29:26 K\u00ebshtu Levit\u00ebt zun\u00eb vend me veglat e Davidit, dhe prift\u00ebrinjt\u00eb me borit\u00eb.\n29:27 At\u00ebher\u00eb Ezekia urdh\u00ebroi q\u00eb olokausti t\u00eb ofrohej mbi altar; dhe n\u00eb \u00e7astin q\u00eb filloi olokausti, filloi gjithashtu k\u00ebnga e Zotit me borit\u00eb dhe me shoq\u00ebrimin e veglave t\u00eb Davidit, mbretit t\u00eb Izraelit.\n29:28 At\u00ebher\u00eb t\u00ebr\u00eb asambleja u p\u00ebrul, nd\u00ebrsa k\u00ebng\u00ebtar\u00ebt k\u00ebndonin dhe trumbetier\u00ebt u binin veglave t\u00eb tyre; e t\u00ebr\u00eb kjo vazhdoi deri n\u00eb fund t\u00eb olokaustit.\n29:29 Me t\u00eb mbaruar olokausti, mbreti dhe t\u00ebr\u00eb ata q\u00eb ishin me t\u00eb u p\u00ebrkul\u00ebn dhe adhuruan.\n29:30 Pastaj mbreti Ezekia dhe paria urdh\u00ebruan Levit\u00ebt t\u00eb l\u00ebvdonin Zotin me fjal\u00ebt e Davidit dhe t\u00eb shikuesit Asaf; ata e l\u00ebvduan me g\u00ebzim, pastaj u p\u00ebrkul\u00ebn dhe e adhuruan.\n29:31 At\u00ebher\u00eb Ezekia mori fjal\u00ebn dhe tha: \"Tani q\u00eb i jeni shenjt\u00ebruar Zotit, afrohuni dhe sillni flijime dhe oferta fal\u00ebnderimi n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit\". K\u00ebshtu asambleja solli flijime dhe oferta falenderimi; dhe t\u00eb gjith\u00eb ata q\u00eb ua donte zemra soll\u00ebn olokauste.\n29:32 Numri i olokausteve q\u00eb solli asambleja ishte shtat\u00ebdhjet\u00eb dema, nj\u00ebqind desh dhe dyqind qengja; t\u00eb t\u00ebra k\u00ebto ishin olokauste p\u00ebr Zotin.\n29:33 Kafsh\u00ebt e shenjt\u00ebruara ishin gjasht\u00ebqind lop\u00eb dhe tre mij\u00eb dele.\n29:34 Por prift\u00ebrinjt\u00eb ishin shum\u00eb t\u00eb pak\u00ebt dhe nuk mund t\u00eb rripnin t\u00ebr\u00eb olokaustet; prandaj v\u00ebllez\u00ebrit e tyre, Levit\u00ebt, i ndihmuan deri sa mbaroi t\u00ebr\u00eb puna dhe deri sa t\u00eb shenjt\u00ebroheshin prift\u00ebrinjt\u00eb e tjer\u00eb, sepse Levit\u00ebt e kishin zemr\u00ebn m\u00eb t\u00eb past\u00ebr n\u00eb shenjt\u00ebrimin e prift\u00ebrinjve.\n29:35 Pati nj\u00eb num\u00ebr t\u00eb madh olokaustesh s\u00eb bashku me dhjamin e fljimeve t\u00eb fal\u00ebnderimit dhe me blatimet e olokausteve. K\u00ebshtu u rivendos sh\u00ebrbimi i sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit.\n29:36 Ezekia dhe t\u00ebr\u00eb populli u g\u00ebzua q\u00eb Per\u00ebndia e kishte p\u00ebrgatitur popullin; n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb kjo gj\u00eb u b\u00eb shpejt.\n30:1 Pastaj Ezekia i d\u00ebrgoi lajm\u00ebtar\u00eb t\u00ebr\u00eb Izraelit dhe Jud\u00ebs dhe i shkroi gjithashtu letra Efraimit dhe Manasit q\u00eb t\u00eb vinin n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit n\u00eb Jeruzalem p\u00ebr t\u00eb festuar Pashk\u00ebn p\u00ebr nder t\u00eb Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb Izraelit.\n30:2 Mbreti, paria dhe t\u00ebr\u00eb asambleja n\u00eb Jeruzalem vendos\u00ebn ta kremtojn\u00eb Pashk\u00ebn n\u00eb muajin e dyt\u00eb;\n30:3 n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb nuk kishin mundur ta kremtonin n\u00eb koh\u00ebn e caktuar, sepse prift\u00ebrinjt\u00eb nuk ishin shenjt\u00ebruar n\u00eb num\u00ebr t\u00eb mjaftuesh\u00ebm dhe populli nuk ishte mbledhur n\u00eb Jeruzalem.\n30:4 Kjo gj\u00eb i p\u00eblqeu mbretit dhe t\u00ebr\u00eb asambles\u00eb.\n30:5 Vendos\u00ebn k\u00ebshtu t\u00eb shpallin n\u00eb t\u00ebr\u00eb Izraelin, nj\u00eb njoftim nga Beer-Sheba deri n\u00eb Dan, q\u00eb t\u00eb vijn\u00eb n\u00eb Jeruzalem p\u00ebr t\u00eb kremtuar Pashk\u00ebn p\u00ebr nder t\u00eb Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb Izraelit, sepse prej shum\u00eb vitesh nuk e kishin kremtuar n\u00eb m\u00ebnyr\u00ebn e paracaktuar.\n30:6 Korrier\u00ebt, pra, shkuan n\u00eb gjith\u00eb Izraelin dhe n\u00eb Jud\u00ebn me letrat e mbretit dhe t\u00eb paris\u00eb s\u00eb tij, duke shpallur sipas urdhrit t\u00eb mbretit: \"Bij t\u00eb Izraelit, kthehuni tek Zoti, Per\u00ebndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me q\u00ebllim q\u00eb ai t\u00eb rikthehet pran\u00eb asaj q\u00eb iu ka mbetur dhe q\u00eb ka shp\u00ebtuar nga duart e mbret\u00ebrve t\u00eb Asiris\u00eb.\n30:7 Mos jini si et\u00ebrit tuaj dhe v\u00ebllez\u00ebrit tuaj, q\u00eb kan\u00eb m\u00ebkatuar kund\u00ebr Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb et\u00ebrve t\u00eb tyre, i cili p\u00ebr k\u00ebt\u00eb shkak i ka braktisur dhe i ka l\u00ebn\u00eb n\u00eb pik\u00ebllim, si\u00e7 e shihni.\n30:8 Tani mos e fort\u00ebsoni zverkun si et\u00ebrit tuaj, por jepini dor\u00ebn Zotit, ejani n\u00eb shenjt\u00ebroren e tij q\u00eb ai ka shenjt\u00ebruar p\u00ebrjet\u00eb dhe i sh\u00ebrbeni Zotit, Per\u00ebndis\u00eb tuaj, me q\u00ebllim q\u00eb zjarri i zem\u00ebrimit t\u00eb tij t\u00eb largohet nga ju.\n30:9 Sepse, n\u00eb rast se ktheheni tek Zoti, v\u00ebllez\u00ebrit tuaj dhe bijt\u00eb tuaj do t\u00eb trajtohen me dhembshuri nga ata q\u00eb i kan\u00eb internuar dhe do t\u00eb kthehen n\u00eb k\u00ebt\u00eb vend, sepse Zoti, Per\u00ebndia juaj, \u00ebsht\u00eb i m\u00ebshirsh\u00ebm dhe zem\u00ebrmadh dhe nuk do ta heq\u00eb fytyr\u00ebn prej jush, n\u00eb rast se ktheheni tek ai\".\n30:10 Dhe korrier\u00ebt kaluan nga nj\u00eb qytet n\u00eb tjetrin n\u00eb vendin e Efraimit dhe t\u00eb Manasit deri n\u00eb Zabulon; por njer\u00ebzit i p\u00ebrqeshnin dhe talleshin me ta.\n30:11 Megjithat\u00eb disa burra nga Asheri, nga Zabuloni dhe nga Manasi u p\u00ebrul\u00ebn dhe erdh\u00ebn n\u00eb Jeruzalem.\n30:12 Por n\u00eb Jud\u00eb dora e Per\u00ebndis\u00eb veproi duke u dh\u00ebn\u00eb atyre nj\u00eb zem\u00ebr t\u00eb nj\u00ebllojt\u00eb p\u00ebr t\u00eb kryer urdhrin e mbretit dhe t\u00eb paris\u00eb, sipas fjal\u00ebs t\u00eb Zotit.\n30:13 Nj\u00eb turm\u00eb e madhe u mblodh n\u00eb Jeuzalem p\u00ebr t\u00eb kremtuar fest\u00ebn e t\u00eb Ndorm\u00ebve gjat\u00eb muajit t\u00eb dyt\u00eb; ishte nj\u00eb kuvend shum\u00eb i madh.\n30:14 U ngrit\u00ebn dhe zhduk\u00ebn altar\u00ebt q\u00eb ishin n\u00eb Jeruzalem; zhduk\u00ebn gjithashtu t\u00ebr\u00eb altar\u00ebt e temjanit dhe i hodh\u00ebn n\u00eb p\u00ebrroin e Kidronit.\n30:15 Pastaj flijuan Pashk\u00ebn, dit\u00ebn e kat\u00ebrmb\u00ebdhjet\u00eb t\u00eb muajit t\u00eb dyt\u00eb. Prift\u00ebrinjt\u00eb dhe Levit\u00ebt, plot turp, u shenjt\u00ebruan dhe ofruan olokauste n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit.\n30:16 Ata zun\u00eb vendet q\u00eb u p\u00ebrkisnin sipas normave t\u00eb p\u00ebrshkruara nga ligji i Moisiut, njeriut t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb. Prift\u00ebrinjt\u00eb sp\u00ebrkatnin gjakun, q\u00eb merrnin nga duart e Levit\u00ebve.\n30:17 Duke qen\u00eb se shum\u00eb njer\u00ebz t\u00eb asambles\u00eb nuk ishin shenjt\u00ebruar, Levit\u00ebt kishin p\u00ebr detyr\u00eb t'i flijonin qengjat e Pashk\u00ebs p\u00ebr t\u00ebr\u00eb ata q\u00eb nuk ishin t\u00eb past\u00ebr, p\u00ebr t'ia shenjt\u00ebruar Zotit.\n30:18 N\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb nj\u00eb pjes\u00eb e madhe e popullit, shum\u00eb nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e h\u00ebngr\u00ebn nj\u00eblloj Pashk\u00ebn, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut p\u00ebr ata, duke th\u00ebn\u00eb: \"Zoti, q\u00eb \u00ebsht\u00eb i mir\u00eb, t\u00eb fal\u00eb cilindo\n30:19 q\u00eb ia ka kushtuar zemr\u00ebn e tij t\u00eb k\u00ebrkoj\u00eb Per\u00ebndin\u00eb, Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e et\u00ebrve t\u00eb tij, edhe pa pastrimin q\u00eb k\u00ebrkon shenjt\u00ebrorja\".\n30:20 Dhe Zoti d\u00ebgjoi Ezekian dhe sh\u00ebroi popullin.\n30:21 K\u00ebshtu bijt\u00eb e Izraelit, q\u00eb ishin n\u00eb Jeruzalem, kremtuan fest\u00ebn e t\u00eb Ndorm\u00ebve shtat\u00eb dit\u00eb me radh\u00eb n\u00eb nj\u00eb atmosfer\u00eb g\u00ebzimi t\u00eb madh, kurse Levit\u00ebt dhe prift\u00ebrinjt\u00eb l\u00ebvdonin \u00e7do dit\u00eb Zotin, duke i k\u00ebnduar me vegla ting\u00ebllonj\u00ebse Zotit.\n30:22 Ezekia i foli zemr\u00ebs t\u00eb t\u00eb gjith\u00eb Levit\u00ebve q\u00eb tregonin njohje t\u00eb mir\u00eb t\u00eb gj\u00ebrave t\u00eb Zotit. K\u00ebshtu ata h\u00ebngr\u00ebn p\u00ebr shtat\u00eb dit\u00ebt e caktuara t\u00eb fest\u00ebs, duke ofruar flijime falenderimi dhe duke l\u00ebvduar Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e et\u00ebrve t\u00eb tyre.\n30:23 Pastaj t\u00ebr\u00eb kuvendi vendosi ta kremtoj\u00eb fest\u00ebn shtat\u00eb dit\u00eb t\u00eb tjera; k\u00ebshtu e kremtuan shtat\u00eb dit\u00eb t\u00eb tjera me g\u00ebzim.\n30:24 N\u00eb fakt Ezekia, mbret i Jud\u00ebs, i kishte falur kuvendit nj\u00eb mij\u00eb dema t\u00eb vegj\u00ebl dhe shtat\u00eb mij\u00eb dele; edhe paria i kishte dhuruar kuvendit nj\u00eb mij\u00eb dema t\u00eb vegj\u00ebl dhe dhjet\u00eb mij\u00eb dele; dhe nj\u00eb num\u00ebr i madh prift\u00ebrinjsh ishte shenjt\u00ebruar.\n30:25 T\u00ebr\u00eb asambleja e Jud\u00ebs kremtoi fest\u00ebn bashk\u00eb me prift\u00ebrinjt\u00eb, me Levit\u00ebt, me t\u00ebr\u00eb asamblen\u00eb e atyre q\u00eb erdh\u00ebn nga Izraeli dhe me t\u00eb huajt q\u00eb kishin mb\u00ebrritur nga vendin e Izraelit ose q\u00eb banonin n\u00eb Jud\u00eb.\n30:26 K\u00ebshtu pati nj\u00eb g\u00ebzim t\u00eb madh n\u00eb Jeruzalem. Nga koha e Salomonit, birit t\u00eb Davidit, mbret i Izraelit, nuk kishte ndodhur asgj\u00eb e till\u00eb n\u00eb Jeruzalem.\n30:27 Pastaj prift\u00ebrinjt\u00eb Levit\u00eb u ngrit\u00ebn dhe bekuan popullin; z\u00ebri i tyre u d\u00ebgjua dhe lutja e tyre arriti deri n\u00eb banes\u00ebn e shenjt\u00eb t\u00eb Zotit n\u00eb qiell.\n31:1 Mbasi mbaruan t\u00ebr\u00eb k\u00ebt\u00eb pun\u00eb, Izraelit\u00ebt e pranish\u00ebm u nis\u00ebn p\u00ebr n\u00eb qytetet e Jud\u00ebs, p\u00ebr t\u00eb thyer kollonat e shenjta, p\u00ebr t\u00eb shembur Asherim\u00ebt dhe p\u00ebr t\u00eb shkat\u00ebrruar vendet e larta dhe altar\u00ebt n\u00eb\n31:2 Ezekia rind\u00ebrtoi klasat e prift\u00ebrinjve dhe t\u00eb Levit\u00ebve n\u00eb baz\u00eb t\u00eb klasave t\u00eb tyre, secila sipas sh\u00ebrbimit t\u00eb tij, prift\u00ebrinjt\u00eb dhe Levit\u00ebt p\u00ebr olokaustet dhe flijimet e falenderimit p\u00ebr t\u00eb sh\u00ebrbyer, p\u00ebr t\u00eb falenderuar dhe p\u00ebr t\u00eb l\u00ebvduar n\u00eb portat e kampeve t\u00eb Zotit.\n31:3 Mbreti caktoi edhe pjes\u00ebn e pasurive t\u00eb tij, q\u00eb do t'i caktoheshin p\u00ebr olokauste; olokaustet e m\u00ebngjesit dhe t\u00eb mbr\u00ebmjes, olokaustet e t\u00eb shtunave, t\u00eb dit\u00ebve t\u00eb h\u00ebn\u00ebs s\u00eb re dhe t\u00eb festave solemne, ashtu si\u00e7 \u00ebsht\u00eb shkruar n\u00eb ligjin e Zotit.\n31:4 Gjithashtu urdh\u00ebroi popullin, ata q\u00eb banonin n\u00eb Jeruzalem, t'u jepnin prift\u00ebrinjve dhe Levit\u00ebve pjes\u00ebn q\u00eb u takonte, me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb tregoheshin t\u00eb vendosur n\u00eb ligjin e Zotit.\n31:5 Sa u p\u00ebrhap ky urdh\u00ebr, bijt\u00eb e Izraelit dhan\u00eb me shumic\u00eb prodhimet e para t\u00eb grurit, t\u00eb ver\u00ebs, t\u00eb vajit, t\u00eb mjaltit dhe t\u00eb t\u00eb gjitha prodhimeve t\u00eb arave; dhe \u00e7uan nj\u00eb t\u00eb dhjet\u00eb t\u00eb bollshme nga \u00e7do gj\u00eb.\n31:6 Bijt\u00eb e Izraelit dhe t\u00eb Jud\u00ebs q\u00eb banonin n\u00eb qytetet e Jud\u00ebs \u00e7uan edhe ata t\u00eb dhjet\u00ebn e lop\u00ebve dhe t\u00eb deleve, po k\u00ebshtu edhe t\u00eb dhjet\u00ebn e gj\u00ebrave t\u00eb shenjta t\u00eb shenjt\u00ebruara Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tyre, dhe krijuan me to shum\u00eb grumbuj.\n31:7 Filluan t'i b\u00ebjn\u00eb grumbujt n\u00eb muajin e tret\u00eb dhe e p\u00ebrfunduan k\u00ebt\u00eb pun\u00eb n\u00eb muajin e shtat\u00eb.\n31:8 Kur Ezekia dhe krer\u00ebt erdh\u00ebn p\u00ebr t\u00eb par\u00eb grumbujt, bekuan Zotin dhe popullin e tij t\u00eb Izraelit.\n31:9 Pastaj Ezekia pyeti prift\u00ebrinjt\u00eb dhe Levit\u00ebt p\u00ebr grumbujt;\n31:10 kryeprifti Azariah, nga sht\u00ebpia e Tsadokut, iu p\u00ebrgjigj: \"Q\u00eb kur filloi prurja e ofertave n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, kemi ngr\u00ebn\u00eb sa jemi ngopur dhe kan\u00eb mbetur gj\u00ebra me shumic\u00eb, sepse Zoti ka bekuar popullin e tij; dhe kjo \u00ebsht\u00eb sasia e madhe q\u00eb ka tepruar\".\n31:11 At\u00ebher\u00eb Ezekia i urdh\u00ebroi ata t\u00eb p\u00ebrgatisnin disa dhoma n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit. Ata i p\u00ebrgatit\u00ebn,\n31:12 dhe soll\u00ebn aty me besnik\u00ebri ofertat, t\u00eb dhjet\u00ebn dhe gj\u00ebrat e shenjt\u00ebruara. Levitit Konaniahu iu besua kryeintendenca dhe mbas tij vinte i v\u00ebllai, Shimei.\n31:13 Jehieli, Ahaziahu, Nahathi, Asahelli, Jerimothi, Jozabadi, Elieli, Ismakiahu, Mahathi dhe Benajahu ishin mbikqyr\u00ebs n\u00ebn urdhrat e Konaniahut dhe t\u00eb v\u00ebllait t\u00eb tij Shimei, me porosi t\u00eb mbretit Ezekia dhe t\u00eb Azariahut, kreu i sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb.\n31:14 Leviti Kore, bir i Imnahut, roj\u00eb e port\u00ebs lindore, ishte caktuar p\u00ebr ofertat vullnetare q\u00eb i b\u00ebheshin Per\u00ebndis\u00eb p\u00ebr t\u00eb shp\u00ebrndar\u00eb ofertat e larta t\u00eb Zotit dhe gj\u00ebrat shum\u00eb t\u00eb shenjta.\n31:15 N\u00ebn urdhrat e tij ishin Edeni, Miniamini, Jeshua, Shemajahu, Amariahu, Shekaniahu n\u00eb qytetet e prift\u00ebrinjve, q\u00eb duhet t'u b\u00ebnin me p\u00ebrpikm\u00ebri shp\u00ebrndarjen v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb tyre, t\u00eb m\u00ebdhenj apo t\u00eb vegj\u00ebl, sipas klasave t\u00eb tyre;\n31:16 me p\u00ebrjashtim t\u00eb meshkujve q\u00eb ishin regjistruar n\u00eb gjeneologjit\u00eb e tyre nga mosha tre vje\u00e7 e lart, ata u shp\u00ebrndanin t\u00eb gjith\u00eb atyre q\u00eb hynin n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit racionin e tyre t\u00eb p\u00ebrditsh\u00ebm p\u00ebr sh\u00ebrbimin e tyre, sipas funksioneve t\u00eb tyre dhe n\u00eb baz\u00eb t\u00eb klas\u00ebs s\u00eb cil\u00ebs i p\u00ebrkisnin,\n31:17 prift\u00ebrinjve t\u00eb regjistruar n\u00eb gjenealogjit\u00eb sipas sht\u00ebpive at\u00ebrore dhe Levit\u00ebve me mosh\u00eb nj\u00ebzet vje\u00e7 e lart, sipas detyrave t\u00eb tyre dhe klasave t\u00eb cilave u p\u00ebrkisnin,\n31:18 dhe gjith\u00eb atyre q\u00eb ishin regjistruar n\u00eb gjenealogjin\u00eb, dometh\u00ebn\u00eb f\u00ebmij\u00ebt e tyre t\u00eb vegj\u00ebl, bashk\u00ebshortet e tyre bijt\u00eb e tyre dhe bijat e tyre si an\u00ebtar\u00eb t\u00eb t\u00eb gjith\u00eb asambles\u00eb; sepse n\u00eb funksionin q\u00eb u ishte caktuar ata u shenjt\u00ebruan n\u00eb shenjt\u00ebri.\n31:19 Edhe p\u00ebr prift\u00ebrinjt\u00eb, bijt\u00eb e Aaronit, q\u00eb banonin n\u00eb fshat, n\u00eb zonat rreth qyteteve, kishte n\u00eb \u00e7do qytet njer\u00ebz t\u00eb caktuar me em\u00ebr p\u00ebr t\u00eb ndar\u00eb racionet \u00e7do mashkulli midis prift\u00ebrinjve dhe t\u00ebr\u00eb Levit\u00ebve t\u00eb regjistruar n\u00eb gjenealogjit\u00eb.\n31:20 Ezekia veproi k\u00ebshtu n\u00eb t\u00eb gjith\u00eb Jud\u00ebn; b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e mir\u00eb, e drejt\u00eb dhe e v\u00ebrtet\u00eb p\u00ebrpara Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij.\n31:21 \u00c7do pun\u00eb q\u00eb nd\u00ebrmori p\u00ebr sh\u00ebrbimin e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, p\u00ebr ligjin dhe p\u00ebr urdh\u00ebrimet, p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar Per\u00ebndin\u00eb e tij, ai e b\u00ebri me gjith\u00eb zem\u00ebr; prandaj ai pati mbar\u00ebsi.\n32:1 Mbas k\u00ebtyre gj\u00ebrave dhe k\u00ebtyre veprimeve besnik\u00ebrie t\u00eb Ezekias, Senasheribi, mbret i Asiris\u00eb, erdhi, hyri n\u00eb Jud\u00eb dhe rrethoi qytetet e fortifikuara, me q\u00ebllim q\u00eb t'i pushtonte.\n32:2 Kur Ezekia pa q\u00eb Senasheribi kishte ardhur me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb sulmonte Jeruzalemin,\n32:3 vendosi me komandant\u00ebt e tij dhe me trimat e tij t\u00eb mbyllnin uj\u00ebrat e burimeve q\u00eb ndodheshin jasht\u00eb qytetit; dhe ata e ndihmuan n\u00eb k\u00ebt\u00eb pun\u00eb.\n32:4 K\u00ebshtu u mblodh nj\u00eb num\u00ebr i madh njer\u00ebzish, t\u00eb cil\u00ebt i zun\u00eb t\u00eb gjitha burimet dhe p\u00ebrroin q\u00eb rridhte n\u00ebp\u00ebr vend, duke th\u00ebn\u00eb: \"Pse mbreti i Asiris\u00eb duhet t\u00eb vij\u00eb dhe t\u00eb gjej\u00eb uj\u00eb me shumic\u00eb?\".\n32:5 At\u00ebher\u00eb Ezekia mori guxim, rind\u00ebrtoi t\u00eb gjitha muret e rr\u00ebzuara, ngriti kulla dhe p\u00ebrjashta nd\u00ebrtoi nj\u00eb mur t\u00eb jasht\u00ebm; gjithashtu ai fortifikoi Milon n\u00eb qytetin e Davidit dhe urdh\u00ebroi t\u00eb b\u00ebheshin shum\u00eb ushta dhe mburoja.\n32:6 Caktoi komandant\u00eb ushtarak\u00eb mbi popullin, i mblodhi rreth vetes n\u00eb sheshin e qytetit dhe i foli zemr\u00ebs s\u00eb tyre, duke th\u00ebn\u00eb:\n32:7 \"Tregohuni t\u00eb fort\u00eb dhe trima! Mos kini frik\u00eb dhe mos u tronditni para mbretit t\u00eb Asiris\u00eb dhe para moris\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb me t\u00eb, sepse me ne \u00ebsht\u00eb nj\u00eb m\u00eb i madh nga ai q\u00eb ndodhet me t\u00eb.\n32:8 Me t\u00eb \u00ebsht\u00eb nj\u00eb krah prej mishi, por me ne \u00ebsht\u00eb Zoti, Per\u00ebndia yn\u00eb, p\u00ebr t\u00eb na ndihmuar dhe p\u00ebr t\u00eb luftuar n\u00ebl betejat tona\". Populli u qet\u00ebsua nga fjal\u00ebt e Ezekias, mbretit t\u00eb Jud\u00ebs.\n32:9 Mbas k\u00ebsaj Senasheribi, mbret i Asiris\u00eb, nd\u00ebrsa ndodhej me t\u00eb gjitha forcat e tij p\u00ebrball\u00eb Lakishit, d\u00ebrgoi sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tij n\u00eb Jeruzalem p\u00ebr t'i th\u00ebn\u00eb Ezekias, mbretit t\u00eb Jud\u00ebs, dhe t\u00eb gjith\u00eb atyre t\u00eb Jud\u00ebs q\u00eb ndodheshin n\u00eb Jeruzalem:\n32:10 \"K\u00ebshtu flet Senasheribi, mbret i Asir\u00ebve: Ku e mb\u00ebshtetni besimin q\u00eb q\u00ebndroni t\u00eb rrethuar n\u00eb Jeruzalem?\n32:11 A nuk po ju g\u00ebnjen Ezekia me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb vdisni nga uria dhe nga etja, duke th\u00ebn\u00eb: \"Zoti, Per\u00ebndia yn\u00eb, do t\u00eb na \u00e7liroj\u00eb nga duart e mbretit t\u00eb Asiris\u00eb\"?\n32:12 A nuk i ka hequr vall\u00eb vet\u00eb Ezekia vendet e tij t\u00eb larta dhe altar\u00ebt e tij, duke i th\u00ebn\u00eb Jud\u00ebs dhe Jeruzalemit: \"Ju do t\u00eb adhuroni p\u00ebrpara nj\u00eb altari t\u00eb vet\u00ebm dhe mbi t\u00eb do t\u00eb ofroni temjan\"?\n32:13 A nuk e dini ju \u00e7far\u00eb u kemi b\u00ebr\u00eb un\u00eb dhe et\u00ebrit e mi gjith\u00eb popujve t\u00eb vendeve t\u00eb tjera? A kan\u00eb qen\u00eb t\u00eb aft\u00eb per\u00ebndit\u00eb e kombeve t\u00eb k\u00ebtyre vendeve t\u00eb \u00e7lirojn\u00eb n\u00eb nj\u00eb far\u00eb m\u00ebnyre vendet e tyre nga duart e mia?\n32:14 Midis t\u00ebr\u00eb per\u00ebndive t\u00eb k\u00ebtyre kombeve q\u00eb et\u00ebrit e mi kan\u00eb caktuar p\u00ebr shfarosje, kush, pra, ka mundur t\u00eb \u00e7liroj\u00eb popullin e tij nga dora ime? Si do t\u00eb mund t'ju \u00e7liroj\u00eb Per\u00ebndia juaj, pra, nga dora ime?\n32:15 Prandaj tani mos e lini Ezekian t'ju g\u00ebnjej\u00eb dhe t'ju mashtroj\u00eb n\u00eb k\u00ebt\u00eb m\u00ebnyr\u00eb; mos i zini bes\u00eb! Duke qen\u00eb se asnj\u00eb per\u00ebndi e ndonj\u00eb kombi o mbret\u00ebrie, nuk ka mundur t\u00eb \u00e7liroj\u00eb popullin e tij nga dora ime apo nga dora e et\u00ebrve t\u00eb mi, aq m\u00eb pak Per\u00ebndia juaj do t\u00eb mund t'ju \u00e7liroj\u00eb nga dora ime!\".\n32:16 Sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tij flissnin akoma kund\u00ebr Zotit Per\u00ebndi dhe kund\u00ebr sh\u00ebrb\u00ebtorit t\u00eb tij Ezekia.\n32:17 Senasheribi shkroi gjithashtu letra p\u00ebr t\u00eb shar\u00eb Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e Izraelit, dhe p\u00ebr t\u00eb folur kund\u00ebr tij, duke th\u00ebn\u00eb: \"Ashtu si per\u00ebndit\u00eb e kombeve t\u00eb vendeve t\u00eb tjera nuk i kan\u00eb \u00e7liruar popujt e tyre nga dora ime, k\u00ebshtu as Per\u00ebndia i Ezekias nuk do ta \u00e7liroj\u00eb popullin e tij nga dora ime\".\n32:18 Ata b\u00ebrtit\u00ebn me z\u00eb t\u00eb lart\u00eb n\u00eb gjuh\u00ebn judaike duke iu drejtuar popullit t\u00eb Jeruzalemit q\u00eb rrinte mbi muret, p\u00ebr ta trembur dhe p\u00ebr ta tmerruar, dhe k\u00ebshtu t\u00eb shtinin n\u00eb dor\u00eb qytetin.\n32:19 Ata fol\u00ebn kund\u00ebr Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb Jeruzalemit ashtu si kund\u00ebr per\u00ebndive t\u00eb popujve t\u00eb tok\u00ebs, q\u00eb jan\u00eb vep\u00ebr e dor\u00ebs s\u00eb njeriut.\n32:20 Por mbreti Ezekia dhe profeti Isaia, bir i Amotsit, u lut\u00ebn me k\u00ebt\u00eb rast dhe klith\u00ebn n\u00eb drejtim t\u00eb qiellit.\n32:21 At\u00ebher\u00eb Zoti d\u00ebrgoi nj\u00eb engj\u00ebll q\u00eb shfarosi gjith\u00eb burrat e fort\u00eb dhe trima, princat dhe komandant\u00ebt n\u00eb kampin e mbretit t\u00eb Asiris\u00eb. Ky u kthye n\u00eb vendin e tij i mbuluar me turp; pastaj hyri n\u00eb tempullin e per\u00ebndis\u00eb s\u00eb tij, ku vet\u00eb bijt\u00eb e tij e vran\u00eb me shpat\u00eb.\n32:22 K\u00ebshtu Zoti shp\u00ebtoi Ezekian dhe banor\u00ebt e Jeruzalemit nga dora e Senasheribit, mbretit t\u00eb Asiris\u00eb, dhe nga dora e gjith\u00eb t\u00eb tjer\u00ebve dhe i mbrojti rreth e qark.\n32:23 Nj\u00eb num\u00ebr i madh njer\u00ebzish i \u00e7uan oferta Zotit n\u00eb Jeruzalem dhe sende t\u00eb \u00e7muara Ezekias, mbretit t\u00eb Jud\u00ebs, i cili qysh at\u00ebher\u00eb u madh\u00ebrua n\u00eb syt\u00eb e t\u00ebr\u00eb kombeve.\n32:24 N\u00eb ato dit\u00eb Ezekia u s\u00ebmur p\u00ebr vdekje. Ai iu lut Zotit, q\u00eb i foli dhe i dha nj\u00eb shenj\u00eb.\n32:25 Por Ezekia nuk iu p\u00ebrgjigj mir\u00ebsis\u00eb q\u00eb iu b\u00eb atij, sepse zemra e tij ishte b\u00ebr\u00eb krenare; prandaj mbi t\u00eb, mbi Jud\u00ebn dhe mbi Jeruzalemin ra zem\u00ebrimi i Zotit.\n32:26 Pastaj Ezekia e p\u00ebrunji krenarin\u00eb e zemr\u00ebs s\u00eb tij, ai dhe banor\u00ebt e Jeruzalemit; prandaj zem\u00ebrimi i Zotit nuk erdhi mbi ta gjat\u00eb jet\u00ebs s\u00eb Ezekias.\n32:27 Ezekia pati pasuri shum\u00eb t\u00eb m\u00ebdha dhe nder. Ai b\u00ebri depozita p\u00ebr argjendin, arin, gur\u00ebt e \u00e7muar, aromat, mburojat, dhe p\u00ebr \u00e7do lloj objektesh t\u00eb \u00e7muara,\n32:28 magazina p\u00ebr drith\u00ebrat, ver\u00ebn e vajin, stalla p\u00ebr \u00e7do lloj gjedhi dhe vath\u00eb p\u00ebr delet.\n32:29 Vec k\u00ebtyre nd\u00ebrtoi qytete dhe pati nj\u00eb num\u00ebr t\u00eb madh kopesh dhe bagetish t\u00eb trasha, sepse Per\u00ebndia i kishte dh\u00ebn\u00eb pasuri shum\u00eb t\u00eb m\u00ebdha.\n32:30 Ishte Ezekia vet\u00eb q\u00eb mbylli burimin e sip\u00ebrm t\u00eb ujrave t\u00eb Gihonit dhe i kanalizoi posht\u00eb n\u00eb an\u00ebn per\u00ebndimore t\u00eb qytetit t\u00eb Davidit. Ezekia ia doli mban\u00eb n\u00eb t\u00eb gjitha veprat e tij.\n32:31 Por kur krer\u00ebt e Babilonis\u00eb i d\u00ebrguan lajm\u00ebtar\u00eb p\u00ebr t'u informuar p\u00ebr mrekullin\u00eb q\u00eb kishte ndodhur n\u00eb vend, Per\u00ebndia e braktisi p\u00ebr ta v\u00ebn\u00eb n\u00eb prov\u00eb e p\u00ebr t\u00eb njohur gjith\u00e7ka q\u00eb ishte n\u00eb zemr\u00ebn e tij.\n32:32 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Ezekias dhe veprat e tij t\u00eb mira jan\u00eb shkruar n\u00eb vizionin e profetit Isaia, bir i Amotsit, dhe n\u00eb librin e mbret\u00ebrve t\u00eb Jud\u00ebs e t\u00eb Izraelit.\n32:33 Pastaj Ezekia pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe u varros n\u00eb shpalin e varreve t\u00eb bijve t\u00eb Davidit; n\u00eb vdekjen e tij gjith\u00eb Juda dhe banor\u00ebt e Jeruzalemit i b\u00ebn\u00eb nderime. N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi biri i tij Manasi.\n33:1 Manasi ishte dymb\u00ebdhjet\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi pes\u00ebdhjet e pes\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem.\n33:2 Ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e keqe n\u00eb syt\u00eb e Zotit, duke ndjekur gj\u00ebrat e neveritshme t\u00eb kombeve q\u00eb Zoti kishte d\u00ebbuar p\u00ebrpara bijve t\u00eb Izraelit.\n33:3 Ai rind\u00ebrtoi vendet e larta q\u00eb Ezekia, i ati, kishte shkat\u00ebrruar, ngriti altar\u00eb p\u00ebr Baal\u00ebt, b\u00ebri Asherim\u00ebt dhe ra p\u00ebrmbys p\u00ebrpara t\u00ebr\u00eb ushtris\u00eb s\u00eb qiellit dhe u vu n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb saj.\n33:4 Ngriti gjithashtu altar\u00eb n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn Zoti kishte th\u00ebn\u00eb: \"Emri im do t\u00eb mbetet p\u00ebrjet\u00eb n\u00eb Jeruzalem\".\n33:5 Nd\u00ebrtoi altar\u00eb p\u00ebr gjith\u00eb ushtrin\u00eb e qiellit n\u00eb t\u00eb dy oborret e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit.\n33:6 I kaloi bijt\u00eb e tij n\u00ebp\u00ebr zjarr n\u00eb lugin\u00ebn e birit t\u00eb Hinomit; p\u00ebrdori magjin\u00eb, shortarin\u00eb, dhe shtrig\u00ebrin\u00eb, dhe konsultoi mediumet dhe magjistar\u00ebt. B\u00ebri plot\u00ebsisht at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e keqe n\u00eb syt\u00eb e Zotit, duke provokuar zem\u00ebrimin e tij.\n33:7 Vuri madje nj\u00eb sh\u00ebmb\u00eblltyr\u00eb t\u00eb gdhendur, idhullin q\u00eb kishte b\u00ebr\u00eb, n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb dhe p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn Per\u00ebndia i kishte th\u00ebn\u00eb Davidit dhe Salomonit, birit t\u00eb tij: \"N\u00eb k\u00ebt\u00eb sht\u00ebpi dhe n\u00eb Jeruzalem, q\u00eb kam zgjedhur midis t\u00ebr\u00eb fiseve t\u00eb Izraelit, do t\u00eb v\u00eb emrin tim p\u00ebrjet\u00eb;\n33:8 dhe nuk do t\u00eb b\u00ebj q\u00eb t\u00eb endet m\u00eb k\u00ebmba e Izraelit larg vendit q\u00eb u kam dh\u00ebn\u00eb et\u00ebrve t\u00eb tyre, me kusht q\u00eb t\u00eb kujdesen t\u00eb zbatojn\u00eb n\u00eb praktik\u00eb gjith\u00e7ka q\u00eb kam urdh\u00ebruar, sipas t\u00ebr\u00eb ligjit, statuteve dhe dekreteve t\u00eb dh\u00ebna me an\u00eb t\u00eb Moisiut\".\n33:9 Por Manasi iu shmang Jud\u00ebs dhe banor\u00ebt e Jeruzalemit duke i shtyr\u00eb t\u00eb vepronin m\u00eb keq se kombet q\u00eb Zoti kishte shkat\u00ebrruar para bijve t\u00eb Izraelit.\n33:10 Zoti i foli Manasit dhe popullit t\u00eb tij, por ata nuk ia vur\u00ebn veshin.\n33:11 At\u00ebher\u00eb Zoti solli kund\u00ebr tyre komandant\u00ebt e ushtris\u00eb s\u00eb mbretit t\u00eb Asiris\u00eb, q\u00eb e zun\u00eb Manasin me \u00e7engela n\u00eb hund\u00eb, e lidh\u00ebn me zinxhira prej bronzi dhe e \u00e7uan n\u00eb Babiloni.\n33:12 Kur u gjend n\u00eb hall, iu lut shum\u00eb Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij, dhe u p\u00ebrul thell\u00eb p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb et\u00ebrve t\u00eb tij.\n33:13 Pastaj iu fal dhe iu lut shum\u00eb dhe Per\u00ebndia e d\u00ebgjoi lutjen e tij dhe e \u00e7oi p\u00ebrs\u00ebri n\u00eb Jeruzalem, n\u00eb mbret\u00ebrin\u00eb e tij. At\u00ebher\u00eb Manasi njohu q\u00eb Zoti \u00ebsht\u00eb Per\u00ebndia.\n33:14 Pas k\u00ebsaj, Manasi nd\u00ebrtoi nj\u00eb mur jasht\u00eb qytetit t\u00eb Davidit, n\u00eb per\u00ebndim t\u00eb Gihonit, n\u00eb lugin\u00eb, deri te porta e peshqve; muri i vinte p\u00ebrreth Ofelit, dhe e b\u00ebri shum\u00eb t\u00eb lart\u00eb. Pastaj vendosi komandant\u00eb ushtarak\u00eb n\u00eb t\u00eb gjitha qytetet e fortifikuara t\u00eb Jud\u00ebs.\n33:15 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj hoqi nga sht\u00ebpia e Zotit per\u00ebndit\u00eb e huaja dhe idhullin, s\u00eb bashku me t\u00eb gjith\u00eb altar\u00ebt q\u00eb kishte nd\u00ebrtuar mbi malin e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit dhe n\u00eb Jeruzalem, dhe i hodhi jasht\u00eb qytetit.\n33:16 Pastaj restauroi altarin e Zotit dhe mbi t\u00eb ofroi flijime falenderimi dhe l\u00ebvdimi, si dhe urdh\u00ebroi Jud\u00ebn t'i sh\u00ebrbente Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb Izraelit.\n33:17 Megjithat\u00eb populli vazhdonte t\u00eb ofronte flijime n\u00eb vendet e larta, por vet\u00ebm Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij.\n33:18 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Manasit, lutja q\u00eb i drejtoi Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij dhe fjal\u00ebt e shikuesve q\u00eb i fol\u00ebn n\u00eb em\u00ebr t\u00eb Zotit, jan\u00eb t\u00eb shkruara n\u00eb librin e mbret\u00ebrve t\u00eb Izraelit.\n33:19 P\u00ebrkundrazi lutja e tij dhe m\u00ebnyra si Per\u00ebndia e d\u00ebgjoi, t\u00ebr\u00eb m\u00ebkatet e tij dhe t\u00ebr\u00eb pabesit\u00eb e tij, vendet ku nd\u00ebrtoi vendet e larta dhe ngriti Asherim\u00ebt dhe sh\u00ebmb\u00eblltyrat e gdhendura, para se t\u00eb p\u00ebrulej, jan\u00eb t\u00eb shkruara n\u00eb librin e Hozait.\n33:20 Pastaj Manasi pushoi bashk\u00eb me et\u00ebrit e tij dhe e varros\u00ebn n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e tij. N\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri, Amoni.\n33:21 Amoni ishte nj\u00ebzet e dy vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi dy vjet n\u00eb Jeruzalem.\n33:22 Ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e keqe n\u00eb syt\u00eb e Zotit, ashtu si kishte b\u00ebr\u00eb Manasi, ati i tij; n\u00eb fakt Amoni u ofronte flijime t\u00ebr\u00eb sh\u00ebmb\u00eblltyrave t\u00eb gdhendura q\u00eb kishte b\u00ebr\u00eb i ati, Manasi, dhe u sh\u00ebrbente.\n33:23 Ai nuk u p\u00ebrul p\u00ebrpara Zotit, si\u00e7 ishte p\u00ebrulur Manasi, i ati; Amoni madje m\u00ebkatoi gjithnj\u00eb e m\u00eb shum\u00eb.\n33:24 Pastaj sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tij kurdis\u00ebn nj\u00eb komplot kund\u00ebr tij dhe e vran\u00eb n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e tij.\n33:25 Por populli i vendit i d\u00ebnoi me vdekje t\u00ebr\u00eb ata q\u00eb kishin komplotuar kund\u00ebr mbretit Amon; pas k\u00ebsaj populli b\u00ebri mbret n\u00eb vend t\u00eb tij, t\u00eb birin, Josia.\n34:1 Josia ishte tet\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi tridhjet\u00eb e nj\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem.\n34:2 Ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e drejt\u00eb n\u00eb syt\u00eb e Zotit dhe ndoqi rrug\u00ebt e Davidit, atit t\u00eb tij, pa u shmangur as n\u00eb t\u00eb djatht\u00eb as n\u00eb t\u00eb majt\u00eb.\n34:3 N\u00eb vitin e tet\u00eb t\u00eb mbret\u00ebrimit t\u00eb tij, kur ende ishte djalosh, filloi t\u00eb k\u00ebrkoj\u00eb Per\u00ebndin\u00eb e Davidit, atit t\u00eb tij, dhe n\u00eb vitin e dymb\u00ebdhjet\u00eb filloi ta pastroj\u00eb Jud\u00ebn dhe Jeruzalemin nga vendet e larta, nga Asherim\u00ebt, nga sh\u00ebmb\u00eblltyrat e gdhendura dhe nga sh\u00ebmb\u00eblltyrat prej metali t\u00eb shkrir\u00eb.\n34:4 Para tij u shemb\u00ebn altaret e Baalit; p\u00ebrve\u00e7 tyre shembi altaret e temjanit q\u00eb ishin mbi ta, b\u00ebri cop\u00eb-cop\u00eb Asherim\u00ebt, sh\u00ebmb\u00eblltyrat e gdhendura dhe sh\u00ebmb\u00eblltyrat prej metali t\u00eb shkrir\u00eb dhe i b\u00ebri pluhur, t\u00eb cilin e shp\u00ebrndau mbi varret e atyre q\u00eb u kishin ofruar flijime.\n34:5 Pastaj dogji kockat e prift\u00ebrinjve mbi altaret e tyre, dhe k\u00ebshtu pastroi Jud\u00ebn dhe Jeruzalemin.\n34:6 T\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn gj\u00eb b\u00ebri n\u00eb qytetet e Manasit, t\u00eb Efraimit dhe t\u00eb Simeonit deri n\u00eb Neftali, me s\u00ebpatat e tyre rreth e qark.\n34:7 K\u00ebshtu ai shkat\u00ebrroi altar\u00ebt dhe Asherim\u00ebt, i b\u00ebri pluhur sh\u00ebmb\u00eblltyrat e gdhendura dhe rr\u00ebzoi t\u00ebr\u00eb altar\u00ebt e temjanit n\u00eb gjith\u00eb vendin e Izraelit, pastaj u kthye n\u00eb Jeruzalem.\n34:8 N\u00eb vitin e tet\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb t\u00eb mbret\u00ebrimit t\u00eb tij, mbasi pastroi vendin dhe tempullin, d\u00ebrgoi Shafanin, birin e Atsaliahut, Maasejahun, qeveritarin e qytetit, dhe Joahun, birin e Joahazit, arkivistin,\n34:9 Ata shkuan te kryeprifti Hilkiah dhe dor\u00ebzuan parat\u00eb q\u00eb kishin sjell\u00eb n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb der\u00ebtar\u00ebt Levit\u00eb kishin mbledhur nga Manasi, nga Efraimi dhe t\u00ebr\u00eb pjesa tjet\u00ebr e Izraelit, nga t\u00ebr\u00eb Juda dhe Beniamini dhe nga banor\u00ebt e Jeruzalemit.\n34:10 Pastaj ua dor\u00ebzuan pun\u00ebtor\u00ebve t\u00eb ngarkuar me mbikqyrjen e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit, t\u00eb cil\u00ebt ua dhan\u00eb pun\u00ebtor\u00ebve q\u00eb punonin n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit p\u00ebr ta riparuar dhe p\u00ebr t\u00eb restauruar tempullin.\n34:11 Ua dor\u00ebzuan marangoz\u00ebve dhe nd\u00ebrtuesve p\u00ebr t\u00eb bler\u00eb gur\u00eb t\u00eb latuar dhe l\u00ebnd\u00eb druri p\u00ebr armaturat dhe trar\u00ebt e sht\u00ebpive q\u00eb mbret\u00ebrit e Jud\u00ebs kishin shkat\u00ebrruar.\n34:12 K\u00ebta njer\u00ebz e b\u00ebnin pun\u00ebn e tyre me besnik\u00ebri. Mbikqyr\u00ebsit e tyre ishin Jahathi dhe Obadiahu, Levit\u00eb nga bijt\u00eb e Merarit, dhe Zakaria dhe Meshullami nga bijt\u00eb e Kehathit, dhe t\u00ebr\u00eb Levit\u00ebt q\u00eb ishin specialist\u00eb t\u00eb veglave muzikore.\n34:13 K\u00ebta mbikqyrnin gjithashtu mbart\u00ebsit e peshave dhe drejtonin t\u00ebr\u00eb ata q\u00eb kryenin punime t\u00eb \u00e7far\u00ebdo lloji; p\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj, disa Levit\u00eb ishin shkrues, inspektor\u00eb dhe der\u00ebtar\u00eb.\n34:14 Nd\u00ebrsa po t\u00ebrhiqeshin parat\u00eb q\u00eb ishin \u00e7uar n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit, prifti Hilkiah gjeti librin e Ligjit t\u00eb Zotit, q\u00eb ishte dh\u00ebn\u00eb n\u00ebp\u00ebrmjet Moisiut.\n34:15 At\u00ebher\u00eb Hilkiahu e mori fjal\u00ebn dhe i tha sekretarit Shafan: \"Kam gjetur n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit librin e ligjit\". Pastaj Hilkiahu ia dha librin Shafanit.\n34:16 Shafani ia \u00e7oi librin mbretit dhe i tha gjithashtu: \"Sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tu po b\u00ebjn\u00eb at\u00eb q\u00eb u \u00ebsht\u00eb urdh\u00ebruar t\u00eb b\u00ebjn\u00eb.\n34:17 Kan\u00eb mbledhur parat\u00eb e gjetura n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit dhe i kan\u00eb dor\u00ebzuar n\u00eb duart e mbikqyr\u00ebsve dhe t\u00eb pun\u00ebtor\u00ebve\".\n34:18 Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: \"Prifti Hilkiah m\u00eb dha nj\u00eb lib\u00ebr\". Pastaj Shafani e lexoi n\u00eb prani t\u00eb mbretit.\n34:19 Por ndodhi q\u00eb, kur mbreti d\u00ebgjoi fjal\u00ebt e ligjit, ai grisi rrobat e trupit.\n34:20 Pastaj mbreti i dha k\u00ebt\u00eb urdh\u00ebr Hilkiahut, Ahikamit, birit t\u00eb Shafanit, Abdonit, birit t\u00eb Mikahut, Shafanit, sekretarit, dhe Asajahut, sh\u00ebrb\u00ebtorit t\u00eb mbretit, duke th\u00ebn\u00eb:\n34:21 \"Shkoni t\u00eb konsultoheni Zotin p\u00ebr mua dhe p\u00ebr ata q\u00eb kan\u00eb mbetur n\u00eb Izrael dhe n\u00eb Jud\u00eb, lidhur me fjal\u00ebt e Librit q\u00eb u gjet; i madh, pra, \u00ebsht\u00eb zem\u00ebrimi i Zotit q\u00eb ra mbi ne, sepse et\u00ebrit tan\u00eb nuk kan\u00eb ndjekur fjal\u00ebn e Zotit, duke vepruar plot\u00ebsisht sipas asaj q\u00eb \u00ebsht\u00eb shkruar n\u00eb k\u00ebt\u00eb lib\u00ebr\".\n34:22 K\u00ebshtu Hilkiahu dhe ata q\u00eb mbreti kishte caktuar shkuan te profetesha Huldah, bashk\u00ebshorte e Shallumit, birit t\u00eb Tokhathit, bir i Hasrathit, ruajt\u00ebsi i rrobave; (ajo banonte n\u00eb Jeruzalem n\u00eb lagjen e dyt\u00eb), dhe i fol\u00ebn lidhur me k\u00ebt\u00eb \u00e7\u00ebshtje.\n34:23 Ajo u p\u00ebrgjigj: \"K\u00ebshtu thot\u00eb Zoti, Per\u00ebndia i Izraelit: Njoftoni at\u00eb q\u00eb ju ka d\u00ebrguar tek un\u00eb:\n34:24 K\u00ebshtu thot\u00eb Zoti: \"Ja, un\u00eb do t\u00eb sjell nj\u00eb fatkeq\u00ebsi mbi k\u00ebt\u00eb vend dhe mbi banor\u00ebt e tij, t\u00eb gjitha mallkimet q\u00eb jan\u00eb shkruar n\u00eb librin, t\u00eb cilin e kan\u00eb lexuar p\u00ebrpara mbretit t\u00eb Jud\u00ebs.\n34:25 Duke qen\u00eb se m\u00eb kan\u00eb braktisur dhe u kan\u00eb ofruar temjan per\u00ebndive t\u00eb tjera p\u00ebr t\u00eb provokuar zem\u00ebrimin tim me t\u00eb gjitha veprat e duarve t\u00eb tyre, zem\u00ebrimi im do t\u00eb bjer\u00eb mbi k\u00ebt\u00eb vend dhe nuk do t\u00eb shuhet\".\n34:26 Nd\u00ebrsa mbretit t\u00eb Jud\u00ebs q\u00eb ju ka d\u00ebrguar t\u00eb k\u00ebshilloheni me Zotin, njoftojini sa vijon: K\u00ebshtu thot\u00eb Zoti, Per\u00ebndia i Izraelit, lidhur me fjal\u00ebt q\u00eb ke d\u00ebgjuar:\n34:27 \"Duke qen\u00eb se zemra jote \u00ebsht\u00eb mall\u00ebngjyer, sepse je p\u00ebrulur p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb duke d\u00ebgjuar fjal\u00ebt e tij kund\u00ebr k\u00ebtij vendi dhe kund\u00ebr banor\u00ebve t\u00eb tij, je p\u00ebrulur para meje, ke grisur rrobat e tua dhe ke qar\u00eb para meje, edhe un\u00eb t\u00eb d\u00ebgjova\", thot\u00eb Zoti.\n34:28 \"Ja, un\u00eb do t\u00eb t\u00eb bashkoj me et\u00ebrit e tu, dhe do t\u00eb t\u00eb shtien n\u00eb paqe n\u00eb varrin t\u00ebnd; syt\u00eb e tu nuk do t\u00eb shohin t\u00ebr\u00eb t\u00eb keqen q\u00eb un\u00eb do t'i sjell k\u00ebtij vendi dhe banor\u00ebve t\u00eb tij\"\". Ata ia njoftuan mesazhin mbretit.\n34:29 At\u00ebher\u00eb mbreti urdh\u00ebroi t\u00eb mblidhen pran\u00eb tij t\u00ebr\u00eb pleqt\u00eb e Jud\u00ebs dhe t\u00eb Jeruzalemit.\n34:30 Pastaj mbreti u ngjit n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit me t\u00eb gjith\u00eb burrat e Jud\u00ebs, me t\u00eb gjith\u00eb banor\u00ebt e Jeruzalemit, me prift\u00ebrinjt\u00eb, me Levit\u00ebt dhe me t\u00ebr\u00eb popullin, nga m\u00eb i vogli gjer te m\u00eb i madhi, dhe k\u00ebndoi n\u00eb prani t\u00eb tyre t\u00eb gjitha fjal\u00ebt e librit t\u00eb bes\u00eblidjes, q\u00eb ishte gjetur n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit.\n34:31 Pastaj mbreti, duke q\u00ebndruar m\u00eb k\u00ebmb\u00eb mbi podium, b\u00ebri nj\u00eb bes\u00eblidhje p\u00ebrpara Zotit, duke u zotuar t\u00eb ndjek\u00eb Zotin, t\u00eb zbatoj\u00eb urdh\u00ebrimet e tij, porosit\u00eb e tij dhe statutet e tij me gjith\u00eb zem\u00ebr dhe me gjith\u00eb shpirt, p\u00ebr t\u00eb v\u00ebn\u00eb n\u00eb praktik\u00eb fjal\u00ebt e bes\u00eblidhjes s\u00eb shkruar n\u00eb at\u00eb lib\u00ebr.\n34:32 Dhe b\u00ebri q\u00eb t\u00eb p\u00ebrfshihen bes\u00eblidhje t\u00ebr\u00eb ata q\u00eb ndodheshin n\u00eb Jeruzalem dhe n\u00eb Beniamin; banor\u00ebt e Jeruzalemit vepruan sipas bes\u00eblidhjes s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb et\u00ebrve t\u00eb tyre.\n34:33 K\u00ebshtu Josia zhduku t\u00ebr\u00eb gj\u00ebrat e neveritshme nga t\u00eb gjitha vendet q\u00eb u p\u00ebrkisnin bijve t\u00eb Izraelit dhe i detyroi t\u00ebr\u00eb ata q\u00eb ishin n\u00eb Izrael t'i sh\u00ebrbenin Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tyre. Gjat\u00eb gjith\u00eb jet\u00ebs s\u00eb tij ata nuk hoq\u00ebn dor\u00eb s\u00eb ndjekuri Zotin, Per\u00ebdin\u00eb e et\u00ebrve t\u00eb tyre.\n35:1 Josia kremtoi n\u00eb Jeruzalem Pashk\u00ebn p\u00ebr nder t\u00eb Zotit; Pashka u kremtua dit\u00ebn e kat\u00ebrmb\u00ebdhjet\u00eb t\u00eb muajit t\u00eb par\u00eb.\n35:2 Ai i caktoi prift\u00ebrinjt\u00eb n\u00eb detyrat e tyre dhe i nxiti n\u00eb sh\u00ebrbimin e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit.\n35:3 Pastaj u tha Levit\u00ebve q\u00eb udh\u00ebzonin t\u00ebr\u00eb Izraelin dhe q\u00eb i ishin shenjt\u00ebruar Zotit: \"Vendoseni ark\u00ebn e shenjt\u00eb n\u00eb tempullin e nd\u00ebrtuar nga Salomoni, bir i Davidit, mbret i Izraelit; ajo nuk do t\u00eb jet\u00eb m\u00eb barr\u00eb p\u00ebr shpatullat tuaja. Tani sh\u00ebrbejini Zotit, Per\u00ebndis\u00eb tuaj, dhe popullit t\u00eb tij t\u00eb Izraelit.\n35:4 Vendosuni sipas sht\u00ebpive tuaja at\u00ebrore, sipas klasave tuaja, n\u00eb baz\u00eb t\u00eb udh\u00ebzimeve t\u00eb shkruara t\u00eb Davidit, mbretit t\u00eb Izraelit, dhe t\u00eb Salomonit, birit t\u00eb tij;\n35:5 q\u00ebndroni n\u00eb shenjt\u00ebrore sipas ndarjeve t\u00eb sht\u00ebpive at\u00ebrore t\u00eb v\u00ebllez\u00ebrve tuaj, bij t\u00eb popullit, dhe pjesa e sht\u00ebpis\u00eb at\u00ebrore t\u00eb Levit\u00ebve.\n35:6 Flijoni Pashk\u00ebn, shenjt\u00ebrohuni dhe vihuni n\u00eb dispozicion t\u00eb v\u00ebllez\u00ebrve tuaj, duke ndjekur fjal\u00ebn e Zotit t\u00eb transmetuar me an\u00eb t\u00eb Moisiut\".\n35:7 Pastaj Josia u dha njer\u00ebzve t\u00eb popullit, gjith\u00eb atyre q\u00eb ishin t\u00eb pranish\u00ebm, bag\u00ebti t\u00eb imta, qengja dhe keca, gjithsej tridhjet\u00eb mij\u00eb kok\u00eb, t\u00eb t\u00ebra p\u00ebr Pashk\u00ebt, si edhe tre mij\u00eb qe; kjo vinte nga pasuria e mbretit.\n35:8 Edhe princat i b\u00ebn\u00eb nj\u00eb dhurat\u00eb spontane popullit, prift\u00ebrinjve dhe Levit\u00ebve. Hilkiahu, Zakaria dhe Jehieli, drejtues t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, u dhan\u00eb prift\u00ebrinjve p\u00ebr flijimet e Pashk\u00ebs dy mij\u00eb e gjasht\u00ebqind qengja dhe keca si edhe treqind qe.\n35:9 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj Konaniahu, bashk\u00eb me v\u00ebllez\u00ebrit e tij Shemajah dhe Nethaneel, dhe Hashabiahu, Jeijeli dhe Jozabadi, krer\u00eb t\u00eb Levit\u00ebve, u dhan\u00eb Levit\u00ebve p\u00ebr flijimet e Pashk\u00ebs pes\u00eb mij\u00eb qengja dhe keca si edhe pes\u00ebqind qe.\n35:10 Sa u p\u00ebrgatit sh\u00ebrbimi, prift\u00ebrinjt\u00eb zun\u00eb vendet e tyre, dhe Levit\u00ebt sipas klasave t\u00eb tyre, n\u00eb baz\u00eb t\u00eb urdhrit t\u00eb dh\u00ebn\u00eb nga mbreti.\n35:11 Pastaj flijuan Pashk\u00ebn; prift\u00ebrinjt\u00eb e sp\u00ebrkatnin gjakun me duart e tyre, nd\u00ebrsa Levit\u00ebt ripnin kafsh\u00ebt.\n35:12 K\u00ebshtu vun\u00eb m\u00ebnjan\u00eb olokaustet p\u00ebr t'ua shp\u00ebrndar\u00eb bijve t\u00eb popullit, sipas ndarjeve t\u00eb sht\u00ebpive at\u00ebrore, me q\u00ebllim q\u00eb t'ia ofronin Zotit, si\u00e7 \u00ebsht\u00eb shkuar n\u00eb librin e Moisiut. Vepruan nj\u00eblloj me qet\u00eb.\n35:13 Pastaj poq\u00ebn qengjat e Pashk\u00ebs mbi zjarr sipas normave t\u00eb p\u00ebrcaktuara; por ofertat e tjera t\u00eb shenjt\u00ebruara i gatuan n\u00eb tenxhere, n\u00eb kazan\u00eb dhe n\u00eb tigan\u00eb dhe ua shp\u00ebrndan\u00eb menj\u00ebher\u00eb t\u00ebr\u00eb bijve t\u00eb popullit.\n35:14 Pastaj p\u00ebrgatit\u00ebn racione p\u00ebr vete dhe p\u00ebr prift\u00ebrinjt\u00eb, sepse prift\u00ebrinjt\u00eb, bijt\u00eb e Aaronit, ishin t\u00eb z\u00ebn\u00eb deri n\u00eb mbr\u00ebmje p\u00ebr t\u00eb ofruar olokaustet dhe pjes\u00ebt me dhjam\u00eb; k\u00ebshtu Levit\u00ebt p\u00ebrgatit\u00ebn racione p\u00ebr vete dhe p\u00ebr prift\u00ebrinjt\u00eb, bij t\u00eb Aaronit.\n35:15 K\u00ebng\u00ebtar\u00ebt, bij t\u00eb Asafit, ishin n\u00eb vendin e tyre, sipas urdhrit t\u00eb Davidit, t\u00eb Asafit, t\u00eb Hemanit dhe t\u00eb Jeduthunit, shikuesit t\u00eb mbretit. N\u00eb \u00e7do port\u00eb kishte der\u00ebtar\u00eb; k\u00ebta nuk pat\u00ebn nevoj\u00eb t\u00eb largoheshin nga sh\u00ebrbimi i tyre, sepse Levit\u00ebt, v\u00ebllez\u00ebrit e tyre, kishin p\u00ebrgatitur racione p\u00ebr ata.\n35:16 K\u00ebshtu at\u00eb dit\u00eb t\u00ebr\u00eb sh\u00ebrbimi i Zotit u p\u00ebrgatit p\u00ebr t\u00eb kremtuar Pashk\u00ebn dhe p\u00ebr t\u00eb ofruar olokauste mbi altarin e Zotit, sipas urdhrit t\u00eb mbretit Josia.\n35:17 Bijt\u00eb e Izraelit, q\u00eb ishin t\u00eb pranish\u00ebm, e kremtuan at\u00ebher\u00eb fest\u00ebn e Pashk\u00ebs dhe fest\u00ebn e t\u00eb ndorm\u00ebve shtat\u00eb dit\u00eb me radh\u00eb.\n35:18 N\u00eb Izrael nuk ishte kremtuar nj\u00eb Pashk\u00eb si ajo q\u00eb nga koha e profetit Samuel. Asnj\u00eb nga mbret\u00ebrit e Izraelit nuk kishte kremtuar ndonj\u00ebher\u00eb nj\u00eb Pashk\u00eb si ajo q\u00eb u kremtua nga Josia, me pjes\u00ebmarrjen e prift\u00ebrinjve, t\u00eb Levit\u00ebve, t\u00eb gjith\u00eb Jud\u00ebs dhe t\u00eb Izraelit, t\u00eb pranish\u00ebm bashk\u00eb me banor\u00ebt e Jeruzalemit.\n35:19 Kjo Pashk\u00eb u kremtua n\u00eb vitin e tet\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb t\u00eb mbret\u00ebrimit t\u00eb Josias.\n35:20 Mbas gjith\u00eb k\u00ebtyre gj\u00ebrave, kur Josia e vuri n\u00eb rregull tempullin, Neko, mbret i Egjiptit, doli n\u00eb Karkemish mbi Eufrat p\u00ebr t\u00eb luftuar; dhe Josia u ngrit kund\u00ebr tij.\n35:21 Por Neko i d\u00ebrgoi lajm\u00ebtar\u00eb p\u00ebr t'i th\u00ebn\u00eb: \"\u00c7far\u00eb ka midis meje dhe teje, o mbret i Jud\u00ebs? K\u00ebt\u00eb her\u00eb un\u00eb nuk kam ardhur kund\u00ebr teje, por kund\u00ebr nj\u00eb sht\u00ebpie me t\u00eb cil\u00ebn ndodhem n\u00eb luft\u00eb; Per\u00ebndia m\u00eb ka urdh\u00ebruar t\u00eb shpejtohem; mos e kund\u00ebrshto, pra, Per\u00ebndin\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb me mua, q\u00eb ai t\u00eb mos t\u00eb t\u00eb shkat\u00ebrroj\u00eb\".\n35:22 Por Josia nuk deshi t\u00eb t\u00ebrhiqet nga ai; por p\u00ebr t\u00eb luftuar kund\u00ebr tij u vesh me rroba t\u00eb tjera q\u00eb t\u00eb mos njihej dhe nuk i d\u00ebgjoi fjal\u00ebt e Nekos, q\u00eb vinin nga goja e Per\u00ebndis\u00eb. K\u00ebshtu doli t\u00eb ndeshet n\u00eb lugin\u00ebn e Megidos.\n35:23 Por disa hark\u00ebtar\u00eb gjuajt\u00ebn kund\u00ebr mbretit Josia; at\u00ebher\u00eb mbreti u tha sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tij: \"M\u00eb largoni q\u00eb k\u00ebtej, sepse jam plagosur r\u00ebnd\u00eb\".\n35:24 Sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tij e hoq\u00ebn nga qerrja e tij, e vun\u00eb n\u00eb nj\u00eb qerre t\u00eb dyt\u00eb q\u00eb ai kishte dhe e \u00e7uan n\u00eb Jeruzalem. K\u00ebshtu ai vdiq dhe u varros n\u00eb varrezat e et\u00ebrve t\u00eb tij. T\u00ebr\u00eb Juda dhe Jeruzalemi mbajt\u00ebn zi p\u00ebr Josian.\n35:25 Jeremia kompozoi nj\u00eb vajtim p\u00ebr Josian; t\u00ebr\u00eb k\u00ebng\u00ebtar\u00ebt dhe k\u00ebng\u00ebtaret n\u00eb vajtimet e tyre kan\u00eb folur p\u00ebr Josian deri n\u00eb dit\u00ebn e sotme; dhe k\u00ebto jan\u00eb b\u00ebr\u00eb nj\u00eb zakon n\u00eb Izrael; dhe ja, ata jan\u00eb shkruar n\u00eb Vajtimet.\n35:26 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Josias, veprat e tij t\u00eb mira sipas asaj q\u00eb \u00ebsht\u00eb shkruar n\u00eb ligjin e Zotit,\n35:27 veprimet e tij, nga t\u00eb parat deri n\u00eb t\u00eb fundit jan\u00eb t\u00eb shkruara n\u00eb librin e mbret\u00ebrve t\u00eb Izraelit dhe t\u00eb Jud\u00ebs.\n36:1 At\u00ebher\u00eb populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josias, dhe e b\u00ebri mbret n\u00eb Jeruzalem n\u00eb vend t\u00eb atit t\u00eb tij.\n36:2 Jehoahazi ishte nj\u00ebzet e tre vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi tre muaj n\u00eb Jeruzalem.\n36:3 Mbreti i Egjiptit e hoqi nga froni n\u00eb Jeruzalem dhe i vuri vendit nj\u00eb gjob\u00eb nj\u00ebqind talentash argjendi dhe nj\u00eb talent ari.\n36:4 Pastaj mbreti i Egjiptit b\u00ebri mbret t\u00eb Jud\u00ebs dhe t\u00eb Jeruzalemit v\u00ebllan\u00eb e tij Eliakimin, t\u00eb cilit ia nd\u00ebrroi emrin dhe e quajti Jehojakim. Neko p\u00ebrkundrazi mori v\u00ebllan\u00eb e tij Jehoahaz dhe e \u00e7oi n\u00eb Egjipt.\n36:5 Jehojakimi ishte nj\u00ebzet e pes\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi nj\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem. Ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e keqe n\u00eb syt\u00eb e Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij.\n36:6 Nebukadnetsari, mbret i Babilonis\u00eb, doli kund\u00ebr tij dhe e lidhi me zinxhira prej bronzi p\u00ebr ta \u00e7uar n\u00eb Babiloni.\n36:7 Nebukadnetsari \u00e7oi gjithashtu n\u00eb Babiloni nj\u00eb pjes\u00eb t\u00eb sendeve t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit dhe i vuri n\u00eb pallatin e tij n\u00eb Babiloni.\n36:8 Pjesa tjet\u00ebr e b\u00ebmave t\u00eb Jehojakimit, gj\u00ebrat e neveritshme q\u00eb kreu dhe t\u00eb gjitha ato q\u00eb u gjet\u00ebn kund\u00ebr tij, ja, jan\u00eb t\u00eb shkruara n\u00eb librin e mbret\u00ebrve t\u00eb Izraelit dhe t\u00eb Jud\u00ebs. n\u00eb vend t\u00eb tij mbret\u00ebroi i biri, Jehojakini.\n36:9 Jehojakini ishte tet\u00eb vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi tre muaj dhe dhjet\u00eb dit\u00eb n\u00eb Jeruzalem. Ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e keqe n\u00eb syt\u00eb e Zotit.\n36:10 N\u00eb fillim t\u00eb vitit t\u00eb ri mbreti Nebukadnetsar d\u00ebrgoi ta marr\u00eb dhe e \u00e7oi n\u00eb Babiloni me gj\u00ebrat e \u00e7muara t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit. Pastaj b\u00ebri mbret t\u00eb Jud\u00ebs dhe t\u00eb Jeruzalemit Sedekian, v\u00ebllan\u00eb e Jehojakinit.\n36:11 Sedekia ishte nj\u00ebzet vje\u00e7 kur filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb, dhe mbret\u00ebroi nj\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb vjet n\u00eb Jeruzalem.\n36:12 Edhe ai b\u00ebri at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e keqe n\u00eb syt\u00eb e Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij, dhe nuk u p\u00ebrul p\u00ebrpara profetit Jeremia, q\u00eb fliste nga ana e Zotit.\n36:13 Ai ngriti krye gjithashtu kund\u00ebr mbretit Nebukadnetsar, q\u00eb e kishte v\u00ebn\u00eb t\u00eb betohej n\u00eb em\u00ebr t\u00eb Per\u00ebsndis\u00eb por ai e mpiu zverkun e tij dhe ngurt\u00ebsoi zemr\u00ebn e tij, duke mos pranuar t\u00eb kthehej tek Zoti, Per\u00ebndia i Izraelit.\n36:14 Edhe t\u00ebr\u00eb krer\u00ebt e prift\u00ebrinjve dhe populli m\u00ebkatuan gjithnj\u00eb e m\u00eb tep\u00ebr duke ndjekur t\u00eb gjitha gj\u00ebrat e neveritshme t\u00eb kombeve dhe e ndot\u00ebn sht\u00ebpin\u00eb se Zotit, q\u00eb ai u kishte shenjt\u00ebruar n\u00eb Jeruzalem.\n36:15 Zoti, Per\u00ebndia i et\u00ebrve t\u00eb tyre, u d\u00ebrgoi atyre, q\u00eb n\u00eb fillim dhe me k\u00ebmb\u00ebngulje, paralajm\u00ebrime me an\u00eb t\u00eb lajm\u00ebtar\u00ebve t\u00eb tij, sepse donte ta shp\u00ebtonte popullin e tij dhe banes\u00ebn e tij.\n36:16 Por ata u tall\u00ebn me lajm\u00ebtar\u00ebt e Per\u00ebndis\u00eb, p\u00ebr\u00e7muan fjal\u00ebt e tij dhe vun\u00eb n\u00eb loj\u00eb profet\u00ebt e tij, deri sa zem\u00ebrimi i Zotit kund\u00ebr popullit t\u00eb tij arriti nj\u00eb pik\u00eb n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn nuk kishte rrug\u00ebdalje.\n36:17 At\u00ebher\u00eb ai b\u00ebri q\u00eb t\u00eb dalin kund\u00ebr tyre mbreti i Kaldeasve, q\u00eb vrau me shpat\u00eb t\u00eb rinjt\u00eb e tyre n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e shenjt\u00ebrores s\u00eb tyre, pa pasur m\u00ebshir\u00eb p\u00ebr t\u00eb riun, p\u00ebr virgjiresh\u00ebn, p\u00ebr plakun ose p\u00ebr flok\u00ebthinjurin. Zoti i dha t\u00eb gjith\u00eb n\u00eb duart e tij.\n36:18 Nebukadnetsari solli n\u00eb Babiloni t\u00eb gjitha sendet e sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, t\u00eb m\u00ebdha ose t\u00eb vogla, thesaret e sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Zotit dhe thesaret e mbretit dhe t\u00eb paris\u00eb s\u00eb tij.\n36:19 Pastaj i vun\u00eb zjarrin sht\u00ebpis\u00eb t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, rr\u00ebzuan muret e Jeruzalemit, u vun\u00eb flak\u00ebn t\u00eb gjitha pallateve t\u00eb tij dhe shkat\u00ebrruan t\u00eb gjitha sendet me vler\u00eb.\n36:20 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj Nebukadnetsari internoi n\u00eb Babiloni ata q\u00eb i kishin shp\u00ebtuar shpat\u00ebs; k\u00ebta u b\u00ebn\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb t\u00eb tij dhe t\u00eb bijve t\u00eb tij deri n\u00eb ardhjen e mbret\u00ebris\u00eb s\u00eb Persis\u00eb,\n36:21 q\u00eb k\u00ebshtu t\u00eb realizohej fjala e Zotit q\u00eb u shqiptua nga goja e Jeremias, deri sa vendi t\u00eb kremtonte t\u00eb shtunat e tij. N\u00eb fakt ai kremtoi t\u00eb shtun\u00ebn p\u00ebr gjith\u00eb koh\u00ebn e shkretimit t\u00eb tij deri sa u mbush\u00ebn t\u00eb shtat\u00ebdhjet\u00eb vjet\u00ebt.\n36:22 N\u00eb vitin e par\u00eb t\u00eb Kirit, mbretit t\u00eb Persis\u00eb, me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb realizohej fjala e Zotit q\u00eb u shqiptua nga goja e Jeremias, Zoti e nxiti frym\u00ebn e Kirit, mbret t\u00eb Persis\u00eb, q\u00eb t\u00eb nxirrte nj\u00eb dekret p\u00ebr\n36:23 \"K\u00ebshtu thot\u00eb Kiri, mbret i Persis\u00eb: Zoti, Per\u00ebndia i qiejve, m\u00eb ka dh\u00ebn\u00eb t\u00ebr\u00eb mbret\u00ebrit\u00eb e dheut. Ai m\u00eb ka urdh\u00ebruar t'i nd\u00ebrtoj nj\u00eb sht\u00ebpi n\u00eb Jeruzalem, q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb Jud\u00eb. Kush nga ju i p\u00ebrket popullit t\u00eb tij? Zoti, Per\u00ebndia i tij, qoft\u00eb me t\u00eb dhe le t\u00eb niset!\".","title":"Albanian Bible: 2 Chronicles","type":"page"}
