{"collection":"Bible & Christianity","html_url":"https://unchartedknowledge.5gfusion.net/browse/bib/wb/alb/co2.htm","path":"bib/wb/alb/co2.htm","source_url":"https://sacred-texts.com/bib/wb/alb/co2.htm","text":"1:1 Pali, apostull i Jezu Krishtit n\u00ebp\u00ebrmjet vullnetin e Per\u00ebndis\u00eb, dhe v\u00ebllai Timote, kish\u00ebs s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb Korint, bashk\u00eb me gjith\u00eb shenjtor\u00ebt q\u00eb jan\u00eb n\u00eb gjith\u00eb Akain\u00eb:\n1:2 Pa\u00e7i hir dhe paqe nga Per\u00ebndia, Ati yn\u00eb, dhe nga Zoti Jezu Krisht.\n1:3 Bekuar qoft\u00eb Per\u00ebndia dhe Ati i Zotit ton\u00eb Jezu Krisht, Ati i t\u00eb m\u00ebshir\u00ebve dhe Per\u00ebndia e \u00e7do ngush\u00ebllimi,\n1:4 i cili na ngush\u00ebllon n\u00eb \u00e7do shtr\u00ebngim tonin, q\u00eb, n\u00ebp\u00ebrmjet ngush\u00ebllimit me t\u00eb cilin ne jemi ngush\u00eblluar nga Per\u00ebndia, t\u00eb mund t\u00eb ngush\u00ebllojm\u00eb ata q\u00eb jan\u00eb n\u00eb \u00e7far\u00ebdo shtr\u00ebngimi.\n1:5 Sepse, ashtu si nd\u00ebr ne teprojn\u00eb vuajtjet e Krishtit, po ashtu, n\u00ebp\u00ebrmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngush\u00ebllimi yn\u00eb.\n1:6 Dhe, n\u00ebse jemi t\u00eb pik\u00eblluar, kjo ndodh p\u00ebr ngush\u00ebllimin dhe shp\u00ebtimin tuaj; n\u00ebse jemi t\u00eb ngush\u00eblluar, kjo ndodh p\u00ebr ngush\u00ebllimin dhe shp\u00ebtimin tuaj, q\u00eb veprojn\u00eb n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb efektshme q\u00eb t\u00eb duroni t\u00eb nj\u00ebjtat vuajtje q\u00eb heqim edhe neve.\n1:7 Edhe shpresa jon\u00eb p\u00ebr ju \u00ebsht\u00eb e patundur, duke ditur se ashtu si\u00e7 jeni pjes\u00ebmarr\u00ebs n\u00eb mundime, k\u00ebshtu do t\u00eb jeni pjes\u00ebmarr\u00ebs edhe n\u00eb ngush\u00ebllim.\n1:8 Sepse nuk duam, o v\u00ebllez\u00ebr, q\u00eb t\u00eb mos dini p\u00ebr v\u00ebshtir\u00ebsin\u00eb q\u00eb na ngjau n\u00eb Azi, q\u00eb u r\u00ebnduam p\u00ebrtej fuqive tona, aq sa u d\u00ebshp\u00ebruam edhe p\u00ebr jet\u00ebn vet\u00eb.\n1:9 P\u00ebr m\u00eb tep\u00ebr ne e kishim n\u00eb veten ton\u00eb vendimin e vdekjes, q\u00eb t\u00eb mos besonim n\u00eb veten ton\u00eb, por n\u00eb Per\u00ebndin\u00eb q\u00eb ringjall t\u00eb vdekurit,\n1:10 i cili na ka \u00e7liruar dhe na \u00e7liron nga nj\u00eb vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojm\u00eb se do t\u00eb na \u00e7liroj\u00eb edhe m\u00eb,\n1:11 me ndihm\u00ebn tuaj me an\u00eb t\u00eb lutjeve p\u00ebr ne, q\u00eb shum\u00eb njer\u00ebz t\u00eb fal\u00ebnderojn\u00eb p\u00ebr dhuntin\u00eb e hirit q\u00eb do t\u00eb na jepet me an\u00eb t\u00eb lutjeve t\u00eb shum\u00eb njer\u00ebzve.\n1:12 Mburrja jon\u00eb, n\u00eb fakt, \u00ebsht\u00eb kjo: d\u00ebshmimi i nd\u00ebrgjegjes son\u00eb se ne jemi sjell\u00eb me thjesht\u00ebsin\u00eb dhe sinqeritetin e Per\u00ebn-dis\u00eb n\u00eb bot\u00eb dhe sidomos p\u00ebrpara jush, jo me dituri mishi, por me hirin e Per\u00ebndis\u00eb.\n1:13 Sepse ne nuk ju shkruajm\u00eb t\u00eb tjera gj\u00ebra, p\u00ebrve\u00e7 atyre q\u00eb ju mund t\u00eb lexoni dhe t\u00eb kuptoni; dhe un\u00eb shpresoj se do t'i kuptoni deri n\u00eb fund;\n1:14 sikurse i keni kuptuar tanim\u00eb deri diku, se ne jemi mburrja juaj, sikurse edhe ju do t\u00eb jeni mburrja jon\u00eb, n\u00eb dit\u00ebn e Jezu Krishtit.\n1:15 Dhe me k\u00ebt\u00eb siguri un\u00eb doja t\u00eb vija te ju m\u00eb p\u00ebrpara q\u00eb t\u00eb kishit nj\u00eb vep\u00ebr t\u00eb mir\u00eb t\u00eb dyt\u00eb,\n1:16 dhe, nga ju t\u00eb shkoja n\u00eb Maqedoni, dhe p\u00ebrs\u00ebri nga Maqedonia t\u00eb vija te ju dhe ju t\u00eb m\u00eb p\u00ebrcillnit n\u00eb Jude.\n1:17 Kur mora k\u00ebt\u00eb vendim, vall\u00eb mos kam vepruar me mendjeleht\u00ebsi? Apo ato q\u00eb un\u00eb vendos, i vendos sipas mishit, q\u00eb t\u00eb jet\u00eb tek un\u00eb po, po dhe jo, jo?\n1:18 Por Per\u00ebndia \u00ebsht\u00eb besnik; fjala jon\u00eb ndaj jush nuk ka qen\u00eb po dhe jo.\n1:19 Sepse Biri i Per\u00ebndis\u00eb, Jezu Krisht, q\u00eb u predikua nd\u00ebr ju nga ne, pra, nga un\u00eb, nga Silvani dhe nga Timoteu, nuk ka qen\u00eb \"po\" dhe \"jo\", por ka qen\u00eb \"po\" n\u00eb at\u00eb.\n1:20 Sepse t\u00eb gjitha premtimet e Per\u00ebndis\u00eb jan\u00eb n\u00eb at\u00eb \"po\" dhe n\u00eb at\u00eb \"amen\", p\u00ebr lavdi t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb n\u00ebp\u00ebrmjet nesh.\n1:21 Edhe ai q\u00eb na themelon neve bashk\u00eb me ju n\u00eb Krishtin dhe na vajosi \u00ebsht\u00eb Per\u00ebndia,\n1:22 i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frym\u00ebs n\u00eb zemrat tona.\n1:23 Dhe un\u00eb e th\u00ebrres Per\u00ebndin\u00eb p\u00ebr d\u00ebshmitar mbi jet\u00ebn time q\u00eb, p\u00ebr t'ju kursyer, nuk kam ardhur ende n\u00eb Korint.\n1:24 Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashk\u00ebpun\u00ebtor\u00ebt e g\u00ebzimit tuaj, sepse p\u00ebr shkak t\u00eb besimit ju q\u00ebndroni t\u00eb patundur.\n2:1 Por un\u00eb kisha vendosur n\u00eb veten time t\u00eb mos vij p\u00ebrs\u00ebri te ju me hidh\u00ebrim.\n2:2 Sepse, n\u00eb qoft\u00eb se un\u00eb ju hidh\u00ebroj, kush do t\u00eb m\u00eb g\u00ebzoj\u00eb mua, n\u00eb mos ai vet\u00eb q\u00eb u hidh\u00ebrua prej meje?\n2:3 Dhe ju shkrova n\u00eb k\u00ebt\u00eb m\u00ebnyr\u00eb q\u00eb, kur t\u00eb vij, t\u00eb mos kem trishtim nga ata q\u00eb duhet t\u00eb m\u00eb g\u00ebzonin, duke pasur besim n\u00eb ju t\u00eb gjith\u00eb, se g\u00ebzimi im \u00ebsht\u00eb i t\u00eb gjith\u00eb juve.\n2:4 Ju shkrova, n\u00eb fakt, me shum\u00eb lot dhe me pik\u00ebllim t\u00eb madh dhe ankth n\u00eb zem\u00ebr, jo q\u00eb t\u00eb hidh\u00ebroheni, por q\u00eb t\u00eb njihni dashurin\u00eb shum\u00eb t\u00eb madhe q\u00eb kam p\u00ebr ju.\n2:5 Edhe n\u00eb qoft\u00eb se dikush ka shkaktuar trishtim, s'm\u00eb ka hidh\u00ebruar vet\u00ebm mua, por deri diku, pa e tepruar, ju t\u00eb gjith\u00eb.\n2:6 Mjaft \u00ebsht\u00eb p\u00ebr at\u00eb njeri nd\u00ebshkimi q\u00eb iu b\u00eb nga shumica,\n2:7 por tani, p\u00ebrkundrazi, ju duhet m\u00eb tep\u00ebr ta falni at\u00eb dhe ta ngushlloni, q\u00eb ai njeri t\u00eb mos g\u00eblltitet nga trishtimi i tep\u00ebrt.\n2:8 Prandaj ju lutem t'i shfaqni dashuri,\n2:9 sepse ju shkrova edhe p\u00ebr k\u00ebt\u00eb, q\u00eb t\u00eb njoh prov\u00ebn tuaj, n\u00ebse jeni t\u00eb d\u00ebgjuesh\u00ebm n\u00eb \u00e7do gj\u00eb.\n2:10 Por atij q\u00eb ju do t'i falni di\u00e7ka, e fal edhe un\u00eb, sepse edhe un\u00eb, n\u00ebse kam falur gj\u00eb, kujtdo q\u00eb t'ia kem falur, e b\u00ebra p\u00ebr ju p\u00ebrpara Krishtit,\n2:11 q\u00eb t\u00eb mos na mposht\u00eb Satanai, sepse ne i dim\u00eb q\u00ebllimet e tij.\n2:12 Dhe, kur arrita n\u00eb Troas p\u00ebr ungjillin e Krishtit edhe m'u hap nj\u00eb der\u00eb n\u00eb Zotin,\n2:13 nuk gjeta prehje n\u00eb frym\u00ebn time, sepse nuk gjeta aty Titin, v\u00ebllan\u00eb tim; prandaj, si u p\u00ebrsh\u00ebndeta me ta, shkova n\u00eb Maqedoni.\n2:14 Por, falem nderit Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb na b\u00ebn t\u00eb ngadhnjejm\u00eb gjithnj\u00eb n\u00eb Krishtin dhe shfaq kudo n\u00ebp\u00ebrmjet nesh er\u00ebn e k\u00ebndshme t\u00eb njohuris\u00eb s\u00eb vet.\n2:15 Sepse ne jemi p\u00ebr Per\u00ebndin\u00eb era e k\u00ebndshme e Krishtit nd\u00ebr ata q\u00eb shp\u00ebtohen dhe nd\u00ebr ata q\u00eb humbasin;\n2:16 p\u00ebr k\u00ebta nj\u00eb er\u00eb vdekjeje n\u00eb vdekje, po p\u00ebr ata er\u00eb jete n\u00eb jet\u00eb. Dhe kush \u00ebsht\u00eb i zoti p\u00ebr k\u00ebto?\n2:17 Ne n\u00eb fakt nuk falsifikojm\u00eb fjal\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb, si shum\u00eb t\u00eb tjer\u00eb, por flasim me sinqeritet si nga ana e Per\u00ebndis\u00eb, p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb n\u00eb Krishtin.\n3:1 A fillojm\u00eb p\u00ebrs\u00ebri t\u00eb rekomandojm\u00eb veten ton\u00eb? Apo mos kemi nevoj\u00eb, si disa, p\u00ebr letra rekomandimi p\u00ebr ju ose p\u00ebr rekomandime nga ana juaj?\n3:2 Ju jeni letra jon\u00eb, e shkruar n\u00eb zemrat tona, e njohur dhe e lexuar nga t\u00eb gjith\u00eb njer\u00ebzit,\n3:3 duke qen\u00eb manifestuar se jeni nj\u00eb let\u00ebr e Krishtit, e hartuar me an\u00eb t\u00eb sh\u00ebrbes\u00ebs son\u00eb, dhe e shkruar jo me boj\u00eb, por me Frym\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb gjall\u00eb, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa t\u00eb nj\u00eb zemre mishi.\n3:4 Dhe k\u00ebt\u00eb besim ne e kemi n\u00eb Per\u00ebndin\u00eb me an\u00eb t\u00eb Krishtit;\n3:5 jo se jemi t\u00eb aft\u00eb prej vetiu t\u00eb kuptojm\u00eb ndonj\u00eb gj\u00eb sikur vjen nga vetja jon\u00eb, por aft\u00ebsia jon\u00eb vjen nga Per\u00ebndia,\n3:6 i cili na b\u00ebri t\u00eb aft\u00eb t\u00eb jemi sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb t\u00eb bes\u00eblidhjes s\u00eb re, jo t\u00eb shkronj\u00ebs, por t\u00eb Frym\u00ebs, sepse shkronja vret, por Fryma jep jet\u00eb.\n3:7 Dhe, n\u00eb qoft\u00eb se sh\u00ebrbimi i vdekjes, q\u00eb ishte gdhendur me shkronja mbi gur\u00eb, qe i lavdish\u00ebm aq sa bijt\u00eb e Izraelit nuk mund t\u00eb v\u00ebshtronin me sy fytyr\u00ebn e Moisiut, p\u00ebr shkak t\u00eb lavdis\u00eb s\u00eb pamjes s\u00eb tij, q\u00eb duhet t\u00eb anullohej,\n3:8 sa m\u00eb i lavdish\u00ebm do t\u00eb jet\u00eb sh\u00ebrbimi i Frym\u00ebs?\n3:9 Sepse, n\u00ebse sh\u00ebrbimi i d\u00ebnimit qe rrethuar me lavdi, shum\u00eb m\u00eb tep\u00ebr do t\u00eb teproj\u00eb n\u00eb lavdi sh\u00ebrbimi i drejt\u00ebsis\u00eb.\n3:10 Sepse \u00e7'ka \u00ebsht\u00eb lavd\u00ebruar nuk \u00ebsht\u00eb lavd\u00ebruar nga kjo pik\u00ebpamje, p\u00ebr shkak t\u00eb asaj lavdie q\u00eb e kap\u00ebrcen \u00e7do mas\u00eb.\n3:11 Sepse, n\u00eb qoft\u00eb se ajo q\u00eb duhet t\u00eb anullohej u rrethua me lavdi, ajo q\u00eb mbetet do t\u00eb jet\u00eb shum\u00eb m\u00eb e lavdishme.\n3:12 Duke pasur, pra, nj\u00eb shpres\u00eb t\u00eb till\u00eb, flasim me shum\u00eb guxim,\n3:13 dhe jo si Moisiu, i cili vinte nj\u00eb vel mbi fytyr\u00ebn e vet, q\u00eb bijt\u00eb e Izraelit t\u00eb mos v\u00ebshtronin me sy fundin e asaj q\u00eb duhej t\u00eb anullohej.\n3:14 Por mendjet e tyre u err\u00ebn; sepse, n\u00eb leximin e bes\u00eblidhjes s\u00eb vjet\u00ebr, po ky vel mbetet pa u hequr, sepse veli anullohet n\u00eb Krishtin.\n3:15 Por deri m\u00eb sot, kur lexohet Moisiu, nj\u00eb vel mbetet mbi zemrat e tyre.\n3:16 Por kur Izraeli t\u00eb kthehet te Zoti, veli do t\u00eb hiqet.\n3:17 Sepse Zoti \u00ebsht\u00eb Fryma, dhe atje ku \u00ebsht\u00eb Fryma e Zotit, atje \u00ebsht\u00eb liria.\n3:18 Dhe ne t\u00eb gjith\u00eb, duke soditur fytyr\u00ebzbuluar lavdin\u00eb e Zotit si n\u00eb pasqyr\u00eb, transformohemi n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn sh\u00ebmb\u00ebllim nga lavdia n\u00eb lavdi, posi prej Frym\u00ebs s\u00eb Zotit.\n4:1 Prandaj, duke pasur k\u00ebt\u00eb sh\u00ebrbim p\u00ebr m\u00ebshir\u00ebn q\u00eb na \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb, ne nuk na l\u00ebshon zemra.\n4:2 Ne kemi hequr dor\u00eb plot\u00ebsisht nga gj\u00ebrat e turpshme q\u00eb b\u00ebhen n\u00eb fsheht\u00ebsi, duke mos ecur me dinak\u00ebri, duke mos falsifikuar aspak fjal\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb, por duke shfaqur t\u00eb v\u00ebrtet\u00ebn, ne ia rekomandojm\u00eb veten ton\u00eb nd\u00ebrgjegjes s\u00eb \u00e7do njeriu p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb.\n4:3 Dhe, n\u00eb qoft\u00eb se ungjilli yn\u00eb \u00ebsht\u00eb ende i mbuluar me vel, ai \u00ebsht\u00eb i mbuluar p\u00ebr ata q\u00eb humbin,\n4:4 t\u00eb cil\u00ebve per\u00ebndia i k\u00ebtij shekulli ua verboi mendjet e atyre q\u00eb nuk besojn\u00eb, q\u00eb drita e ungjillit t\u00eb lavdis\u00eb s\u00eb Krishtit, q\u00eb \u00ebsht\u00eb sh\u00ebmb\u00ebllimi i Per\u00ebndis\u00eb, t\u00eb mos ndri\u00e7oj\u00eb tek ata.\n4:5 Sepse ne nuk predikojm\u00eb, pra, veten ton\u00eb, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt tuaj p\u00ebr hir t\u00eb Jezu Krishtit,\n4:6 sepse Per\u00ebndia q\u00eb tha: ''Le t\u00eb ndri\u00e7oj\u00eb drita n\u00eb err\u00ebsir\u00eb'', \u00ebsht\u00eb i nj\u00ebjti q\u00eb shk\u00eblqeu n\u00eb zemrat tona p\u00ebr t'na ndri\u00e7uar n\u00eb njohurin\u00eb e lavdis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, n\u00eb fytyr\u00ebn e Jezu Krishtit.\n4:7 Dhe ne e kemi k\u00ebt\u00eb thesar n\u00eb en\u00eb prej balte q\u00eb ep\u00ebrsia pashoqe e k\u00ebsaj fuqie t\u00eb jet\u00eb nga Per\u00ebndia dhe jo nga ne.\n4:8 Ne jemi t\u00eb shtr\u00ebnguar n\u00eb \u00e7do m\u00ebnyr\u00eb, por nuk jemi t\u00eb ngushtuarderi n\u00eb fund; jemi nd\u00ebrdyshas por jo t\u00eb d\u00ebshp\u00ebruar;\n4:9 jemi t\u00eb p\u00ebrndjekur por jo t\u00eb braktisur; t\u00eb rr\u00ebzuar, por jo t\u00eb shkat\u00ebruar;\n4:10 kurdo ne e mbajm\u00eb n\u00eb trupin ton\u00eb vdekjen e Zotit Jezus, q\u00eb edhe jeta e Jezusit t\u00eb shfaqet n\u00eb trupin ton\u00eb.\n4:11 Ne q\u00eb jetojm\u00eb, jemi vazhdimisht t\u00eb dor\u00ebzuar n\u00eb vdekje p\u00ebr Jezusin, q\u00eb edhe jeta e Jezusit t\u00eb shfaqet n\u00eb mishin ton\u00eb t\u00eb vdeksh\u00ebm.\n4:12 Dhe k\u00ebshtu tek ne vepron vdekja, nd\u00ebrsa n\u00eb ju jeta.\n4:13 Por, duke pasur t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn frym\u00eb besimi, sikurse \u00ebsht\u00eb shkruar: ''Un\u00eb besova, prandaj fola'', edhe ne besojm\u00eb, prandaj edhe flasim,\n4:14 duke ditur se ai q\u00eb ringjalli Zotin Jezus, do t\u00eb na ringjall\u00eb edhe ne n\u00ebp\u00ebrmjet Jezusit dhe do t\u00eb na paraqes\u00eb bashk\u00eb me ju.\n4:15 Sepse t\u00eb gjitha k\u00ebto gj\u00ebra jan\u00eb p\u00ebr ju, q\u00eb hiri, duke arritur me an\u00eb t\u00eb shum\u00eb personave, t\u00eb prodhoj\u00eb falenderim me tepri p\u00ebr lavdi t\u00eb Zotit.\n4:16 Prandaj nuk na l\u00ebshon zemra; por, edhe pse njeriu yn\u00eb i jasht\u00ebm shkon n\u00eb shkat\u00ebrrim, ai i brendsh\u00ebm p\u00ebrt\u00ebrihet nga dita n\u00eb dit\u00eb.\n4:17 Sepse trishtimi yn\u00eb i leht\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb vet\u00ebm p\u00ebr nj\u00eb moment, prodhon p\u00ebr ne, nj\u00eb pesh\u00eb t\u00eb pamas\u00eb e t\u00eb pashoqe t\u00eb amshueshme lavdie;\n4:18 nd\u00ebrsa ne nuk i drejtojm\u00eb syt\u00eb ndaj gj\u00ebrave q\u00eb duken, por ndaj gj\u00ebrave q\u00eb nuk shihen, sepse gj\u00ebrat q\u00eb duken jan\u00eb p\u00ebr nj\u00eb koh\u00eb, kurse ato q\u00eb nuk shihen jan\u00eb t\u00eb p\u00ebrjetshme.\n5:1 Ne e dim\u00eb n\u00eb fakt se, n\u00eb qoft\u00eb se kjo \u00e7ad\u00ebr, vendbanimi yn\u00eb tok\u00ebsor, prishet, ne kemi nj\u00eb godin\u00eb nga Per\u00ebndia, nj\u00eb banes\u00eb t\u00eb p\u00ebrjetshme, n\u00eb qiej, q\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb nga dor\u00eb njeriu.\n5:2 Sepse n\u00eb k\u00ebt\u00eb \u00e7ad\u00ebr ne psher\u00ebtijm\u00eb duke d\u00ebsh\u00ebruar fort t\u00eb vishemi me banes\u00ebn ton\u00eb qiellore,\n5:3 n\u00ebse do t\u00eb gjindemi t\u00eb veshur e jo t\u00eb zhveshur.\n5:4 Sepse ne q\u00eb jemi n\u00eb k\u00ebt\u00eb \u00e7ad\u00ebr psher\u00ebtijm\u00eb duke qen\u00eb t\u00eb r\u00ebnduar, dhe p\u00ebr k\u00ebt\u00eb arsye nuk duam, pra, t\u00eb na zhveshin, por t\u00eb na veshin, q\u00eb \u00e7'\u00ebsht\u00eb e vdekshme t\u00eb p\u00ebrpihet nga jeta.\n5:5 Dhe ai q\u00eb na ka formuar pik\u00ebrisht p\u00ebr k\u00ebt\u00eb \u00ebsht\u00eb Per\u00ebndia, i cili na dha edhe kaparin e Frym\u00ebs.\n5:6 Ne, pra, kemi gjithnj\u00eb siguri besimi dhe e dim\u00eb se gjersa banojm\u00eb n\u00eb trup, jemi larg Zotit,\n5:7 sepse ecim n\u00ebp\u00ebrmjet besimit dhe jo n\u00ebp\u00ebrmjet vizionit.\n5:8 Por jemi t\u00eb sigurt dhe na parap\u00eblqen m\u00eb tep\u00ebr ta l\u00ebm\u00eb trupin dhe t\u00eb shkojm\u00eb e t\u00eb banojm\u00eb bashk\u00eb me Zotin.\n5:9 Prandaj edhe p\u00ebrpiqemi t'i p\u00eblqejm\u00eb atij, qoft\u00eb duke banuar n\u00eb trup, qoft\u00eb duke e l\u00ebn\u00eb at\u00eb.\n5:10 Sepse ne t\u00eb gjith\u00eb duhet t\u00eb dalim para gjyqit t\u00eb Krishtit, q\u00eb secili merr shpagimin e gj\u00ebrave q\u00eb ka b\u00ebr\u00eb me an\u00eb t\u00eb trupit, n\u00eb baz\u00eb t\u00eb asaj q\u00eb ka b\u00ebr\u00eb, qoft\u00eb n\u00eb t\u00eb mir\u00ebn apo n\u00eb t\u00eb keqen.\n5:11 Duke e njohur frik\u00ebn e Zotit, ne bindim njer\u00ebzit dhe jemi njohur nga Per\u00ebndia; dhe un\u00eb shpresoj se edhe n\u00eb nd\u00ebrgjegjet tuaja t\u00eb jemi njohur.\n5:12 Sepse ne nuk e rekomandojm\u00eb p\u00ebrs\u00ebri veten ndaj jush, por ju japim rastin t\u00eb krenoheni p\u00ebr ne, q\u00eb t\u00eb keni \u00e7far\u00eb t'u p\u00ebrgjigjeni atyre q\u00eb krenohen me dukjen dhe jo me zem\u00ebr.\n5:13 Sepse, n\u00ebse nuk jemi n\u00eb vete, jemi p\u00ebr Per\u00ebndin\u00eb, dhe n\u00eb qoft\u00eb se jemi me mend n\u00eb kok\u00eb, jemi p\u00ebr ju.\n5:14 Sepse dashuria e Krishtit na shtr\u00ebngon, sepse kemi arritur n\u00eb konkluzionin se, n\u00eb qoft\u00eb se nj\u00eb ka vdekur p\u00ebr t\u00eb gjith\u00eb, t\u00eb gjith\u00eb, pra, kan\u00eb vdekur;\n5:15 dhe se ai ka vdekur p\u00ebr t\u00eb gjith\u00eb, me q\u00ebllim q\u00eb ata t\u00eb cil\u00ebt jetojn\u00eb, t\u00eb mos jetojn\u00eb q\u00eb sot e tutje p\u00ebr veten e tyre, po p\u00ebr at\u00eb q\u00eb vdiq dhe u ringjall p\u00ebr ta.\n5:16 Prandaj tash e tutje ne nuk njohim m\u00eb ask\u00ebnd sipas mishit; po, edhe sikur ta kemi njohur Krishtin sipas mishit, nuk e njohim m\u00eb ashtu.\n5:17 Prandaj n\u00ebse dikush \u00ebsht\u00eb n\u00eb Krishtin, ai \u00ebsht\u00eb nj\u00eb krijes\u00eb e re; gj\u00ebrat e vjetra kan\u00eb shkuar; ja, t\u00eb gjitha gj\u00ebrat u b\u00ebn\u00eb t\u00eb reja.\n5:18 Edhe t\u00eb gjitha gj\u00ebrat jan\u00eb nga Per\u00ebndia q\u00eb na pajtoi me veten p\u00ebrmes Jezu Krishtit dhe na dha sh\u00ebrbimin i pajtimit,\n5:19 sepse Per\u00ebndia e ka pajtuar bot\u00ebn me veten n\u00eb Krishtin, duke mos ua num\u00ebruar njer\u00ebzve fajet e tyre dhe vuri nd\u00ebr ne fjal\u00ebn e paqtimit.\n5:20 Ne, pra, b\u00ebhemi lajm\u00ebtar\u00eb p\u00ebr Krishtin, sikurse Per\u00ebndia t\u00eb k\u00ebshillonte n\u00ebp\u00ebrmjet nesh; dhe ne ju k\u00ebshillojm\u00eb juve p\u00ebr hir t\u00eb Krishtit: Paqtohuni me Per\u00ebndin\u00eb!\n5:21 Sepse ai b\u00ebri t\u00eb jet\u00eb m\u00ebkat p\u00ebr ne ai q\u00eb nuk njihte m\u00ebkat, q\u00eb ne t\u00eb b\u00ebhemi drejt\u00ebsia e Per\u00ebndis\u00eb n\u00eb t\u00eb.\n6:1 Dhe, duke qen\u00eb bashk\u00ebpun\u00ebtor\u00eb t\u00eb tij, ju k\u00ebshillojm\u00eb t\u00eb mos e pranoni m\u00eb kot hirin e Per\u00ebndis\u00eb,\n6:2 sepse ai thot\u00eb: ''N\u00eb koh\u00eb t\u00eb p\u00eblqyer un\u00eb t\u00eb d\u00ebgjova dhe n\u00eb dit\u00eb shp\u00ebtimi t\u00eb ndihmova''. Ja, pra, koha e p\u00eblqyer, ja, pra, dita e shp\u00ebtimit.\n6:3 Ne nuk japim asnj\u00eb shkas p\u00ebr skandal n\u00eb asnj\u00eb gj\u00eb, q\u00eb t\u00eb mos shahet sh\u00ebrbesa jon\u00eb;\n6:4 por n\u00eb \u00e7do gj\u00eb e rekomandojm\u00eb veten ton\u00eb si sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb n\u00eb shum\u00eb vuajtje, n\u00eb shtr\u00ebngime, n\u00eb nevoja, n\u00eb ngushtica,\n6:5 n\u00eb rrahje, n\u00eb burgosje, n\u00eb kryengritje, n\u00eb mundime, n\u00eb t\u00eb pafjetura, n\u00eb agj\u00ebrime,\n6:6 me past\u00ebrti, me njohuri, me durim, me mir\u00ebsi, me Frym\u00ebn e Shenjt\u00eb, me dashuri jo t\u00eb shtirur,\n6:7 me fjal\u00ebn e s\u00eb v\u00ebrtet\u00ebs, me fuqin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb, me arm\u00ebt e drejt\u00ebsis\u00eb n\u00eb t\u00eb djatht\u00eb dhe n\u00eb t\u00eb majt\u00eb,\n6:8 n\u00eb lavdi dhe n\u00eb \u00e7nderim, me em\u00ebr t\u00eb mir\u00eb dhe me em\u00ebr t\u00eb keq;\n6:9 si g\u00ebnjeshtar\u00eb, por t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb; si t\u00eb panjohur, por t\u00eb njohur; si njer\u00ebz q\u00eb vdesin, por ja, jetojm\u00eb; si t\u00eb nd\u00ebshkuar, por jo t\u00eb vrar\u00eb;\n6:10 si t\u00eb brengosur, por gjithmon\u00eb t\u00eb g\u00ebzuar; si t\u00eb varf\u00ebr, por shum\u00eb veta i b\u00ebjm\u00eb t\u00eb pasur; si njer\u00ebz q\u00eb s'kan\u00eb kurrgj\u00eb, por kan\u00eb gjith\u00e7ka.\n6:11 Goja jon\u00eb u hap p\u00ebr ju, o Korintas, zemra jon\u00eb u b\u00eb e gj\u00ebr\u00eb.\n6:12 Ju nuk jeni ngusht\u00eb n\u00eb ne, por ju jeni t\u00eb ngusht\u00eb n\u00eb zemrat tuaj.\n6:13 Por n\u00eb shk\u00ebmbim po ju flas si f\u00ebmijve, b\u00ebhuni t\u00eb gj\u00ebr\u00eb edhe ju.\n6:14 Mos hyni n\u00eb nj\u00eb zgjedh\u00eb bashk\u00eb me t\u00eb pabes\u00ebt, sepse \u00e7'lidhje ka drejt\u00ebsia me paudh\u00ebsin\u00eb? Dhe \u00e7far\u00eb afrie ka drita me terrin?\n6:15 Dhe \u00e7'harmoni ka Krishti me Belialin? Ose \u00e7'pjes\u00eb ka besimtari me jobesimtarin?\n6:16 Dhe \u00e7far\u00eb marr\u00ebveshje ka tempulli i Per\u00ebndis\u00eb me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb gjall\u00eb, sikurse tha Per\u00ebndia: ''Un\u00eb do t\u00eb banoj n\u00eb mes tyre, dhe do t\u00eb ec nd\u00ebr ta; do t\u00eb jem Per\u00ebndia i tyre dhe ata do t\u00eb jen\u00eb populli im''.\n6:17 Prandaj ''dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thot\u00eb Zoti, dhe mos prekni asgj\u00eb t\u00eb ndyr\u00eb, dhe un\u00eb do t'ju pranoj,\n6:18 dhe do t\u00eb jem si nj\u00eb At\u00eb p\u00ebr ju, dhe ju do t\u00eb jeni p\u00ebr mua si bijt\u00eb e bijat, thot\u00eb Zoti i Plotfuqish\u00ebm''.\n7:1 Duke i pasur k\u00ebto premtime, o t\u00eb dashur, le ta pastrojm\u00eb veten nga \u00e7do ndotje e mishit dhe e frym\u00ebs dhe ta p\u00ebrfundojm\u00eb shenjt\u00ebrimin ton\u00eb n\u00eb druajtjen e Per\u00ebndis\u00eb.\n7:2 Na pranoni; ne nuk i kemi b\u00ebr\u00eb padrejt\u00ebsi askujt, nuk kemi korruptuar ask\u00ebnd, nuk ia hodh\u00ebm askujt.\n7:3 K\u00ebt\u00eb nuk e them p\u00ebr d\u00ebnim, sepse q\u00eb m\u00eb par\u00eb iu thash\u00eb se jeni n\u00eb zemrat tona p\u00ebr t\u00eb vdekur bashk\u00eb dhe p\u00ebr t\u00eb jetuar bashk\u00eb.\n7:4 Jam shum\u00eb i hapur me ju dhe kam me se t\u00eb mburrem p\u00ebr ju; jam plot me ngushullim dhe jam jasht\u00eb mase i g\u00ebzuar n\u00eb gjith\u00eb shtr\u00ebngimin ton\u00eb.\n7:5 Sepse, kur erdh\u00ebm n\u00eb Maqedoni, mishi yn\u00eb nuk pati fare prehje, por u shtr\u00ebnguam n\u00eb t\u00eb gjitha m\u00ebnyrat: jasht\u00eb betej\u00eb, p\u00ebrbrenda frik\u00eb.\n7:6 Por Per\u00ebndia, q\u00eb ngush\u00ebllon t\u00eb pik\u00eb-lluarit, na ngush\u00eblloi me ardhjen e Titit,\n7:7 dhe jo vet\u00ebm me ardhjen e tij, por edhe me ngush\u00ebllimin q\u00eb ai pati prej jush; ai na tregoi d\u00ebshir\u00ebn tuaj t\u00eb madhe, lot\u00ebt tuaja, zellin tuaj p\u00ebr mua, kaq sa u g\u00ebzova m\u00eb tep\u00ebr,\n7:8 sepse, ndon\u00ebse edhe ju kam trishtuar me letr\u00ebn time, nuk m\u00eb vjen keq, ndon\u00ebse m\u00eb pati ardhur keq, sepse shoh se ajo let\u00ebr, edhe pse p\u00ebr pak koh\u00eb, ju trishtoi.\n7:9 Tani po g\u00ebzohem, jo sepse u trishtuat, por sepse u trishtuat p\u00ebr pendim, sepse u trishtuat sipas Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb t\u00eb mos ju b\u00ebhet juve ndonj\u00eb d\u00ebm nga ne.\n7:10 Trishtimi sipas Per\u00ebndis\u00eb n\u00eb fakt, sjell pendim p\u00ebr shp\u00ebtim, p\u00ebr t\u00eb cilin njeriu nuk i vjen keq, por trishtimi i bot\u00ebs shkakton vdekje.\n7:11 N\u00eb fakt, ja sa kujdes shkaktoi te ju pik\u00ebllimi sipas Per\u00ebndis\u00eb, madje sa fjal\u00eb p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar ndjes\u00eb, sa zem\u00ebrat\u00eb, sa druajtje, sa d\u00ebshir\u00eb t\u00eb zjarrt\u00eb, sa zell, sa k\u00ebnaq\u00ebsi! Me \u00e7do m\u00ebnyr\u00eb ju e treguat se jeni t\u00eb past\u00ebr n\u00eb k\u00ebt\u00eb \u00e7\u00ebshtje.\n7:12 Edhe pse ju shkrova, nuk e b\u00ebra as p\u00ebr at\u00eb q\u00eb e b\u00ebri padrejt\u00ebsin\u00eb, as p\u00ebr at\u00eb q\u00eb e p\u00ebsoi, por q\u00eb t\u00eb shfaqet n\u00eb mes tuaj kujdesi yn\u00eb q\u00eb kemi p\u00ebr ju p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb.\n7:13 Prandaj ne u ngush\u00eblluam p\u00ebr shkak t\u00eb ngush\u00ebllimit tuaj dhe u g\u00ebzuam aq m\u00eb tep\u00ebr p\u00ebr g\u00ebzimin e Titit, sepse fryma e tij u shlodh nga ju t\u00eb gjith\u00eb.\n7:14 Prandaj, n\u00eb qoft\u00eb se u mburra p\u00ebr ndonj\u00eb gj\u00eb tek ai p\u00ebr ju, nuk u turp\u00ebrova por, ashtu si ju kemi treguar t\u00eb gjitha gj\u00ebrat me v\u00ebrtet\u00ebsi, k\u00ebshtu edhe mburrja jon\u00eb te Titi doli e v\u00ebrtet\u00eb.\n7:15 Dhe ai ka nj\u00eb dashuri t\u00eb madhe p\u00ebr ju, kur kujton bindjen e ju t\u00eb gjith\u00ebve dhe si e prit\u00ebt at\u00eb me frik\u00eb dhe me t\u00eb dridhura.\n7:16 G\u00ebzohem, pra, q\u00eb n\u00eb \u00e7do gj\u00eb mund t\u00eb besoj n\u00eb ju.\n8:1 Tani, o v\u00ebllez\u00ebr, ju b\u00ebjm\u00eb t\u00eb ditur hirin e Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb u \u00ebsht\u00eb dh\u00ebn\u00eb kishave t\u00eb Maqedonis\u00eb,\n8:2 se, n\u00eb mes t\u00eb shum\u00eb sprovave pik\u00ebllimi, mbushullia e g\u00ebzimit t\u00eb tyre dhe varf\u00ebria e tyre e thell\u00eb e treguan n\u00eb pasurit\u00eb e dor\u00ebgj\u00ebr\u00ebsin\u00eb e tyre.\n8:3 Sepse un\u00eb d\u00ebshmoj se ata kan\u00eb dh\u00ebn\u00eb me d\u00ebshir\u00eb dhe sipas mund\u00ebsis\u00eb s\u00eb tyre, madje edhe p\u00ebrtej mund\u00ebsis\u00eb s\u00eb tyre,\n8:4 dhe na u lut\u00ebn, pa na u ndar\u00eb, ta pranojm\u00eb dhurat\u00ebn dhe pjes\u00ebmarrjen n\u00eb ofert\u00ebn p\u00ebr shenjtor\u00ebt.\n8:5 Dhe jo vet\u00ebm vepruan ashtu si shpresonim, po dhan\u00eb veten m\u00eb p\u00ebrpara te Per\u00ebndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb.\n8:6 K\u00ebshtu ne e k\u00ebshilluam Titin q\u00eb, ashtu si e nisi k\u00ebt\u00eb vep\u00ebr t\u00eb hirit midis jush, ashtu ta p\u00ebrfundoj\u00eb.\n8:7 Por sikurse ju jeni t\u00eb pasur n\u00eb \u00e7do gj\u00eb, n\u00eb besim, n\u00eb fjal\u00eb e n\u00eb dituri, n\u00eb \u00e7do kujdes dhe n\u00eb dashurin\u00eb tuaj ndaj nesh, p\u00ebrpiquni t\u00eb pasuroni edhe n\u00eb k\u00ebt\u00eb vep\u00ebr t\u00eb hirit.\n8:8 K\u00ebt\u00eb nuk e them si urdh\u00ebr, por q\u00eb me an\u00eb t\u00eb kujdesit t\u00eb t\u00eb tjer\u00ebve t\u00eb v\u00eb n\u00eb sprov\u00eb sinqeritetin e dashuris\u00eb suaj.\n8:9 Sepse ju e njihni hirin e Zotit ton\u00eb Jezu Krisht, i cili, duke qen\u00eb i pasur, u b\u00eb i varf\u00ebr p\u00ebr ju, q\u00eb ju t\u00eb b\u00ebheni t\u00eb pasur me an\u00eb t\u00eb varf\u00ebris\u00eb s\u00eb tij.\n8:10 Lidhur me k\u00ebt\u00eb po ju jap nj\u00eb k\u00ebshill\u00eb, sepse kjo \u00ebsht\u00eb e dobishme p\u00ebr ju, q\u00eb vjet filluat jo vet\u00ebm ta b\u00ebni, por edhe ta d\u00ebshironi.\n8:11 Tani p\u00ebrfundojeni edhe b\u00ebrjen q\u00eb, ashtu si qe d\u00ebshira p\u00ebr t\u00eb d\u00ebshiruar, k\u00ebshtu t\u00eb jet\u00eb edhe p\u00ebr ta p\u00ebrfunduar sipas mund\u00ebsive q\u00eb keni.\n8:12 Sepse, n\u00eb qoft\u00eb se ekziston gatishm\u00ebria p\u00ebr t\u00eb dh\u00ebn\u00eb, ai \u00ebsht\u00eb i mir\u00ebpritur sipas asaj q\u00eb ka dhe jo sipas asaj q\u00eb nuk ka.\n8:13 Por jo q\u00eb ju t\u00eb shtr\u00ebngoheni q\u00eb t\u00eb leht\u00ebsohen t\u00eb tjer\u00ebt,\n8:14 por t\u00eb ndiqet vet\u00ebm nj\u00eb kriter barazimi; q\u00eb tani mbushullia juaj t\u00eb plot\u00ebsoj\u00eb nevojat e tyre, k\u00ebshtu q\u00eb edhe mbushullia e tyre t\u00eb plot\u00ebsoj\u00eb nevojat tuaja, q\u00eb t\u00eb ket\u00eb barazi,\n8:15 sikurse \u00ebsht\u00eb shkruar: ''Ai q\u00eb mblodhi shum\u00eb, nuk mori m\u00eb shum\u00eb dhe ai q\u00eb mblodhi pak, nuk mori m\u00eb pak''.\n8:16 Le ta fal\u00ebnderojm\u00eb Per\u00ebndin\u00eb, q\u00eb i shtiu n\u00eb zem\u00ebr Titit po at\u00eb kujdes p\u00ebr ju,\n8:17 sepse ai jo vet\u00ebm q\u00eb e pranoi k\u00ebshill\u00ebn ton\u00eb, por u nis p\u00ebr t\u00eb ardhur te ju, me d\u00ebshir\u00ebn e tij dhe me shum\u00eb zell.\n8:18 Edhe bashk\u00eb me t\u00eb d\u00ebrguam edhe v\u00eb-llan\u00eb, l\u00ebvdimi i t\u00eb cilit p\u00ebr predikimin e ungjillit u p\u00ebrhap n\u00eb t\u00eb gjitha kishat,\n8:19 dhe jo vet\u00ebm kaq, por ai u zgjodh nga kishat q\u00eb t\u00eb jet\u00eb shoku yn\u00eb n\u00eb udh\u00ebtim me k\u00ebt\u00eb dhurat\u00eb q\u00eb ne administrojm\u00eb p\u00ebr lavdin\u00eb e Zotit vet\u00eb, p\u00ebr t\u00eb treguar gatishm\u00ebrin\u00eb e zemr\u00ebs suaj,\n8:20 duke shmangur qortimin e ndonj\u00ebrit n\u00eb k\u00ebt\u00eb dhurat\u00eb bujare q\u00eb administrohet prej nesh,\n8:21 sepse kujdesemi t\u00eb veprojm\u00eb mir\u00eb jo vet\u00ebm p\u00ebrpara Zotit, por edhe p\u00ebrpara njer\u00ebzve.\n8:22 Edhe ne d\u00ebrguam bashk\u00eb me ta v\u00ebllan\u00eb ton\u00eb, t\u00eb cilin e kemi v\u00ebn\u00eb n\u00eb sprov\u00eb shum\u00eb her\u00eb n\u00eb shum\u00eb gj\u00ebra dhe doli i zellsh\u00ebm, por tani \u00ebsht\u00eb edhe m\u00eb i zellsh\u00ebm p\u00ebr shkak t\u00eb besimit t\u00eb madh q\u00eb ka ndaj jush.\n8:23 Sa p\u00ebr Titin, ai \u00ebsht\u00eb bashk\u00ebpun\u00ebtori im dhe shok i vepr\u00ebs midis jush; sa p\u00ebr v\u00ebllez\u00ebrit, ata jan\u00eb apostuj t\u00eb kishave, lavdi e Krishtit.\n8:24 U tregoni atyre prov\u00ebn e dashuris\u00eb suaj dhe pse mburremi me ju edhe p\u00ebrpara kishave.\n9:1 Sa p\u00ebr sh\u00ebrbes\u00ebn n\u00eb dobi t\u00eb shenjtor\u00ebve, \u00ebsht\u00eb e tep\u00ebrt t'ju shkruaj,\n9:2 sepse e njoh gatishm\u00ebrin\u00eb e zemrave tuaja, p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn un\u00eb mburrem p\u00ebr ju te Maqedonasit, se Akaia \u00ebsht\u00eb gati q\u00eb vjet; dhe zelli juaj nxiti shum\u00eb t\u00eb tjer\u00eb.\n9:3 Un\u00eb i d\u00ebrgova k\u00ebta v\u00ebllez\u00ebr, q\u00eb mburrja jon\u00eb p\u00ebr ju t\u00eb mos dal\u00eb e kot\u00eb p\u00ebr k\u00ebt\u00eb gj\u00eb dhe me q\u00ebllim, sikurse thoja, t\u00eb jeni gati,\n9:4 sepse, po t\u00eb vinin me mua disa Maqedonas dhe t\u00eb mos ju gjenin gati, ne (t\u00eb mos them ju), do t\u00eb dilnim t\u00eb turp\u00ebruar p\u00ebr besimin dhe mburrjen ton\u00eb.\n9:5 Prandaj m'u duk e nevojshme t'i k\u00ebshilloj v\u00ebllez\u00ebrit t\u00eb vijn\u00eb te ju m\u00eb p\u00ebrpara, q\u00eb t\u00eb b\u00ebjn\u00eb gati m\u00eb par\u00eb ofert\u00ebn q\u00eb kishit premtuar m\u00eb par\u00eb, k\u00ebshtu q\u00eb ajo t\u00eb jet\u00eb gati si dhurat\u00eb bujarie dhe jo kopracie.\n9:6 Dhe ju them k\u00ebt\u00eb: Ai q\u00eb mbjell me kursim, do t\u00eb korr\u00eb po me kursim; dhe ai q\u00eb mbjell dor\u00ebhapur edhe do t\u00eb korr\u00eb dor\u00ebhapur.\n9:7 Secili le t\u00eb veproj\u00eb ashtu si ka vendosur n\u00eb zemr\u00ebn, as me keqardhje as nga shtr\u00ebngimi, sepse Per\u00ebndia do nj\u00eb dhurues t\u00eb g\u00ebzuar.\n9:8 Dhe Per\u00ebndia mund t\u00eb b\u00ebj\u00eb q\u00eb gjith\u00eb hiri t\u00eb teproj\u00eb p\u00ebr ju, aq sa mbasi t\u00eb keni gjithnj\u00eb mjaft n\u00eb \u00e7do gj\u00eb, t'ju tep\u00ebroj\u00eb p\u00ebr \u00e7far\u00ebdo pune t\u00eb mir\u00eb,\n9:9 sikurse \u00ebsht\u00eb shkruar: ''Ai ndau, u ka dh\u00ebn\u00eb t\u00eb varf\u00ebrve, drejt\u00ebsia e tij mbetet n\u00eb p\u00ebrjet\u00ebsi''.\n9:10 Edhe ai q\u00eb i jep far\u00ebn mbjell\u00ebsit dhe buk\u00eb p\u00ebr t\u00eb ngr\u00ebn\u00eb, ju dh\u00ebnt\u00eb dhe e shumoft\u00eb far\u00ebn tuaj, dhe i b\u00ebft\u00eb t\u00eb rriten frytet e drejt\u00ebsis\u00eb suaj;\n9:11 dhe at\u00ebher\u00eb do t\u00eb pasuroheni p\u00ebr t\u00eb qen\u00eb dor\u00ebdh\u00ebn\u00eb, duke i sjell\u00eb n\u00ebp\u00ebrmjet nesh fal\u00ebnderim Per\u00ebndis\u00eb.\n9:12 Sepse kryerja e k\u00ebsaj sh\u00ebrbese t\u00eb shenjt\u00eb jo vet\u00ebm p\u00ebrmbush nevojat e shenjtor\u00ebve, por sjell edhe nj\u00eb mbushulli fal\u00ebnd\u00ebrimesh ndaj Per\u00ebndis\u00eb,\n9:13 sepse p\u00ebr shkak t\u00eb p\u00ebrvoj\u00ebs nga kjo sh\u00ebrbes\u00eb, ata e p\u00ebrl\u00ebvdojn\u00eb Per\u00ebndin\u00eb p\u00ebr bindjen ndaj ungjillit t\u00eb Krishtit q\u00eb ju rr\u00ebfeni dhe p\u00ebr bujarin\u00eb me t\u00eb cil\u00ebn merrni pjes\u00eb me ta dhe me t\u00eb gjith\u00eb.\n9:14 Dhe me lutjet e tyre p\u00ebr ju ju shfaqin nj\u00eb dashuri t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb p\u00ebr hirin e shk\u00eblqyer t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb p\u00ebrmbi ju.\n9:15 Le t\u00eb fal\u00ebnderojm\u00eb Per\u00ebndin\u00eb p\u00ebr dhurat\u00ebn e tij t\u00eb patregueshme.\n10:1 Personalisht un\u00eb, Pali, po ju k\u00ebshi-lloj me an\u00eb t\u00eb zem\u00ebrbut\u00ebsis\u00eb dhe t\u00eb mir\u00ebsis\u00eb s\u00eb Krishtit; un\u00eb, q\u00eb kur ndodhem vet\u00eb midis jush jam i p\u00ebrunjur, nd\u00ebrsa kur jam larg jush tregohem i guximsh\u00ebm ndaj jush.\n10:2 Ju lutem, q\u00eb, kur t\u00eb vij te ju, t\u00eb mos jem i detyruar t\u00eb veproj me guxim me at\u00eb siguri, me t\u00eb cilin mendoj t\u00eb guxoj kund\u00ebr disave, q\u00eb na konsiderojn\u00eb sikur ecim sipas mishit.\n10:3 Sepse, edhe pse ecim n\u00eb mish, nuk luftojm\u00eb sipas mishit,\n10:4 sepse arm\u00ebt e luft\u00ebs son\u00eb nuk jan\u00eb prej mishi, por t\u00eb fuqishme n\u00eb Per\u00ebndin\u00eb p\u00ebr t\u00eb shkat\u00ebrruar fortesat,\n10:5 q\u00eb t\u00eb hedhim posht\u00eb mendimet dhe \u00e7do lart\u00ebsi q\u00eb ngrihet kund\u00ebr njohjes s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb dhe t'ia n\u00ebnshtrojm\u00eb \u00e7do mendim d\u00ebgjes\u00ebs s\u00eb Krishtit,\n10:6 dhe jemi gati t\u00eb nd\u00ebshkojm\u00eb \u00e7do mosbindje, kur t\u00eb b\u00ebhet e p\u00ebrkryer bindja juaj.\n10:7 A i shihni gj\u00ebrat sipas pamjes s\u00eb jashtme? N\u00eb qoft\u00eb se dikush \u00ebsht\u00eb i bindur n\u00eb veten e tij se \u00ebsht\u00eb i Krishtit, le ta mendoj\u00eb k\u00ebt\u00eb p\u00ebrs\u00ebri nga vetja e tij: sikurse ai \u00ebsht\u00eb i Krishtit, ashtu edhe ne jemi t\u00eb Krishtit.\n10:8 Edhe, n\u00ebse un\u00eb do ta mburrja veten m\u00eb tep\u00ebr p\u00ebr autoritetin ton\u00eb, q\u00eb Zoti na dha p\u00ebr nd\u00ebrtimin tuaj dhe jo p\u00ebr shkat\u00ebrrimin tuaj, nuk do t\u00eb turp\u00ebrohesha.\n10:9 Nuk dua t\u00eb dukem se po k\u00ebrkoj t'ju tremb me letrat e mia.\n10:10 Sepse dikush thot\u00eb: ''Letrat e tij jan\u00eb t\u00eb ashpra dhe t\u00eb fuqishme, kurse paraqitja e tij trupore \u00ebsht\u00eb e dob\u00ebt, dhe fjala e tij ka pak pesh\u00eb''.\n10:11 Le ta dij\u00eb, pra, ai njeri, se ashtu si jemi n\u00eb fjal\u00eb, me an\u00eb t\u00eb letrave kur jemi larg, t\u00eb till\u00eb do t\u00eb jemi edhe me vepra, kur t\u00eb jemi t\u00eb pranish\u00ebm.\n10:12 Sepse nuk guxojm\u00eb t\u00eb renditemi ose t\u00eb krahasohemi me ata q\u00eb e rekomandojn\u00eb veten e vet; por ata, duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kan\u00eb mend.\n10:13 Por ne nuk do t\u00eb mburremi jasht\u00eb mas\u00ebs, po sipas mas\u00ebs s\u00eb rregull\u00ebs q\u00eb caqet i caktoi Per\u00ebndia, sa t\u00eb arrijm\u00eb deri te ju,\n10:14 Sepse ne nuk po shtrihemi p\u00ebrtej caqeve, sikurse nuk arrit\u00ebm deri te ju, sepse ne arrit\u00ebm m\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb deri te ju me an\u00eb t\u00eb predikimit t\u00eb ungjillit t\u00eb Krishtit.\n10:15 Dhe ne nuk mburremi p\u00ebrtej mas\u00ebs p\u00ebr pun\u00ebt e tjetrit, por kemi shpres\u00eb se, duke u rritur besimi juaj, ne do t\u00eb kemi nj\u00eb konsiderat\u00eb m\u00eb t\u00eb madhe nd\u00ebr ju, sipas cakut ton\u00eb,\n10:16 sa q\u00eb p\u00ebrhapim ungjillin edhe p\u00ebrtej vendeve tuaj, pa u mburrur me ato q\u00eb jan\u00eb b\u00ebr\u00eb n\u00eb k\u00ebt\u00eb l\u00ebm\u00eb nga t\u00eb tjer\u00eb.\n10:17 Ai q\u00eb l\u00ebvdohet, le t\u00eb l\u00ebvdohet n\u00eb Zotin,\n10:18 sepse nuk miratohet ai q\u00eb e rekomandon veten e tij, po ai t\u00eb cilin e rekomandon Zoti.\n11:1 Oh, sa do t\u00eb d\u00ebshiroja q\u00eb ju t\u00eb duronit pak marr\u00ebzi me mua! Po n\u00eb fakt, ju m\u00eb duroni.\n11:2 Jam xheloz p\u00ebr ju me xhelozin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb, sepse ju fejova me nj\u00eb burr\u00eb, q\u00eb t'ju nxjerr para Krishtit si virgj\u00ebresh\u00eb t\u00eb dlir\u00eb.\n11:3 Por druaj se, ashtu si gjarp\u00ebri e g\u00ebnjeu Ev\u00ebn me dinak\u00ebrin\u00eb e tij, k\u00ebshtu edhe mendja juaj t\u00eb mos prishet duke u shmangur nga thjesht\u00ebsia ndaj Krishtit.\n11:4 Sepse, po t\u00eb vinte dikush dhe t'ju predikonte nj\u00eb Jezus tjet\u00ebr, q\u00eb ne nuk e kemi predikuar, ose, po t\u00eb merrnit nj\u00eb frym\u00eb tjet\u00ebr q\u00eb nuk e keni marr\u00eb, ose nj\u00eb ungjill tjet\u00ebr q\u00eb nuk e keni pranuar, do ta duronit fort mir\u00eb.\n11:5 Un\u00eb mendoj se nuk kam qen\u00eb aspak m\u00eb posht\u00eb nga apostujt m\u00eb t\u00eb shquar.\n11:6 Dhe, megjith\u00ebse jam i thjesht\u00eb n\u00eb t\u00eb folur, nuk jam i till\u00eb n\u00eb dituri; madje me t\u00eb gjitha m\u00ebnyrat dhe n\u00eb t\u00eb gjitha gj\u00ebrat jua kemi treguar.\n11:7 Mos vall\u00eb b\u00ebra m\u00ebkat duke e ulur veten time q\u00eb t\u00eb lartoheni ju, sepse ju kam predikuar falas ungjillin e Per\u00ebndis\u00eb?\n11:8 Un\u00eb shfyrt\u00ebsova kishat e tjera, duke marr\u00eb nj\u00eb rrog\u00eb q\u00eb t'ju sh\u00ebrbej juve.\n11:9 Dhe, kur isha midis jush dhe isha nevojtar, nuk iu b\u00ebra barr\u00eb askujt; sepse nevojat e mia i plot\u00ebsuan v\u00ebllez\u00ebrit q\u00eb erdh\u00ebn nga Maqedonia; dhe n\u00eb \u00e7do gj\u00eb u ruajta q\u00eb t\u00eb mos ju b\u00ebhem barr\u00eb ju, edhe p\u00ebr t\u00eb ardhmen do t\u00eb ruhem.\n11:10 Duke qen\u00eb se e v\u00ebrteta e Krishtit \u00ebsht\u00eb n\u00eb mua, kjo mburrje, p\u00ebrsa m\u00eb p\u00ebrket mua, nuk do t\u00eb m\u00eb ndalohet n\u00eb vendet e Akais\u00eb.\n11:11 Pse? Ndoshta sepse nuk ju dua? Per\u00ebndia e di.\n11:12 Por at\u00eb q\u00eb b\u00ebj, do ta b\u00ebj p\u00ebrs\u00ebri, q\u00eb t'u pres \u00e7do shkas atyre q\u00eb duan shkas, q\u00eb ata t\u00eb gjenden si edhe ne, n\u00eb at\u00eb gj\u00eb, p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn mburren.\n11:13 T\u00eb till\u00eb apostuj t\u00eb rrem\u00eb, jan\u00eb pun\u00ebtor\u00eb hileqar\u00eb, q\u00eb shnd\u00ebrrohen n\u00eb apostuj t\u00eb Krishtit.\n11:14 Dhe nuk \u00ebsht\u00eb p\u00ebr t'u \u00e7uditur, sepse Satanai vet shnd\u00ebrrohet n\u00eb engj\u00ebll drite.\n11:15 Nuk \u00ebsht\u00eb, pra, gj\u00eb e madhe, n\u00ebse edhe pun\u00ebtor\u00ebt e tij shnd\u00ebrrohen n\u00eb pun\u00ebtor\u00eb (marrin trajt\u00ebn e pun\u00ebtor\u00ebve) t\u00eb drejt\u00ebsis\u00eb, fundi i t\u00eb cil\u00ebve do t\u00eb jet\u00eb sipas veprave t\u00eb tyre.\n11:16 Po e them p\u00ebrs\u00ebri: Askush t\u00eb mos mendoj\u00eb se jam i marr\u00eb; n\u00eb mos, m\u00eb pranoni edhe si t\u00eb marr\u00eb, q\u00eb edhe un\u00eb t\u00eb mburrem pak\u00ebz.\n11:17 At\u00eb q\u00eb po them n\u00eb mburrjen e guximit tim, nuk po e them sipas Zotit, por n\u00eb marr\u00ebzi.\n11:18 Duke qen\u00eb se shum\u00eb vet\u00eb mburren sipas mishit, edhe un\u00eb do t\u00eb mburrem.\n11:19 Sepse ju q\u00eb jeni t\u00eb ditur, i duroni leht\u00eb t\u00eb marr\u00ebt.\n11:20 Sepse tashm\u00eb ju duroni, n\u00ebse dikush ju rob\u00ebron, n\u00ebse dikush ju gllab\u00ebron, n\u00ebse dikush ju grabit, n\u00ebse dikush krenohet, n\u00ebse dikush ju godet n\u00eb fytyr\u00eb.\n11:21 Flas p\u00ebr turpin tim, sikurse ne t\u00eb ishim t\u00eb dob\u00ebt; megjithat\u00eb n\u00eb \u00e7do gj\u00eb q\u00eb dikush guxon, po flas si i marr\u00eb, marr guxim edhe un\u00eb.\n11:22 Jan\u00eb ata Hebrenj? Jam edhe un\u00eb! Jan\u00eb ata Izraelit\u00eb? Jam edhe un\u00eb! jan\u00eb ata pasardh\u00ebs t\u00eb Abrahamit? Jam edhe un\u00eb.\n11:23 Jan\u00eb ata sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb t\u00eb Krishtit? Po flas si i pamend, un\u00eb jam edhe m\u00eb tep\u00ebr si k\u00ebta; n\u00eb mundime m\u00eb tep\u00ebr, n\u00eb goditje m\u00eb tep\u00ebr, n\u00eb burgje m\u00eb tep\u00ebr dhe shpesh n\u00eb rrezik p\u00ebr vdekje.\n11:24 Nga Judenjt\u00eb mora pes\u00eb her\u00eb nga dyzet\u00eb kamxhike pa nj\u00eb.\n11:25 Tri her\u00eb m\u00eb rrah\u00ebn me shkopinj, nj\u00eb her\u00eb m\u00eb q\u00eblluan me gur\u00eb, tri her\u00eb m'u mbyt anija n\u00eb det, kalova nj\u00eb dit\u00eb e nj\u00eb nat\u00eb n\u00eb humner\u00eb.\n11:26 N\u00eb udh\u00ebtime t\u00eb shpeshta n\u00eb rreziqe lumenjsh, n\u00eb rreziqe kusar\u00ebsh, n\u00eb rrezik nga ana e bashk\u00ebtdhetar\u00ebve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe n\u00eb qytet, rreziqe n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb, rreziqe n\u00eb det, rreziqe midis v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb rrem\u00eb,\n11:27 n\u00eb lodhje e n\u00eb mundim, n\u00eb net\u00ebt pa gjum\u00eb, n\u00eb uri e n\u00eb etje, shpesh her\u00eb n\u00eb agj\u00ebrime, n\u00eb t\u00eb ftoht\u00eb dhe n\u00eb t\u00eb zhveshur.\n11:28 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebtyre gj\u00ebrave t\u00eb jashtme, ajo q\u00eb m\u00eb mundon \u00e7do dit\u00eb \u00ebsht\u00eb kujdesja p\u00ebr t\u00eb gjitha kishat.\n11:29 Kush \u00ebsht\u00eb i dob\u00ebt, q\u00eb t\u00eb mos jem edhe un\u00eb? Kush \u00ebsht\u00eb skandalizuar dhe un\u00eb t\u00eb mos p\u00ebrv\u00eblohem?\n11:30 N\u00eb qoft\u00eb se duhet t\u00eb mburrem, un\u00eb do t\u00eb mburrem me ato q\u00eb kan\u00eb t\u00eb b\u00ebjn\u00eb me dob\u00ebsin\u00eb time.\n11:31 Per\u00ebndia dhe Ati i Zotit ton\u00eb Jezu Krisht, q\u00eb \u00ebsht\u00eb i bekuar p\u00ebrjet\u00eb, e di se un\u00eb nuk g\u00ebnjej.\n11:32 N\u00eb Damask, qeveritari i mbretit Areta e ruante qytetin e Damaskasve p\u00ebr t\u00eb m\u00eb z\u00ebn\u00eb,\n11:33 por nga nj\u00eb dritare m\u00eb ul\u00ebn p\u00ebrgjat\u00eb murit me nj\u00eb shport\u00eb, dhe shp\u00ebtova nga duart e tij.\n12:1 Sigurisht nuk kam dobi nga t\u00eb mburrurit; prandaj do t'ia filloj me vegimet dhe zbulesat e Zotit.\n12:2 Un\u00eb njoh nj\u00eb njeri n\u00eb Krishtin, i cili, para kat\u00ebrmb\u00ebdhjet\u00eb vjet\u00ebsh (a ishte n\u00eb trup, a ishte jasht\u00eb trupit, nuk e di; Per\u00ebndia e di), u rr\u00ebmbye gjer n\u00eb t\u00eb tretin qiell.\n12:3 Dhe e di se ai njeri (a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Per\u00ebndia e di),\n12:4 u rr\u00ebmbye n\u00eb parajs\u00eb dhe d\u00ebgjoi fjal\u00eb t\u00eb patregueshme, q\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb e lejuar t\u00eb thuhen nga njeri.\n12:5 P\u00ebr at\u00eb njeri un\u00eb do t\u00eb krenohem, por nuk do t\u00eb krenohem p\u00ebr veten time, ve\u00e7 se p\u00ebr dob\u00ebsit\u00eb e mia.\n12:6 Edhe sikur t\u00eb doja t\u00eb krenohesha, nuk do t\u00eb isha i marr\u00eb, sepse do t\u00eb flisja t\u00eb v\u00ebrtet\u00ebn; por nuk e b\u00ebj k\u00ebt\u00eb, se mos ndonj\u00eb m\u00eb \u00e7mon m\u00eb tep\u00ebr nga ajo q\u00eb m\u00eb sheh, a m\u00eb tep\u00ebr nga ajo q\u00eb d\u00ebgjon nga un\u00eb.\n12:7 Dhe, q\u00eb t\u00eb mos m\u00eb rritet mendja p\u00ebr shkak t\u00eb jasht\u00ebzakonshm\u00ebris\u00eb s\u00eb zbulesave, m'u dha nj\u00eb gj\u00ebmb n\u00eb mish, nj\u00eb engj\u00ebll i Satanit, p\u00ebr t\u00eb m\u00eb r\u00ebn\u00eb me grushta, q\u00eb t\u00eb mos mbahem me t\u00eb madh.\n12:8 Lidhur me k\u00ebt\u00eb iu luta tri her\u00eb Zotit q\u00eb ta largonte nga un\u00eb.\n12:9 Por ai m\u00eb tha: ''Hiri im t\u00eb mjafton, sepse fuqia ime p\u00ebrsoset n\u00eb dob\u00ebsi''. Prandaj me k\u00ebnaq\u00ebsi t\u00eb madhe do t\u00eb krenohem m\u00eb tep\u00ebr p\u00ebr dob\u00ebsit\u00eb e mia, q\u00eb fuqia e Krishtit t\u00eb rrij\u00eb tek un\u00eb.\n12:10 Prandaj un\u00eb k\u00ebnaqem n\u00eb dob\u00ebsi, n\u00eb fyerje, n\u00eb nevoja, n\u00eb p\u00ebrndjekje, n\u00eb ngushtica p\u00ebr shkak t\u00eb Krishtit, sepse, kur jam i dob\u00ebt, at\u00ebher\u00eb jam i fort\u00eb.\n12:11 U b\u00ebra i marr\u00eb duke u mburrur; ju m\u00eb shtr\u00ebnguat, sepse u desh q\u00eb ju t\u00eb m\u00eb rekomandoni, sepse nuk qesh\u00eb aspak m\u00eb posht\u00eb se apostujt e lart\u00eb, edhe pse un\u00eb nuk jam asgj\u00eb.\n12:12 Shenjat e apostullit u v\u00ebrtetuan nd\u00ebr ju me durim t\u00eb madh, me shenja e mrekulli dhe \u00e7udira.\n12:13 Vall\u00eb n\u00ebse ju mbet\u00ebt prapa, pra, nga kishat e tjera, rve\u00e7 se n\u00eb faktin se un\u00eb nuk u b\u00ebra barr\u00eb p\u00ebr ju? Falmani k\u00ebt\u00eb gabim.\n12:14 Ja, kjo \u00ebsht\u00eb e treta her\u00eb q\u00eb jam gati t\u00eb vij te ju, dhe nuk dua t'ju b\u00ebhem barr\u00eb, sepse s'k\u00ebrkoj pasurit\u00eb tuaja, por juve; sepse bijt\u00eb nuk e kan\u00eb p\u00ebr detyr\u00eb t\u00eb mbledhin p\u00ebr prind\u00ebrit, por prind\u00ebrit p\u00ebr bijt\u00eb.\n12:15 Sa p\u00ebr veten time, un\u00eb do t\u00eb shpenzoj me g\u00ebzim dhe do t\u00eb shpenzohem p\u00ebr shpirtrat tuaja, megjithse ju dua m\u00eb fort dhe m\u00eb doni m\u00eb pak.\n12:16 Ashtu qoft\u00eb! Un\u00eb nuk u b\u00ebra barr\u00eb p\u00ebr ju; megjithat\u00eb, duke qen\u00eb dinak ju zura me dredhi.\n12:17 Mos p\u00ebrfitova vall\u00eb ndonj\u00eb gj\u00eb nga ju me an\u00eb t\u00eb ndonj\u00eb q\u00eb d\u00ebrgova te ju?\n12:18 Un\u00eb iu luta Titit dhe me t\u00eb d\u00ebrgova edhe k\u00ebt\u00eb v\u00eblla. Mos p\u00ebrfitoi gj\u00eb Titi nga ju? A nuk kemi ecur me t\u00eb nj\u00ebjtin frym\u00eb dhe n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjtat gjurm\u00eb?\n12:19 A mendoni p\u00ebrs\u00ebri se ne k\u00ebrkojm\u00eb t\u00eb justifikohemi para jush? Ne flasim p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb, n\u00eb Krishtin, dhe t\u00eb gjitha k\u00ebto, o fort t\u00eb dashur, jan\u00eb p\u00ebr nd\u00ebrtimin tuaj.\n12:20 Sepse kam frik\u00eb se mos kur t\u00eb vij nuk ju gjej sikund\u00ebr kam dashur dhe se mos ju m\u00eb gjeni sikund\u00ebr nuk keni dashur juve se mos ka grindje, xhelozi, zem\u00ebrime, shp\u00ebrthime, p\u00ebrgojime, insinuata, kryelart\u00ebsi, ose trazira midis jush;\n12:21 se mos kur t\u00eb vij\u00eb s\u00ebrish, Per\u00ebndia im do t\u00eb m\u00eb p\u00ebrul\u00eb n\u00eb mes tuaj dhe un\u00eb do t\u00eb vajtoj p\u00ebr shum\u00eb nga ata q\u00eb kan\u00eb m\u00ebkatuar m\u00eb par\u00eb dhe nuk u penduan p\u00ebr f\u00eblliq\u00ebsin\u00eb, kurv\u00ebrin\u00eb dhe shthurjen q\u00eb praktikuan.\n13:1 Ja, kjo \u00ebsht\u00eb e treta her\u00eb q\u00eb po vij te ju. ''\u00c7do gj\u00eb do t\u00eb q\u00ebndroj\u00eb me goj\u00ebn e dy a tre d\u00ebshmitar\u00ebve''.\n13:2 E thash\u00eb edhe m\u00eb par\u00eb, kur isha i pranish\u00ebm te ju p\u00ebr t\u00eb dyt\u00ebn her\u00eb, dhe po e them tani q\u00eb jam larg jush. Po u shkruaj atyre q\u00eb kan\u00eb m\u00ebkatuar m\u00eb p\u00ebrpara dhe t\u00eb gjith\u00eb t\u00eb tjer\u00ebve se, po t\u00eb vij p\u00ebrs\u00ebri, nuk do t\u00eb kursej njeri.\n13:3 Sepse ju k\u00ebrkoni prov\u00ebn e Krishtit q\u00eb flet n\u00eb mua; dhe ai s'\u00ebsht\u00eb i dob\u00ebt ndaj jush, por \u00ebsht\u00eb i fuqish\u00ebm n\u00eb ju.\n13:4 Sepse, megjith\u00ebse ai u kryq\u00ebzua n\u00eb dob\u00ebsin\u00eb e tij, ai po rron n\u00ebp\u00ebrmjet fuqis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, sepse edhe ne jemi t\u00eb dob\u00ebt n\u00eb t\u00eb, por do t\u00eb rrojm\u00eb me t\u00eb n\u00ebp\u00ebrmjet fuqis\u00eb s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb ndaj nesh.\n13:5 Analizoni veten tuaj a jeni n\u00eb besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti \u00ebsht\u00eb n\u00eb ju? Ve\u00e7 n\u00eb qofshi t\u00eb p\u00ebrjashtuar.\n13:6 Por un\u00eb shpresoj se ju do ta njihni se ne nuk jemi t\u00eb p\u00ebrjashtuar.\n13:7 Edhe i lutem Per\u00ebndis\u00eb q\u00eb t\u00eb mos b\u00ebni ndonj\u00eb t\u00eb keqe, jo q\u00eb t\u00eb dukemi t\u00eb miratuar, por q\u00eb ju t\u00eb b\u00ebni at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e mir\u00eb edhe sikur ne t\u00eb ishim t\u00eb p\u00ebrjashtuar.\n13:8 Ne n\u00eb fakt nuk kemi asnj\u00eb forc\u00eb kund\u00ebr s\u00eb v\u00ebrtet\u00ebs, por vet\u00ebm pro s\u00eb v\u00ebrtet\u00ebs.\n13:9 Sepse ne g\u00ebzohemi kur jemi t\u00eb dob\u00ebt dhe ju jeni t\u00eb fort\u00eb; dhe ne lutemi edhe p\u00ebr k\u00ebt\u00eb: p\u00ebr p\u00ebrsosjen tuaj.\n13:10 Prandaj i shkruaj k\u00ebto gj\u00ebra, kur jam larg jush, q\u00eb, kur t\u00eb jem i pranish\u00ebm, t\u00eb mos sillem me ashp\u00ebrsi, sipas autoritetit q\u00eb m\u00eb ka dh\u00ebn\u00eb Zoti p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtuar e jo p\u00ebr t\u00eb prishur.\n13:11 M\u00eb n\u00eb fund, o v\u00ebllez\u00ebr, g\u00ebzohuni, p\u00ebrsosuni, ngush\u00ebllohuni, jini t\u00eb nj\u00eb mendje, jetoni n\u00eb paqe; dhe Per\u00ebndia i dashuris\u00eb dhe i paqes do t\u00eb jet\u00eb me ju.\n13:12 P\u00ebrsh\u00ebndetni njeri tjetrin me nj\u00eb puthje t\u00eb shenjt\u00eb, t\u00eb gjith\u00eb shenjtor\u00ebt ju p\u00ebrsh\u00ebndesin.\n13:13 Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Per\u00ebndis\u00eb dhe bashk\u00ebsia e Frym\u00ebs s\u00eb Shenjt\u00eb qofshin me ju t\u00eb gjith\u00eb. Amen.\n13:14 Pali, apostull (jo nga njer\u00ebzit, as me an\u00eb t\u00eb njeriut, por n\u00ebp\u00ebrmjet Jezu Krishtit dhe Per\u00ebndis\u00eb Atit, q\u00eb e ringjalli prej s\u00eb vdekurish),","title":"Albanian Bible: 2 Corinthians","type":"page"}
