{"collection":"Bible & Christianity","html_url":"https://unchartedknowledge.5gfusion.net/browse/bib/wb/alb/ecc.htm","path":"bib/wb/alb/ecc.htm","source_url":"https://sacred-texts.com/bib/wb/alb/ecc.htm","text":"1:1 Fjal\u00ebt e Predikuesit, e birit t\u00eb Davidit, mbretit t\u00eb Jeruzalemit.\n1:2 \"Kot\u00ebsi e kot\u00ebsive\", thot\u00eb Predikuesi;\n1:3 \"Kot\u00ebsi e kot\u00ebsive; gjith\u00e7ka \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi\". \u00c7far\u00eb p\u00ebrfitimi ka njeriu nga gjith\u00eb mundi i tij, kur mundohet n\u00ebn rrezet e diellit?\n1:4 Nj\u00eb brez shkon, nj\u00eb brez vjen, por toka mbetet p\u00ebrjet\u00eb.\n1:5 Edhe dielli lind e pastaj per\u00ebndon, dhe shpejtohet n\u00eb drejtim t\u00eb vendit nga del p\u00ebrs\u00ebri.\n1:6 Era fryn n\u00eb drejtim t\u00eb jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe b\u00ebn po ato rrotullime.\n1:7 Gjith\u00eb lumenjt\u00eb derdhen n\u00eb det, por deti nuk mbushet kurr\u00eb; nga vendi prej t\u00eb cilit lumenjt\u00eb vijn\u00eb, aty kthehen, p\u00ebrs\u00ebri.\n1:8 T\u00ebr\u00eb gj\u00ebrat k\u00ebrkojn\u00eb mund, m\u00eb tep\u00ebr nga sa mund t\u00eb thot\u00eb njeriu; syri nuk ngopet kurr\u00eb duke par\u00eb, po k\u00ebshtu veshi nuk ngopet kurr\u00eb duke d\u00ebgjuar.\n1:9 Ajo q\u00eb ka qen\u00eb \u00ebsht\u00eb ajo q\u00eb do t\u00eb jet\u00eb; ajo q\u00eb \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb \u00ebsht\u00eb ajo q\u00eb do t\u00eb b\u00ebhet; nuk ka asgj\u00eb t\u00eb re n\u00ebn diell.\n1:10 A ka di\u00e7ka p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn mund t\u00eb thuhet: \"Shiko, kjo \u00ebsht\u00eb e re!\". Kjo gj\u00eb ekzistonte q\u00eb n\u00eb shekujt q\u00eb na kan\u00eb pararendur.\n1:11 Nuk mbetet asnj\u00eb kujtim nga gj\u00ebrat e kaluara, dhe k\u00ebshtu nuk do t\u00eb mbetet asnj\u00eb kujtim nga gj\u00ebrat q\u00eb do t\u00eb ndodhin midis atyre q\u00eb do t\u00eb vijn\u00eb m\u00eb pas.\n1:12 Un\u00eb, Predikuesi, kam qen\u00eb mbret i Izraelit n\u00eb Jeruzalem,\n1:13 dhe kam k\u00ebrkuar me zem\u00ebr t\u00eb zbuloj dhe t\u00eb hetoj me dituri \u00e7do gj\u00eb q\u00eb ndodh n\u00ebn qiell; kjo \u00ebsht\u00eb nj\u00eb pun\u00eb e r\u00ebnd\u00eb q\u00eb Per\u00ebndia u ka dh\u00ebn\u00eb bijve t\u00eb njer\u00ebzve q\u00eb ata t\u00eb lodhen.\n1:14 Un\u00eb i kam par\u00eb t\u00ebr\u00eb gj\u00ebrat q\u00eb b\u00ebhen n\u00ebn diell; dhe ja, t\u00eb gjitha jan\u00eb gj\u00ebra t\u00eb kota dhe nj\u00eb k\u00ebrkim p\u00ebr t\u00eb kapur er\u00ebn.\n1:15 Ajo q\u00eb \u00ebsht\u00eb e shtr\u00ebmb\u00ebr nuk mund t\u00eb drejtohet dhe ajo q\u00eb mungon nuk mund t\u00eb num\u00ebrohet.\n1:16 Un\u00eb kam folur me zemr\u00ebn time, duke th\u00ebn\u00eb: \"Ja, kam fituar madh\u00ebshti dhe dituri m\u00eb t\u00eb madhe se t\u00eb gjith\u00eb ata q\u00eb kan\u00eb mbret\u00ebruar para meje n\u00eb Jeruzalem dhe zemra ime ka par\u00eb shum\u00eb dituri dhe njohuri\".\n1:17 Dhe ia kushtova zemr\u00ebn time p\u00ebr t\u00eb njojtur diturin\u00eb si dhe njohjes s\u00eb marr\u00ebzis\u00eb dhe budallall\u00ebkut; dhe kuptova q\u00eb edhe kjo \u00ebsht\u00eb nj\u00eb k\u00ebrkim p\u00ebr t\u00eb kapur er\u00ebn.\n1:18 Sepse aty ku ka shum\u00eb dituri ka edhe shum\u00eb shqet\u00ebsim dhe kush shton diturin\u00eb shton dhembjen.\n2:1 Un\u00eb thash\u00eb n\u00eb zemr\u00ebn time: \"Eja tani, dua t\u00eb t\u00eb v\u00eb n\u00eb prov\u00eb me g\u00ebzimin, dhe ti do t\u00eb g\u00ebzosh \u00ebndjen\". Por ja, edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi.\n2:2 P\u00ebr t\u00eb qeshurit kam th\u00ebn\u00eb: \"\u00c9sht\u00eb nj\u00eb marr\u00ebzi, dhe p\u00ebr g\u00ebzimin: \"Kujt i sh\u00ebrben?\".\n2:3 K\u00ebrkova n\u00eb zemr\u00ebn time si ta k\u00ebnaq trupin tim me ver\u00eb, duke e nxitur nj\u00ebkoh\u00ebsisht zemr\u00ebn time drejt dituris\u00eb dhe t'i qepet marr\u00ebzis\u00eb, deri sa t\u00eb shoh cila \u00ebsht\u00eb e mira q\u00eb bijt\u00eb e njer\u00ebzve do t\u00eb duhej t\u00eb b\u00ebnin n\u00ebn qiell t\u00ebr\u00eb dit\u00ebt e jet\u00ebs s\u00eb tyre.\n2:4 K\u00ebshtu kreva punime t\u00eb m\u00ebdha p\u00ebr vete; nd\u00ebrtova sht\u00ebpi, mbolla vreshta,\n2:5 b\u00ebra kopshte dhe parqe, duke mbjell\u00eb drur\u00eb frutor\u00eb t\u00eb \u00e7do lloji;\n2:6 nd\u00ebrtova pellgje p\u00ebr ujin me t\u00eb cilat t\u00eb mund t\u00eb vadis pyllin q\u00eb t\u00eb rriten drur\u00ebt.\n2:7 Bleva sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb dhe sh\u00ebrb\u00ebtore dhe u b\u00ebra me sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb q\u00eb lind\u00ebn n\u00eb sht\u00ebpi; pata pasuri t\u00eb m\u00ebdha n\u00eb kope me bag\u00ebti t\u00eb trash\u00eb dhe t\u00eb im\u00ebt m\u00eb tep\u00ebr se ata q\u00eb kishin qen\u00eb para meje n\u00eb Jeruzalem.\n2:8 Grumbullova p\u00ebr vete edhe argjend, ar dhe pasurit\u00eb e mbret\u00ebrve dhe t\u00eb krahinave; gjeta k\u00ebng\u00ebtar\u00eb dhe k\u00ebng\u00ebtare, k\u00ebnaq\u00ebsit\u00eb e bijve t\u00eb njer\u00ebzve, dhe vegla muzikore t\u00eb \u00e7do lloji.\n2:9 K\u00ebshtu u b\u00ebra i madh dhe u begatova m\u00eb tep\u00ebr se ata q\u00eb kishin qen\u00eb para meje n\u00eb Jeruzalem; edhe dituria m\u00eb mbeti mua.\n2:10 T\u00ebr\u00eb ato q\u00eb syt\u00eb e mi d\u00ebshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemr\u00ebs sime asnj\u00eb qejf, sepse zemra ime k\u00ebnaqej me \u00e7do pun\u00eb timen; dhe ky ka qen\u00eb shp\u00ebrblimi p\u00ebr \u00e7do pun\u00eb t\u00eb b\u00ebr\u00eb nga un\u00eb.\n2:11 Pastaj u ktheva t\u00eb shikoj t\u00ebr\u00eb veprat q\u00eb kishin b\u00ebr\u00eb duart e mia dhe mundin tim p\u00ebr t'i kryer; dhe ja, t\u00eb gjitha ishin kot\u00ebsi dhe nj\u00eb k\u00ebrkim p\u00ebr t\u00eb kapur er\u00ebn; nuk kishte asnj\u00eb p\u00ebrfitim n\u00ebn diell.\n2:12 At\u00ebher\u00eb u ktheva t\u00eb rrah me mend diturin\u00eb, marr\u00ebzin\u00eb dhe budallall\u00ebkun. \"\u00c7far\u00eb do t\u00eb b\u00ebj\u00eb njeriu q\u00eb do t\u00eb z\u00ebr\u00eb vendin e mbretit, n\u00eb mos at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb?\".\n2:13 Pastaj kuptova q\u00eb dituria ka nj\u00eb ep\u00ebrsi mbi budallall\u00ebkun, ashtu si drita ka nj\u00eb ep\u00ebrsi mbi err\u00ebsir\u00ebn.\n2:14 I urti i ka syt\u00eb n\u00eb kok\u00eb, kurse budallai ec\u00ebn n\u00eb err\u00ebsir\u00eb; por kuptova gjithashtu q\u00eb t\u00eb dyve u \u00ebsht\u00eb rezervuar i nj\u00ebjti fat.\n2:15 K\u00ebshtu thash\u00eb n\u00eb zemr\u00ebn time: \"Po ai fat q\u00eb i takon budallait m\u00eb takon edhe mua\". \u00c7'p\u00ebrfitim ke se ke qen\u00eb m\u00eb i urt\u00eb?\". Prandaj thash\u00eb n\u00eb zemr\u00ebn time: \"Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi\".\n2:16 Nuk mbetet n\u00eb fakt asnj\u00eb kujtim jet\u00ebgjat\u00eb si i njeriut t\u00eb urt\u00eb ashtu edhe i njeriut budalla, sepse n\u00eb dit\u00ebt e ardhme gjith\u00e7ka do t\u00eb harrohet. Dhe ashtu si vdes budallai, n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn m\u00ebnyr\u00eb vdes i urti.\n2:17 Prandaj fillova t\u00eb urrej jet\u00ebn, sepse t\u00eb gjitha ato q\u00eb b\u00ebhen n\u00ebn diell m\u00eb jan\u00eb b\u00ebr\u00eb t\u00eb neveritshme, sepse t\u00eb gjitha jan\u00eb kot\u00ebsi dhe nj\u00eb p\u00ebrpjekje p\u00ebr t\u00eb kapur er\u00ebn.\n2:18 K\u00ebshtu kam urryer \u00e7do mundim q\u00eb kam kryer n\u00ebn diell, sepse duhet t'i l\u00eb t\u00eb gjitha atij q\u00eb do t\u00eb vij\u00eb pas meje.\n2:19 Dhe kush e di n\u00eb se do t\u00eb jet\u00eb i urt\u00eb ose budalla? Sidoqoft\u00eb ai do t\u00eb jet\u00eb zot i gjith\u00eb pun\u00ebs q\u00eb kam kryer me mund dhe p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn kam p\u00ebrdorur diturin\u00eb n\u00ebn diell. Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi.\n2:20 K\u00ebshtu arrita t\u00eb d\u00ebshp\u00ebrohem n\u00eb zemr\u00ebn time p\u00ebr gjith\u00eb mundin q\u00eb kam b\u00ebr\u00eb n\u00ebn diell.\n2:21 Sepse k\u00ebtu ka nj\u00eb njeri q\u00eb ka punuar me dituri, me zgjuar\u00ebsi dhe me sukses, por q\u00eb duhet t'ia l\u00ebr\u00eb trash\u00ebgimin\u00eb e tij nj\u00eb tjetri, q\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb munduar fare! Edhe kjo \u00ebsht\u00eb nj\u00eb kot\u00ebsi dhe nj\u00eb e keqe e madhe.\n2:22 \u00c7far\u00eb i mbetet n\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb njeriut p\u00ebr t\u00ebr\u00eb mundin e tij dhe p\u00ebr shqet\u00ebsimin e zemr\u00ebs s\u00eb tij, me t\u00eb cil\u00ebn \u00ebsht\u00eb munduar n\u00ebn diell?\n2:23 T\u00ebr\u00eb dit\u00ebt e tij nuk jan\u00eb ve\u00e7se dhembje dhe puna e tij \u00ebsht\u00eb e r\u00ebnd\u00eb. Zemra e tij nuk pushon as nat\u00ebn. Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi.\n2:24 P\u00ebr njeriun nuk ka gj\u00eb m\u00eb t\u00eb mir\u00eb se sa t\u00eb haj\u00eb e t\u00eb pij\u00eb dhe t\u00eb g\u00ebzohet n\u00eb mundin e tij; por kam v\u00ebn\u00eb re se edhe kjo vjen nga dora e Per\u00ebndis\u00eb.\n2:25 Kush mund t\u00eb haj\u00eb ose t\u00eb g\u00ebzohet m\u00eb shum\u00eb se un\u00eb?\n2:26 Sepse Per\u00ebndia i jep njeriut q\u00eb i p\u00eblqen dituri, njohje dhe g\u00ebzim; por m\u00ebkatarit i ngarkon detyr\u00ebn t\u00eb mbledh\u00eb dhe t\u00eb grumbulloj\u00eb, p\u00ebr t'ia l\u00ebn\u00eb pastaj t\u00eb gjitha atij q\u00eb p\u00eblqehet nga syt\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb. Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi dhe p\u00ebrpjekje p\u00ebr t\u00eb kapur er\u00ebn.\n3:1 \u00c7do gj\u00eb ka stin\u00ebn e vet, \u00e7do situat\u00eb ka nj\u00eb koh\u00eb n\u00ebn qiell;\n3:2 nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb lindur dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb vdekur, nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb mbjell\u00eb dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb shkulur at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb mbjell\u00eb,\n3:3 nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb vrar\u00eb dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb sh\u00ebruar, nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb shembur dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb nd\u00ebrtuar,\n3:4 nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb qar\u00eb dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb qeshur, nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb mbajtur zi dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb hedhur valle,\n3:5 nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb flakur gur\u00ebt dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb mbledhur gur\u00ebt, nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb p\u00ebrqafuar dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb mos p\u00ebrqafuar,\n3:6 nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb humbur, nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb ruajtur dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb hedhur tutje,\n3:7 nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb grisur dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb qepur, nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb heshtur dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb folur,\n3:8 nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb dashuruar dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr t\u00eb urryer, nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr luft\u00ebn dhe nj\u00eb koh\u00eb p\u00ebr paqen.\n3:9 \u00c7far\u00eb p\u00ebrfitimi ka ai q\u00eb punon nga t\u00eb gjitha gj\u00ebrat p\u00ebr t\u00eb cilat mundohet?\n3:10 Pash\u00eb pun\u00ebn q\u00eb Per\u00ebndia u jep bijve t\u00eb njer\u00ebzve, me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb mundohen.\n3:11 Ai e ka b\u00ebr\u00eb t\u00eb bukur \u00e7do gj\u00eb n\u00eb koh\u00ebn vet; ka v\u00ebn\u00eb madje p\u00ebrjet\u00ebsin\u00eb n\u00eb zemrat e tyre, pa i dh\u00ebn\u00eb mund\u00ebsin\u00eb asnj\u00eb njeriu t\u00eb zbuloj\u00eb vepr\u00ebn q\u00eb Per\u00ebndia ka b\u00ebr\u00eb nga fillimi deri n\u00eb fund.\n3:12 K\u00ebshtu kuptova q\u00eb nuk ka gj\u00eb m\u00eb t\u00eb mir\u00eb se sa t\u00eb g\u00ebzohesh dhe t\u00eb b\u00ebsh t\u00eb mir\u00eb sa je gjall\u00eb;\n3:13 dhe q\u00eb \u00e7do njeri q\u00eb ha, pi dhe g\u00ebzon mir\u00ebq\u00ebnie n\u00eb gjith\u00eb mundin e tij, kjo \u00ebsht\u00eb nj\u00eb dhurat\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb.\n3:14 E kuptova q\u00eb t\u00ebr\u00eb ato q\u00eb b\u00ebn Per\u00ebndia jan\u00eb p\u00ebrjet\u00eb; nuk mund t'u shtosh dhe t'u heq\u00ebsh asgj\u00eb; dhe Per\u00ebndia vepron k\u00ebshtu me q\u00ebllim q\u00eb njer\u00ebzit t\u00eb ken\u00eb frik\u00eb prej tij.\n3:15 Ajo q\u00eb \u00ebsht\u00eb, ka qen\u00eb m\u00eb par\u00eb; dhe ajo q\u00eb do t\u00eb vij\u00eb ka qen\u00eb m\u00eb par\u00eb, dhe Per\u00ebndia heton at\u00eb q\u00eb ka kaluar.\n3:16 Kam par\u00eb gjithashtu n\u00ebn diell q\u00eb n\u00eb vend t\u00eb arsyes kishte paudh\u00ebsi, q\u00eb n\u00eb vend t\u00eb drejt\u00ebsis\u00eb kishte paudh\u00ebsi.\n3:17 K\u00ebshtu thash\u00eb n\u00eb zemr\u00ebn time: \"Per\u00ebndia do t\u00eb gjykoj\u00eb t\u00eb drejtin dhe t\u00eb pabesin, sepse ka nj\u00eb koh\u00eb t\u00eb caktuar p\u00ebr \u00e7do gj\u00eb dhe p\u00ebr \u00e7do vep\u00ebr\".\n3:18 Thash\u00eb n\u00eb zemr\u00ebn time: \"P\u00ebrsa u p\u00ebrket kushteve n\u00eb t\u00eb cilat ndodhen bijt\u00eb e njer\u00ebzve, Per\u00ebndia i v\u00eb n\u00eb prov\u00eb, q\u00eb ata vet\u00eb t\u00eb kuptojn\u00eb q\u00eb jan\u00eb si kafsh\u00eb\".\n3:19 N\u00eb fakt t\u00eb gjitha ato q\u00eb u ndodhin bijve t\u00eb njer\u00ebzve u ndodhin kafsh\u00ebve; t\u00eb dy pal\u00ebve u ndodh e nj\u00ebjta gj\u00eb. Ashtu si vdes njeri, k\u00ebshtu vdes tjetri. Po, t\u00eb gjith\u00eb kan\u00eb po at\u00eb frym\u00eb; dhe njeriu nuk ka asnj\u00eb ep\u00ebrsi mbi kafsh\u00ebn, sepse gjith\u00e7ka \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi.\n3:20 T\u00eb gjith\u00eb shkojn\u00eb n\u00eb po at\u00eb vend; t\u00eb gjith\u00eb vijn\u00eb nga pluhuri dhe kthehen n\u00eb pluhur.\n3:21 Kush e di n\u00eb se fryma e bijve t\u00eb njer\u00ebzve ngjitet lart dhe n\u00eb se fryma e kafsh\u00ebs zbret posht\u00eb n\u00eb tok\u00eb?\n3:22 K\u00ebshtu e kuptova q\u00eb nuk ka gj\u00eb m\u00eb t\u00eb mir\u00eb p\u00ebr njeriun se sa t\u00eb g\u00ebzohet n\u00eb pun\u00ebn e tij, sepse kjo \u00ebsht\u00eb pjesa e tij. Kush do ta \u00e7oj\u00eb n\u00eb fakt t\u00eb shoh\u00eb at\u00eb q\u00eb ka p\u00ebr t\u00eb ndodhur pas tij?\n4:1 K\u00ebshtu u ktheva dhe mendova p\u00ebr gjith\u00eb shtypjen q\u00eb ndodhin n\u00ebn diell; dhe ja, lot\u00ebt e t\u00eb shtypurve, t\u00eb cil\u00ebt nuk kan\u00eb njeri q\u00eb t'i ngush\u00eblloj\u00eb; nga ana e shtyp\u00ebsve t\u00eb tyre ishte forca, por as ata nuk kan\u00eb njeri q\u00eb t'i ngush\u00eblloj\u00eb.\n4:2 Prandaj i konsiderova t\u00eb vdekurit, ata q\u00eb tashm\u00eb kan\u00eb vdekur, m\u00eb t\u00eb lumtur se t\u00eb gjall\u00ebt q\u00eb jetojn\u00eb akoma;\n4:3 por edhe m\u00eb i lumtur se njera dhe tjetra pal\u00eb \u00ebsht\u00eb ai q\u00eb nuk ka ekzistuar kurr\u00eb dhe ende nuk ka par\u00eb veprimet e k\u00ebqija q\u00eb kryhen n\u00ebn diell.\n4:4 Pash\u00eb gjithashtu q\u00eb \u00e7do mund dhe \u00e7do sukses n\u00eb pun\u00eb ngjallin smir\u00ebn njerit kund\u00ebr tjetrit. Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi dhe nj\u00eb p\u00ebrpjekje p\u00ebr t\u00eb kapur er\u00ebn.\n4:5 Budallai rri me duar t\u00eb kryqezuara dhe ha mishin e vet.\n4:6 Vlen m\u00eb tep\u00ebr nj\u00eb grusht me pushim se sa dy grushte, me mundim, duke u p\u00ebrpjekur t\u00eb kap\u00ebsh er\u00ebn.\n4:7 Kam par\u00eb edhe nj\u00eb kot\u00ebsi tjet\u00ebr n\u00ebn diell;\n4:8 dikush \u00ebsht\u00eb krejt vet\u00ebm dhe nuk ka as bir as v\u00eblla, megjithat\u00eb mundi i tij nuk ka t\u00eb sosur dhe syt\u00eb e tij nuk jan\u00eb ngopur me pasuri. Por nuk e pyet veten: \"P\u00ebr k\u00eb po lodhem dhe e l\u00eb veten pa asnj\u00eb t\u00eb mir\u00eb?\". Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi dhe nj\u00eb mundim i r\u00ebnd\u00eb.\n4:9 Dy vlejn\u00eb m\u00eb mir\u00eb se nj\u00eb i vet\u00ebm, sepse kan\u00eb nj\u00eb shp\u00ebrblim t\u00eb mir\u00eb p\u00ebr mundin e tyre.\n4:10 N\u00eb fakt n\u00eb se rr\u00ebzohen, njeri ngre tjetrin; por mjer\u00eb ai q\u00eb \u00ebsht\u00eb vet\u00ebm dhe rr\u00ebzohet, sepse nuk ka njeri q\u00eb ta ngrer\u00eb!\n4:11 K\u00ebshtu gjithashtu n\u00eb se dy veta flen\u00eb bashk\u00eb, ata kan\u00eb mund\u00ebsi t\u00eb ngrohen; por ai q\u00eb \u00ebsht\u00eb vet\u00ebm si do t'ia b\u00ebj\u00eb t\u00eb ngrohet?\n4:12 N\u00eb rast se dikush mund t\u00eb mposht\u00eb at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb vet\u00ebm, dy veta mund t'i rezistojn\u00eb; nj\u00eb litar tresh nuk k\u00ebputet aq shpejt.\n4:13 \u00c9sht\u00eb m\u00eb mir\u00eb nj\u00eb i ri i varf\u00ebr dhe i urt\u00eb se sa nj\u00eb mbret plak dhe budalla, q\u00eb nuk di m\u00eb t\u00eb pranoj\u00eb qortime.\n4:14 Sepse i riu ka dal\u00eb nga burgu p\u00ebr t\u00eb mbret\u00ebruar, megjith\u00ebse kishte lindur i varf\u00ebr n\u00eb mbret\u00ebrin\u00eb e tij.\n4:15 I pash\u00eb t\u00ebr\u00eb t\u00eb gjall\u00ebt q\u00eb ecnin n\u00ebn diell p\u00ebr t'u bashkuar me t\u00eb riun, q\u00eb shkon t\u00eb z\u00ebr\u00eb vendin e tjetrit.\n4:16 Ishte i panum\u00ebrt gjith\u00eb populli, gjith\u00eb ata q\u00eb kishin qen\u00eb para tyre. Megjithat\u00eb ata q\u00eb do t\u00eb vijn\u00eb m\u00eb pas nuk do t\u00eb jen\u00eb t\u00eb k\u00ebnaqur prej tij! Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi dhe nj\u00eb p\u00ebrpjekje p\u00ebr t\u00eb kapur er\u00ebn.\n5:1 Ki kujdes hapat e tua kur shkon te sht\u00ebpia e Per\u00ebndis\u00eb; afrohu p\u00ebr t\u00eb d\u00ebgjuar n\u00eb vend q\u00eb t\u00eb ofrosh flijimin e budallenjve, t\u00eb cil\u00ebt as nuk din\u00eb q\u00eb veprojn\u00eb keq.\n5:2 Mos u nxito me goj\u00ebn t\u00ebnde, dhe zemra jote t\u00eb mos shpejtohet t\u00eb thot\u00eb asnj\u00eb fjal\u00eb p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb, sepse Per\u00ebndia \u00ebsht\u00eb n\u00eb qiell dhe ti mbi tok\u00eb; prandaj fjal\u00ebt e tua t\u00eb jen\u00eb t\u00eb pakta.\n5:3 Sepse nga pun\u00ebt e shumta vijn\u00eb \u00ebndrrat, dhe nga fjal\u00ebt e shumta z\u00ebri i budallait.\n5:4 Kur i ke b\u00ebr\u00eb nj\u00eb zotim Per\u00ebndis\u00eb mos humb koh\u00eb ta plot\u00ebsosh, sepse ai nuk k\u00ebnaqet me budallenjt\u00eb; plot\u00ebso zotimin q\u00eb ke marr\u00eb.\n5:5 M\u00eb mir\u00eb t\u00eb mos marr\u00ebsh zotime se sa t'i b\u00ebsh dhe t\u00eb mos i plot\u00ebsosh.\n5:6 Mos lejo q\u00eb goja jote ta \u00e7oj\u00eb trupin t\u00ebnd t\u00eb m\u00ebkatoj\u00eb dhe mos thuaj para lajm\u00ebtarit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb: \"Ka qen\u00eb gabim\". Pse Per\u00ebndia duhet t\u00eb zem\u00ebrohej me fjal\u00ebt e tua dhe t\u00eb shkat\u00ebrronte vepr\u00ebn e duarve t\u00eb tua?\n5:7 Sepse n\u00eb \u00ebndrrat e shumta dhe n\u00eb fjal\u00ebt e shumta ka kot\u00ebsi; por ti ke frik\u00eb nga Per\u00ebndia.\n5:8 N\u00eb rast se n\u00eb provinc\u00eb sheh shtypjen e t\u00eb varf\u00ebrit dhe shkeljen me dhun\u00eb t\u00eb s\u00eb drejt\u00ebs dhe t\u00eb drejt\u00ebsis\u00eb, mos u habit nga kjo gj\u00eb; sepse mbi nj\u00eb pushtet t\u00eb lart\u00eb ndodhet nj\u00eb m\u00eb i lart\u00eb dhe mbi ta disa pushtete akoma m\u00eb t\u00eb larta.\n5:9 Toka ofron p\u00ebrfitime m\u00eb t\u00eb m\u00ebdha se \u00e7do gj\u00eb tjet\u00ebr, dhe vet\u00eb mbreti sh\u00ebrbehet nga fusha.\n5:10 Kush \u00ebsht\u00eb i dh\u00ebn\u00eb pas paras\u00eb, nuk ngopet kurr\u00eb me para, dhe kush d\u00ebshiron pasurit\u00eb nxjerr p\u00ebrfitim prej tyre. Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi.\n5:11 Kur rritet pasuria, shtohen edhe ata q\u00eb e p\u00ebrpijn\u00eb; dhe \u00e7far\u00eb p\u00ebrfitimi kan\u00eb prej saj pronar\u00ebt, ve\u00e7 asaj q\u00eb e shohin me syt\u00eb e tyre?\n5:12 I \u00ebmb\u00ebl \u00ebsht\u00eb gjumi i punonj\u00ebsit, qoft\u00eb edhe kur ha pak ose shum\u00eb; por velitja e t\u00eb pasurit nuk e l\u00eb at\u00eb t\u00eb fler\u00eb.\n5:13 \u00c9sht\u00eb nj\u00eb e keqe tjet\u00ebr e vajtueshme q\u00eb kam par\u00eb n\u00ebn diell: pasurit\u00eb e ruajtura p\u00ebr pronarin e tyre n\u00eb d\u00ebm t\u00eb tij.\n5:14 K\u00ebto pasuri humbasin p\u00ebr shkak t\u00eb nj\u00eb pune t\u00eb keqe, dhe k\u00ebshtu n\u00eb duart e birit q\u00eb ka lindur nuk mbetet m\u00eb asgj\u00eb.\n5:15 Ashtu si ka dal\u00eb nga barku i n\u00ebn\u00ebs, k\u00ebshtu lakuriq do t\u00eb kthehet p\u00ebr t\u00eb shkuar si pati ardhur, pa marr\u00eb gj\u00eb nga mundi i tij q\u00eb mund ta marr\u00eb me vete.\n5:16 Edhe kjo \u00ebsht\u00eb nj\u00eb e keqe e vajtueshme q\u00eb duhet t\u00eb shkoj\u00eb pik\u00ebrisht ashtu si ka ardhur; dhe \u00e7far\u00eb p\u00ebrfitimi ka se \u00ebsht\u00eb munduar p\u00ebr er\u00ebn?\n5:17 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj ai ha \u00e7do dit\u00eb t\u00eb jet\u00ebs s\u00eb tij n\u00eb err\u00ebsirr\u00eb, dhe ka shum\u00eb hidh\u00ebrime, s\u00ebmundje dhe telashe.\n5:18 Ja \u00e7far\u00eb kuptova: \u00ebsht\u00eb mir\u00eb dhe e p\u00ebrshtatshme p\u00ebr njeriun t\u00eb haj\u00eb, t\u00eb pij\u00eb dhe t\u00eb g\u00ebzoj\u00eb t\u00eb mir\u00ebn e gjith\u00eb mundit t\u00eb tij n\u00ebn diell, t\u00ebr\u00eb dit\u00ebt e jet\u00ebs q\u00eb Per\u00ebndia i jep, sepse kjo \u00ebsht\u00eb pjesa e tij.\n5:19 \u00c7do njeriu t\u00eb cilit Per\u00ebndia i jep pasuri dhe t\u00eb mira dhe t\u00eb cilit i jep gjithashtu mund\u00ebsin\u00eb t'i g\u00ebzoj\u00eb ato, t\u00eb marr\u00eb pjes\u00ebn e vet dhe t\u00eb g\u00ebzoj\u00eb mundin e tij, kjo \u00ebsht\u00eb nj\u00eb dhurat\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb.\n5:20 N\u00eb fakt ai nuk do t\u00eb kujtoj\u00eb shum\u00eb dit\u00ebt e jet\u00ebs s\u00eb tij, sepse Per\u00ebndia i p\u00ebrgjigjet me g\u00ebzimin e zemr\u00ebs s\u00eb tij.\n6:1 \u00c9sht\u00eb nj\u00eb e keqe tjet\u00ebr q\u00eb kam par\u00eb n\u00ebn diell dhe q\u00eb \u00ebsht\u00eb e p\u00ebrhapur midis njer\u00ebzve:\n6:2 dikujt Per\u00ebndia i ka dh\u00ebn\u00eb pasuri, t\u00eb mira dhe lavdi, dhe nuk i mungon asgj\u00eb nga gjith\u00eb ato q\u00eb mund t\u00eb d\u00ebshiroj\u00eb, por Per\u00ebndia nuk i jep mund\u00ebsin\u00eb t'i g\u00ebzoj\u00eb, por i g\u00ebzon nj\u00eb i huaj. Kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi dhe nj\u00eb e keqe e madhe.\n6:3 N\u00eb qoft\u00eb se dikujt i lindin nj\u00ebqind bij dhe jeton shum\u00eb vite dhe t\u00eb shumta jan\u00eb dit\u00ebt e viteve t\u00eb tij, por shpirti i tij nuk ngopet me t\u00eb mira dhe nuk ka as varr un\u00eb them se nj\u00eb d\u00ebshtim \u00ebsht\u00eb m\u00eb i lumtur se ai;\n6:4 sepse ka ardhuar m\u00eb kot dhe po ik\u00ebn n\u00eb terr, dhe emri i tij \u00ebsht\u00eb mbuluar nga terri.\n6:5 Edhe sikur t\u00eb mos e ket\u00eb par\u00eb as njohur diellin, megjithat\u00eb ka m\u00eb shum\u00eb pushim se tjetri.\n6:6 Po, edhe sikur t\u00eb duhej t\u00eb jetonte dy her\u00eb nj\u00eb mij\u00eb vjet, por pa mundur t\u00eb g\u00ebzoj\u00eb t\u00eb mirat e tij. A nuk mbarojn\u00eb t\u00eb gjitha n\u00eb po at\u00eb vend?\n6:7 T\u00ebr\u00eb mundi i njeriut \u00ebsht\u00eb p\u00ebr goj\u00ebn e tij, megjithat\u00eb oreksi i tij nuk ngopet kurr\u00eb.\n6:8 \u00c7'p\u00ebrfitim ka i urti mbi budallan\u00eb? \u00c7'p\u00ebrfitim ka i varf\u00ebri n\u00eb rast se di t\u00eb ec\u00eb p\u00ebrpara njer\u00ebzve t\u00eb gjall\u00eb?\n6:9 \u00c9sht\u00eb m\u00eb mir\u00eb t\u00eb shikosh me sy se sa t\u00eb endesh me d\u00ebshir\u00ebn. Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi dhe nj\u00eb p\u00ebrpjekje p\u00ebr t\u00eb kapur er\u00ebn.\n6:10 Ajo q\u00eb \u00ebsht\u00eb, prej kohe \u00ebsht\u00eb quajtur me emrin e vet dhe dihet se \u00e7'\u00ebsht\u00eb njeriu, dhe q\u00eb nuk mund t\u00eb hahet me at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb m\u00eb i fort\u00eb se ai.\n6:11 Duke qen\u00eb se ka shum\u00eb gj\u00ebra q\u00eb e shtojn\u00eb kot\u00ebsin\u00eb, \u00e7far\u00eb p\u00ebrfitimi ka prej tyre njeriu?\n6:12 Kush e di n\u00eb fakt \u00e7'\u00ebsht\u00eb e mir\u00eb p\u00ebr njeriun n\u00eb k\u00ebt\u00eb jet\u00eb, gjat\u00eb t\u00ebr\u00eb dit\u00ebve t\u00eb jet\u00ebs s\u00eb tij t\u00eb kot\u00eb q\u00eb ai i kalon si nj\u00eb hije? Kush mund t'i thot\u00eb njeriut \u00e7far\u00eb ka p\u00ebr t\u00eb ndodhur pas tij n\u00ebn diell?\n7:1 Nj\u00eb em\u00ebr i mir\u00eb p\u00eblqehet m\u00eb tep\u00ebr se nj\u00eb vaj i parfumuar, dhe dita e vdekjes \u00ebsht\u00eb m\u00eb e mir\u00eb se dita e lindjes.\n7:2 \u00c9sht\u00eb m\u00eb mir\u00eb t\u00eb shkosh n\u00eb nj\u00eb sht\u00ebpi ku mbahet zi se sa t\u00eb shkosh n\u00eb nj\u00eb sht\u00ebpi ku ka fest\u00eb, sepse ky \u00ebsht\u00eb fundi i \u00e7do njeriu, dhe kush rron ka p\u00ebr t\u00eb v\u00ebn\u00eb mend.\n7:3 Trishtimi \u00ebsht\u00eb m\u00eb i mir\u00eb nga gazi, sepse p\u00ebrpara nj\u00eb fytyre t\u00eb trishtuar zemra b\u00ebhet m\u00eb e mir\u00eb.\n7:4 Zemra e t\u00eb urtit \u00ebsht\u00eb n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb ku mbahet zi, por zemra e budallenjve \u00ebsht\u00eb n\u00eb nj\u00eb sht\u00ebpi t\u00eb g\u00ebzuar.\n7:5 \u00c9sht\u00eb m\u00eb mir\u00eb p\u00ebr dik\u00eb t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb qortimin e t\u00eb urtit se sa t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb k\u00ebng\u00ebn e budallenjve,\n7:6 sepse ashtu si\u00e7 \u00ebsht\u00eb k\u00ebrcitja e shkurreve n\u00ebn nj\u00eb tenxhere, k\u00ebshtu \u00ebsht\u00eb e qeshura e budallait. Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi.\n7:7 Me siguri shtypja e b\u00ebn t\u00eb pamend njeriun e urt\u00eb, dhe dhurata b\u00ebn q\u00eb t\u00eb humbas\u00eb arsyen.\n7:8 M\u00eb mir\u00eb fundi i nj\u00eb gj\u00ebje se fillimi i saj, dhe m\u00eb mir\u00eb ai q\u00eb ka frym\u00eb t\u00eb duruesh\u00ebm se ai q\u00eb ka frym\u00eb krenar.\n7:9 Mos u nxito n\u00eb frym\u00ebn t\u00ebnd t\u00eb zem\u00ebrohesh, sepse zem\u00ebrimi gjen streh\u00eb n\u00eb gji t\u00eb budallenjve.\n7:10 Mos thuaj: \"Si \u00ebsht\u00eb e mundur q\u00eb dit\u00ebt e kaluara ishin m\u00eb t\u00eb mira nga k\u00ebto?\", sepse nuk \u00ebsht\u00eb urt\u00ebsi t\u00eb b\u00ebsh nj\u00eb pyetje t\u00eb till\u00eb.\n7:11 Dituria \u00ebsht\u00eb e mir\u00eb bashk\u00eb me nj\u00eb pasuri dhe u sjell p\u00ebrfitime atyre q\u00eb shohin diellin.\n7:12 Sepse dituria \u00ebsht\u00eb nj\u00eb mbrojtje ashtu si \u00ebsht\u00eb paraja; por ep\u00ebrsia e dituris\u00eb q\u00ebndron n\u00eb k\u00ebt\u00eb; dituria i b\u00ebn t\u00eb jetojn\u00eb ata q\u00eb e zot\u00ebrojn\u00eb.\n7:13 Konsideroje vepr\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb: kush mund t\u00eb drejtoj\u00eb at\u00eb q\u00eb ai ka b\u00ebr\u00eb t\u00eb shtr\u00ebmb\u00ebr?\n7:14 N\u00eb dit\u00ebn e boll\u00ebkut ji i g\u00ebzuar, por n\u00eb dit\u00ebn e fatkq\u00ebsis\u00eb mendohu thell\u00eb. Per\u00ebndia ka b\u00ebr\u00eb si njer\u00ebn ashtu dhe tjetr\u00ebn, me q\u00ebllim q\u00eb njeriu t\u00eb mos zbuloj\u00eb asgj\u00eb nga ato q\u00eb do t\u00eb ndodhin pas tij.\n7:15 Pash\u00eb gjith\u00e7ka n\u00eb dit\u00ebt e kot\u00ebsis\u00eb sime. Ndodh q\u00eb i drejti t\u00eb vdes\u00eb n\u00eb drejt\u00ebsin\u00eb e vet dhe q\u00eb i pabesi t\u00eb jetoj\u00eb gjat\u00eb n\u00eb lig\u00ebsin\u00eb e tij.\n7:16 Mos ji tep\u00ebr i drejt\u00eb as i urt\u00eb jasht\u00eb mase. Pse k\u00ebrkon t\u00eb shkat\u00ebrohesh?\n7:17 Mos ji tep\u00ebr i keq dhe mos u trego budalla. Pse k\u00ebrkon t\u00eb vdes\u00ebsh para koh\u00ebs sate?\n7:18 \u00c9sht\u00eb mir\u00eb q\u00eb ti t\u00eb kapesh pas k\u00ebsaj gj\u00ebje dhe t\u00eb mos heq\u00ebsh dor\u00eb prej saj, sepse ai q\u00eb ka frik\u00eb Per\u00ebndin\u00eb do t'u shmanget t\u00ebr\u00eb k\u00ebtyre gj\u00ebrave.\n7:19 Dituria e b\u00ebn t\u00eb urtin m\u00eb t\u00eb fort\u00eb se dhjet\u00eb t\u00eb fuqish\u00ebm n\u00eb nj\u00eb qytet.\n7:20 Nuk ka n\u00eb fakt asnj\u00eb njeri t\u00eb drejt\u00eb mbi tok\u00eb q\u00eb b\u00ebn t\u00eb mir\u00ebn dhe t\u00eb mos m\u00ebkatoj\u00eb.\n7:21 P\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj mos u v\u00ebr veshin t\u00ebr\u00eb fjal\u00ebve q\u00eb thuhen, q\u00eb t\u00eb mos mallkohesh nga sh\u00ebrb\u00ebtori yt,\n7:22 sepse zemra jote gjithashtu e di q\u00eb ti vet i ke mallkuar shum\u00eb her\u00eb t\u00eb tjer\u00ebt.\n7:23 Un\u00eb i hetova t\u00eb gjitha k\u00ebto gj\u00ebra me dituri. Thash\u00eb: \"Do t\u00eb b\u00ebhem i urt\u00eb\", por dituria \u00ebsht\u00eb mjaft larg nga un\u00eb.\n7:24 Nj\u00eb gj\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb kaq larg dhe kaq e thell\u00eb, kush mund ta gjej\u00eb?\n7:25 At\u00ebher\u00eb e vura zemr\u00ebn time t\u00eb njoh\u00eb, t\u00eb hetoj\u00eb dhe t\u00eb k\u00ebrkoj\u00eb diturin\u00eb dhe shkakun e gj\u00ebrave dhe t\u00eb njoh\u00eb lig\u00ebsin\u00eb e marr\u00ebzis\u00eb dhe budallall\u00ebkun e marr\u00ebzis\u00eb;\n7:26 dhe gjeta nj\u00eb gj\u00eb m\u00eb t\u00eb hidhur se vdekja; gruan zemra e s\u00eb cil\u00ebs \u00ebsht\u00eb kurth dhe grack\u00eb dhe duart e s\u00eb cil\u00ebs jan\u00eb pranga. Kush i p\u00eblqen Per\u00ebndis\u00eb i shp\u00ebton asaj; por m\u00ebkatari do t\u00eb kapet nga ajo.\n7:27 Ja ajo q\u00eb gjeta\", thot\u00eb Predikuesi, \"duke i shqyrtuar nj\u00eb p\u00ebr nj\u00eb gj\u00ebrat, p\u00ebr t\u00eb gjetur shkakun e tyre.\n7:28 At\u00eb q\u00eb un\u00eb po k\u00ebrkoj ende, por nuk e kam gjetur; nj\u00eb burr\u00eb nd\u00ebr nj\u00eb mij\u00eb e gjeta, por nj\u00eb grua n\u00eb mes gjith\u00eb atyre nuk e gjeta.\n7:29 Ja, vet\u00ebm k\u00ebt\u00eb gjeta: Per\u00ebndia e ka b\u00ebr\u00eb njeriun t\u00eb drejt\u00eb, por njer\u00ebzit kan\u00eb k\u00ebrkuar shum\u00eb marifete.\n8:1 Kush \u00ebsht\u00eb si i urti? Kush e njeh interpretimin e sendeve? Dituria e njeriut b\u00ebn q\u00eb t\u00eb shk\u00eblqej\u00eb fytyra e tij dhe e ndryshon ashp\u00ebrsin\u00eb e fytyr\u00ebs s\u00eb tij.\n8:2 Un\u00eb t\u00eb jap nj\u00eb k\u00ebshill\u00eb: respekto urdh\u00ebrin e mbretit p\u00ebr shkak t\u00eb betimit t\u00eb b\u00ebr\u00eb Per\u00ebndis\u00eb.\n8:3 Mos u nxito t\u00eb largohesh nga prania e tij dhe mos ngul k\u00ebmb\u00eb n\u00eb nj\u00eb gj\u00eb t\u00eb keqe, sepse ai b\u00ebn t\u00eb gjitha gj\u00ebrat q\u00eb i p\u00eblqen.\n8:4 N\u00eb fakt fjala e mbretit \u00ebsht\u00eb e fuqishme; dhe kush mund t'i thot\u00eb: \"\u00c7far\u00eb po b\u00ebn?\".\n8:5 Kush respekton urdh\u00ebrin e tij nuk do t\u00eb p\u00ebsoj\u00eb asnj\u00eb t\u00eb keqe; zemra e njeriut t\u00eb urt\u00eb di n\u00eb fakt t\u00eb dalloj\u00eb koh\u00ebn dhe gjykimin,\n8:6 sepse p\u00ebr \u00e7do gj\u00eb ka nj\u00eb koh\u00eb dhe nj\u00eb gjykim, dhe lig\u00ebsia e njeriut r\u00ebndon shum\u00eb mbi t\u00eb.\n8:7 Sepse ai nuk e di \u00e7far\u00eb ka p\u00ebr t\u00eb ndodhur; kush n\u00eb fakt do t'i tregoj\u00eb si do t\u00eb ven\u00eb gj\u00ebrat?\n8:8 Nuk ka njeri q\u00eb t\u00eb ket\u00eb pushtet mbi frym\u00ebn p\u00ebr ta p\u00ebrmbajtur, apo t\u00eb ket\u00eb pushtet mbi dit\u00ebn e vdekjes. Nuk ka leje n\u00eb betej\u00eb, dhe padrejt\u00ebsia nuk mund t\u00eb shp\u00ebtoj\u00eb at\u00eb q\u00eb e kryen.\n8:9 E pash\u00eb t\u00ebr\u00eb k\u00ebt\u00eb gj\u00eb dhe vura mend p\u00ebr t\u00eb gjitha gj\u00ebrat q\u00eb b\u00ebhen n\u00ebn diell; ka nj\u00eb koh\u00eb kur nj\u00eb njeri sundon mbi nj\u00eb tjet\u00ebr p\u00ebr ta d\u00ebmtuar.\n8:10 Pastaj pash\u00eb t\u00eb pabes\u00ebt q\u00eb u varros\u00ebn, t\u00eb cil\u00ebt kishin hyr\u00eb dhe kishin dal\u00eb nga vendi i shenjt\u00eb; edhe ata ishin harruar n\u00eb qytetin ku kishin b\u00ebr\u00eb k\u00ebto gj\u00ebra. Edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi.\n8:11 Sepse vendimi kund\u00ebr nj\u00eb veprimi t\u00eb keq nuk zbatohet menj\u00ebher\u00eb, zemra e bijve t\u00eb njer\u00ebzve \u00ebsht\u00eb e mbushur nga d\u00ebshira p\u00ebr t\u00eb b\u00ebr\u00eb t\u00eb keqen.\n8:12 Edhe n\u00eb qoft\u00eb se m\u00ebkatari b\u00ebn nj\u00ebqind her\u00eb t\u00eb keqen dhe i zgjat dit\u00ebt e tij, megjithat\u00eb, un\u00eb e di q\u00eb do t\u00eb ken\u00eb t\u00eb mir\u00ebn ata q\u00eb kan\u00eb frik\u00eb nga Per\u00ebndia, q\u00eb kan\u00eb frik\u00eb para tij.\n8:13 Por nuk ka t\u00eb mir\u00eb p\u00ebr t\u00eb pabesin, dhe nuk ka p\u00ebr t'i zgjatur dit\u00ebt e tij si hija sepse nuk ka frik\u00eb p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb.\n8:14 \u00c9sht\u00eb nj\u00eb kot\u00ebsi q\u00eb ndodh mbi tok\u00eb; ka njer\u00ebz t\u00eb drejt\u00eb q\u00eb trajtohen ashtu sikur i p\u00ebrket vepr\u00ebs t\u00eb t\u00eb pabes\u00ebve, dhe ka t\u00eb pabes\u00eb q\u00eb trajtohen sikur i p\u00ebrket vepr\u00ebs t\u00eb t\u00eb drejt\u00ebve. Kam th\u00ebn\u00eb q\u00eb edhe kjo \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi.\n8:15 K\u00ebshtu l\u00ebvdova haren\u00eb, sepse nuk ka gj\u00eb m\u00eb t\u00eb mir\u00eb p\u00ebr njeriun n\u00ebn diell se t\u00eb haj\u00eb, t\u00eb pij\u00eb dhe t\u00eb jet\u00eb i g\u00ebzuar, sepse kjo i mbetet n\u00eb mundin e tij gjat\u00eb dit\u00ebve t\u00eb jet\u00ebs q\u00eb Per\u00ebndia i ka dh\u00ebn\u00eb n\u00ebn diell.\n8:16 Kur un\u00eb e vura zemr\u00ebn time t\u00eb njoh\u00eb diturin\u00eb dhe t\u00eb mendoj\u00eb p\u00ebrpjekjet q\u00eb b\u00ebhen mbi tok\u00eb (edhe kur dikush nuk i l\u00eb t\u00eb pushojn\u00eb syt\u00eb e tij as dit\u00ebn as nat\u00ebn),\n8:17 at\u00ebher\u00eb pash\u00eb gjith\u00eb vepr\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb njeriu nuk mund t\u00eb arrij\u00eb t\u00eb zbuloj\u00eb t\u00eb gjitha ato q\u00eb b\u00ebhen n\u00ebn diell sepse, edhe sikur njeriu t\u00eb mundohet duke k\u00ebrkuar, nuk arrin t'i zbuloj\u00eb; edhe sikur i urti t\u00eb thot\u00eb q\u00eb e di, nuk \u00ebsht\u00eb n\u00eb gjendje t'i zbuloj\u00eb.\n9:1 K\u00ebshtu un\u00eb e mendova gjith\u00eb k\u00ebt\u00eb n\u00eb zemr\u00ebn time p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar ta qart\u00ebsoj; q\u00eb t\u00eb drejt\u00ebt dhe t\u00eb urt\u00ebt dhe veprat e tyre jan\u00eb n\u00eb duart e Per\u00ebndis\u00eb. Njeriu nuk njeh as dashurin\u00eb as urrejtjen; gjith\u00e7ka \u00ebsht\u00eb para tij.\n9:2 \u00c7do gj\u00eb u ndodh n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb nj\u00ebllojt\u00eb t\u00eb gjith\u00ebve: i nj\u00ebjti fat pret t\u00eb drejtin dhe t\u00eb pabesin, t\u00eb mirin, t\u00eb pastrin dhe t\u00eb papastrin, at\u00eb q\u00eb ofron flijime dhe at\u00eb q\u00eb nuk i ofron. Si i miri \u00ebsht\u00eb edhe m\u00ebkatari, dhe ai q\u00eb betohet si ai q\u00eb ka frik\u00eb t\u00eb betohet.\n9:3 Kjo \u00ebsht\u00eb nj\u00eb e keqe q\u00eb b\u00ebhet n\u00ebn diell; t\u00eb gjith\u00eb kan\u00eb t\u00eb nj\u00ebjtin fat, dhe p\u00ebrve\u00e7 k\u00ebsaj zemra e bijve t\u00eb njer\u00ebzve \u00ebsht\u00eb plot lig\u00ebsi dhe marr\u00ebzia q\u00ebndron n\u00eb zemr\u00ebn e tyre p\u00ebr deri sa jetojn\u00eb; pastaj shkojn\u00eb te t\u00eb vdekurit.\n9:4 P\u00ebr deri sa njeriu \u00ebsht\u00eb i bashkuar me gjith\u00eb t\u00eb gjall\u00ebt e tjer\u00eb ka shpres\u00eb, sepse nj\u00eb qen i gjall\u00eb vlen m\u00eb tep\u00ebr se nj\u00eb luan i ngordhur.\n9:5 T\u00eb gjall\u00ebt n\u00eb fakt e din\u00eb se kan\u00eb p\u00ebr t\u00eb vdekur, por t\u00eb vdekurit nuk din\u00eb asgj\u00eb; p\u00ebr ta nuk ka m\u00eb asnj\u00eb shp\u00ebrblim, sepse kujtimi i tyre harrohet.\n9:6 Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre jan\u00eb zhdukur tashm\u00eb, dhe ata nuk do t\u00eb ken\u00eb asnj\u00eb pjes\u00eb n\u00eb t\u00eb gjitha ato q\u00eb b\u00ebhet n\u00ebn diell.\n9:7 Shko, ha buk\u00ebn t\u00ebnde me g\u00ebzim dhe pi ver\u00ebn t\u00ebnde me zem\u00ebr t\u00eb g\u00ebzuar, sepse Per\u00ebndia i ka p\u00eblqyer veprat e tua.\n9:8 Rrobat e tua qofshin t\u00eb bardha n\u00eb \u00e7do koh\u00eb dhe vaji mos mungoft\u00eb kurr\u00eb mbi kok\u00ebn t\u00ebnde.\n9:9 G\u00ebzoje jet\u00ebn me gruan q\u00eb do p\u00ebr t\u00eb gjitha dit\u00ebt e jet\u00ebs t\u00ebnde t\u00eb kot\u00ebsis\u00eb, q\u00eb ai t\u00eb ka dh\u00ebn\u00eb n\u00ebn diell p\u00ebr t\u00eb gjitha dit\u00ebt e kot\u00ebsis\u00eb, sepse kjo \u00ebsht\u00eb pjesa q\u00eb t\u00eb takon n\u00eb jet\u00eb dhe n\u00eb mundin q\u00eb kryen n\u00ebn diell.\n9:10 T\u00ebr\u00eb ato q\u00eb dora jote gjen p\u00ebr t\u00eb b\u00ebr\u00eb, b\u00ebji me gjith\u00eb forc\u00ebn t\u00ebnde, sepse n\u00eb Sheol ku po shkon nuk ka m\u00eb as pun\u00eb, as mendim, as njohuri dhe as dituri.\n9:11 Gjithashtu pash\u00eb n\u00ebn diell q\u00eb vrapimi nuk fitohet nga ai q\u00eb \u00ebsht\u00eb i shpejt\u00eb as beteja nga t\u00eb fort\u00ebt; as buka nuk u shkon t\u00eb urt\u00ebve, as pasurit\u00eb njer\u00ebzve t\u00eb zgjuar, as favori atyre q\u00eb jan\u00eb t\u00eb shkath\u00ebt,\n9:12 Sepse njeriu nuk e njeh or\u00ebn e tij; ashtu si peshqit q\u00eb kapen n\u00eb nj\u00eb rjet\u00eb mizore dhe si zogjt\u00eb q\u00eb kapen n\u00eb nj\u00eb kurth, k\u00ebshtu bijt\u00eb e njer\u00ebzve kapen n\u00eb kurth n\u00eb koh\u00ebn e fatkeq\u00ebsis\u00eb, kur ajo bie papritur mbi ta.\n9:13 E pash\u00eb edhe k\u00ebt\u00eb shembull t\u00eb dituris\u00eb n\u00ebn diell dhe m'u duk i madh.\n9:14 Ishte nj\u00eb qytet i vog\u00ebl me pak njer\u00ebz brenda; nj\u00eb mbret i madh doli kundra, e rrethoi dhe nd\u00ebrtoi bastione t\u00eb m\u00ebdha.\n9:15 Por gjendej n\u00eb t\u00eb nj\u00eb njeri i varf\u00ebr dhe i urt\u00eb, i cili me diturin\u00eb e tij e shp\u00ebtoi qytetin. Megjithat\u00eb asnjeri nuk u kujtua p\u00ebr k\u00ebt\u00eb njeri t\u00eb varf\u00ebr.\n9:16 At\u00ebher\u00eb un\u00eb thash\u00eb: \"Dituria vlen m\u00eb shum\u00eb se forca; por dituria e t\u00eb varf\u00ebrit p\u00ebrbuzet dhe fjal\u00ebt e tij nuk d\u00ebgjohen\".\n9:17 Fjal\u00ebt e t\u00eb urt\u00ebve q\u00eb thuhen shtruar d\u00ebgjohen m\u00eb mir\u00eb se britmat e atij q\u00eb sundon mbi budallenjt\u00eb.\n9:18 Dituria vlen m\u00eb tep\u00ebr se arm\u00ebt e luft\u00ebs, por nj\u00eb m\u00ebkatar i vet\u00ebm shkat\u00ebrron nj\u00eb t\u00eb mir\u00eb t\u00eb madhe.\n10:1 Mizat e ngordhura e qelbin vajin e parfumierit; k\u00ebshtu pak marr\u00ebzi prish vler\u00ebn e dituris\u00eb dhe t\u00eb lavdis\u00eb.\n10:2 Zemra e t\u00eb urtit \u00ebsht\u00eb n\u00eb t\u00eb djatht\u00eb t\u00eb tij, por zemra e budallait \u00ebsht\u00eb n\u00eb t\u00eb majt\u00eb t\u00eb tij.\n10:3 Edhe kur budallai ec\u00ebn rrug\u00ebs, arsyeja i mungon dhe u tregon t\u00eb gjith\u00ebve se \u00ebsht\u00eb budalla.\n10:4 N\u00eb qoft\u00eb se zem\u00ebrimi i nj\u00eb mbreti ndizet kund\u00ebr teje, mos e l\u00ebr vendin t\u00ebnd, sepse gjakftoht\u00ebsia i fashit fyerjet edhe kur jan\u00eb t\u00eb r\u00ebnda;\n10:5 \u00c9sht\u00eb nj\u00eb e keqe q\u00eb kam par\u00eb n\u00ebn diell, nj\u00eb gabim q\u00eb vjen nga ai q\u00eb qeveris;\n10:6 marr\u00ebzia \u00ebsht\u00eb v\u00ebn\u00eb n\u00eb detyra t\u00eb larta, nd\u00ebrsa t\u00eb pasurit ulen n\u00eb v\u00ebnde t\u00eb ul\u00ebta.\n10:7 Kam par\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb mbi kuaj dhe princa t\u00eb ecin m\u00eb k\u00ebmb\u00eb si sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb.\n10:8 Kush \u00e7el nj\u00eb grop\u00eb mund t\u00eb bjer\u00eb br\u00ebnda dhe kush rr\u00ebzon nj\u00eb mur mund t\u00eb kafshohet nga nj\u00eb gjarp\u00ebr.\n10:9 Kush zhvendos gur\u00eb mund t\u00eb plagoset dhe kush \u00e7an drut\u00eb vihet n\u00eb rrezik.\n10:10 N\u00eb qoft\u00eb se s\u00ebpata topitet dhe nuk mprehet, duhet t\u00eb p\u00ebrdoret me m\u00eb tep\u00ebr forc\u00eb; por dituria ka ep\u00ebrsin\u00eb t'ia dal\u00eb gjithnj\u00eb mbar\u00eb.\n10:11 N\u00eb qoft\u00eb se gjarp\u00ebri kafshon sepse nuk \u00ebsht\u00eb magjepsur, magjistari b\u00ebhet i kot\u00eb.\n10:12 Fjal\u00ebt e goj\u00ebs t\u00eb t\u00eb urtit jan\u00eb plot hir, por buz\u00ebt e budallait e shkat\u00ebrrojn\u00eb.\n10:13 Fillimi i ligj\u00ebrat\u00ebs s\u00eb tij \u00ebsht\u00eb budallall\u00ebk dhe fundi \u00ebsht\u00eb marr\u00ebzi e d\u00ebmshme.\n10:14 Edhe sikur budallai t'i shumoj\u00eb fjal\u00ebt e tij, njeriu nuk di se \u00e7far\u00eb do t\u00eb ndodh\u00eb; kush mund t'i thot\u00eb \u00e7far\u00eb do t\u00eb ndodh\u00eb pas tij?\n10:15 Lodhja e budallait e rraskapit, sepse ai nuk di as si t\u00eb shkoj\u00eb n\u00eb qytet.\n10:16 Mjer\u00eb ti, o vend, mbreti i t\u00eb cilit \u00ebsht\u00eb nj\u00eb f\u00ebmij\u00eb dhe princat e tij ia shtrojn\u00eb q\u00eb n\u00eb m\u00ebngjes!\n10:17 Lum ti, o vend, q\u00eb ke mbret nga nj\u00eb soj fisnik, dhe princa q\u00eb han\u00eb n\u00eb koh\u00ebn e duhur p\u00ebr t\u00eb v\u00ebn\u00eb n\u00eb vend forcat e tyre dhe jo p\u00ebr t'u dehur!\n10:18 P\u00ebr shkak t\u00eb p\u00ebrtacis\u00eb trar\u00ebt e sht\u00ebpis\u00eb rr\u00ebzohen dhe gjerbon p\u00ebr shkak t\u00eb plog\u00ebshtis\u00eb s\u00eb duarve.\n10:19 Nj\u00eb banket shtrohet p\u00ebr t'u d\u00ebfryer dhe vera i jep gaz jet\u00ebs, por paraja i p\u00ebrgjigjet \u00e7do nevojtari.\n10:20 Mos mallko mbretin as me mend dhe mos mallko t\u00eb pasurin n\u00eb dhom\u00ebn t\u00ebnde t\u00eb fjetjes, sepse nj\u00eb zog i qiellit mund ta \u00e7oj\u00eb larg z\u00ebrin t\u00ebnd, dhe nj\u00eb zog q\u00eb fluturon mund ta b\u00ebj\u00eb t\u00eb ditur k\u00ebt\u00eb gj\u00eb.\n11:1 Hidh buk\u00ebn t\u00ebnde mbi uj\u00ebrat, sepse pas shum\u00eb kohe do ta gjesh p\u00ebrs\u00ebri.\n11:2 Jepu pjes\u00eb shtat\u00eb, madje edhe tet\u00eb vetave, sepse ti nuk e di se \u00e7far\u00eb fatkeq\u00ebsie mund t\u00eb t\u00eb ndodh\u00eb mbi tok\u00eb.\n11:3 N\u00eb rast se ret\u00eb jan\u00eb plot me shi, e derdhin mbi tok\u00eb; dhe n\u00eb rast se nj\u00eb dru bie n\u00eb jug apo n\u00eb veri, ai mbetet aty ku bie.\n11:4 Kush e ka mendjen te era nuk ka p\u00ebr t\u00eb mbjell\u00eb dhe kush rri e shikon ret\u00eb nuk ka p\u00ebr t\u00eb korrur.\n11:5 Ashtu si ti nuk njeh rrug\u00ebn e er\u00ebs dhe m\u00ebnyr\u00ebn si formohen kockat n\u00eb barkun e gruas me barr\u00eb, k\u00ebshtu ti nuk e njeh vepr\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb q\u00eb b\u00ebn gjith\u00e7ka.\n11:6 Mbille far\u00ebn t\u00ebnde n\u00eb m\u00ebngjes dhe n\u00eb mbr\u00ebmje mos l\u00ebr dor\u00ebn t\u00ebnde t\u00eb pushoj\u00eb, sepse ti nuk e di se cili nga t\u00eb dy do t\u00eb dal\u00eb m\u00eb mir\u00eb; ky apo ai, apo do t\u00eb jen\u00eb t\u00eb mir\u00eb q\u00eb t\u00eb dy.\n11:7 Drita \u00ebsht\u00eb e \u00ebmb\u00ebl dhe \u00ebsht\u00eb di\u00e7ka e k\u00ebndshme p\u00ebr syt\u00eb q\u00eb shohin diellin.\n11:8 Edhe kur nj\u00eb njeri t\u00eb jetoj\u00eb shum\u00eb vjet, le t'i g\u00ebzoj\u00eb t\u00eb gjitha, por le t\u00eb mendoj\u00eb edhe p\u00ebr dit\u00ebt e territ q\u00eb do t\u00eb jen\u00eb t\u00eb shumta; t\u00eb gjitha ato q\u00eb do t\u00eb ndodhin jan\u00eb kot\u00ebsi.\n11:9 G\u00ebzohu, pra, o i ri, n\u00eb rinin\u00eb t\u00ebnde, le t\u00eb g\u00ebzohet zemra jote n\u00eb dit\u00ebt e rinis\u00eb sate; ndiq edhe rrug\u00ebt e zemr\u00ebs sate dhe pamjen e syve t\u00eb tu, por dije q\u00eb p\u00ebr t\u00eb gjitha k\u00ebto gj\u00ebra Per\u00ebndia do t\u00eb t\u00eb th\u00ebrras\u00eb n\u00eb gjyq.\n11:10 Elimino nga zemra jote trishtimin, dhe largo nga trupi yt dhembjen, sepse rinia dhe mituria jan\u00eb kot\u00ebsi.\n12:1 Por kujto Krijuesin t\u00ebnd n\u00eb dit\u00ebt e rinis\u00eb sate, para se t\u00eb vijn\u00eb dit\u00ebt e k\u00ebqija dhe t\u00eb arrijn\u00eb vitet p\u00ebr t\u00eb cilat ke p\u00ebr t\u00eb th\u00ebn\u00eb: \"Nuk gjej asnj\u00eb k\u00ebnaq\u00ebsi n\u00eb to\",\n12:2 para se t\u00eb err\u00ebsohet dielli, drita, h\u00ebna dhe yjet, dhe t\u00eb kthehen ret\u00eb pas shiut;\n12:3 n\u00eb mosh\u00ebn gjat\u00eb s\u00eb cil\u00ebs rojtar\u00ebt e sht\u00ebpis\u00eb dridhen, njer\u00ebzit e fort\u00eb p\u00ebrkulen, ato q\u00eb bluajn\u00eb nuk punojn\u00eb m\u00eb se kan\u00eb mbetur pak, ata q\u00eb shikojn\u00eb nga dritaret err\u00ebsohen\n12:4 dhe portat mbi rrug\u00eb mbyllen; kur pak\u00ebsohet zhurma e mokr\u00ebs, dikush \u00e7ohet me k\u00ebng\u00ebn e nj\u00eb zogu, dhe gjith\u00eb bijat e k\u00ebng\u00ebs dob\u00ebsohen;\n12:5 kur dikush ka frik\u00eb nga lart\u00ebsit\u00eb dhe nga tmerret e rrug\u00ebs; kur bajamja lul\u00ebzon, karkaleci \u00ebsht\u00eb nj\u00eb pesh\u00eb, dhe d\u00ebshira pak\u00ebsohet, sepse njeriu shkon n\u00eb banes\u00ebn e tij t\u00eb p\u00ebrjetshme dhe qaraman\u00ebt enden rrug\u00ebve.\n12:6 Kujto Krijuesin t\u00ebnd p\u00ebrpara se t\u00eb k\u00ebputet kordoni prej argjendi, t\u00eb thyhet vazoja prej ari, t\u00eb thyhet shtamba te burimi dhe t\u00eb b\u00ebhet cop\u00eb-cop\u00eb \u00e7ikriku n\u00eb pus,\n12:7 dhe pluhuri t'i kthehet tok\u00ebs si\u00e7 ishte m\u00eb par\u00eb dhe fryma t'i kthehet Per\u00ebndis\u00eb q\u00eb e ka dh\u00ebn\u00eb.\n12:8 \"Kot\u00ebsi e kot\u00ebsive\", thot\u00eb Predikuesi, \"gjith\u00e7ka \u00ebsht\u00eb kot\u00ebsi\".\n12:9 Predikuesi, p\u00ebrve\u00e7 se ka qen\u00eb nj\u00eb i urt\u00eb, i ka m\u00ebsuar gjithashtu popullit dijen dhe ka peshuar, ka k\u00ebrkuar dhe ka renditur nj\u00eb num\u00ebr t\u00eb madh fjal\u00ebsh t\u00eb urta.\n12:10 Predikuesi \u00ebsht\u00eb p\u00ebrpjekur t\u00eb gjej\u00eb fjal\u00eb t\u00eb k\u00ebndshme; dhe gj\u00ebrat e shkruara jan\u00eb t\u00eb drejta dhe t\u00eb v\u00ebrteta.\n12:11 Fjal\u00ebt e t\u00eb urt\u00ebve jan\u00eb si hosten\u00eb dhe ato q\u00eb mbledhin njer\u00ebzit e ditur jan\u00eb si gozhda t\u00eb ngulura mir\u00eb; ato jepen nga nj\u00eb Bari i vet\u00ebm.\n12:12 Biri im, ruhu nga \u00e7do gj\u00eb q\u00eb del jasht\u00eb k\u00ebsaj. Shkruhen shum\u00eb libra, por nuk mbarohet kurr\u00eb kjo pun\u00eb, dhe studimi i tep\u00ebrt e lodh trupin.\n12:13 T\u00eb d\u00ebgjojm\u00eb, pra, p\u00ebrfundimin e gjith\u00eb ligj\u00ebrat\u00ebs: \"Ki frik\u00eb nga Per\u00ebndia dhe respekto urdh\u00ebrimet e tij, sepse kjo \u00ebsht\u00eb t\u00ebr\u00ebsia e njeriut\".\n12:14 Sepse Per\u00ebndia do t\u00eb v\u00ebr\u00eb t\u00eb gjykohet \u00e7do vep\u00ebr, edhe \u00e7do gj\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb fshehur, qoft\u00eb e mir\u00eb apo e keqe.","title":"Albanian Bible: Ecclesiastes","type":"page"}
