{"collection":"Bible & Christianity","html_url":"https://unchartedknowledge.5gfusion.net/browse/bib/wb/alb/hos.htm","path":"bib/wb/alb/hos.htm","source_url":"https://sacred-texts.com/bib/wb/alb/hos.htm","text":"1:1 Fjala e Zotit q\u00eb iu drejtua Oseas, birit t\u00eb Beerit, n\u00eb dit\u00ebt e Uziahut, t\u00eb Jothamit, t\u00eb Ashazit dhe t\u00eb Ezekias, mbretit t\u00eb Jud\u00ebs, n\u00eb dit\u00ebt e Jeroboamit, birit t\u00eb Joasit, mbret i Izraelit.\n1:2 Kur Zoti filloi t'i flas\u00eb Oseas, Zoti i tha atij: \"Shko, merr p\u00ebr grua nj\u00eb prostitut\u00eb dhe ki f\u00ebmij\u00eb t\u00eb kurv\u00ebris\u00eb, sepse vendi po kurv\u00ebrohet duke u larguar nga Zoti\".\n1:3 K\u00ebshtu ai shkoi dhe mori p\u00ebr grua Gomeren, bij\u00ebn e Diblaimit, e cila u mbars dhe i lindi nj\u00eb djal\u00eb.\n1:4 At\u00ebher\u00eb Zoti i tha: \"V\u00ebri emrin Jezreel, sepse brenda nj\u00eb kohe t\u00eb shkurt\u00ebr un\u00eb do t\u00eb marr hak p\u00ebr gjakun e derdhur n\u00eb Jezreel mbi sht\u00ebpin\u00eb e Jehut dhe do t'i jap fund mbret\u00ebrimit t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Izraelit.\n1:5 Po at\u00eb dit\u00eb do t\u00eb ndodh\u00eb q\u00eb un\u00eb do t\u00eb thyej harkun e Izraelit n\u00eb lugin\u00ebn e Jezreelit\".\n1:6 Ajo u mbars p\u00ebrs\u00ebri dhe lindi nj\u00eb vajz\u00eb. At\u00ebher\u00eb Zoti i tha Oseas: \"V\u00ebri emrin Lo-ruhamah, sepse nuk do t\u00eb kem m\u00eb m\u00ebshir\u00eb p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Izraelit, por do t'i heq t\u00eb gjith\u00eb.\n1:7 P\u00ebrkundrazi do t\u00eb kem dhembshuri p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Jud\u00ebs dhe do t'i shp\u00ebtoj me an\u00eb t\u00eb Zotit, Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb tyre; nuk do t'i shp\u00ebtoj me harkun as me shpat\u00ebn apo me betej\u00ebn, as me kuajt ose me kalor\u00ebsit\".\n1:8 Kur zvordhi Lo-ruhamahen, ajo u mbars dhe lindi nj\u00eb djal\u00eb.\n1:9 At\u00ebher\u00eb Zoti i tha Oseas: \"V\u00ebri emrin Lo-ami, sepse ju nuk jeni populli im dhe un\u00eb nuk jam Per\u00ebndia juaj.\n1:10 Megjithat\u00eb numri i bijve t\u00eb Izraelit do t\u00eb jet\u00eb si r\u00ebra e detit, q\u00eb nuk mund t\u00eb matet as t\u00eb llogaritet. Dhe do t\u00eb ndodh\u00eb q\u00eb n\u00eb vend q\u00eb t'u thuhet atyre: \"Ju nuk jeni populli im\", do t'u thuhet atyre: \"Jeni bijt\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb gjall\u00eb\".\n1:11 Pastaj bijt\u00eb e Jud\u00ebs dhe bijt\u00eb e Izraelit do t\u00eb bashkohen tok, do t\u00eb zgjedhin p\u00ebr veten e tyre nj\u00eb prij\u00ebs t\u00eb vet\u00ebm dhe do t\u00eb dalin jasht\u00eb vendit t\u00eb tyre, sepse e madhe do t\u00eb jet\u00eb dita e Jezreelit\".\n2:1 \"U thoni v\u00ebllez\u00ebrve tuaj: \"Ami\", dhe motrave tuaja \"Ruhamah\".\n2:2 Protestoni kund\u00ebr n\u00ebn\u00ebs suaj, protestoni, sepse ajo nuk \u00ebsht\u00eb gruaja ime dhe un\u00eb nuk jam burri i saj. Le t\u00eb heq\u00eb nga fytyra e saj shenjat e prostitucioneve t\u00eb saj dhe shenjat e shkeljeve t\u00eb kuror\u00ebs nga sis\u00ebt e saj;\n2:3 p\u00ebrndryshe do ta zhvesh lakuriq dhe do ta b\u00ebj si n\u00eb dit\u00ebn e lindjes s\u00eb saj; do ta katandis n\u00eb nj\u00eb shkreti, do ta b\u00ebj si nj\u00eb tok\u00eb t\u00eb zhuritur dhe do ta b\u00ebj t\u00eb vdes\u00eb nga etja.\n2:4 Nuk do t\u00eb kem m\u00ebshir\u00eb p\u00ebr bijt\u00eb e saj, sepse jan\u00eb bij prostitucioni.\n2:5 N\u00ebna e tyre u kurv\u00ebrua n\u00eb fakt, ajo q\u00eb \u00ebsht\u00eb ngjizur \u00ebsht\u00eb sjell\u00eb n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb turpshme, sepse ka th\u00ebn\u00eb: \"Do t'u shkoj pas dashnor\u00ebve t\u00eb mi, q\u00eb m\u00eb japin buk\u00ebn time dhe ujin tim, leshin tim dhe lirin tim, vajin tim dhe pijen time\".\n2:6 Prandaj ja, do t\u00eb t\u00eb z\u00eb rrug\u00ebn me ferra, do ta mbyll me nj\u00eb mur dhe k\u00ebshtu nuk do t\u00eb gjej\u00eb m\u00eb shtigjet e saj.\n2:7 Do t\u00eb rend\u00eb pas dashnor\u00ebve t\u00eb saj, por nuk do t'i arrij\u00eb; do t'i k\u00ebrkoj\u00eb, por nuk do t'i gjej\u00eb. At\u00ebher\u00eb do t\u00eb thot\u00eb: \"Do t\u00eb kthehem te burri im i par\u00eb, sepse p\u00ebr mua ishte m\u00eb mir\u00eb at\u00ebher\u00eb se tani\".\n2:8 Ajo nuk kuptoi q\u00eb un\u00eb i jepja grur\u00eb, musht dhe vaj dhe shtoja argjendin dhe arin e saj, q\u00eb ata i ofronin Baalit.\n2:9 Prandaj un\u00eb do t\u00eb marr p\u00ebrs\u00ebri grurin tim n\u00eb koh\u00ebn e vet dhe mushtin tim n\u00eb stin\u00ebn e vet; do t'i heq leshin tim dhe lirin tim, q\u00eb sh\u00ebrbenin p\u00ebr t\u00eb mbuluar lakuriq\u00ebsin\u00eb e saj.\n2:10 At\u00ebher\u00eb do t\u00eb zbuloj turpet e saj n\u00eb syt\u00eb e dashnor\u00ebve t\u00eb saj dhe askush nuk do ta shp\u00ebtoj\u00eb nga dora ime.\n2:11 Gjithashtu do t'u jap fund g\u00ebzimeve t\u00eb saj, festave t\u00eb saj, h\u00ebnave t\u00eb reja t\u00eb saj, t\u00eb shtunave t\u00eb saj dhe gjith\u00eb solemniteteve t\u00eb saj.\n2:12 Do t\u00eb shkat\u00ebrroj pastaj vreshtat e saj dhe fiqt\u00eb e saj p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebt ajo thoshte: \"K\u00ebto jan\u00eb dhuratat q\u00eb m\u00eb kan\u00eb dh\u00ebn\u00eb dashnor\u00ebt e mi\". K\u00ebshtu do t'i katandis n\u00eb nj\u00eb shkurrnaj\u00eb dhe kafsh\u00ebt e fushave do t'i han\u00eb.\n2:13 Do ta d\u00ebnoj pastaj p\u00ebr dit\u00ebt e Baalit, kur u digjte atyre temjan, kur zbukurohej me vath\u00eb dhe me xhevahire dhe u shkonte pas dashnor\u00ebve t\u00eb saj, por m\u00eb harronte mua\", thot\u00eb Zoti.\n2:14 \"Prandaj, ja, un\u00eb do ta t\u00ebrheq pas meje, do ta \u00e7oj n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb dhe do t'i flas zemr\u00ebs s\u00eb saj.\n2:15 At\u00ebher\u00eb do t'i jap vreshtat e saj dhe lugin\u00ebn e Akorit si port\u00eb e shpres\u00ebs; atje ajo do t\u00eb k\u00ebndoj\u00eb si n\u00eb dit\u00ebt e rinis\u00eb s\u00eb saj, ashtu si veproi kur dolin nga vendi i Egjiptit.\n2:16 At\u00eb dit\u00eb do t\u00eb ndodh\u00eb, thot\u00eb Zoti, q\u00eb ti do t\u00eb m\u00eb quash: \"Burri im\", dhe nuk do t\u00eb m\u00eb quash m\u00eb: \"Baali im\".\n2:17 Do t\u00eb heq nga goja e saj emrat e Baal\u00ebve dhe nuk do t'i kujtojn\u00eb m\u00eb emrat e tyre.\n2:18 At\u00eb dit\u00eb do t\u00eb b\u00ebj p\u00ebr ta nj\u00eb bes\u00eblidhje me kafsh\u00ebt e fushave, me shpend\u00ebt e qiellit dhe me rr\u00ebshqanor\u00ebt e tok\u00ebs. Do t\u00eb thyej harkun, shpat\u00ebn dhe luft\u00ebn duke i eliminuar nga toka dhe do t\u00eb b\u00ebj t\u00eb prehen t\u00eb qet\u00eb.\n2:19 Do t\u00eb fejohesh me mua p\u00ebrjet\u00eb; do t\u00eb fejohesh me mua n\u00eb drejt\u00ebsi, n\u00eb paanshm\u00ebri, n\u00eb mir\u00ebsi dhe n\u00eb dhembshuri.\n2:20 Do t\u00eb fejohesh me mua n\u00eb besnik\u00ebri, dhe ti do t\u00eb njoh\u00ebsh Zotin.\n2:21 At\u00eb dit\u00eb do t\u00eb ndodh\u00eb q\u00eb un\u00eb do t\u00eb p\u00ebrgjigjem\", thot\u00eb Zoti. \"Do t'i p\u00ebrgjigjem qiellit dhe ky do t'i p\u00ebrgjigjet tok\u00ebs;\n2:22 dhe toka do t\u00eb p\u00ebrgjigjet me grurin, mushtin dhe vajin, dhe k\u00ebta do t'i p\u00ebrgjigjen Jezreelit.\n2:23 Un\u00eb do t\u00eb mbjell p\u00ebr vete mbi tok\u00eb dhe do t\u00eb m\u00eb vij\u00eb keq p\u00ebr Lo-ruhamahun; dhe do t'i them Lo-amit: \"Ti je populli im\", dhe ai do m\u00eb p\u00ebrgjigjet: \"Ti je Per\u00ebndia im\"\".\n3:1 Zoti m\u00eb tha akoma: \"Shko dhe dashuro nj\u00eb grua t\u00eb dashuruar nga nj\u00eb dashnor dhe q\u00eb \u00ebsht\u00eb shkel\u00ebse e kuror\u00ebs, ashtu si Zoti i do bijt\u00eb e Izraelit, megjith\u00ebse ata u drejtohen per\u00ebndive t\u00eb tjera dhe p\u00eblqejn\u00eb re\u00e7elin e rrushit\".\n3:2 K\u00ebshtu un\u00eb e bleva p\u00ebr pes\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb sikla argjendi dhe p\u00ebr nj\u00eb homer e gjysm\u00eb elbi,\n3:3 dhe i thash\u00eb: \"Ti do t\u00eb rrish shum\u00eb dit\u00eb me mua; nuk do t\u00eb kurv\u00ebrohesh dhe nuk do t\u00eb jesh e asnjeriut; po k\u00ebshtu do t\u00eb veproj un\u00eb me ty\".\n3:4 Sepse bijt\u00eb e Izraelit do t\u00eb rrin\u00eb shum\u00eb dit\u00eb pa mbret, pa kryetar, pa flijim dhe pa shtyll\u00eb t\u00eb shenjt\u00eb, pa efod dhe pa idhuj t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb.\n3:5 Pastaj bijt\u00eb e Izraelit do t\u00eb kthehen dhe do t\u00eb k\u00ebrkojn\u00eb Zotin, Per\u00ebndin\u00eb e tyre, dhe Davidin, mbretin e tyre, dhe do t\u00eb kthehen duke u dridhur tek Zoti dhe te mir\u00ebsia e tij n\u00eb mbarim t\u00eb dit\u00ebve.\n4:1 D\u00ebgjoni fjal\u00ebn e Zotit, o bij t\u00eb Izraelit, sepse Zoti ka nj\u00eb konflikt me banor\u00ebt e vendit: \"Nuk ka n\u00eb fakt as sinqeritet, as m\u00ebshir\u00eb dhe as njohje t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb n\u00eb vend.\n4:2 Nuk b\u00ebhet tjet\u00ebr p\u00ebrve\u00e7 shp\u00ebrbetimeve, g\u00ebnjeshtrave, vrasjeve, vjedhjeve, shkeljeve t\u00eb kuror\u00ebs, shkeljeve t\u00eb \u00e7do kufizimi dhe derdhet gjak mbi gjak.\n4:3 P\u00ebr k\u00ebt\u00eb shkak vendi do t\u00eb jet\u00eb n\u00eb zi dhe t\u00ebr\u00eb banor\u00ebt e tij do t\u00eb vuajn\u00eb, bashk\u00eb me kafsh\u00ebt e fush\u00ebs dhe me shpend\u00ebt e qiellit; madje edhe peshqit e detit do t\u00eb eliminohen.\n4:4 Megjithat\u00eb askush t\u00eb mos kund\u00ebrshtoj\u00eb, askush t\u00eb mos qortoj\u00eb tjetrin, sepse populli yt \u00ebsht\u00eb si ai q\u00eb grindet me priftin.\n4:5 Prandaj ti do t\u00eb pengohesh dit\u00ebn dhe profeti gjithashtu do t\u00eb pengohet nat\u00ebn bashk\u00eb me ty; dhe un\u00eb do t\u00eb shkat\u00ebrroj n\u00ebn\u00ebn t\u00ebnde.\n4:6 Populli im vdes p\u00ebr munges\u00eb njohurish. Duke qen\u00eb se ti ke refuzuar njohjen, edhe un\u00eb do t\u00eb t\u00eb refuzoj si prifti im; duke qen\u00eb se ti ke harruar ligjin e Per\u00ebndis\u00eb t\u00ebnd, edhe un\u00eb do t\u00eb harroj bijt\u00eb e tu.\n4:7 Sa m\u00eb tep\u00ebr jan\u00eb shumuar, aq m\u00eb tep\u00ebr kan\u00eb m\u00ebkatuar kund\u00ebr meje; do ta kthej lavdin\u00eb e tyre n\u00eb turp.\n4:8 Ata ushqehen me m\u00ebkatin e popullit tim dhe e lidhin zemr\u00ebn e tyre me paudh\u00ebsin\u00eb e tij.\n4:9 Si p\u00ebr popullin ashtu do t\u00eb jet\u00eb edhe p\u00ebr priftin: un\u00eb do t'i d\u00ebnoj ata p\u00ebr sjelljen e tyre dhe do t'i shp\u00ebrblej p\u00ebr veprat e tyre.\n4:10 Do t\u00eb han\u00eb, por nuk do t\u00eb ngopen; do t\u00eb kurv\u00ebrohen, por nuk do t\u00eb shtohen; sepse kan\u00eb hequr dor\u00eb nga d\u00ebgjimi i Zotit.\n4:11 Prostitucioni, vera dhe mushti t\u00eb l\u00ebn\u00eb pa mend.\n4:12 Populli im konsulton idhujt e tij prej druri dhe shkopi i tij i jep udh\u00ebzime, sepse fryma e prostitucionit i devijon, dhe ata kurv\u00ebrohen, duke u shmangur nga Per\u00ebndia e tyre.\n4:13 Ata b\u00ebjn\u00eb flijime mbi majat e maleve, djegin temjan nd\u00ebr kodra, n\u00ebn lisin, plepin dhe bafr\u00ebn, sepse hija e tyre \u00ebsht\u00eb e k\u00ebndshme. Prandaj bijat tuaja kurv\u00ebrohen dhe nuset e bijve tuaj shkelin kuror\u00ebn.\n4:14 Nuk do t'i d\u00ebnoj bijat tuaja n\u00eb se kurv\u00ebrohen, as nuset e bijve tuaj n\u00eb se shkelin kuror\u00ebn, sepse ata vet\u00eb ve\u00e7ohen me prostitutat dhe ofrojn\u00eb flijime bashk\u00eb me prostitutat e tempujve; prandaj njer\u00ebzia q\u00eb nuk ka mend do t\u00eb vdes\u00eb.\n4:15 N\u00eb qoft\u00eb se ti, Izrael, kurv\u00ebrohesh, Juda nuk ka faj. Mos shkoni n\u00eb Gilgal, mos u ngjitni n\u00eb Beth-aven dhe mos u betoni duke th\u00ebn\u00eb: \"Ashtu si Zoti rron\".\n4:16 Sepse Izraeli \u00ebsht\u00eb kok\u00ebfort\u00eb si nj\u00eb m\u00ebshqerr\u00eb kryene\u00e7e, tani Zoti do ta kullot\u00eb si nj\u00eb qengj n\u00eb nj\u00eb vend t\u00eb hapur.\n4:17 Efraimi u bashkua me idhujt, l\u00ebre t\u00eb veproj\u00eb.\n4:18 Edhe kur qejfet e tyre kan\u00eb mbaruar, kryejn\u00eb vazhdimisht kurv\u00ebrime; krer\u00ebt e tyre e duan shum\u00eb turpin.\n4:19 Era i ka lidhur n\u00eb krah\u00ebt e vet dhe atyre do t'u vij\u00eb turp p\u00ebr flijimet e tyre\".\n5:1 \"D\u00ebgjoni k\u00ebt\u00eb, o prift\u00ebrinj, kushtojini kujdes ju t\u00eb sht\u00ebpis\u00eb s\u00eb Izraelit, vini veshin, o sht\u00ebpi e mbretit; sepse ky gjykim \u00ebsht\u00eb kund\u00ebr jush. N\u00eb fakt ju keni qen\u00eb nj\u00eb lak n\u00eb Mitspah dhe nj\u00eb rrjet\u00eb e shtrir\u00eb mbi Tabor.\n5:2 Ata q\u00eb devijojn\u00eb kan\u00eb r\u00ebn\u00eb thell\u00eb n\u00eb masak\u00ebr, por un\u00eb do t'i d\u00ebnoj t\u00eb gjith\u00eb.\n5:3 Un\u00eb e njoh Efraimin, dhe p\u00ebr mua Izraeli nuk \u00ebsht\u00eb aspak i panjohur; tani, o Efraim, ti je kurv\u00ebruar; Izraeli \u00ebsht\u00eb ndotur.\n5:4 Veprimet e tyre nuk u lejojn\u00eb atyre t\u00eb kthehen te Per\u00ebndia i tyre, sepse fryma e kurv\u00ebrimit \u00ebsht\u00eb n\u00eb mes t\u00eb tyre dhe nuk njohin Zotin.\n5:5 Por kryelart\u00ebsia e Izraelit d\u00ebshmon kund\u00ebr tij; prandaj Izraeli dhe Efraimi do t\u00eb bien p\u00ebr shkak t\u00eb paudh\u00ebsis\u00eb s\u00eb tyre, dhe bashk\u00eb me ta do t\u00eb bjer\u00eb edhe Juda.\n5:6 Me kopet\u00eb e tyre dhe me tufat e tyre do t\u00eb shkojn\u00eb n\u00eb k\u00ebrkim t\u00eb Zotit, por nuk do ta gjejn\u00eb; ai \u00ebsht\u00eb t\u00ebrhequr prej tyre.\n5:7 Kan\u00eb vepruar me mashtrim kund\u00ebr Zotit, sepse kan\u00eb b\u00ebr\u00eb f\u00ebmij\u00eb me shkelje t\u00eb kuror\u00ebs; tani nj\u00eb muaj i vet\u00ebm do t'i haj\u00eb ata dhe vendin e tyre.\n5:8 I bini bririt n\u00eb Gibeah, i bini boris\u00eb n\u00eb Ramah, jepni alarmin n\u00eb Beth-aven; armikun e ke prapa krah\u00ebve t\u00eb tua, o Beniamin.\n5:9 Efraimi do t\u00eb shkretohet dit\u00ebn e nd\u00ebshkimit; midis fiseve t\u00eb Izraelit un\u00eb t\u00eb b\u00ebj t\u00eb ditur nj\u00eb gj\u00eb t\u00eb sigurt.\n5:10 Krer\u00ebt e Jud\u00ebs jan\u00eb si ata q\u00eb zhvendosin kufijt\u00eb; un\u00eb do ta derdh zem\u00ebrimin tim mbi ta si uji.\n5:11 Efraimi \u00ebsht\u00eb nj\u00eb shtyp\u00ebs dhe nj\u00eb shkel\u00ebs i drejt\u00ebsis\u00eb, sepse ka ndjekur me vendosm\u00ebri urdhrat njer\u00ebzore.\n5:12 Prandaj un\u00eb do t\u00eb jem p\u00ebr Efraimin si nj\u00eb tenj\u00eb dhe p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Jud\u00ebs si nj\u00eb karies.\n5:13 Kur Efraimi pa s\u00ebmundjen e tij dhe Juda plag\u00ebn e tij, Efraimi shkoi n\u00eb Asiri dhe i d\u00ebrgoi lajm\u00ebtar\u00eb mbretit Jareb; megjithat\u00eb ai nuk mund t'ju sh\u00ebroj\u00eb as t'ju mjekoj\u00eb plag\u00ebn.\n5:14 Sepse un\u00eb do t\u00eb jem p\u00ebr Efraimin si nj\u00eb luan dhe p\u00ebr sht\u00ebpin\u00eb e Jud\u00ebs si nj\u00eb luan i vog\u00ebl; un\u00eb, un\u00eb vet\u00eb do ta shqyej dhe do t\u00eb largohem; do t\u00eb marr me vete pren\u00eb dhe askush nuk do t\u00eb ma heq\u00eb.\n5:15 Do t\u00eb kthehem n\u00eb vendin tim deri sa t\u00eb njohin q\u00eb jan\u00eb fajtor\u00eb dhe do t\u00eb k\u00ebrkojn\u00eb me siguri fytyr\u00ebn time; n\u00eb mjerimin e tyre do t\u00eb m\u00eb k\u00ebrkojn\u00eb me zell\".\n6:1 Ejani, t\u00eb kthehemi tek Zoti, sepse ai na ka cop\u00ebtuar, por do t\u00eb na sh\u00ebroj\u00eb; na ka goditur, por do t\u00eb na mb\u00ebshtjell\u00eb.\n6:2 Mbas dy dit\u00ebsh do t\u00eb na jap\u00eb p\u00ebrs\u00ebri jet\u00eb, dit\u00ebn e tret\u00eb do t\u00eb na ringjall\u00eb dhe ne do t\u00eb jetojm\u00eb n\u00eb prani t\u00eb tij.\n6:3 E njohim Zotin, t\u00eb p\u00ebrpiqemi ta njohim m\u00eb mir\u00eb; ardhja e tij \u00ebsht\u00eb e sigurt si agimi. Ai do t\u00eb na vij\u00eb si shiu, si shiu i fundit dhe i par\u00eb mbi tok\u00eb.\n6:4 \"\u00c7far\u00eb duhet t\u00eb b\u00ebj me ty, o Efraim? \u00c7far\u00eb duhet t\u00eb b\u00ebj me ty, o Jud\u00eb? Dashuria juaj \u00ebsht\u00eb si nj\u00eb re e m\u00ebngjesit, si vesa q\u00eb n\u00eb m\u00ebngjes zhduket shpejt.\n6:5 Prandaj i kam prer\u00eb me an\u00eb t\u00eb profet\u00ebve, i kam vrar\u00eb me fjal\u00ebt e goj\u00ebs sime dhe gjykimet e mia p\u00ebr ju jan\u00eb si drita q\u00eb lind.\n6:6 Sepse un\u00eb d\u00ebshiroj m\u00ebshir\u00eb dhe jo flijimet, dhe njohjen e Per\u00ebndis\u00eb m\u00eb shum\u00eb se olokaustet.\n6:7 Por, si Adami, ata kan\u00eb shkelur bes\u00eblidhjen, kan\u00eb vepruar me mashtrim ndaj meje.\n6:8 Galaadi \u00ebsht\u00eb nj\u00eb qytet keqb\u00ebr\u00ebsish dhe i p\u00ebrlyer me gjak.\n6:9 Ashtu si bandat e cubave rrin\u00eb n\u00eb prit\u00eb p\u00ebr nj\u00eb njeri, k\u00ebshtu nj\u00eb turm\u00eb prift\u00ebrinjsh masakron n\u00eb rrug\u00ebn e Sikemit, kryen gj\u00ebra t\u00eb kobshme.\n6:10 N\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Izraelit pash\u00eb di\u00e7ka t\u00eb neveritshme: atje kurv\u00ebrohet Efraimi, atje ndotet Izraeli.\n6:11 Edhe p\u00ebr ty, o Jud\u00eb, \u00ebsht\u00eb rezervuar nj\u00eb korrje, kur do ta kthej popullin tim nga rob\u00ebria\".\n7:1 \"Kur d\u00ebshiroja t\u00eb sh\u00ebroja Izraelin, at\u00ebher\u00eb u zbulua paudh\u00ebsia e Efraimit dhe lig\u00ebsia e Samaris\u00eb, sepse veprojn\u00eb me falsitet: vjedh\u00ebsi hyn, nj\u00eb band\u00eb vjedh\u00ebsish b\u00ebn sulme jasht\u00eb.\n7:2 Atyre nuk u shkon n\u00eb mend q\u00eb un\u00eb nuk e harroj gjith\u00eb lig\u00ebsin\u00eb e tyre. Tani veprimet e tyre i rrethojn\u00eb nga \u00e7do an\u00eb; ato q\u00ebndrojn\u00eb para fytyr\u00ebs sime.\n7:3 Me lig\u00ebsit\u00eb e tyre g\u00ebzojn\u00eb mbretin dhe me g\u00ebnjeshtrat e tyre krer\u00ebt e tyre.\n7:4 Jan\u00eb t\u00eb gjith\u00eb shkel\u00ebs t\u00eb kuror\u00ebs, si nj\u00eb furr\u00eb e ngrohur nga furrtari, q\u00eb nuk e nxit m\u00eb zjarrin mbasi ka brumosur miellin deri sa t\u00eb vij\u00eb brumi.\n7:5 N\u00eb dit\u00ebn e mbretit ton\u00eb, krer\u00ebt e kan\u00eb b\u00ebr\u00eb t\u00eb s\u00ebmuret afshin e ver\u00ebs; mbreti u ka shtrir\u00eb dor\u00ebn tall\u00ebsve.\n7:6 Nd\u00ebrsa rrin\u00eb n\u00eb prit\u00eb, ata e p\u00ebrgatitin zemr\u00ebn e tyre si nj\u00eb furr\u00eb; furrtari i tyre fle t\u00ebr\u00eb nat\u00ebn, dhe n\u00eb m\u00ebngjes furra e tyre t\u00eb djeg me nj\u00eb zjarr flak\u00ebrues.\n7:7 T\u00eb gjith\u00eb jan\u00eb t\u00eb zjarrt\u00eb si nj\u00eb furr\u00eb dhe i han\u00eb gjykat\u00ebsit e tyre; gjith\u00eb mbret\u00ebrit e tyre kan\u00eb r\u00ebn\u00eb, por asnj\u00eb prej tyre nuk m\u00eb k\u00ebrkon.\n7:8 Efraimi p\u00ebrzihet me popujt, Efraimi \u00ebsht\u00eb nj\u00eb kula\u00e7 i pakthyer.\n7:9 T\u00eb huajt gllab\u00ebrojn\u00eb forc\u00ebn e tij, por ai nuk e v\u00eb re; po flok\u00ebt e kok\u00ebs kan\u00eb ngjyr\u00eb t\u00eb p\u00ebrhime, por ai nuk i v\u00eb re.\n7:10 Kryelart\u00ebsia e Izraelit d\u00ebshmon kund\u00ebr tij, sepse ata nuk kthehen tek Zoti, Per\u00ebndia i tyre, nuk e k\u00ebrkojn\u00eb megjith\u00ebat\u00eb.\n7:11 Efraimi \u00ebsht\u00eb nj\u00eb p\u00ebllumbesh\u00eb budalla\u00e7k\u00eb, pa mend; ata th\u00ebrresin Egjiptin, shkojn\u00eb n\u00eb Asiri.\n7:12 Nd\u00ebrsa shkojn\u00eb, do t\u00eb shtrij mbi ta rrjet\u00ebn time dhe do t'i b\u00ebj q\u00eb t\u00eb rr\u00ebzohen si zogjt\u00eb e qiellit; do t'i nd\u00ebshkoj, si\u00e7 u paralajm\u00ebrua n\u00eb asamblen\u00eb e tyre.\n7:13 Mjer\u00eb ata, sepse jan\u00eb larguar prej meje! Shkat\u00ebrrim p\u00ebr ta, sepse jan\u00eb rebeluar kund\u00ebr meje! Un\u00eb do t\u00eb doja t'i shpengoja, por ata thon\u00eb g\u00ebnjeshtra kund\u00ebr meje.\n7:14 Ata nuk m\u00eb th\u00ebrresin me zemr\u00ebn e tyre, por ankohen n\u00eb shtratin e tyre. Mblidhen bashk\u00eb p\u00ebr grurin dhe ver\u00ebn dhe rebelohen kund\u00ebr meje.\n7:15 Megjith\u00ebse i kam d\u00ebnuar dhe kam p\u00ebrforcuar krah\u00ebt e tyre, ata thurin t\u00eb keqen kund\u00ebr meje.\n7:16 Ata kthehen, por jo te Shum\u00eb i Larti; jan\u00eb si nj\u00eb hark q\u00eb gabon; krer\u00ebt e tyre do t\u00eb bien nga shpata p\u00ebr shkak t\u00eb t\u00ebrbimit t\u00eb gjuh\u00ebs s\u00eb tyre; kjo do t'i b\u00ebj\u00eb qesharak\u00eb n\u00eb vendin e Egjiptit\".\n8:1 \"Bjeri boris\u00eb! Armiku do t\u00eb v\u00ebrsulet mbi sht\u00ebpin\u00eb e Zotit si nj\u00eb shqiponj\u00eb, sepse kan\u00eb shkelur bes\u00eblidhjen time dhe kan\u00eb marr\u00eb n\u00ebp\u00ebr k\u00ebmb\u00eb ligjin tim.\n8:2 Izraeli do t\u00eb m\u00eb b\u00ebrtas\u00eb: \"O Per\u00ebndia im, ne t\u00eb njohim!\".\n8:3 Izraeli ka hedhur posht\u00eb t\u00eb mir\u00ebn, armiku do ta ndjek\u00eb.\n8:4 Kan\u00eb b\u00ebr\u00eb mbret\u00ebr disa, por jo sipas d\u00ebshir\u00ebs sime; kan\u00eb caktuar krer\u00eb, por pa dijenin\u00eb time; me argjendin e tyre dhe me arin e tyre kan\u00eb b\u00ebr\u00eb idhuj, me q\u00ebllim q\u00eb t\u00eb shkat\u00ebrrohen.\n8:5 Ai ka hedhur posht\u00eb vi\u00e7in t\u00ebnd, o Samari. Zem\u00ebrimi im u ndez kund\u00ebr tyre. Deri kur do t\u00eb jen\u00eb t\u00eb paaft\u00eb p\u00ebr past\u00ebrti?\n8:6 Edhe ky vi\u00e7 vjen nga Izraeli; e ka b\u00ebr\u00eb nj\u00eb artizan dhe nuk \u00ebsht\u00eb nj\u00eb per\u00ebndi; prandaj vi\u00e7i i Samaris\u00eb do t\u00eb b\u00ebhet cop\u00eb-cop\u00eb.\n8:7 Meqen\u00ebse mbjellin er\u00eb, do t\u00eb korrin furtun\u00eb. K\u00ebrcelli i grurit nuk do t\u00eb b\u00ebj\u00eb kalli dhe nuk do t\u00eb prodhoj\u00eb grur\u00eb; edhe n\u00eb se do t\u00eb prodhoj\u00eb, do ta han\u00eb t\u00eb huajt.\n8:8 Izraelin po e gllab\u00ebrojn\u00eb; ata jan\u00eb b\u00ebr\u00eb midis kombeve si nj\u00eb vazo e p\u00ebr\u00e7muar.\n8:9 Sepse jan\u00eb ngjitur n\u00eb Asiri, si nj\u00eb gomar i eg\u00ebr q\u00eb jeton i vetmuar. Efraimi gjeti dashnor\u00eb me an\u00eb dhuratash.\n8:10 Megjith\u00ebse ka gjetur dashnor\u00eb midis kombeve, tani un\u00eb do t'i mbledh dhe do t\u00eb fillojn\u00eb t\u00eb pak\u00ebsohen n\u00ebn barr\u00ebn e mbretit t\u00eb princave.\n8:11 Sepse Efraimi ka shumuar altar\u00ebt p\u00ebr t\u00eb m\u00ebkatuar, ata jan\u00eb b\u00ebr\u00eb p\u00ebr t\u00eb altare m\u00ebkati.\n8:12 Kam shkruar p\u00ebr t\u00eb gj\u00ebrat e m\u00ebdha t\u00eb ligjit tim, por ato u konsideruan si nj\u00eb gj\u00eb e \u00e7udishme.\n8:13 Sa p\u00ebr flijimet q\u00eb m\u00eb ofrojn\u00eb, ata b\u00ebjn\u00eb fli mish dhe e han\u00eb; por Zoti nuk i p\u00eblqen. Tani ai do t\u00eb kujtoj\u00eb paudh\u00ebsin\u00eb e tyre dhe do t\u00eb nd\u00ebshkoj\u00eb m\u00ebkatet e tyre: ata do t\u00eb kthehen n\u00eb Egjipt.\n8:14 Izraeli ka harruar at\u00eb q\u00eb e ka b\u00ebr\u00eb dhe ka nd\u00ebrtuar pallate; Juda ka shumuar qytetet e fortifikuara; por un\u00eb do t\u00eb d\u00ebrgoj zjarrin mbi qytetet e tij, i cili do t'i gllab\u00ebroj\u00eb k\u00ebshtjellat e tij\".\n9:1 Mos u g\u00ebzo, o Izrael, p\u00ebr t\u00eb ngaz\u00eblluar si popujt e tjer\u00eb, sepse je kurv\u00ebruar duke u larguar nga Per\u00ebndia yt; ke dashur pages\u00ebn e prostitut\u00ebs n\u00eb t\u00eb gjith\u00eb l\u00ebmenjt\u00eb e grurit.\n9:2 L\u00ebmi dhe trokulli nuk do t'i ushqejn\u00eb dhe mushti do t'i l\u00ebr\u00eb t\u00eb zhg\u00ebnjyer.\n9:3 Ata nuk do t\u00eb banojn\u00eb n\u00eb vendin e Zotit, por Efraimi do t\u00eb kthehet n\u00eb Egjipt dhe n\u00eb Asiri do t\u00eb han\u00eb ushqime t\u00eb papastra.\n9:4 Nuk do t'i b\u00ebjn\u00eb m\u00eb libacione vere Zotit dhe flijimet e tyre nuk do t\u00eb p\u00eblqehen prej tij. Do t\u00eb jen\u00eb p\u00ebr ta si nj\u00eb ushqim zie; kushdo q\u00eb do ta haj\u00eb do t\u00eb ndotet, sepse buka e tyre do t\u00eb vlej\u00eb p\u00ebr t'i mbajtur n\u00eb jet\u00eb, nuk do t\u00eb hyj\u00eb n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Zotit.\n9:5 \u00c7far\u00eb do t\u00eb b\u00ebni n\u00eb dit\u00ebt solemne dhe n\u00eb dit\u00ebt e kremtimit t\u00eb Zotit?\n9:6 Sepse ja, ndon\u00ebse i kan\u00eb shp\u00ebtuar shkat\u00ebrrimit, Egjipti do t'i mbledh\u00eb bashk\u00eb, Mofi do t'i varros\u00eb; gj\u00ebrat e tyre t\u00eb \u00e7muara prej argjendi do t'i pushtojn\u00eb hithrat, dhe n\u00eb \u00e7adrat e tyre do t\u00eb rriten ferrat.\n9:7 Kan\u00eb ardhur dit\u00ebt e nd\u00ebshkimit, kan\u00eb ardhur dit\u00ebt e shpagimit; Izraeli do ta m\u00ebsoj\u00eb. Profeti \u00ebsht\u00eb nj\u00eb i pamend, njeriu i frym\u00ebs flet p\u00ebr\u00e7art, p\u00ebr shkak t\u00eb madh\u00ebsis\u00eb s\u00eb paudh\u00ebsis\u00eb sate dhe t\u00eb madh\u00ebsis\u00eb s\u00eb armiq\u00ebsis\u00eb sate.\n9:8 Roja e Efraimit \u00ebsht\u00eb me Per\u00ebndin\u00eb tim, por profeti yt \u00ebsht\u00eb nj\u00eb lak i gjuetarit t\u00eb zogjve n\u00eb t\u00eb gjitha rrug\u00ebt e tij; ka armiq\u00ebsi n\u00eb sht\u00ebpin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb tij.\n9:9 Ata u korruptuan thell\u00eb si n\u00eb dit\u00ebt e Gibeahut; por ai do ta mbaj\u00eb mend paudh\u00ebsin\u00eb e tyre, do t\u00eb nd\u00ebshkoj\u00eb m\u00ebkatet e tyre.\n9:10 \"Un\u00eb gjeta Izraelin si rrushi n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb, pash\u00eb et\u00ebrit tuaj si fiqt\u00eb e par\u00eb mbi nj\u00eb fik t\u00eb ri. Por, mbasi arrit\u00ebn n\u00eb Baal-peor, u dhan\u00eb pas posht\u00ebrsis\u00eb dhe u b\u00ebn\u00eb t\u00eb neveritsh\u00ebm si ajo q\u00eb ata donin.\n9:11 Lavdia e Efraimit do t\u00eb fluturoj\u00eb si zog; nuk do t\u00eb ket\u00eb m\u00eb lindje, as barr\u00eb, as mbarsje.\n9:12 Edhe sikur t\u00eb rritin bijt\u00eb e tyre, un\u00eb do t'i l\u00eb pa ata, deri sa t\u00eb mos mbetet m\u00eb asnj\u00eb njeri; po, mjer\u00eb ata kur t\u00eb largohem prej tyre!\n9:13 Efraimi, duke shikuar nga Tiro, \u00ebsht\u00eb vendosur n\u00eb nj\u00eb vend t\u00eb k\u00ebndsh\u00ebm; por Efraimi duhet t'ia \u00e7oj\u00eb bijt\u00eb e tij atij q\u00eb do t'i vras\u00eb\".\n9:14 Jepu atyre, o Zot... \u00c7far\u00eb do t'u jap\u00ebsh atyre? Jepu atyre nj\u00eb bark q\u00eb d\u00ebshton dhe gji t\u00eb shterura.\n9:15 Gjith\u00eb lig\u00ebsia e tyre \u00ebsht\u00eb n\u00eb Gilgal; atje fillova t'i urrej. P\u00ebr shkak t\u00eb lig\u00ebsis\u00eb s\u00eb veprimeve t\u00eb tyre do t'i d\u00ebboj nga sht\u00ebpia ime, nuk do t'i dua m\u00eb; t\u00ebr\u00eb krer\u00ebt e tyre jan\u00eb rebel\u00eb.\n9:16 Efraimi \u00ebsht\u00eb goditur, rr\u00ebnja e tij \u00ebsht\u00eb thar\u00eb; ata nuk do t\u00eb japin m\u00eb fryt. Po, edhe sikur t\u00eb ken\u00eb f\u00ebmij\u00eb, un\u00eb do t\u00eb b\u00ebj q\u00eb frytet e dashur t\u00eb vdesin q\u00eb n\u00eb bark.\n9:17 Per\u00ebndia im do t'i hedh\u00eb posht\u00eb, sepse nuk e kan\u00eb d\u00ebgjuar. Dhe ata do t\u00eb shkojn\u00eb duke u endur midis kombeve.\n10:1 Izraeli ishte nj\u00eb vresht i harlisur, q\u00eb jepte fryt p\u00ebr veten e tij; sa m\u00eb tep\u00ebr rritej fryti i tij, aq m\u00eb tep\u00ebr i shumonte altar\u00ebt e tij; sa m\u00eb i pasur ishte vendi i tij, aq m\u00eb t\u00eb bukura i b\u00ebnte shtyllat e tij t\u00eb shenjta.\n10:2 Zemra e tyre \u00ebsht\u00eb g\u00ebnjeshtare; tani do t\u00eb marrin nd\u00ebshkimin p\u00ebr t\u00eb. Ai do t\u00eb rr\u00ebzoj\u00eb altar\u00ebt e tyre, do t\u00eb shkat\u00ebrroj\u00eb shtyllat e tyre t\u00eb shenjta.\n10:3 Po, tani do t\u00eb thon\u00eb: \"Nuk kemi m\u00eb mbret, sepse nuk kemi pasur frik\u00eb nga Zoti; por edhe mbreti \u00e7far\u00eb do t\u00eb mund t\u00eb b\u00ebnte p\u00ebr ne?\".\n10:4 Thon\u00eb fjal\u00eb, betohen me t\u00eb rreme kur lidhin bes\u00eblidhjen; prandaj nd\u00ebshkimi lul\u00ebzon si kukuta n\u00eb brazdat e arave.\n10:5 Banor\u00ebt e Samaris\u00eb do t\u00eb drith\u00ebrohen p\u00ebr vi\u00e7in e Beth-avenit, sepse populli i tij do t\u00eb mbaj\u00eb zi p\u00ebr t\u00eb dhe prift\u00ebrinjt\u00eb e tij q\u00eb g\u00ebzoheshin me t\u00eb do t\u00eb dridhen, mbasi lavdia u largua prej tij.\n10:6 Vet\u00eb idhullin do ta \u00e7ojn\u00eb n\u00eb Asiri si nj\u00eb dhurat\u00eb p\u00ebr mbretin mbrojt\u00ebs. Efraimi do t\u00eb turp\u00ebrohet dhe Izraeli do t\u00eb koritet p\u00ebr planet e tij.\n10:7 Sa p\u00ebr Samarin\u00eb, mbreti i saj do t\u00eb zhduket si shkuma mbi uj\u00eb.\n10:8 Edhe vendet e larta t\u00eb Avenit, m\u00ebkati i Izraelit, do t\u00eb asgj\u00ebsohen; ferra dhe gjemba do t\u00eb rriten mbi altar\u00ebt e tyre. At\u00ebher\u00eb do t'u thon\u00eb maleve: \"Na mbuloni!\", dhe kodrave: \"Na bini p\u00ebrsip\u00ebr!\".\n10:9 \"Q\u00eb nga dit\u00ebt e Gibeahut ti ke m\u00ebkatuar, o Izrael. Atje u ndal\u00ebn; n\u00eb Gibeah beteja kund\u00ebr t\u00eb bijve t\u00eb paudh\u00ebsis\u00eb nuk i arriti.\n10:10 Kur t\u00eb m\u00eb p\u00eblqej\u00eb, do t'i nd\u00ebshkoj; popujt do t\u00eb mblidhen kund\u00ebr tyre, kur t'i lidh p\u00ebr t\u00eb dy paudh\u00ebsit\u00eb e tyre.\n10:11 Efraimi \u00ebsht\u00eb si nj\u00eb m\u00ebshqerr\u00eb e st\u00ebrvitur mir\u00eb, s\u00eb cil\u00ebs i p\u00eblqen t\u00eb shij\u00eb grurin, por un\u00eb do t\u00eb v\u00eb zgjedh\u00ebn mbi qaf\u00ebn e saj t\u00eb bukur; do ta lidh Efraimin me parmend\u00ebn, Juda do t\u00eb l\u00ebroj\u00eb, Jakobi do t\u00eb th\u00ebrmoj\u00eb plisat\".\n10:12 Mbillni p\u00ebr vete sipas drejt\u00ebsis\u00eb, korrni sipas dhemshuris\u00eb, l\u00ebroni ar\u00ebn tuaj t\u00eb l\u00ebn\u00eb djerr\u00eb, sepse \u00ebsht\u00eb koha p\u00ebr t\u00eb k\u00ebrkuar Zotin, derisa ai t\u00eb vij\u00eb dhe p\u00ebrhap\u00eb mbi ju drejt\u00ebsin\u00eb.\n10:13 Ju keni l\u00ebruar lig\u00ebsin\u00eb, keni korrur paudh\u00ebsin\u00eb, keni ngr\u00ebn\u00eb frytin e g\u00ebnjeshtr\u00ebs. Duke qen\u00eb se ti u ke besuar rrug\u00ebve t\u00eb tua, n\u00eb turm\u00ebn e trimave t\u00eb tu,\n10:14 nj\u00eb trazir\u00eb do t\u00eb lind\u00eb n\u00eb mes t\u00eb popullit t\u00ebnd dhe t\u00eb gjitha fortesat e tua do t\u00eb shkat\u00ebrrohen ashtu si Shalmani shkat\u00ebrroi Beth-arbelin, dit\u00ebn e betej\u00ebs, kur n\u00ebna u b\u00eb cop\u00eb-cop\u00eb mbi bijt\u00eb.\n10:15 K\u00ebshtu do t\u00eb ndodh\u00eb me ty, o Bethel, p\u00ebr shkak t\u00eb lig\u00ebsis\u00eb suaj t\u00eb pamas\u00eb. N\u00eb m\u00ebngjes mbreti i Izraelit do t\u00eb shkat\u00ebrrohet krejt.\n11:1 \"Kur Izraeli ishte f\u00ebmij\u00eb, un\u00eb e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim.\n11:2 Sa m\u00eb shum\u00eb i th\u00ebrrisnin profet\u00ebt, aq m\u00eb tep\u00ebr jan\u00eb larguar prej tyre, u kan\u00eb b\u00ebr\u00eb flijime Baal\u00ebve dhe u kan\u00eb djegur temjan figurave t\u00eb gdhendura.\n11:3 Un\u00eb vet\u00eb i m\u00ebsova Efraimit t\u00eb ec\u00eb, duke e mbajtur nga krah\u00ebt; por ata nuk e kuptuan q\u00eb un\u00eb po i sh\u00ebroja.\n11:4 Un\u00eb i t\u00ebrhiqja me litar\u00eb t\u00eb dashamir\u00ebsis\u00eb njer\u00ebzore, me lidhje dashurie; isha p\u00ebr ta si ai q\u00eb e ngre zgjedh\u00ebn nga qafa e tyre, dhe p\u00ebrulesha p\u00ebr t'u dh\u00ebn\u00eb t\u00eb han\u00eb.\n11:5 Izraeli nuk do t\u00eb kthehet n\u00eb vendin e Egjipti; por Asiri do t\u00eb jet\u00eb mbreti i tij, sepse nuk kan\u00eb pranuar t\u00eb konvertohen.\n11:6 Shpata do t\u00eb bjer\u00eb mbi qytetet e tij, do t\u00eb shkat\u00ebrroj\u00eb shufrat e tyre dhe do t'i haj\u00eb p\u00ebr shkak t\u00eb planeve t\u00eb tyre t\u00eb k\u00ebqija.\n11:7 Populli im synon t\u00eb largohet nga un\u00eb; megjithat\u00eb e th\u00ebrresin Shum\u00eb t\u00eb Lartin, asnj\u00eb prej tyre nuk e p\u00ebrl\u00ebvdon.\n11:8 Si mund t\u00eb t\u00eb braktis, o Efraim, ose t\u00eb t\u00eb l\u00eb n\u00eb dor\u00eb t\u00eb t\u00eb tjer\u00ebve, o Izrael? Si mund t\u00eb t\u00eb b\u00ebj si Admahu, ose t\u00eb t\u00eb katandis si Tseboimi? Zemra ime ngash\u00ebrohet brenda meje, dhemshuria ime ndizet e t\u00ebra.\n11:9 Nuk do ta shfryj zem\u00ebrimin tim t\u00eb zjarrt\u00eb, nuk do t\u00eb shkat\u00ebrroj p\u00ebrs\u00ebri Efraimin, sepse jam nj\u00eb Per\u00ebndi dhe jo nj\u00eb njeri, i Shenjti midis teje dhe nuk do t\u00eb vij me zem\u00ebrim.\n11:10 Ata do t\u00eb ndjekin Zotin, q\u00eb do t\u00eb vrumbulloj\u00eb si nj\u00eb luan; kur do t\u00eb vrumbulloj\u00eb, bijt\u00eb e tij do t\u00eb rendin drejt tij nga per\u00ebndimi duke u dridhur.\n11:11 Do t\u00eb rendin duke u dridhur si zogjt\u00eb nga Egjipti dhe si p\u00ebllumbesha nga vendi i Asiris\u00eb; un\u00eb do t'i b\u00ebj t\u00eb banojn\u00eb n\u00eb sht\u00ebpit\u00eb e tyre\", thot\u00eb Zoti.\n11:12 Efraimi m\u00eb qarkon me g\u00ebnjeshtra dhe sht\u00ebpia e Izraelit me mashtrin. Edhe Juda \u00ebsht\u00eb akoma i pabindur ndaj Per\u00ebndis\u00eb dhe t\u00eb Shenjtit q\u00eb \u00ebsht\u00eb besnik.\n12:1 Efraimi ngopet me er\u00eb dhe shkon pas er\u00ebs s\u00eb jugut; \u00e7do dit\u00eb shumon g\u00ebnjeshtrat dhe dhun\u00ebn; b\u00ebn aleanc\u00eb me Asirin\u00eb dhe \u00e7on vaj n\u00eb Egjipt.\n12:2 Zoti \u00ebsht\u00eb gjithashtu n\u00eb grindje me Jud\u00ebn dhe do ta nd\u00ebshkoj\u00eb Jakobin p\u00ebr sjelljen e tij; do ta shp\u00ebrblej\u00eb sipas veprave t\u00eb tij.\n12:3 N\u00eb gjirin e n\u00ebn\u00ebs mori v\u00ebllain e vet nga thembra dhe me forc\u00ebn e tij luftoi me Per\u00ebndin\u00eb.\n12:4 Po, luftoi me Engj\u00ebllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shum\u00eb. E gjeti n\u00eb Bethel, dhe atje ai foli me ne,\n12:5 dometh\u00ebn\u00eb Zoti, Per\u00ebndia i ushtrive, emri i t\u00eb cilit \u00ebsht\u00eb Zoti.\n12:6 Prandaj ti kthehu te Per\u00ebndia yt, vepro me dhembshuri dhe ndershm\u00ebri dhe ki gjithnj\u00eb shpres\u00eb te Per\u00ebndia yt.\n12:7 Efraimi \u00ebsht\u00eb nj\u00eb tregtar q\u00eb mban n\u00eb dor\u00eb kandar\u00eb jo t\u00eb sakt\u00eb dhe i p\u00eblqen t\u00eb mashtroj\u00eb.\n12:8 Efraimi thot\u00eb: \"Edhe jam begatuar, kam grumbulluar pasuri; n\u00eb t\u00eb gjitha mundimet e mia, nuk do t\u00eb gjejn\u00eb tek un\u00eb asnj\u00eb paudh\u00ebsi q\u00eb t\u00eb jet\u00eb m\u00ebkat\".\n12:9 \"Por un\u00eb jam Zoti, Per\u00ebndia yt, qysh nga vendi i Egjiptit. Do t\u00eb t\u00eb b\u00ebj q\u00eb t\u00eb banosh akoma n\u00eb \u00e7adra si n\u00eb dit\u00ebt solemne.\n12:10 U fola profet\u00ebve, kam shtuar vegimet dhe me an\u00eb t\u00eb profet\u00ebve kam p\u00ebrdorur krahasime\".\n12:11 N\u00eb qoft\u00eb se Galaadi jepet pas idhujtaris\u00eb, me siguri do t\u00eb katandiset n\u00eb asgj\u00eb. Sepse n\u00eb Gilgal flijojn\u00eb dema, altar\u00ebt e tyre do t\u00eb jen\u00eb me siguri si grumbuj gur\u00ebsh gjat\u00eb brazdave t\u00eb arave.\n12:12 Jakobi iku n\u00eb fush\u00ebn e Siris\u00eb dhe Izraeli sh\u00ebrbeu p\u00ebr nj\u00eb grua, p\u00ebr nj\u00eb grua u b\u00eb rojtar dhensh.\n12:13 Me an\u00eb t\u00eb nj\u00eb profeti, Zoti e nxori Izraelin nga Egjipti, dhe Izraeli u ruajt nga nj\u00eb profet.\n12:14 Efraimi provokoi hidh\u00ebt zem\u00ebrimin e tij, prandaj Zoti i tij do t\u00eb b\u00ebj\u00eb q\u00eb mbi t\u00eb t\u00eb bjer\u00eb gjaku i derdhur dhe do t\u00eb b\u00ebj\u00eb q\u00eb mbi t\u00eb t\u00eb kthehet turpi i tij.\n13:1 Kur Efraimi fliste me t\u00eb dridhura, e lartonte vetveten n\u00eb Izrael, por kur u b\u00eb fajtor me Baalin, ai vdiq.\n13:2 Tani vazhdojn\u00eb t\u00eb m\u00ebkatojn\u00eb, dhe me argjendin e tyre kan\u00eb b\u00ebr\u00eb nj\u00eb mori figurash t\u00eb derdhura, idhuj sipas kuptimit t\u00eb tyre, t\u00eb gjitha vepra artizan\u00ebsh. P\u00ebr ta thuhet: \"Njer\u00ebzit q\u00eb ofrojn\u00eb flijime le t\u00eb puthin vi\u00e7at\".\n13:3 Prandaj do t\u00eb jen\u00eb si nj\u00eb re m\u00ebngjesore, si vesa q\u00eb n\u00eb m\u00ebngjes zhduket shpejt, si byku q\u00eb e merr era nga l\u00ebmi, si tymi q\u00eb del nga oxhaku.\n13:4 \"Megjithat\u00eb un\u00eb jam Zoti, Per\u00ebndia yt, q\u00eb nga vendi i Egjiptit; ti nuk duhet t\u00eb pranosh tjet\u00ebr Per\u00ebndi ve\u00e7 meje dhe nuk ka tjet\u00ebr Shp\u00ebtimtar jasht\u00eb meje.\n13:5 Un\u00eb t\u00eb njoha n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb, n\u00eb tok\u00ebn e that\u00ebsir\u00ebs s\u00eb madhe.\n13:6 Kur kishin kullot\u00eb, ngopeshin; kur ngopeshin, zemra e tyre krenohej; prandaj m\u00eb kan\u00eb harruar.\n13:7 K\u00ebshtu un\u00eb do t\u00eb jem p\u00ebr ta si nj\u00eb luan, do t\u00eb rri n\u00eb prit\u00eb mbi rrug\u00eb si leopard;\n13:8 do t'i sulmoj si nj\u00eb arush\u00eb q\u00eb ia kan\u00eb marr\u00eb k\u00eblysh\u00ebt dhe t'u \u00e7aj kafazin e kraharorit; do t'i ha si nj\u00eb luanesh\u00eb, bishat e fushave do t'i shqyejn\u00eb.\n13:9 Ti je shkat\u00ebrruar, o Izrael, sepse je kund\u00ebr meje, kund\u00ebr ndihm\u00ebs sate.\n13:10 Ku \u00ebsht\u00eb tani mbreti yt, q\u00eb t\u00eb mund t\u00eb t\u00eb shp\u00ebtoj\u00eb n\u00eb t\u00eb gjitha qytetet e tua? Ku jan\u00eb gjykat\u00ebsit e tu p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebt thoshje: \"N\u00ebm nj\u00eb mbret dhe disa krer\u00eb\"?\n13:11 T\u00eb kam dh\u00ebn\u00eb nj\u00eb mbret n\u00eb zem\u00ebrimin tim dhe ta mora p\u00ebrs\u00ebri n\u00eb t\u00ebrbimin tim.\n13:12 Paudh\u00ebsia e Efraimit \u00ebsht\u00eb mbyllur n\u00eb vend t\u00eb t\u00eb sigurt, m\u00ebkati i tij mbahet i fshehur.\n13:13 Dhembje grash q\u00eb lindin do t\u00eb vin\u00eb mbi t\u00eb. \u00c9sht\u00eb nj\u00eb bir pa mend, sepse nuk duhet t\u00eb q\u00ebndroj\u00eb gjat\u00eb n\u00eb vendin ku dalin f\u00ebmij\u00ebt.\n13:14 Un\u00eb do t'i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t'i shp\u00ebtoj nga vdekja. O vdekje, un\u00eb do t\u00eb jem murtaja jote. O Sheol, un\u00eb do t\u00eb jem shkat\u00ebrrimi yt. Pendimi \u00ebsht\u00eb fshehur nga syt\u00eb e mi.\n13:15 Edhe n\u00eb rast se \u00ebsht\u00eb frytdh\u00ebn\u00ebs midis v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb tij, do t\u00eb vij\u00eb nga shkret\u00ebtira era e lindjes, do t\u00eb ngrihet nga shkret\u00ebtira era e Zotit, at\u00ebher\u00eb burimi i tij do t\u00eb thahet, gurra e tij do t\u00eb shteroj\u00eb. Ai do t\u00eb pla\u00e7kit\u00eb thesarin e \u00e7do ene t\u00eb \u00e7muar.\n13:16 Samaria do t\u00eb shkretohet, sepse ka ngritur krye kund\u00ebr Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb saj. Do t\u00eb bien nga shpata; f\u00ebmij\u00ebt e tyre do t\u00eb b\u00ebhen cop\u00eb-cop\u00eb dhe grave t\u00eb tyre me barr\u00eb do t'u \u00e7ajn\u00eb barkun\".\n14:1 O Izrael, kthehu tek Zoti, Per\u00ebndia yt, sepse ke r\u00ebn\u00eb posht\u00eb p\u00ebr shkak t\u00eb paudh\u00ebsis\u00eb sate.\n14:2 Merrni me vete disa fjal\u00eb dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: \"Largo \u00e7far\u00ebdo paudh\u00ebsi dhe prano at\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb e mir\u00eb, dhe ne do t\u00eb ofrojm\u00eb flijimet e buz\u00ebve tona.\n14:3 Asiria nuk do t\u00eb na shp\u00ebtoj\u00eb, nuk do t\u00eb hipim m\u00eb mbi kuaj dhe nuk do t'i themi m\u00eb vepr\u00ebs s\u00eb duarve tona: \"Ti je per\u00ebndia yn\u00eb\", sepse pran\u00eb teje jetimi gjen dhemshuri\".\n14:4 \"Un\u00eb do t\u00eb sh\u00ebroj shthurjen e tyre, do t'i dua shum\u00eb, sepse zem\u00ebrimi im u t\u00ebrhoq prej tyre.\n14:5 Do t\u00eb jem si vesa p\u00ebr Izraelin; dhe ai do t\u00eb lul\u00ebzoj\u00eb si zambaku dhe do t'i zgjat\u00eb rr\u00ebnj\u00ebt e tij n\u00eb thell\u00ebsi si kedrat e Libanit.\n14:6 Deg\u00ebt e tij do t\u00eb zgjaten, bukuria e tij do t\u00eb jet\u00eb si ajo e ullirit, aroma e tij do t\u00eb jet\u00eb si ajo e Libanit.\n14:7 Ata q\u00eb jetojn\u00eb n\u00eb hijen e tij do t\u00eb kthehen dhe do t\u00eb rigjall\u00ebrohen si gruri, do t\u00eb lul\u00ebzojn\u00eb si hardhia dhe do t\u00eb jen\u00eb t\u00eb famsh\u00ebm si vera e Libanit.\n14:8 Efraimi do t\u00eb thot\u00eb: \"\u00c7far\u00eb m\u00eb lidh m\u00eb me idhujt?\". Un\u00eb do ta k\u00ebnaq dhe do t\u00eb kujdesem p\u00ebr t\u00eb. Un\u00eb jam si nj\u00eb selvi p\u00ebrher\u00eb e blert\u00eb; fryti yt vjen te un\u00eb\".\n14:9 Kush \u00ebsht\u00eb i urt\u00eb, t'u kushtoj\u00eb kujdes k\u00ebtyre gj\u00ebrave. Kush ka mend le t'i kuptoje ato. Sepse rrug\u00ebt e Zotit jan\u00eb t\u00eb drejta; t\u00eb drejt\u00ebt do t\u00eb ecin n\u00ebp\u00ebr to, por shkel\u00ebsit do t\u00eb rr\u00ebzohen.","title":"Albanian Bible: Hosea","type":"page"}
