{"collection":"Bible & Christianity","html_url":"https://unchartedknowledge.5gfusion.net/browse/bib/wb/alb/jon.htm","path":"bib/wb/alb/jon.htm","source_url":"https://sacred-texts.com/bib/wb/alb/jon.htm","text":"1:1 Dhe fjala e Zotit iu drejtua Jonas, birit t\u00eb Amitait, duke th\u00ebn\u00eb:\n1:2 \"\u00c7ohu, shko n\u00eb Ninive, qytet i madh, dhe prediko kund\u00ebr tij, sepse lig\u00ebsia e tyre \u00ebsht\u00eb ngjitur p\u00ebrpara meje\".\n1:3 Por Jona u ngrit p\u00ebr t\u00eb ikur n\u00eb Tarshish, larg pranis\u00eb t\u00eb Zotit. K\u00ebshtu zbriti n\u00eb Jafa, ku gjeti nj\u00eb anije q\u00eb shkonte n\u00eb Tarshish. Pagoi \u00e7mimin e caktuar dhe hipi n\u00eb anije p\u00ebr t\u00eb shkuar me ta larg pranis\u00eb t\u00eb Zotit.\n1:4 Por Zoti shp\u00ebrtheu nj\u00eb er\u00eb t\u00eb fort\u00eb n\u00eb det dhe u ngrit nj\u00eb furtun\u00eb e madhe n\u00eb det, k\u00ebshtu q\u00eb anija rrezikonte t\u00eb shkallmohej.\n1:5 Detar\u00ebt, t\u00eb trembur, i thirr\u00ebn secili per\u00ebndis\u00eb s\u00eb vet dhe hodh\u00ebn n\u00eb det ngarkes\u00ebn q\u00eb ishte n\u00eb anije p\u00ebr ta leht\u00ebsuar. Nd\u00ebrkaq Jona kishte zbritur n\u00eb pjes\u00ebt m\u00eb t\u00eb fshehta t\u00eb anijes, kishte r\u00ebn\u00eb dhe flinte thell\u00eb.\n1:6 Kapiteni iu afrua dhe i tha: \"\u00c7far\u00eb po b\u00ebn n\u00eb gjum\u00eb kaq t\u00eb thell\u00eb? \u00c7ohu, k\u00ebrko Per\u00ebndin\u00eb t\u00ebnd! Ndofta Per\u00ebndia do t\u00eb kujdeset p\u00ebr ne dhe nuk do t\u00eb vdesim\".\n1:7 Pastaj i than\u00eb njeri tjetrit: \"Ejani, t\u00eb hedhim short p\u00ebr t\u00eb ditur p\u00ebr shkak t\u00eb kujt na ra n\u00eb kok\u00eb kjo fatkeq\u00ebsi\". K\u00ebshtu hodh\u00ebn shortin dhe shorti ra mbi Jonan.\n1:8 At\u00ebher\u00eb e pyet\u00ebn: \"Na shpjego p\u00ebr shkak t\u00eb kujt na ra n\u00eb kok\u00eb kjo fatkeq\u00ebsi. Cili \u00ebsht\u00eb zanati yt? Nga vjen? Cili \u00ebsht\u00eb vendi yt? Cilit popull i p\u00ebrket?\".\n1:9 Ai u p\u00ebrgjigj atyre: \"Un\u00eb jam hebre dhe kam frik\u00eb nga Zoti, Per\u00ebndia i qiellit, q\u00eb ka b\u00ebr\u00eb detin dhe steren\u00eb\".\n1:10 At\u00ebher\u00eb ata njer\u00ebz i pushtoi nj\u00eb frik\u00eb e madhe dhe i than\u00eb: \"Pse e b\u00ebr\u00eb k\u00ebt\u00eb?\". Ata n\u00eb fakt e kishin v\u00ebn\u00eb re q\u00eb ai ikte larg pranis\u00eb t\u00eb Zotit, sepse ua kishte th\u00ebn\u00eb atyre.\n1:11 Ata i than\u00eb: \"\u00c7far\u00eb duhet t\u00eb b\u00ebjm\u00eb q\u00eb deti t\u00eb na qet\u00ebsohet?\". N\u00eb fakt deti po b\u00ebhej gjithnj\u00eb m\u00eb i stuhish\u00ebm.\n1:12 Ai iu p\u00ebrgjigj atyre: \"M\u00eb zini dhe m\u00eb hidhni n\u00eb det dhe deti do t\u00eb qet\u00ebsohet, sepse un\u00eb e di q\u00eb kjo furtun\u00eb e madhe ju ra mbi kok\u00eb p\u00ebr shkakun tim\".\n1:13 Megjithat\u00eb ata njer\u00ebz vozitnin me forc\u00eb p\u00ebr ta kthyer anijen n\u00eb breg, por nuk ia dilnin dot, sepse deti b\u00ebhej gjithnj\u00eb m\u00eb i stuhish\u00ebm kund\u00ebr tyre.\n1:14 Prandaj i klith\u00ebn Zotit dhe i than\u00eb: \"Ah, o Zot, mos lejo q\u00eb t\u00eb vdesim p\u00ebr shkak t\u00eb jet\u00ebs s\u00eb k\u00ebtij njeriu dhe mos na faj\u00ebso me gjak t\u00eb pafajsh\u00ebm, sepse ti, o Zot, ke b\u00ebr\u00eb si ke dashur\".\n1:15 Pastaj e zun\u00eb Jonan dhe e hodh\u00ebn n\u00eb det, dhe t\u00ebrbimi i detit u fashit.\n1:16 Ata njer\u00ebz at\u00ebher\u00eb i zuri nj\u00eb frik\u00eb e madhe nga Zoti, i ofruan nj\u00eb flijim Zotit dhe u betuan.\n1:17 Zoti kishte p\u00ebrgatitur nj\u00eb peshk t\u00eb madh q\u00eb t\u00eb g\u00eblltiste Jonan; dhe Jona q\u00ebndroi tri dit\u00eb dhe tri net n\u00eb barkun e peshkut.\n2:1 At\u00ebher\u00eb Jona iu lut Zotit, Per\u00ebndis\u00eb t\u00eb tij, nga barku i peshkut dhe tha:\n2:2 \"N\u00eb fatkeq\u00ebsin\u00eb time i thirra Zotit dhe ai m'u p\u00ebrgjigj; nga gjiri i Sheolit i thirra dhe ti e d\u00ebgjove z\u00ebrin tim.\n2:3 M\u00eb hodhe n\u00eb nj\u00eb vend t\u00eb thell\u00eb, n\u00eb zem\u00ebr t\u00eb deteve, rryma m\u00eb mori dhe gjith\u00eb dallg\u00ebt e tua dhe val\u00ebt e tua m\u00eb kaluan sip\u00ebr.\n2:4 At\u00ebher\u00eb thash\u00eb: U d\u00ebbova nga prania jote. Megjithat\u00eb do t\u00eb shikoj akoma n\u00eb drejtim t\u00eb tempullit t\u00ebnd t\u00eb shenjt\u00eb.\n2:5 Uj\u00ebrat m\u00eb kan\u00eb rrethuar deri n\u00eb shpirt, humnera m\u00eb ka mb\u00ebshtjell\u00eb, algat u mblodh\u00ebn rreth kok\u00ebs sime.\n2:6 Zbrita deri n\u00eb themelet e maleve, toka mbylli shufrat e saj pas meje p\u00ebr gjithnj\u00eb, por ti e ngrite jet\u00ebn time nga gropa, o Zot, Per\u00ebndia im.\n2:7 Kur shpirti im po lig\u00ebshtohej brenda meje, kujtova Zotin, dhe lutja ime arriti deri te ti, n\u00eb tempullin t\u00ebnd t\u00eb shenjt\u00eb.\n2:8 Ata q\u00eb jepen pas kot\u00ebsive t\u00eb rreme braktisin vet\u00eb burimin e hirit t\u00eb tyre.\n2:9 Por un\u00eb me z\u00ebra l\u00ebvdimi do t\u00eb ofroj flijime dhe do t\u00eb plot\u00ebsoj betimet q\u00eb kam b\u00ebr\u00eb. Shp\u00ebtimi i p\u00ebrket Zotit\".\n2:10 At\u00ebher\u00eb Zoti i foli peshkut dhe peshku e volli Jonan n\u00eb breg.\n3:1 Fjala e Zotit iu drejtua Jonas p\u00ebr her\u00eb t\u00eb dyt\u00eb, duke th\u00ebn\u00eb:\n3:2 \"\u00c7ohu, shko n\u00eb Ninive, qyteti i madh, dhe shpalli atij mesazhin q\u00eb po t\u00eb urdh\u00ebroj\".\n3:3 K\u00ebshtu Jona u ngrit dhe shkoi n\u00eb Ninive, sipas fjal\u00ebs t\u00eb Zotit. Ninivie ishte nj\u00eb qytet shum\u00eb i madh p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb donte tri dit\u00eb rrug\u00eb p\u00ebr ta p\u00ebrshkuar.\n3:4 Jona nisi t\u00eb futet n\u00eb qytet n\u00eb nj\u00eb dit\u00eb rrug\u00eb dhe duke predikuar tha: \"Edhe dyzet dit\u00eb dhe Ninive do t\u00eb shkat\u00ebrrohet\".\n3:5 At\u00ebher\u00eb Niniveasit i besuan Per\u00ebndis\u00eb, shpall\u00ebn nj\u00eb agj\u00ebrim dhe u vesh\u00ebn me thes, nga m\u00eb i madhi deri te m\u00eb i vogli nga ata.\n3:6 Kur lajmi i vajti mbretit t\u00eb Ninivet, ai u ngrit nga froni, hoqi mantelin e tij, u mbulua me thes dhe u ul mbi hi.\n3:7 Me dekret t\u00eb mbretit dhe t\u00eb t\u00eb m\u00ebdhenjve t\u00eb tij, shpalli dhe p\u00ebrhapi pastaj n\u00eb Ninive nj\u00eb urdh\u00ebr q\u00eb thoshte: \"Njer\u00ebzit dhe kafsh\u00ebt, kopet\u00eb dhe tufat t\u00eb mos k\u00ebrkojn\u00eb asgj\u00eb, t\u00eb mos han\u00eb ushqim dhe t\u00eb mos pijn\u00eb uj\u00eb;\n3:8 por njer\u00ebzit dhe kafsh\u00ebt t\u00eb mbulohen me thes dhe t'i th\u00ebrresin me forc\u00eb Per\u00ebndis\u00eb; secili t\u00eb kthehet nga rruga e tij e keqe dhe nga dhuna q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb duart e tij.\n3:9 Ku ta dish n\u00eb ktheft\u00eb Per\u00ebndia, n\u00eb u pendoft\u00eb dhe l\u00ebnt\u00eb m\u00ebnjan\u00eb zem\u00ebrimin e tij t\u00eb zjarrt\u00eb, dhe k\u00ebshtu ne nuk vdesim\".\n3:10 Kur Per\u00ebndia pa at\u00eb q\u00eb b\u00ebnin, dometh\u00ebn\u00eb q\u00eb po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Per\u00ebndia u pendua p\u00ebr t\u00eb keqen q\u00eb kishte th\u00ebn\u00eb se do t'u b\u00ebnte dhe nuk e b\u00ebri.\n4:1 Por kjo nuk i p\u00eblqeu aspak Jonas, i cili u zem\u00ebrua.\n4:2 K\u00ebshtu ai iu lut Zotit, duke th\u00ebn\u00eb: \"Ah, o Zot, a nuk ishte vall\u00eb kjo q\u00eb un\u00eb thoja kur isha akoma n\u00eb vendin tim? Prandaj ika n\u00eb fillim n\u00eb Tarshish, sepse e dija q\u00eb je nj\u00eb Per\u00ebndi i m\u00ebshirsh\u00ebm dhe plot dhembshuri, i ngadalsh\u00ebm n\u00eb zem\u00ebrim dhe me shum\u00eb dashamir\u00ebsi, dhe q\u00eb pendohesh p\u00ebr t\u00eb keqen e hak\u00ebrruar.\n4:3 Tani, pra, o Zot, t\u00eb lutem, ma hiq jet\u00ebn, sepse p\u00ebr mua \u00ebsht\u00eb m\u00eb mir\u00eb t\u00eb vdes se sa t\u00eb rroj\".\n4:4 Por Zoti i tha: \"A t\u00eb duket e drejt\u00eb t\u00eb zem\u00ebrohesh k\u00ebshtu?\".\n4:5 At\u00ebher\u00eb Jona doli nga qyteti dhe u ul n\u00eb lindje t\u00eb qytetit; atje b\u00ebri nj\u00eb kasolle dhe u ul n\u00ebn t\u00eb, n\u00eb hije, q\u00eb t\u00eb mund t\u00eb shikonte \u00e7far\u00eb do t'i ndodhte qytetit.\n4:6 At\u00ebher\u00eb Zoti Per\u00ebndi p\u00ebrgatiti nj\u00eb bim\u00eb q\u00eb u rrit p\u00ebrmbi Jonan, p\u00ebr t'i b\u00ebr\u00eb hije kok\u00ebs s\u00eb tij dhe p\u00ebr ta \u00e7liruar nga e keqja e tij; dhe Jona ndjeu nj\u00eb g\u00ebzim t\u00eb madh nga kjo bim\u00eb.\n4:7 T\u00eb nes\u00ebrmen n\u00eb t\u00eb gdhir\u00eb Per\u00ebndia d\u00ebrgoi nj\u00eb krimb q\u00eb i ra bim\u00ebs, dhe kjo u tha.\n4:8 Kur u ngrit dielli Per\u00ebndia solli nj\u00eb er\u00eb mbyt\u00ebse nga lindja, dhe dielli i ra n\u00eb kok\u00eb Jonas, q\u00eb e ndjeu veten t\u00eb lig\u00ebshtuar dhe k\u00ebrkoi t\u00eb vdes\u00eb, duke th\u00ebn\u00eb: \"P\u00ebr mua \u00ebsht\u00eb m\u00eb mir\u00eb t\u00eb vdes se sa t\u00eb rroj\".\n4:9 Per\u00ebndia i tha Jonas: \"A t\u00eb duket e drejt\u00eb t\u00eb zem\u00ebrohesh k\u00ebshtu p\u00ebr bim\u00ebn?\". Ai u p\u00ebrgjigj: \"Po, \u00ebsht\u00eb e drejt\u00eb p\u00ebr mua t\u00eb zem\u00ebrohem deri n\u00eb vdekje\".\n4:10 Por Zoti tha: \"Ty t\u00eb erdhi keq p\u00ebr bim\u00ebn p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn nuk je munduar dhe nuk e ke rritur, dhe q\u00eb nj\u00eb nat\u00eb u rrit dhe n\u00eb nj\u00eb nat\u00eb mbaroi.\n4:11 Dhe mua nuk duhet t\u00eb m\u00eb vij\u00eb keq p\u00ebr Niniven, qytetin e madh, n\u00eb t\u00eb cilin ka nj\u00ebqind e nj\u00ebzetmij\u00eb veta q\u00eb nuk dijn\u00eb t\u00eb dallojn\u00eb t\u00eb djatht\u00ebn e tyre nga e majta e tyre, dhe nj\u00eb sasi t\u00eb madhe kafsh\u00ebsh?\".","title":"Albanian Bible: Jonah","type":"page"}
