{"collection":"Bible & Christianity","html_url":"https://unchartedknowledge.5gfusion.net/browse/bib/wb/alb/rev.htm","path":"bib/wb/alb/rev.htm","source_url":"https://sacred-texts.com/bib/wb/alb/rev.htm","text":"1:1 i cili d\u00ebshmoi fjal\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb dhe d\u00ebshmin\u00eb e Jezu Krishtit, dhe t\u00eb gjitha gj\u00ebrat q\u00eb pa.\n1:2 Lum ai q\u00eb lexon dhe lum ata q\u00eb d\u00ebgjojn\u00eb fjal\u00ebt e k\u00ebsaj profecie dhe q\u00eb ruajn\u00eb ato q\u00eb jan\u00eb shkruar n\u00eb t\u00eb, sepse koha \u00ebsht\u00eb af\u00ebr.\n1:3 Gjoni, shtat\u00eb kishave q\u00eb jan\u00eb n\u00eb Azi: hir p\u00ebr ju dhe paqe nga ana e atij q\u00eb \u00ebsht\u00eb dhe q\u00eb ishte dhe q\u00eb do t\u00eb vij\u00eb; edhe nga t\u00eb shtat\u00eb frym\u00ebrat q\u00eb jan\u00eb p\u00ebrpara fronit t\u00eb tij,\n1:4 dhe nga Jezu Krishti, d\u00ebshmitari besnik, i par\u00eblinduri prej s\u00eb vdekurish dhe Princ i mbret\u00ebrve t\u00eb dheut.\n1:5 Atij q\u00eb na deshi dhe na lau nga m\u00ebkatet tona n\u00eb gjakun e tij, dhe na b\u00ebri mbret\u00ebr dhe prift\u00ebr p\u00ebr Per\u00ebndin\u00eb dhe Atin e tij, atij i qoft\u00eb lavdi dhe pushtet n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve. Amen.\n1:6 Ja, ai vjen me ret\u00eb dhe \u00e7do sy do ta shoh\u00eb, edhe ata q\u00eb e tejshpuan; dhe t\u00eb gjitha fiset e dheut do t\u00eb vajtojn\u00eb p\u00ebr t\u00eb. Po, amen.\n1:7 ''Un\u00eb jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi'', thot\u00eb Zoti ''q\u00eb \u00ebsht\u00eb dhe q\u00eb ishte dhe q\u00eb vjen, i Plotfuqishmi''.\n1:8 Un\u00eb, Gjoni, q\u00eb jam edhe v\u00ebllai juaj dhe pjestar bashk\u00eb me ju n\u00eb pik\u00ebllimin, n\u00eb mbret\u00ebrin\u00eb dhe n\u00eb durimin e Jezu Krishtit, isha n\u00eb ishullin q\u00eb quhet Patmos, p\u00ebr fjal\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb dhe p\u00ebr d\u00ebshmin\u00eb e Jezu Krishtit.\n1:9 Isha n\u00eb Frym\u00eb dit\u00ebn e Zotit dhe d\u00ebgjova pas meje nj\u00eb z\u00eb t\u00eb madh si nga nj\u00eb bori,\n1:10 q\u00eb thoshte: ''Un\u00eb jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, dhe \u00e7far\u00eb sheh, shkruaji n\u00eb nj\u00eb lib\u00ebr dhe ua d\u00ebrgo shtat\u00eb kishave q\u00eb jan\u00eb n\u00eb Azi: n\u00eb Efes, n\u00eb Smirn\u00eb, n\u00eb Pergam, n\u00eb Tiatir\u00eb, n\u00eb Sard\u00eb, n\u00eb Filadelfi dhe n\u00eb Laodice''.\n1:11 Dhe u solla t\u00eb shoh z\u00ebrin q\u00eb foli me mua. Dhe, si u solla, pash\u00eb shtat\u00eb shandan\u00eb ari\n1:12 dhe, n\u00eb mes t\u00eb shtat\u00eb shandan\u00ebve, nj\u00eb t\u00eb ngjash\u00ebm me nj\u00eb Bir njeriu, t\u00eb veshur me nj\u00eb petk t\u00eb gjat\u00eb deri te k\u00ebmb\u00ebt dhe ngjeshur me nj\u00eb brez ari n\u00eb gjoks.\n1:13 Dhe kryet e tij dhe flok\u00ebt e tij ishin t\u00eb bardh\u00eb si lesh i bardh\u00eb, si bora, dhe syt\u00eb e tij e ngjanin nj\u00eb flake zjarri.\n1:14 Dhe k\u00ebmb\u00ebt e tij ngjanin me bronz t\u00eb kulluar, si t\u00eb skuqur n\u00eb furr\u00eb dhe z\u00ebri i tij si z\u00eb shum\u00eb uj\u00ebrash.\n1:15 Dhe kishte n\u00eb dor\u00ebn e tij t\u00eb djatht\u00eb shtat\u00eb yje dhe nga goja e tij dilte nj\u00eb shpat\u00eb e mpreht\u00eb, me dy tehe, dhe fytyra e tij si dielli q\u00eb ndrin me forc\u00ebn e tij.\n1:16 Dhe kur e pash\u00eb, rash\u00eb para k\u00ebmb\u00ebve t\u00eb tij si i vdekur. Dhe ai vuri dor\u00ebn e tij t\u00eb djatht\u00eb mbi mua, duke m\u00eb th\u00ebn\u00eb: ''Mos u tremb! Un\u00eb jam i pari dhe i fundit,\n1:17 dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjall\u00eb n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve, amen; dhe un\u00eb i kam \u00e7el\u00ebsat e vdekjes e t\u00eb Hadesit.\n1:18 Shkruaj, pra, gj\u00ebrat q\u00eb pe, ato q\u00eb jan\u00eb dhe ato q\u00eb do t\u00eb ndodhin pas atyre,\n1:19 misterin e t\u00eb shtat\u00eb yjeve q\u00eb ti pe n\u00eb t\u00eb djatht\u00ebn time, dhe t\u00eb shtat\u00eb shandan\u00ebve prej ari. T\u00eb shtat\u00eb yjet jan\u00eb engj\u00ebjt e shtat\u00eb kishave, dhe t\u00eb shtat\u00eb shandan\u00ebt q\u00eb pe jan\u00eb shtat\u00eb kishat''.\n1:20 ''Engj\u00ebllit t\u00eb kish\u00ebs n\u00eb Efes shkruaji: k\u00ebt\u00eb thot\u00eb ai q\u00eb mban t\u00eb shtat\u00eb yjet n\u00eb t\u00eb djatht\u00ebn e tij dhe q\u00eb ec\u00ebn n\u00eb mes t\u00eb shtat\u00eb shandan\u00ebve prej ari.\n2:1 Un\u00eb i njoh veprat e tua, mundin t\u00ebnd dhe durimin t\u00ebnd edhe se ti s'mund t'i durosh t\u00eb k\u00ebqijt\u00eb; ti i vure n\u00eb prov\u00eb ata q\u00eb pretendojn\u00eb se jan\u00eb apostuj dhe nuk jan\u00eb dhe i gjete g\u00ebnjeshtar\u00eb.\n2:2 Ti ke duruar, ke q\u00ebndrueshm\u00ebri dhe p\u00ebr hir t\u00eb emrit tim je munduar pa u lodhur.\n2:3 Por kam di\u00e7ka kund\u00ebr teje, sepse dashurin\u00eb t\u00ebnde t\u00eb par\u00ebn e le.\n2:4 Kujtohu, pra, se nga ke r\u00ebn\u00eb, pendohu, dhe b\u00ebj veprat e para; n\u00eb mos do t\u00eb vi s\u00eb shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin t\u00ebnd nga vendi i vet, n\u00ebse nuk pendohesh.\n2:5 Por ti ke k\u00ebt\u00eb, q\u00eb i urren veprat e Nikolait\u00ebve, q\u00eb i urrej edhe un\u00eb.\n2:6 Kush ka vesh\u00eb, le t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb at\u00eb q\u00eb u thot\u00eb Fryma kishave: kujt fiton do t'i jap t\u00eb haj\u00eb nga pema e jet\u00ebs, q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb mes t\u00eb parajs\u00ebs s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb''.\n2:7 ''Dhe engj\u00ebllit t\u00eb kish\u00ebs n\u00eb Smirn\u00eb, shkruaji: k\u00ebt\u00eb thot\u00eb i pari dhe i fundit, q\u00eb qe i vdekur dhe kthehej n\u00eb jet\u00eb.\n2:8 Un\u00eb i njoh veprat e tua, dhe shtrengimin e varf\u00ebrin\u00eb (por ti je i pasur) dhe blasfemin\u00eb e atyre q\u00eb e quajn\u00eb veten Judenj, por nuk jan\u00eb, por jan\u00eb nj\u00eb sinagog\u00eb e Satanit.\n2:9 Mos ki frik\u00eb nga ato p\u00ebr t\u00eb cilat do t\u00eb vuash; ja, djalli do t\u00eb hedh\u00eb disa prej jush n\u00eb burg, q\u00eb t\u00eb provoheni, dhe ju do t\u00eb keni shtrengim p\u00ebr dhjet\u00eb dit\u00eb. Ji besnik deri n\u00eb vdekje dhe un\u00eb do t\u00eb t\u00eb jap kuror\u00ebn e jet\u00ebs.\n2:10 Kush ka vesh\u00eb, le t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb at\u00eb q\u00eb Fryma u thot\u00eb kishave: kush fiton nuk do t\u00eb preket nga vdekja e dyt\u00eb''.\n2:11 ''Dhe engj\u00ebllit t\u00eb kish\u00ebs n\u00eb Pergam, shkruaji: K\u00ebto gj\u00ebra thot\u00eb ai q\u00eb ka shpat\u00ebn e mpreht\u00eb me dy teh\u00eb:\n2:12 Un\u00eb i di veprat e tua dhe ku banon, atje ku \u00ebsht\u00eb froni i Satanit; dhe ti mbahesh fort tek emri im dhe nuk e mohove besimin n\u00eb mua, edhe n\u00eb ato dit\u00eb kur Antipa, d\u00ebshmitari im, besnik, u vra midis jush, atje ku banon Satani.\n2:13 Por kam disa gj\u00ebra kund\u00ebr teje: sepse ke aty disa q\u00eb mbajn\u00eb m\u00ebsimin e Balaamit, i cili e m\u00ebsoi Balakun t'u v\u00ebr\u00eb nj\u00eb gur\u00eb pengese p\u00ebrpara bjive t\u00eb Izraelit q\u00eb t\u00eb han\u00eb flijime idhujsh dhe t\u00eb kurv\u00ebrojn\u00eb.\n2:14 K\u00ebshtu ti ke edhe disa q\u00eb mbajn\u00eb m\u00ebsimin e Nikolait\u00ebve, t\u00eb cil\u00ebn gj\u00eb e urrej.\n2:15 Pendohu, p\u00ebrndryshe do t\u00eb vij s\u00eb shpejti te ti dhe do t\u00eb luftoj kund\u00ebr tyre me shpat\u00ebn e goj\u00ebs sime.\n2:16 Kush ka vesh\u00eb, le t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb at\u00eb q\u00eb Fryma u thot\u00eb kishave: kujt fiton do t'i jap t\u00eb haj\u00eb nga mana q\u00eb \u00ebsht\u00eb fshehur; dhe do t'i jap nj\u00eb gur t\u00eb bardh\u00eb, dhe mbi gur \u00ebsht\u00eb shkruar nj\u00eb em\u00ebr i ri, t\u00eb cilin s'e njeh askush, p\u00ebrve\u00e7 atij q\u00eb e merr''.\n2:17 ''Edhe engj\u00ebllit t\u00eb kish\u00ebs n\u00eb Tiatir\u00eb shkruaji: K\u00ebto gj\u00ebra thot\u00eb Biri i Per\u00ebndis\u00eb, ai q\u00eb ka syt\u00eb si flak\u00eb zjarri dhe k\u00ebmb\u00ebt e tij jan\u00eb t\u00eb ngjash\u00ebm me bronz t\u00eb shk\u00eblqyesh\u00ebm.\n2:18 Un\u00eb i njoh veprat e tua, dashurin\u00eb t\u00ebnde, besimin t\u00ebnd, sh\u00ebrbimin t\u00ebnd, durimin t\u00ebnd dhe di q\u00eb veprat e tua t\u00eb fundit jan\u00eb m\u00eb t\u00eb shumta se t\u00eb parat.\n2:19 Por kam disa gj\u00ebra kund\u00ebr teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, q\u00eb e quan veten profetesh\u00eb, t\u00eb m\u00ebsoj\u00eb dhe t'i mashtroj\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e mi t\u00eb kurv\u00ebrojn\u00eb dhe t\u00eb han\u00eb gj\u00ebra t\u00eb flijiuara idhujve.\n2:20 Dhe i dhash\u00eb koh\u00eb q\u00eb t\u00eb pendohet p\u00ebr kurv\u00ebrin\u00eb e saj, por ajo nuk u pendua.\n2:21 Ja, un\u00eb e flak\u00eb at\u00eb n\u00eb nj\u00eb shtrat vuajtjesh, dhe ata q\u00eb kurv\u00ebrojn\u00eb me t\u00eb, n\u00eb shtr\u00ebngim t\u00eb madh, po nuk u penduan p\u00ebr veprat e tyre;\n2:22 Dhe do t'i godas me vdekje bijt\u00eb e saj; dhe t\u00eb gjitha kishat do t\u00eb njohin se un\u00eb jam ai q\u00eb heton mendjet dhe zemrat; dhe do t'i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave t\u00eb veta.\n2:23 Por juve dhe t\u00eb tjer\u00ebve q\u00eb jan\u00eb n\u00eb Tiatir\u00eb, q\u00eb nuk kan\u00eb k\u00ebt\u00eb doktrin\u00eb dhe nuk i kan\u00eb njohur thell\u00ebsirat e Satanit, si\u00e7 e quajn\u00eb ata, un\u00eb them: nuk do t\u00eb v\u00eb barr\u00eb tjet\u00ebr mbi ju;\n2:24 por mbajeni fort at\u00eb q\u00eb keni, derisa t\u00eb vij.\n2:25 Dhe kujt fiton dhe i ruan deri n\u00eb fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet;\n2:26 dhe ai do t'i qeveris\u00eb ata me nj\u00eb shuf\u00ebr hekuri dhe ata do t\u00eb thyhen si en\u00eb argjile, sikurse mora edhe un\u00eb pushtet prej Atit tim;\n2:27 dhe un\u00eb do t'i jap atij yllin e m\u00ebngjesit.\n2:28 Kush ka vesh\u00eb, le t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb at\u00eb q\u00eb Fryma u thot\u00eb kishave''.\n2:29 ''Dhe engj\u00ebllit t\u00eb kish\u00ebs n\u00eb Sard\u00eb shkruaji: k\u00ebto gj\u00ebra thot\u00eb ai q\u00eb ka t\u00eb shtat\u00eb Frym\u00ebrat e Per\u00ebndis\u00eb dhe t\u00eb shtat\u00eb yjet. Un\u00eb i di veprat e tua; ti ke emrin se jeton, por je i vdekur.\n3:1 Ji sy\u00e7el\u00eb dhe forco mbetjen e gj\u00ebrave q\u00eb gati po vdesin, sepse nuk i gjeta t\u00eb p\u00ebrkryera veprat e tua p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb tim.\n3:2 Kujto, pra, at\u00eb q\u00eb more dhe d\u00ebgjove, dhe ruaje edhe pendohu. Po t\u00eb mos rrish zgjuar, un\u00eb do t\u00eb vij te ti si vjedh\u00ebs, dhe nuk do t\u00eb dish n\u00eb \u00e7'or\u00eb do t\u00eb vij te ti.\n3:3 Por ke disa veta n\u00eb Sard\u00eb, q\u00eb nuk e ndot\u00ebn petkat e tyre; edhe do t\u00eb ecin me mua t\u00eb veshur n\u00eb t\u00eb bardha, sepse jan\u00eb t\u00eb denj\u00eb.\n3:4 Kush fiton do t\u00eb vishet me rroba t\u00eb bardha dhe un\u00eb nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jet\u00ebs, por do t\u00eb rr\u00ebfej emrin e tij p\u00ebrpara Atit tim dhe para engj\u00ebjve t\u00eb tij.\n3:5 Kush ka vesh\u00eb, le t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb at\u00eb q\u00eb Fryma u thot\u00eb kishave''.\n3:6 ''Dhe engj\u00ebllit t\u00eb kish\u00ebs s\u00eb Filadelfis\u00eb shkruaji: k\u00ebt\u00eb thot\u00eb i Shenjti, i V\u00ebrteti, ai q\u00eb ka \u00e7el\u00ebsin e Davidit, ai q\u00eb hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.\n3:7 Un\u00eb njoh veprat e tua; ja, t\u00eb vura p\u00ebrpara nj\u00eb dere t\u00eb hapur q\u00eb asnj\u00ebri nuk mund ta mbyll\u00eb; sepse ke pak forc\u00eb, dhe e ruajte fjal\u00ebn time edhe nuk mohove emrin tim.\n3:8 Ja, un\u00eb do t\u00eb dor\u00ebzoj disa nga sinagoga e Satanit, q\u00eb e quajn\u00eb veten Judenj, dhe nuk jan\u00eb, por g\u00ebnjejn\u00eb; ja, un\u00eb do t'i b\u00ebj t\u00eb vijn\u00eb dhe t\u00eb bien p\u00ebrmbys p\u00ebrpara k\u00ebmb\u00ebve t\u00eb tua, dhe do t\u00eb njohin se un\u00eb t\u00eb kam dashur.\n3:9 Sepse e ruajte fjal\u00ebn e durimit tim, edhe un\u00eb do t\u00eb t\u00eb ruaj ty nga ora e sprov\u00ebs q\u00eb do t\u00eb vij mbi gjith\u00eb bot\u00ebn, p\u00ebr t\u00eb provuar ata q\u00eb banojn\u00eb mbi dhe.\n3:10 Ja, un\u00eb vij shpejt; mbaje fort at\u00eb q\u00eb ke, q\u00eb t\u00eb mos t\u00eb marr\u00eb ndokush kuror\u00ebn t\u00ebnde.\n3:11 Kush fiton do ta b\u00ebj shtyll\u00eb n\u00eb tempullin e Per\u00ebndis\u00eb tim, dhe ai nuk do t\u00eb dal\u00eb m\u00eb p\u00ebrjashta; dhe do t\u00eb shkruaj mbi t\u00eb emrin e Per\u00ebndis\u00eb tim, dhe emrin e qytetit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb tim, t\u00eb Jeruzalemit t\u00eb ri, q\u00eb zbret nga qielli nga Per\u00ebndia im, dhe emrin tim t\u00eb ri.\n3:12 Kush ka vesh\u00eb, le t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb at\u00eb q\u00eb Fryma u thot\u00eb kishave''.\n3:13 ''Dhe engj\u00ebllit t\u00eb kish\u00ebs n\u00eb Laodice shkruaji: k\u00ebt\u00eb thot\u00eb Ameni, D\u00ebshmitari besnik dhe i v\u00ebrtet\u00eb, Fillimi i krijes\u00ebs s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb.\n3:14 Un\u00eb njoh veprat e tua, q\u00eb ti nuk je as i ftoht\u00eb as i ngroht\u00eb. Do t\u00eb doja t\u00eb ishe i ftoht\u00eb ose i ngroht\u00eb!\n3:15 Por, mbasi je k\u00ebshtu i vak\u00ebt, dhe as i ftoht\u00eb e as i ngroht\u00eb, un\u00eb do t\u00eb t\u00eb vjell nga goja ime.\n3:16 Sepse ti thua: \"Un\u00eb jam i pasur, u pasurova dhe s'kam nevoj\u00eb p\u00ebr asgj\u00eb\"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varf\u00ebr, i verb\u00ebr dhe i zhveshur.\n3:17 T\u00eb k\u00ebshilloj t\u00eb blesh nga un\u00eb ar t\u00eb kulluar n\u00eb zjarr q\u00eb t\u00eb b\u00ebhesh i pasur; edhe petka t\u00eb bardh\u00eb q\u00eb t\u00eb vishesh dhe t\u00eb mos duket turpi i lakuriq\u00ebsis\u00eb sate; edhe vajos syt\u00eb e tu me kolir, q\u00eb t\u00eb shoh\u00ebsh.\n3:18 Un\u00eb t\u00eb gjith\u00eb ata q\u00eb i dua i qortoj dhe i nd\u00ebshkoj; prandaj ji i zellsh\u00ebm dhe pendohu.\n3:19 Ja, un\u00eb q\u00ebndroj te dera dhe trokas; n\u00ebse dikush d\u00ebgjon z\u00ebrin tim dhe t\u00eb hap\u00eb der\u00ebn, un\u00eb do t\u00eb hyj tek ai dhe do t\u00eb ha dark\u00eb me t\u00eb dhe ai me mua.\n3:20 Kujt fiton do t'i jap t\u00eb ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe un\u00eb fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.\n3:21 Kush ka vesh\u00eb, le t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb at\u00eb q\u00eb u thot\u00eb Fryma kishave''.\n3:22 Pas k\u00ebtyre gj\u00ebrave, pash\u00eb dhe ja, nj\u00eb der\u00eb u hap n\u00eb qiell dhe z\u00ebri i par\u00eb q\u00eb kisha d\u00ebgjuar t\u00eb fliste me mua si bori, tha: ''Ngjitu k\u00ebtu dhe do t\u00eb t\u00eb tregoj gj\u00ebrat q\u00eb duhet t\u00eb ndodhin pas k\u00ebtyre gj\u00ebrave''.\n4:1 Dhe menj\u00ebher\u00eb erdha n\u00eb frym\u00eb; dhe ja, nj\u00eb fron ishte n\u00eb qiell dhe mbi fron rrinte nj\u00eb i ulur.\n4:2 Dhe ai q\u00eb ishte ulur nga pamja i ngjante nj\u00eb guri diaspri dhe sardi; dhe rreth fronit ishte nj\u00eb ylber q\u00eb i ngjante smeraldit.\n4:3 Dhe rreth e qark fronit ishin nj\u00ebzet e kat\u00ebr frone, dhe mbi frone pash\u00eb ndenjur nj\u00ebzet e kat\u00ebr pleq t\u00eb veshur me petka t\u00eb bardha; dhe mbi kryet e tyre kishin kurora:\n4:4 dhe nga froni shp\u00ebrthenin vet\u00ebtima, bubullima dhe z\u00ebra; dhe p\u00ebrpara fronit ishin shtat\u00eb llamba t\u00eb ndezura, q\u00eb jan\u00eb t\u00eb shtat\u00eb Frym\u00ebrat e Per\u00ebndis\u00eb.\n4:5 Dhe p\u00ebrpara fronit ishte si nj\u00eb det i qelqt\u00eb q\u00eb i ngjante kristalit, dhe n\u00eb mes t\u00eb fronit dhe p\u00ebrreth fronit kat\u00ebr kafsh\u00eb, q\u00eb ishin plot me sy p\u00ebrpara dhe prapa.\n4:6 Qenia e par\u00eb e gjall\u00eb ishte e ngjashme me nj\u00eb luan, edhe qenia e dyt\u00eb e gjall\u00eb e ngjashme me nj\u00eb vi\u00e7, edhe qenia e tret\u00eb e gjall\u00eb kishte fytyr\u00eb si t\u00eb njeriut, edhe e kat\u00ebrta ishte e ngjashme me nj\u00eb shqiponj\u00eb n\u00eb fluturim.\n4:7 Edhe t\u00eb kat\u00ebr qeniet e gjalla kishin secila nga gjasht\u00eb krah\u00eb p\u00ebrqark, edhe p\u00ebrbrenda ishin plot me sy; dhe nuk pushojn\u00eb kurr\u00eb, as dit\u00eb as nat\u00eb, duke th\u00ebn\u00eb: ''I shenjt\u00eb, i shenjt\u00eb, i shenjt\u00eb \u00ebsht\u00eb Zoti Per\u00ebndi, i Plotfuqishmi, q\u00eb ishte, q\u00eb \u00ebsht\u00eb dhe q\u00eb do t\u00eb vij\u00eb!''.\n4:8 Sa her\u00eb q\u00eb qeniet e gjalla i japin lavdi, nder e t\u00eb falenderim atij q\u00eb rri ulur mbi fron, atij q\u00eb rron n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve,\n4:9 t\u00eb nj\u00ebzet e kat\u00ebr pleq bien p\u00ebrmbys p\u00ebrpara atij q\u00eb rri mbi fron dhe adhurojn\u00eb at\u00eb q\u00eb jeton n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve dhe i hedhin kurorat e tyre p\u00ebrpara fronit, duke th\u00ebn\u00eb:\n4:10 ''Ti je i denj\u00eb, o Zot, t\u00eb marr\u00ebsh lavdin\u00eb, nderimin dhe fuqin\u00eb, sepse ti i krijove t\u00eb gjitha gj\u00ebra, dhe n\u00ebp\u00ebrmjet vullnetit t\u00ebnd ekzistojn\u00eb dhe u krijuan''.\n4:11 Pastaj pash\u00eb n\u00eb dor\u00ebn e djatht\u00eb t\u00eb atij q\u00eb rrinte ulur mbi fron, nj\u00eb lib\u00ebr t\u00eb shkruar p\u00ebrbrenda dhe p\u00ebrjashta, t\u00eb vulosur me shtat\u00eb vula.\n5:1 Dhe pash\u00eb nj\u00eb engj\u00ebll t\u00eb fuqish\u00ebm, q\u00eb proklamoi me z\u00eb t\u00eb madh: ''Kush \u00ebsht\u00eb i denj\u00eb t\u00eb hap\u00eb librin dhe t\u00eb zgjidh\u00eb vulat e tij?''.\n5:2 Po kurrkush, as n\u00eb qiell, as mbi dhe, as n\u00ebn dhe, nuk mund t\u00eb hapte librin e ta shihte at\u00eb.\n5:3 Edhe un\u00eb qaja shum\u00eb, sepse s'qe gjetur asnj\u00eb i denj\u00eb t\u00eb hap\u00eb dhe t\u00eb lexoj\u00eb librin, dhe as ta shoh\u00eb.\n5:4 At\u00ebher\u00eb nj\u00eb nga pleqt\u00eb m\u00eb tha: ''Mos qaj; ja, Luani i fisit t\u00eb Jud\u00ebs, Rr\u00ebnja e Davidit, fitoi t\u00eb hap\u00eb librin dhe t\u00eb zgjidh\u00eb t\u00eb shtat\u00eb vulat e tij''.\n5:5 Dhe pash\u00eb, n\u00eb mes t\u00eb fronit dhe t\u00eb kat\u00ebr gjenieve t\u00eb gjalla dhe n\u00eb mes t\u00eb pleqve, nj\u00eb Qengj si i therur, i cili kishte shtat\u00eb brir\u00eb dhe shtat\u00eb sy, q\u00eb jan\u00eb t\u00eb shtat\u00eb Frym\u00ebrat e Per\u00ebndis\u00eb, t\u00eb d\u00ebrguar n\u00eb gjith\u00eb dheun.\n5:6 Ai erdhi dhe mori librin nga dora e djatht\u00eb e atij q\u00eb rrinte mbi fron.\n5:7 Dhe, mbasi e mori librin, t\u00eb kat\u00ebr qeniet e gjalla dhe t\u00eb nj\u00ebzet e kat\u00ebr pleqt\u00eb ran\u00eb p\u00ebrmbys p\u00ebrpara Qengjit, duke pasur secili nj\u00eb qeste dhe disa kupa ari plot me er\u00eb t\u00eb k\u00ebndshme, t\u00eb cilat jan\u00eb lutjet e shenjtor\u00ebve.\n5:8 Dhe k\u00ebndonin nj\u00eb k\u00ebng\u00eb t\u00eb re duke th\u00ebn\u00eb: ''Ti je i denj\u00eb ta marr\u00ebsh librin dhe t\u00eb hap\u00ebsh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun t\u00ebnd na bleve te Per\u00ebndia nga \u00e7do fis, gjuh\u00eb, popull dhe komb,\n5:9 dhe na b\u00ebre mbret\u00ebr dhe prift\u00ebr p\u00ebr Per\u00ebndin\u00eb ton\u00eb, dhe do t\u00eb mbret\u00ebrojm\u00eb mbi dhe''.\n5:10 Pastaj pash\u00eb, dhe d\u00ebgjova z\u00ebrin e shum\u00eb engj\u00ebjve p\u00ebrqark fronit, qenieve t\u00eb gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjet\u00eb mij\u00ebra dhjet\u00eb mij\u00ebrash dhe mij\u00ebra mij\u00ebrash,\n5:11 q\u00eb thoshnin me z\u00eb t\u00eb madh: ''I denj\u00eb \u00ebsht\u00eb Qengji q\u00eb u ther, t\u00eb marr\u00eb fuqin\u00eb, dhe pasurin\u00eb, dhe diturin\u00eb, dhe forc\u00ebn, dhe nderin, dhe lavdin\u00eb, dhe bekimin''.\n5:12 Edhe d\u00ebgjova \u00e7do krijes\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb qiell, mbi dhe, n\u00ebn dhe dhe ato q\u00eb jan\u00eb n\u00eb det dhe gjitha gj\u00ebrat sa jan\u00eb n\u00eb to, q\u00eb thoshnin: ''Atij q\u00eb rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve''.\n5:13 Dhe t\u00eb kat\u00ebr qeniet e gjalla thoshnin: ''Amen!''. Dhe t\u00eb nj\u00ebzet e kat\u00ebr pleq ran\u00eb p\u00ebrmbys dhe adhuruan at\u00eb q\u00eb rron n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve.\n5:14 Pastaj pash\u00eb kur Qengji hapi t\u00eb par\u00ebn nga t\u00eb shtat\u00eb vulat, dhe d\u00ebgjova nj\u00eb nga t\u00eb kat\u00ebr qeniet e gjalla q\u00eb thoshte si me z\u00eb bubullime: ''Eja e shiko''.\n6:1 Dhe un\u00eb pash\u00eb, dhe ja, nj\u00eb kal\u00eb i bardh\u00eb. Dhe ai q\u00eb e kal\u00ebronte kishte nj\u00eb hark; dhe atij iu dha nj\u00eb kuror\u00eb, dhe ai doli jasht\u00eb si fitimtar dhe p\u00ebr t\u00eb fituar.\n6:2 Kur ai hapi vul\u00ebn e dyt\u00eb, d\u00ebgjova qenien e dyt\u00eb t\u00eb gjall\u00eb q\u00eb thoshte: ''Eja dhe shiko''.\n6:3 At\u00ebher\u00eb doli jasht\u00eb nj\u00eb kal\u00eb tjet\u00ebr i kuq; dhe atij q\u00eb e kal\u00ebronte iu dha t\u00eb hiqte paqen nga dheu q\u00eb njer\u00ebzit t\u00eb vrasin nj\u00ebri-tjetrin, dhe iu dha atij nj\u00eb shpat\u00eb e madhe.\n6:4 Dhe kur ai hapi vul\u00ebn e tret\u00eb, d\u00ebgjova qenien e tret\u00eb e gjall\u00eb q\u00eb thoshte: ''Eja dhe shiko''. Dhe pash\u00eb dhe ja, nj\u00eb kal\u00eb i zi; dhe ai q\u00eb e kal\u00ebronte kishte nj\u00eb peshore n\u00eb dor\u00ebn e tij.\n6:5 Dhe d\u00ebgjova nj\u00eb z\u00eb n\u00eb mes t\u00eb kat\u00ebr qenieve t\u00eb gjalla duke th\u00ebn\u00eb: ''Nj\u00eb kenik gruri p\u00ebr nj\u00eb denar, dhe dy kenik\u00eb elbi p\u00ebr nj\u00eb denar; dhe mos d\u00ebmto vajin, as ver\u00ebn''.\n6:6 Kur ai hapi vul\u00ebn e kat\u00ebrt, d\u00ebgjova z\u00ebrin e qenies s\u00eb kat\u00ebrt t\u00eb gjall\u00eb q\u00eb thoshte: ''Eja dhe shiko''.\n6:7 Dhe un\u00eb pash\u00eb, dhe ja nj\u00eb kal\u00eb i zbeht\u00eb; dhe ai q\u00eb e kal\u00ebronte emrin e kishte Vdekja, dhe Hadesi vinte pas tij. Dhe iu dha atyre pushtet p\u00ebrmbi nj\u00eb t\u00eb kat\u00ebrt\u00ebn e dheut, t\u00eb vrasin me shpat\u00eb dhe me zi buke e me vdekje, dhe n\u00ebp\u00ebrmjet bishave t\u00eb dheut.\n6:8 Dhe kur hapi vul\u00ebn e pest\u00eb, un\u00eb pash\u00eb n\u00ebn altar shpirtrat e atyre q\u00eb ishin therur p\u00ebr shkak t\u00eb fjal\u00ebs s\u00eb Per\u00ebndis\u00eb dhe p\u00ebr shkak t\u00eb d\u00ebshmis\u00eb q\u00eb kishin;\n6:9 dhe ata thirr\u00ebn me z\u00eb t\u00eb madh duke th\u00ebn\u00eb: ''Deri kur, o Zot, q\u00eb je i Shenjt\u00eb dhe i V\u00ebrtet\u00eb, nuk gjykon dhe nuk merr hak p\u00ebr gjakun ton\u00eb nga ata q\u00eb banojn\u00eb mbi dhe?''.\n6:10 Dhe secilit prej tyre ju dha nj\u00eb petk i bardh\u00eb dhe ju than\u00eb q\u00eb t\u00eb preheshin edhe p\u00ebr pak koh\u00eb, deri sa t\u00eb plot\u00ebsohej numri edhe i bashk\u00ebsherb\u00ebtoreve e tyre dhe i v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb tyre q\u00eb duhet t\u00eb vriteshin posi ata.\n6:11 Dhe pash\u00eb, kur ai hapi vul\u00ebn e gjasht\u00eb; dhe ja, u b\u00eb nj\u00eb t\u00ebrmet i madh, dhe dielli u b\u00eb i zi si nj\u00eb thes prej leshi, dhe h\u00ebna u b\u00eb si gjak;\n6:12 dhe yjet e qiellit ran\u00eb mbi dheun, ashtu si fiku hedh fiqt\u00eb e paarrir\u00eb kur e tund nj\u00eb er\u00eb e madhe.\n6:13 Pastaj qielli u hoq si nj\u00eb pergamen\u00eb q\u00eb mb\u00ebshtillet, dhe \u00e7do mal dhe ishull luajt\u00ebn nga vendi i tyre.\n6:14 Dhe mbret\u00ebrit e dheut, dhe t\u00eb m\u00ebdhenjt\u00eb, dhe t\u00eb pasurit, dhe komandant\u00ebt, dhe t\u00eb fuqishmit, dhe \u00e7do skllav e \u00e7do i lir\u00eb, u fsheh\u00ebn n\u00ebp\u00ebr shpella dhe n\u00ebp\u00ebr krepat e maleve,\n6:15 dhe u thoshnin maleve dhe shk\u00ebmbinjve: ''Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij q\u00eb rri mbi fron dhe nga zem\u00ebrimi i Qengjit,\n6:16 sepse erdhi dita e madhe e zem\u00ebrimit s\u00eb tij; dhe kush mund t\u00eb q\u00ebndroj\u00eb?''.\n6:17 Pas k\u00ebtyre gj\u00ebrave, pash\u00eb kat\u00ebr engj\u00ebj t\u00eb cil\u00ebt rrinin n\u00eb k\u00ebmb\u00eb n\u00eb t\u00eb kat\u00ebr k\u00ebndet e dheut dhe mbanin t\u00eb kat\u00ebr er\u00ebrat e dheut, q\u00eb t\u00eb mos frynte er\u00eb mbi dhe, as mbi det, as mbi ndonj\u00eb dru.\n7:1 Pastaj pash\u00eb nj\u00eb engj\u00ebll tjet\u00ebr q\u00eb ngjitej nga lind dielli e q\u00eb kishte vul\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb gjall\u00eb; dhe u thirri me z\u00eb t\u00eb madh t\u00eb kat\u00ebr engj\u00ebjve, t\u00eb cil\u00ebve u qe dh\u00ebn\u00eb t\u00eb d\u00ebmtojn\u00eb dheun dhe detin,\n7:2 duke th\u00ebn\u00eb: ''Mos d\u00ebmtoni dheun, as detin, as pem\u00ebt, deri sa t'i vulosim n\u00eb ball\u00eb sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e Per\u00ebndis\u00eb ton\u00eb''.\n7:3 Dhe d\u00ebgjova numrin e atyre q\u00eb u vulos\u00ebn: nj\u00ebqind e dyzet e kat\u00ebr mij\u00eb t\u00eb vulosur nga t\u00eb gjitha fiset e bijve t\u00eb Izraelit.\n7:4 Nga fisi i Jud\u00ebs, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur; nga fisi i Rubenit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur; nga fisi i Gadit dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur;\n7:5 nga fisi i Asherit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur; nga fisi i Neftalit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mji\u00eb t\u00eb vulosur; nga fisi i Manasit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur;\n7:6 nga fisi i Simeonit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur; nga fisi i Levit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur; nga fisi i Isakarit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur;\n7:7 nga fisi i Zabulonit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur; nga fisi i Jozefit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur; nga fisi i Beniaminit, dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb t\u00eb vulosur.\n7:8 Pas k\u00ebtyre gj\u00ebrave, pash\u00eb nj\u00eb turm\u00eb t\u00eb madhe, t\u00eb cil\u00ebn askush nuk mund ta num\u00ebronte, prej t\u00eb gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuh\u00ebve; k\u00ebta q\u00ebndronin n\u00eb k\u00ebmb\u00eb p\u00ebrpara fronit dhe p\u00ebrpara Qengjit, t\u00eb veshur me rroba t\u00eb bardha dhe me palma n\u00eb duart e tyre.\n7:9 Dhe th\u00ebrrisnin me z\u00eb t\u00eb madh, duke th\u00ebn\u00eb: ''Shp\u00ebtimi \u00ebsht\u00eb i Per\u00ebndis\u00eb ton\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb ulur mbi fron dhe i Qengjit''.\n7:10 Dhe t\u00eb gjith\u00eb engj\u00ebjt rrinin n\u00eb k\u00ebmb\u00eb p\u00ebrqark fronit, dhe pleqve dhe kat\u00ebr qenieve e gjalla, dhe ran\u00eb p\u00ebrmbys mbi fytyr\u00ebn e tyre p\u00ebrpara fronit dhe adhuruan Per\u00ebndin\u00eb,\n7:11 duke th\u00ebn\u00eb: ''Amen! Bekimi, dhe lavdia, dhe dituria, dhe falend\u00ebrimi, dhe nderimi, dhe fuqia dhe forca jan\u00eb te Per\u00ebndia yn\u00eb n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve. Amen!''.\n7:12 Pastaj nj\u00eb nga pleqt\u00eb m'u drejtua, duke m\u00eb th\u00ebn\u00eb: ''Cil\u00ebt jan\u00eb k\u00ebta q\u00eb jan\u00eb veshur me rroba t\u00eb bardha, dhe nga kan\u00eb ardhur?''.\n7:13 Dhe un\u00eb i thash\u00eb: ''Imzot, ti e di''. At\u00ebher\u00eb ai m\u00eb tha: ''K\u00ebta jan\u00eb ata q\u00eb kan\u00eb ardhur nga shtr\u00ebngimi i madh, dhe i kan\u00eb lar\u00eb rrobat e tyre dhe i kan\u00eb zbardhur n\u00eb gjakun e Qengjit.\n7:14 Prandaj edhe jan\u00eb p\u00ebrpara fronit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb dhe i sh\u00ebrbenin atij dit\u00eb e nat\u00eb n\u00eb tempullin e tij; dhe ai q\u00eb rri ulur mbi fron do t\u00eb banoj\u00eb n\u00eb mes tyre.\n7:15 Ata nuk do t\u00eb ken\u00eb m\u00eb uri, as nuk do t\u00eb ken\u00eb etje, as nuk do t'i godas\u00eb m\u00eb dielli, as kurrfar\u00eb vape,\n7:16 sepse Qengji, q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb mes t\u00eb fronit, do t'i kullos\u00eb dhe do t'i \u00e7oj\u00eb te burimet e gjalla t\u00eb uj\u00ebrave; dhe Per\u00ebndia do t\u00eb thaij\u00eb \u00e7do lot nga syt\u00eb e tyre''.\n7:17 Edhe kur ai hapi vul\u00ebn e shtat\u00eb, n\u00eb qiell u b\u00eb heshtje p\u00ebr rreth gjysm\u00eb or\u00eb.\n8:1 Dhe un\u00eb i pash\u00eb t\u00eb shtat\u00eb engj\u00ebjt q\u00eb q\u00ebndrojn\u00eb p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb, dhe atyre u dha shtat\u00eb bori.\n8:2 Pastaj erdhi nj\u00eb engj\u00ebll tjet\u00ebr q\u00eb kishte nj\u00eb temianic\u00eb ari dhe ndaloi pran\u00eb altarit; dhe iu dha shum\u00eb er\u00eb e k\u00ebndshme q\u00eb t'ua shtonte lutjeve t\u00eb t\u00eb gjith\u00eb shenjtor\u00ebve mbi altarin prej ari q\u00eb ishte p\u00ebrpara fronit.\n8:3 Dhe tymi i er\u00ebve t\u00eb k\u00ebndshme, t\u00eb ofruara me lutjet e shenjtor\u00ebve, u ngrit p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb nga dora e engj\u00ebllit.\n8:4 Pastaj enj\u00eblli mori temianic\u00ebn, e mbushi nga zjarri i altarit dhe e hodhi mbi dhe; dhe u b\u00ebn\u00eb z\u00ebra, bubullima, vetima dhe nj\u00eb t\u00ebrmet.\n8:5 Dhe t\u00eb shtat\u00eb engj\u00ebjt q\u00eb kishin t\u00eb shtat\u00eb borit\u00eb u b\u00ebn\u00eb gati t'i bien boris\u00eb.\n8:6 Engj\u00eblli i par\u00eb i ra boris\u00eb, dhe u b\u00eb bresh\u00ebr e zjarr, i p\u00ebrzier me gjak, dhe u hodh\u00ebn mbi dhe; dhe e treta e pem\u00ebve u dogj t\u00ebr\u00ebsisht, dhe \u00e7do bar i njom\u00eb u dogj t\u00ebr\u00ebsisht.\n8:7 Dhe engj\u00eblli i dyt\u00eb i ra boris\u00eb dhe di\u00e7ka si nj\u00eb mal i madh q\u00eb digjet nga zjarri u hodh n\u00eb det, dhe e treta e detit u b\u00eb gjak;\n8:8 dhe e treta e krijesave q\u00eb rrojn\u00eb n\u00eb det ngordhi, dhe e treta e anijeve u shkat\u00ebrruan.\n8:9 Dhe i treti engj\u00ebll i ra boris\u00eb, dhe ra nga qielli nj\u00eb yll i madh q\u00eb digjej si pishtar, dhe ra mbi pjes\u00ebn e tret\u00eb t\u00eb lumenjve dhe mbi burimet e uj\u00ebrave.\n8:10 Dhe emri i yllit \u00ebsht\u00eb \"pelin\" dhe e treta e uj\u00ebrave u b\u00eb pelin; dhe shum\u00eb njer\u00ebz vdiq\u00ebn p\u00ebr shkak t\u00eb k\u00ebtyre uj\u00ebrave, sepse u b\u00ebn\u00eb t\u00eb hidhura.\n8:11 Dhe i kat\u00ebrti engj\u00ebll i ra boris\u00eb, dhe u godit pjesa e tret e diellit dhe pjesa e tret e h\u00ebn\u00ebs dhe pjesa e tret e yjeve, q\u00eb t\u00eb err\u00ebsohej e treta e tyre dhe e treta e dit\u00ebs e humbi shk\u00eblqimin e saj, k\u00ebshtu edhe nata.\n8:12 Dhe pash\u00eb, dhe d\u00ebgjova nj\u00eb engj\u00ebll q\u00eb fluturonte n\u00eb mes t\u00eb qiellit dhe thoshte me z\u00eb t\u00eb madh: ''Mjer\u00eb, mjer\u00eb, mjer\u00eb atyre q\u00eb banojn\u00eb mbi dhe, p\u00ebr shkak t\u00eb t\u00eb r\u00ebnave t\u00eb tjera t\u00eb borive q\u00eb t\u00eb tre engj\u00ebjt\u00eb do t'i bien''.\n8:13 Dhe i pesti engj\u00ebll i ra boris\u00eb, dhe un\u00eb pash\u00eb nj\u00eb yll q\u00eb ra nga qielli p\u00ebrmbi tok\u00eb; dhe atij iu dha \u00e7el\u00ebsi i pusit t\u00eb humner\u00ebs.\n9:1 Dhe ai hapi pusin e humner\u00ebs dhe nga pusi u ngrit nj\u00eb tym si nga nj\u00eb oxhak i madh; dhe dielli dhe ajri u err\u00ebn nga tymi i pusit.\n9:2 Edhe nga ky tym dol\u00ebn mbi dhe karkaleca, dhe atyre iu dha nj\u00eb pushtet, i ngjash\u00ebm me at\u00eb t\u00eb akrepave t\u00eb tok\u00ebs.\n9:3 Dhe atyre iu tha t\u00eb mos d\u00ebmtojn\u00eb barin e dheut, asnj\u00eb gjelb\u00ebrim e asnj\u00eb dru, por vet\u00ebm ata njer\u00ebzit t\u00eb cil\u00ebt nuk kan\u00eb vul\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb mbi ball\u00eb.\n9:4 Dhe atyre iu dha fuqia t\u00eb mos i vrasin ata, por t'i mundojn\u00eb pes\u00eb muaj; dhe mundimi i tyre si mundimi i akrepit, kur pickon.\n9:5 Dhe n\u00eb ato dit\u00eb njer\u00ebzit do t\u00eb k\u00ebrkojn\u00eb vdekjen, por nuk do ta gjejn\u00eb at\u00eb, edhe do t\u00eb d\u00ebshirojn\u00eb t\u00eb vdesin, por vdekja do t\u00eb largohet prej tyre.\n9:6 Dhe pamja e karkalecave u p\u00ebrngjante kuajve t\u00eb gatitur p\u00ebr luft\u00eb; dhe mbi kokat e tyre kishin si kurora prej ari dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njer\u00ebzish.\n9:7 Dhe kishin flok\u00eb si flok\u00eb grash; dhe dh\u00ebmb\u00ebt e tyre ishin si dh\u00ebmb\u00eb luan\u00ebsh.\n9:8 Dhe kishin parzmore si parzmore hekuri, dhe ushtima e krah\u00ebve t\u00eb tyre ishte si ushtima i shum\u00eb qerr\u00ebve dhe kuajve q\u00eb rendin n\u00eb luftim.\n9:9 Dhe kishin bishtra q\u00eb u ngjanin akrepave dhe me thumb n\u00eb bishtrat e tyre: n\u00eb t\u00eb cilat q\u00ebndronte fuqia t\u00eb d\u00ebmtonin njer\u00ebzit p\u00ebr pes\u00eb muaj.\n9:10 Dhe p\u00ebr mbret p\u00ebrmbi ta kishin engj\u00ebllin e humner\u00ebs, emri e tij n\u00eb hebraisht \u00ebsht\u00eb Abadon dhe n\u00eb greqisht emrin e ka Apolion.\n9:11 Mjerimi i par\u00eb kaloi; ja, po vijn\u00eb edhe dy mjerime pask\u00ebtaj.\n9:12 Dhe i gjashti engj\u00ebll i ra boris\u00eb, dhe d\u00ebgjova nj\u00eb z\u00eb nga t\u00eb kat\u00ebr brir\u00ebt e altarit t\u00eb art\u00eb q\u00eb \u00ebsht\u00eb p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb,\n9:13 q\u00eb i thoshte engj\u00ebllit t\u00eb gjasht\u00eb q\u00eb kishte borin\u00eb: ''Zgjidh t\u00eb kat\u00ebr engj\u00ebjt q\u00eb jan\u00eb t\u00eb lidhur n\u00eb Lumin e madh, Eufratin''.\n9:14 At\u00ebher\u00eb t\u00eb kat\u00ebr engj\u00ebjt, q\u00eb ishin p\u00ebrgatitur p\u00ebr at\u00eb or\u00eb, dit\u00eb, muaj dhe vit, u zgjidh\u00ebn q\u00eb t\u00eb vrasin t\u00eb tret\u00ebn pjes\u00eb t\u00eb njer\u00ebzve.\n9:15 Dhe numri i ushtar\u00ebve t\u00eb kalor\u00ebsis\u00eb ishte dyqind milion: dhe un\u00eb e d\u00ebgjova numrin e tyre.\n9:16 Dhe k\u00ebshtu un\u00eb pash\u00eb n\u00eb vegim kuajt dhe ata q\u00eb i kal\u00ebronin; ata kishin parzmore ngjyr\u00eb zjarri, hiacinti dhe squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luan\u00ebsh dhe nga goj\u00ebt e tyre dilte zjarr, tym dhe squfur.\n9:17 Nga k\u00ebto t\u00eb tri plag\u00eb u vra e treta e njer\u00ebzve, nga zjarri e nga tymi e nga squfuri, q\u00eb dilnin nga goj\u00ebt e tyre.\n9:18 Sepse pushteti i tyre n\u00eb fakt ishte n\u00eb goj\u00ebn e tyre dhe n\u00eb bishtrat e tyre; sepse bishtrat e tyre ishin t\u00eb ngjash\u00ebm me gjarp\u00ebrinj, q\u00eb kan\u00eb koka dhe me an\u00eb t\u00eb tyre d\u00ebmtonin.\n9:19 Dhe njer\u00ebzit e tjer\u00eb, ata q\u00eb nuk u vran\u00eb nga k\u00ebto plag\u00eb, nuk u penduan nga veprat e duarve t\u00eb tyre q\u00eb t\u00eb mos nderojn\u00eb demon\u00ebt dhe idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri dhe druri, q\u00eb nuk mund t\u00eb shohin, as t\u00eb d\u00ebgjojn\u00eb, as t\u00eb ecin;\n9:20 dhe ata nuk u penduan nga vrasjet e tyre, as nga magjia e tyre, as nga kurv\u00ebrimi i tyre dhe as nga vjedhjet e tyre.\n9:21 Pastaj pash\u00eb nj\u00eb engj\u00ebll tjet\u00ebr t\u00eb fuqish\u00ebm q\u00eb zbriste nga qielli, i mb\u00ebshtjell\u00eb n\u00eb nj\u00eb re dhe me ylber mbi krye; dhe fytyra e tij ishte si diell dhe k\u00ebmb\u00ebt e tij si shtylla zjarri.\n10:1 Ai kishte n\u00eb dor\u00eb nj\u00eb lib\u00ebrth t\u00eb hapur dhe vuri k\u00ebmb\u00ebn e tij t\u00eb djatht\u00eb mbi det dhe t\u00eb majtin mbi dhe,\n10:2 dhe thirri me z\u00eb t\u00eb madh si nj\u00eb luan q\u00eb vrumbullon; dhe, si b\u00ebrtiti, t\u00eb shtat\u00eb bubullima b\u00ebn\u00eb t\u00eb d\u00ebgjohej ushtima e tyre.\n10:3 Dhe kur t\u00eb shtat\u00eb bubullimat b\u00ebn\u00eb t\u00eb d\u00ebgjohej ushtima e tyre, u gatita t\u00eb shkruaj, por d\u00ebgjova nj\u00eb z\u00eb nga qielli q\u00eb m\u00eb thoshte: ''Vulosi gj\u00ebrat q\u00eb thonin t\u00eb shtat\u00eb bubullimat dhe mos i shkruaj''.\n10:4 At\u00ebher\u00eb engj\u00eblli q\u00eb un\u00eb pash\u00eb q\u00eb rrinte n\u00eb k\u00ebmb\u00eb mbi det e mbi dhe, ngriti dor\u00ebn e djatht\u00eb drejt qiellit,\n10:5 dhe b\u00ebri be p\u00ebr at\u00eb q\u00eb rron n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve, q\u00eb krijoi qiellin dhe gj\u00ebrat q\u00eb jan\u00eb n\u00eb t\u00eb, tok\u00ebn dhe gj\u00ebrat q\u00eb jan\u00eb n\u00eb t\u00eb, detin dhe gj\u00ebrat q\u00eb jan\u00eb n\u00eb t\u00eb, se nuk do t\u00eb vonohet m\u00eb.\n10:6 por n\u00eb dit\u00ebt kur engj\u00eblli i shtat\u00eb t\u00eb b\u00ebj\u00eb t\u00eb d\u00ebgjohet z\u00ebri i tij, kur ai t'i bjer\u00eb boris\u00eb do t\u00eb zbatohet misteri i Per\u00ebndis\u00eb, ashtu si ai e ua shpalli sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tij, profet\u00ebve.\n10:7 Dhe z\u00ebri q\u00eb kisha d\u00ebgjuar nga qielli m\u00eb foli p\u00ebrs\u00ebri dhe tha: \"Shko, merr lib\u00ebrthin e hapur q\u00eb ndodhet n\u00eb dor\u00ebn e engj\u00ebllit q\u00eb rri mbi det e mbi dhe\".\n10:8 Dhe shkova tek engj\u00eblli dhe i thash\u00eb: ''M\u00eb jep lib\u00ebrthin''. Dhe ai m\u00eb tha: ''Merre dhe gllab\u00ebroje at\u00eb dhe ai do ta hidh\u00ebroj\u00eb t\u00eb br\u00ebnd\u00ebshmet e tua, por n\u00eb goj\u00ebn t\u00ebnde do t\u00eb jet\u00eb i \u00ebmb\u00ebl si mjalt\u00eb''.\n10:9 Dhe e mora lib\u00ebrthin nga dora e engj\u00ebllit, dhe si e gllab\u00ebrova; dhe ishte n\u00eb goj\u00ebn time i \u00ebmb\u00ebl si mjalt\u00eb; dhe, mbasi e gllab\u00ebrova, barku im u hidh\u00ebrua.\n10:10 Dhe ai m\u00eb tha: ''T\u00eb duhet p\u00ebrs\u00ebri t\u00eb profetizosh mbi shum\u00eb popuj, kombe, gjuh\u00eb dhe mbret\u00ebr''.\n10:11 Dhe m'u dha nj\u00eb kallam q\u00eb i ngjante nj\u00eb shufre. Dhe engj\u00eblli duke q\u00ebndruar n\u00eb k\u00ebmb\u00eb tha: ''\u00c7ohu dhe mat tempullin e Per\u00ebndis\u00eb, altarin dhe ata q\u00eb adhurojn\u00eb atje,\n11:1 dhe oborrin q\u00eb \u00ebsht\u00eb jasht\u00eb tempullit l\u00ebre dhe mos e mat, sepse u \u00ebsht\u00eb dh\u00ebn\u00eb johebrenjve; dhe ata do ta shkelin qytetin e shenjt\u00eb p\u00ebr dyzet e dy muaj.\n11:2 Dhe un\u00eb do t'u jap t\u00eb dy d\u00ebshmitar\u00ebve t\u00eb mi p\u00ebr t\u00eb profetizuar, dhe ata do t\u00eb profetizojn\u00eb nj\u00eb mij\u00eb e dyqind e gjasht\u00ebdhjet\u00eb dit\u00eb, t\u00eb veshur me thas\u00eb.\n11:3 K\u00ebta jan\u00eb t\u00eb dy drur\u00ebt e ullirit dhe t\u00eb dy shandan\u00ebt q\u00eb rrijn\u00eb p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb dheut.\n11:4 Dhe, n\u00ebse ndokush d\u00ebshiron t'u b\u00ebj\u00eb keq atyre, nga goja e tyre del zjarr dhe i gllab\u00ebron armiqt\u00eb e tyre; dhe kushdo q\u00eb d\u00ebsh\u00ebron t'u b\u00ebj\u00eb keq atyre, n\u00eb k\u00ebt\u00eb m\u00ebnyr\u00eb duhet vrar\u00eb.\n11:5 Ata kan\u00eb pushtet t\u00eb mbyllin qiellin, q\u00eb t\u00eb mos bjer\u00eb shi n\u00eb dit\u00ebt e profecis\u00eb s\u00eb tyre; ata kan\u00eb edhe pushtet mbi uj\u00ebrat t'i kthejn\u00eb n\u00eb gjak dhe p\u00ebr t\u00eb goditur dheun me \u00e7do plag\u00eb, sa her\u00eb t\u00eb duan.\n11:6 Dhe kur ta kryejn\u00eb d\u00ebshmin\u00eb e tyre, bisha q\u00eb ngjitet nga humnera do t\u00eb b\u00ebj\u00eb luft\u00eb kund\u00ebr tyre, edhe do t'i mund\u00eb ata, dhe do t'i vras\u00eb.\n11:7 Dhe kufomat e tyre do t\u00eb dergjen n\u00eb sheshin e qytetit t\u00eb madh, i cili frym\u00ebrisht quhet Sodom\u00eb dhe Egjipt, ku \u00ebsht\u00eb kryq\u00ebzuar edhe Zoti yn\u00eb.\n11:8 Dhe njer\u00ebz nga popuj, dhe fise, dhe gjuh\u00eb, dhe kombe do t\u00eb shohin kufomat e tyre p\u00ebr tri dit\u00eb e gjysm\u00eb, dhe nuk do t\u00eb l\u00ebn\u00eb q\u00eb kufomat e tyre t\u00eb shtihen n\u00eb varr.\n11:9 Dhe banor\u00ebt e dheut do t\u00eb ngaz\u00ebllojn\u00eb p\u00ebr ata dhe do t\u00eb b\u00ebjn\u00eb fest\u00eb; dhe do t'i d\u00ebrgojn\u00eb njeri tjetrit dhurata, sepse k\u00ebta dy profet\u00eb i munduan ata q\u00eb banojn\u00eb mbi dhe''.\n11:10 Por mbas tri dit\u00eb e gjysm\u00eb, fryma e jet\u00ebs q\u00eb buron nga Per\u00ebndia hyri n\u00eb ta; edhe q\u00ebndruan n\u00eb k\u00ebmb\u00ebt e tyre, dhe nj\u00eb tmerr e madh ra mbi ata q\u00eb i shikonin.\n11:11 Edhe d\u00ebgjuan nj\u00eb z\u00eb t\u00eb madh nga qielli duke u th\u00ebn\u00eb atyre: ''Ngjituni k\u00ebtu lart''. Dhe u ngjit\u00ebn n\u00eb qiell n\u00eb nj\u00eb re; dhe armiqt\u00eb e tyre i pan\u00eb.\n11:12 Dhe n\u00eb at\u00eb or\u00eb ra nj\u00eb t\u00ebrmet i madh, dhe e dhjeta pjes\u00eb e qytetit u rr\u00ebzua, dhe n\u00eb t\u00ebrmet u vran\u00eb shtat\u00eb mij\u00eb njer\u00ebz; dhe t\u00eb tjer\u00ebt u tmerruan dhe i dhan\u00eb lavdi Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb qiellit.\n11:13 Mjerimi i dyt\u00eb kaloi, por ja, mjerimi i tret\u00eb do vij\u00eb s\u00eb shpejti.\n11:14 Dhe engj\u00eblli i shtat\u00eb i ra boris\u00eb dhe u b\u00ebn\u00eb z\u00ebra t\u00eb m\u00ebdhenj n\u00eb qiell q\u00eb thoshnin: ''Mbret\u00ebrit\u00eb e bot\u00ebs u b\u00ebn\u00eb mbret\u00ebri t\u00eb Zotit ton\u00eb dhe t\u00eb Krishtit t\u00eb tij, dhe ai do t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve''.\n11:15 At\u00ebher\u00eb t\u00eb nj\u00ebzet e kat\u00ebr pleqt\u00eb q\u00eb rrinin p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb mbi fronet e tyre, ran\u00eb p\u00ebrmbys mbi fytyrat e veta dhe adhuruan Per\u00ebndin\u00eb,\n11:16 duke th\u00ebn\u00eb: ''Ne t\u00eb fal\u00ebnderojm\u00eb, o Zot, Per\u00ebndi i Plotfuqishmi, q\u00eb je, q\u00eb ishe dhe q\u00eb do t\u00eb vish, sepse more n\u00eb dor\u00eb pushtetin t\u00ebnd t\u00eb madh, dhe mbret\u00ebron.\n11:17 Kombet ishin zem\u00ebruar, por erdhi m\u00ebria jote, dhe erdhi koha q\u00eb t\u00eb gjykohen t\u00eb vdekurit dhe t'u jepet paga sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tu, profet\u00ebve, dhe shenjtor\u00ebve, dhe atyre q\u00eb druajn\u00eb emrin t\u00ebnd, t\u00eb vegj\u00eblve dhe t\u00eb m\u00ebdhenjve, dhe t\u00eb shkat\u00ebrrosh ata q\u00eb shkat\u00ebrrojn\u00eb dheun''.\n11:18 At\u00ebher\u00eb u hap tempulli i Per\u00ebndis\u00eb n\u00eb qiell dhe u duk arka e bes\u00eblidhjes s\u00eb tij, dhe ndodhnin vet\u00ebtima, dhe z\u00ebra, dhe bubullima, dhe t\u00ebrmet, dhe nj\u00eb rebesh i fort\u00eb bresh\u00ebri.\n11:19 Pastaj nj\u00eb shenj\u00eb e madhe u duk n\u00eb qiell: nj\u00eb grua e veshur me diellin, dhe me h\u00ebn\u00ebn posht\u00eb k\u00ebmb\u00ebve t\u00eb saj, dhe mbi krye t\u00eb saj nj\u00eb kuror\u00eb me dymb\u00ebdhjet\u00eb yje.\n12:1 Ishte shtatz\u00ebn\u00eb e b\u00ebrtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes.\n12:2 Dhe u duk nj\u00eb shenj\u00eb tjet\u00ebr n\u00eb qiell: dhe ja, nj\u00eb dragua i madh i kuq q\u00eb kishte shtat\u00eb kok\u00eb dhe dhjet\u00eb brir\u00eb, dhe mbi kokat e tij kishte shtat\u00eb kurora.\n12:3 Dhe bishti i tij t\u00ebrhiqte pas vetes t\u00eb tret\u00ebn pjes\u00eb te yjeve t\u00eb qiellit dhe i hodhi mbi tok\u00eb. Dhe dragoi q\u00ebndroi p\u00ebrpara gruas q\u00eb ishte gati p\u00ebr t\u00eb lindur, p\u00ebr t\u00eb gllab\u00ebruar birin e saj kur ta kishte lindur.\n12:4 Dhe ajo lindi nj\u00eb bir mashkull, i cili duhet t\u00eb qeveris\u00eb gjith\u00eb kombet me skept\u00ebr t\u00eb hekurt; dhe biri i saj u rr\u00ebmbye pran\u00eb Per\u00ebndis\u00eb dhe fronit t\u00eb tij.\n12:5 Dhe gruaja iku n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb, ku kishte vend t\u00eb p\u00ebrgatitur nga Per\u00ebndia, q\u00eb t\u00eb ushqehet atje nj\u00eb mij\u00eb e dyqind e gjasht\u00ebdhjet\u00eb dit\u00eb.\n12:6 Edhe u b\u00eb luft\u00eb n\u00eb qiell: Mikaeli dhe engj\u00ebjt e tij luftuan kund\u00ebr dragoit; edhe dragoi dhe engj\u00ebjt e tij luftuan,\n12:7 por nuk fituan, e nuk u gjet m\u00eb p\u00ebr ta vend n\u00eb qiell.\n12:8 K\u00ebshtu dragoi i madh, gjarp\u00ebri i lasht\u00eb, q\u00eb \u00ebsht\u00eb quajtur djall, edhe Satan, q\u00eb mashtron gjith\u00eb dheun, u hodh mbi tok\u00eb; me t\u00eb u hodh\u00ebn edhe engj\u00ebjt e tij.\n12:9 At\u00ebher\u00eb d\u00ebgjova nj\u00eb z\u00eb t\u00eb madh n\u00eb qiell q\u00eb thoshte: ''Tani arriti shp\u00ebtimi, fuqia dhe mbret\u00ebria e Per\u00ebndis\u00eb ton\u00eb, dhe pushteti i Krishtit t\u00eb tij; sepse u hodh posht\u00eb padit\u00ebsi i v\u00ebllez\u00ebrve tan\u00eb, ai q\u00eb i padiste p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb ton\u00eb dit\u00eb e nat\u00eb.\n12:10 Dhe ata e fituan at\u00eb me an\u00eb t\u00eb gjakut t\u00eb Qengjit, dhe me an\u00eb t\u00eb fjal\u00ebs s\u00eb d\u00ebshmis\u00eb s\u00eb tyre; dhe nuk e desh\u00ebn jet\u00ebn e tyre deri n\u00eb vdekje.\n12:11 Prandaj g\u00ebzohuni, o qiej, dhe ju q\u00eb rrini n\u00eb ta. Mjer\u00eb ju banor\u00eb t\u00eb tok\u00ebs e t\u00eb detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zem\u00ebrim t\u00eb madh, duke ditur se ka pak koh\u00eb''.\n12:12 Dhe, kur dragoi pa se u hodh p\u00ebr tok\u00eb, p\u00ebrndoqi gruan q\u00eb lindi birin mashkull.\n12:13 Dhe iu dhan\u00eb gruas dy krah\u00ebt e shqiponj\u00ebs s\u00eb madhe, q\u00eb t\u00eb fluturoj\u00eb n\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb n\u00eb vendin e saj, ku t\u00eb ushqehet nj\u00eb koh\u00eb, disa koh\u00eb dhe gjysm\u00ebn e nj\u00eb kohe, larg pranis\u00eb s\u00eb gjarprit.\n12:14 At\u00ebher\u00eb gjarpri qiti nga goja e tij uj\u00eb si nj\u00eb lum\u00eb prapa gruas, q\u00eb at\u00eb ta merrte lumi,\n12:15 dhe toka e ndihmoi gruan, dhe toka hapi goj\u00ebn e vet dhe p\u00ebrpiu lumin q\u00eb dragoi kishte nxjerr\u00eb nga goja e vet.\n12:16 Dhe dragoi u zem\u00ebrua kund\u00ebr gruas dhe shkoi t\u00eb b\u00ebj\u00eb luft\u00eb me t\u00eb tjer\u00ebt, pasardhjes s\u00eb saj, t\u00eb atyre q\u00eb i ruajn\u00eb urdh\u00ebrimet e Per\u00ebndis\u00eb dhe q\u00eb kan\u00eb d\u00ebshmin\u00eb e Jezu Krishtit.\n12:17 Dhe u ndala mbi r\u00ebr\u00ebn e detit.\n13:1 Dhe pash\u00eb t\u00eb ngjitej nga deti nj\u00eb bish\u00eb, q\u00eb kishte dhjet\u00eb brir\u00eb dhe shtat\u00eb krer\u00eb, dhe mbi brir\u00eb dhjet\u00eb kurora dhe mbi krer\u00eb emra blasfemie.\n13:2 Dhe bisha q\u00eb pash\u00eb i ngjante nj\u00eb leopardi; k\u00ebmb\u00ebt e saj ishin si t\u00eb ariut dhe goja e saj si ajo e luanit; dhe dragoi i dha asaj fuqin\u00eb e vet, fronin e vet dhe autoritet t\u00eb madh.\n13:3 Edhe pash\u00eb nj\u00eb nga krer\u00ebt e saj si t\u00eb plagosur p\u00ebr vdekje; por plaga e saj vdekjeprur\u00ebse u sh\u00ebrua; dhe gjith\u00eb dheu u mrekullua pas bish\u00ebs.\n13:4 Dhe adhuruan dragoin q\u00eb i dha autoritet bish\u00ebs dhe adhuruan bish\u00ebn duke th\u00ebn\u00eb: ''Kush i ngjan bish\u00ebs? Kush mund t\u00eb luftoj\u00eb kund\u00ebr saj?''.\n13:5 Dhe iu dha nj\u00eb goj\u00eb q\u00eb flet gj\u00ebra t\u00eb m\u00ebdha dhe blasfemi; dhe iu dha pushtet t\u00eb veproj\u00eb p\u00ebr dyzet e dy muaj.\n13:6 Dhe ajo hapi goj\u00ebn e vet p\u00ebr t\u00eb blasfemuar kund\u00ebr Per\u00ebndis\u00eb, p\u00ebr t\u00eb blasfemuar emrin e tij, tabernakullin e tij dhe ata q\u00eb banojn\u00eb n\u00eb qiell.\n13:7 Dhe iu dha t'u b\u00ebj\u00eb luft\u00eb kund\u00ebr t\u00eb shenjtor\u00ebve dhe t'i mund\u00eb; dhe iu dha pushtet mbi \u00e7do fis, gjuh\u00eb dhe komb.\n13:8 Dhe do ta adhurojn\u00eb t\u00eb gjith\u00eb banor\u00ebt e dheut, emrat e t\u00eb cil\u00ebve nuk jan\u00eb shkruar n\u00eb librin e jet\u00ebs s\u00eb Qengjit, q\u00eb ishte vrar\u00eb q\u00eb nga krijimi i bot\u00ebs.\n13:9 Kush ka vesh\u00eb, le t\u00eb d\u00ebgjoj\u00eb.\n13:10 Kush e \u00e7on tjetrin n\u00eb rob\u00ebri, n\u00eb rob\u00ebri do t\u00eb bjer\u00eb; kush vret me shpat\u00eb, duhet edhe ai t\u00eb vritet me shpat\u00eb. K\u00ebtu \u00ebsht\u00eb q\u00ebndrueshm\u00ebria dhe besimi i shenjtor\u00ebve.\n13:11 Pastaj pash\u00eb nj\u00eb bish\u00eb tjet\u00ebr, q\u00eb ngjitej nga dheu, dhe kishte dy brir\u00eb q\u00eb u ngjanin atyre t\u00eb qengjit, por fliste si nj\u00eb dragua.\n13:12 Ajo ushtronte gjith\u00eb pushtetin e bish\u00ebs s\u00eb par\u00eb p\u00ebrpara saj dhe b\u00ebnte q\u00eb dheu dhe banor\u00ebt e tij t\u00eb adhurojn\u00eb bish\u00ebn e par\u00eb, s\u00eb cil\u00ebs iu sh\u00ebrua plaga vdekjeprur\u00ebse.\n13:13 Edhe b\u00ebnte shenja t\u00eb m\u00ebdha, sa q\u00eb edhe zjarr b\u00ebnte t\u00eb zbres\u00eb nga qielli mbi dhe n\u00eb prani t\u00eb njer\u00ebzve,\n13:14 dhe i mashtronte banor\u00ebt e dheut me an\u00eb t\u00eb shenjave q\u00eb i ishin dh\u00ebn\u00eb p\u00ebr t\u00eb b\u00ebr\u00eb p\u00ebrpara bish\u00ebs, duke u th\u00ebn\u00eb banor\u00ebve t\u00eb dheut t'i b\u00ebjn\u00eb nj\u00eb figur\u00eb bish\u00ebs, q\u00eb kishte plag\u00ebn e shpat\u00ebs dhe u kthye n\u00eb jet\u00eb.\n13:15 Dhe iu dha t'i jap\u00eb nj\u00eb frym\u00eb figur\u00ebs s\u00eb bish\u00ebs, aq sa figura e bish\u00ebs t\u00eb flas\u00eb, edhe t\u00eb b\u00ebj\u00eb q\u00eb t\u00eb gjith\u00eb ata t\u00eb cil\u00ebt nuk e adhuronin figur\u00ebn e bish\u00ebs, t\u00eb vriteshin.\n13:16 Ve\u00e7 k\u00ebsaj b\u00ebri q\u00eb t\u00eb gjith\u00ebve, t\u00eb vegj\u00ebl e t\u00eb m\u00ebdhenj, dhe t\u00eb pasur dhe t\u00eb varf\u00ebr, dhe t\u00eb lir\u00eb dhe skllev\u00ebr, t'u vihet nj\u00eb damk\u00eb mbi dor\u00ebn e tyre t\u00eb djatht\u00eb ose mbi ballin e tyre,\n13:17 dhe q\u00eb askush t\u00eb mos mund t\u00eb blinte ose t\u00eb shiste, po t\u00eb mos kishte damk\u00ebn ose emrin e bish\u00ebs ose numrin e emrit t\u00eb saj.\n13:18 K\u00ebtu \u00ebsht\u00eb urtia. Ai q\u00eb ka mend, le t\u00eb b\u00ebj\u00eb llogari numrin e bish\u00ebs, sepse \u00ebsht\u00eb num\u00ebr njeriu; dhe numri i tij \u00ebsht\u00eb gjasht\u00ebqind e gjasht\u00ebdhjet\u00eb e gjasht\u00eb.\n14:1 Pastaj pash\u00eb Qengjin q\u00eb rrinte n\u00eb k\u00ebmb\u00eb n\u00eb mal t\u00eb Sionit, dhe bashk\u00eb me t\u00eb ishin nj\u00ebqind e dyzet e kat\u00ebr mij\u00eb njer\u00ebz, q\u00eb e kishin t\u00eb shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe emrin e Atit t\u00eb tij.\n14:2 Dhe d\u00ebgjova pastaj nj\u00eb z\u00eb nga qielli si ushtima e shum\u00eb uj\u00ebrave dhe si gj\u00ebmimi i nj\u00eb bubullime t\u00eb madhe; dhe z\u00ebri q\u00eb d\u00ebgjova ishte si ai i kitarist\u00ebve q\u00eb u bien qesteve s\u00eb tyre.\n14:3 Ata k\u00ebndonin nj\u00eb k\u00ebng\u00eb t\u00eb ri p\u00ebrpara fronit, p\u00ebrpara kat\u00ebr qenjeve t\u00eb gjalla dhe p\u00ebrpara pleqve; dhe asnj\u00eb nuk mund ta m\u00ebsonte kantikun p\u00ebrve\u00e7 t\u00eb nj\u00ebqind e dyzet e kat\u00ebr mij\u00ebve, q\u00eb ishin shpenguar nga toka.\n14:4 K\u00ebta jan\u00eb ata q\u00eb nuk jan\u00eb ndotur me femra; jan\u00eb n\u00eb fakt t\u00eb virgj\u00ebr. K\u00ebta jan\u00eb ata q\u00eb ndjekin Qengjit, kudo q\u00eb t\u00eb shkoj\u00eb ai; k\u00ebta u shpenguan nd\u00ebr njerezit, q\u00eb t\u00eb jen\u00eb t\u00eb parat fruta p\u00ebr Per\u00ebndin\u00eb dhe Qengjin.\n14:5 Edhe n\u00eb goj\u00eb t\u00eb tyre nuk u gjet g\u00ebnjesht\u00ebr, sepse jan\u00eb t\u00eb paqortuesh\u00ebm p\u00ebrpara fronit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb.\n14:6 Pastaj pash\u00eb nj\u00eb engj\u00ebll tjet\u00ebr q\u00eb fluturonte n\u00eb mes t\u00eb qiellit dhe q\u00eb kishte ungjillin e p\u00ebrjetsh\u00ebm, q\u00eb t'ua predikoj\u00eb banor\u00ebve t\u00eb dheut dhe \u00e7do kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli,\n14:7 dhe thoshte me z\u00eb t\u00eb madh: ''Druani Per\u00ebndin\u00eb dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit t\u00eb tij erdhi; adhuroni at\u00eb q\u00eb b\u00ebri qiellin, dheun, detin dhe burimet e uj\u00ebrave''.\n14:8 Pastaj nj\u00eb tjet\u00ebr \u00ebngj\u00ebll shkoi pas tyre, duke th\u00ebn\u00eb: ''Ra, ra Babilona, qyteti i madh q\u00eb u ka dh\u00ebn\u00eb t\u00eb pin\u00eb t\u00eb gjith\u00eb kombeve ver\u00ebn e zem\u00ebrimit t\u00eb kurv\u00ebrimit t\u00eb saj''.\n14:9 Nj\u00eb engj\u00ebll i tret\u00eb shkoi pas tyre duke th\u00ebn\u00eb me z\u00eb t\u00eb madh: ''N\u00ebse ndokush adhuron bish\u00ebn dhe figur\u00ebn e saj dhe merr damk\u00ebn mbi ballin e vet ose mbi dor\u00ebn e vet,\n14:10 do t\u00eb pij\u00eb edhe ai nga vera e zem\u00ebrimit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb \u00ebsht\u00eb derdhur e pap\u00ebrzier n\u00eb kup\u00ebn e zem\u00ebrimit t\u00eb tij dhe do t\u00eb mundohet me zjarr e squfur p\u00ebrpara engj\u00ebjve t\u00eb shenjt\u00eb dhe p\u00ebrpara Qengjit.\n14:11 Dhe tymi i mundimit t\u00eb tyre ngjitet n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve, dhe nuk do t\u00eb ken\u00eb prehje dit\u00eb e nat\u00eb ata q\u00eb adhurojn\u00eb bish\u00ebn dhe figur\u00ebn e saj dhe kushdo q\u00eb merr damk\u00ebn e emrit t\u00eb saj''.\n14:12 K\u00ebtu \u00ebsht\u00eb q\u00ebndrueshm\u00ebria e shenjtor\u00ebve; k\u00ebtu jan\u00eb ata q\u00eb zbatojn\u00eb urdh\u00ebrimet e Per\u00ebndis\u00eb dhe besimin e Jezusit.\n14:13 Pastaj d\u00ebgjova nga qielli nj\u00eb z\u00eb q\u00eb m\u00eb thoshte: ''Shkruaj: Lum t\u00eb vdekurit q\u00eb k\u00ebtej e tutje vdesin n\u00eb Zotin; po, thot\u00eb Fryma, q\u00eb t\u00eb prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t'i ndjekin''.\n14:14 Pastaj pash\u00eb nj\u00eb re t\u00eb bardh\u00eb, dhe ja, mbi re po rrinte i ulur nj\u00eb i ngjash\u00ebm me nj\u00eb Bir njeriu, i cili kishte mbi krye nj\u00eb kuror\u00eb t\u00eb art\u00eb dhe n\u00eb dor\u00eb nj\u00eb drap\u00ebr t\u00eb mpreht\u00eb.\n14:15 Nj\u00eb engj\u00ebll tjet\u00ebr doli nga tempulli, duke i thirrur me z\u00eb t\u00eb madh atij q\u00eb ulej mbi re: ''V\u00ebr dor\u00eb mbi drap\u00ebrin t\u00ebnd dhe korr, sepse ora e t\u00eb korrurit ka ardhur dhe t\u00eb korrat e dheut jan\u00eb pjekur''.\n14:16 At\u00ebher\u00eb ai q\u00eb ulej mbi re e l\u00ebshoi drap\u00ebrin e tij mbi tok\u00eb dhe dheu u korr.\n14:17 Pastaj nj\u00eb engj\u00ebll tjet\u00ebr doli nga tempulli q\u00eb \u00ebsht\u00eb n\u00eb qiell, duke mbajtur dhe ai nj\u00eb drap\u00ebr t\u00eb mpreht\u00eb.\n14:18 Dhe nj\u00eb engj\u00ebll tjet\u00ebr, q\u00eb kishte pushtet mbi zjarrin, doli nga altari dhe i thirri me z\u00eb t\u00eb madhe atij q\u00eb kishte drap\u00ebrin e mpreht\u00eb, duke th\u00ebn\u00eb: ''V\u00ebre n\u00eb pun\u00eb drap\u00ebrin t\u00ebnd t\u00eb mpreht\u00eb dhe vil bistak\u00ebt e vreshtit t\u00eb dheut, sepse rrushi i tyre \u00ebsht\u00eb pjekur''.\n14:19 At\u00ebher\u00eb engj\u00eblli e l\u00ebshoi drap\u00ebrin e tij mbi tok\u00eb dhe voli vreshtin e dheut dhe hodhi rrushin n\u00eb voz\u00ebn e madhe t\u00eb zem\u00ebrimit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb.\n14:20 Dhe voza u shtrydh jasht\u00eb qytetit dhe nga voza doli gjak deri te frer\u00ebt e kuajve, p\u00ebr nj\u00ebmij\u00eb e gjasht\u00ebqind stade.\n15:1 Pastaj pash\u00eb n\u00eb qiell nj\u00eb shenj\u00eb tjet\u00ebr t\u00eb madhe dhe t\u00eb mrekullishme: shtat\u00eb engj\u00ebj q\u00eb kishin shtat\u00eb plag\u00ebt e fundit, sepse me to u krye zem\u00ebrimi i Per\u00ebndis\u00eb.\n15:2 Dhe pash\u00eb nj\u00eb si det t\u00eb qelqt\u00eb, t\u00eb p\u00ebrzier me zjarr dhe n\u00eb k\u00ebmb\u00eb mbi detin e qelqt\u00eb, ata q\u00eb kishin mundur bish\u00ebn, figur\u00ebn e saj, dhe damk\u00ebn e saj edhe numrin e emrit t\u00eb saj. Ata kishin qestet e Per\u00ebndis\u00eb,\n15:3 dhe k\u00ebndonin k\u00ebng\u00ebn e Moisiut, sh\u00ebrb\u00ebtorit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb, dhe k\u00ebng\u00ebnn e Qengjit, duke th\u00ebn\u00eb: ''T\u00eb m\u00ebdha dhe t\u00eb mrekullueshme jan\u00eb veprat e tua, o Zot, Per\u00ebndi i plotfuqish\u00ebm; t\u00eb drejta dhe t\u00eb v\u00ebrteta jan\u00eb udh\u00ebt e tua, o Mbret i kombeve.\n15:4 Kush nuk do t\u00eb t\u00eb druaj\u00eb, o Zot, dhe nuk do t\u00eb l\u00ebvdoj\u00eb emrin t\u00ebnd? Sepse vet\u00ebm ti je i Shenjt\u00eb; sepse t\u00eb gjitha kombet do t\u00eb vijn\u00eb dhe do t\u00eb adhurojn\u00eb p\u00ebrpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaq\u00ebn''.\n15:5 Dhe pas k\u00ebtyre gj\u00ebrave un\u00eb pash\u00eb dhe ja, u hap n\u00eb qiell tempulli i tabernakullit t\u00eb d\u00ebshmis\u00eb.\n15:6 Dhe t\u00eb shtat\u00eb engj\u00ebjt, q\u00eb kishin t\u00eb shtat\u00eb plag\u00ebt, dol\u00ebn nga tempulli, t\u00eb veshur me lin t\u00eb past\u00ebr dhe t\u00eb shndritsh\u00ebm, dhe t\u00eb ngjeshur p\u00ebrreth gjoksit me breza ari.\n15:7 Nj\u00eb nga t\u00eb kat\u00ebr qeniet e gjalla u dha t\u00eb shtat\u00eb engj\u00ebjve shtat\u00eb kupa ari, plot me zem\u00ebrimi i Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb rron n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve.\n15:8 Dhe tempulli u mbush me tym nga lavdia e Per\u00ebndis\u00eb dhe nga fuqia e tij; dhe askush nuk mund t\u00eb hynte n\u00eb tempull, derisa t\u00eb mbaroheshin t\u00eb shtat\u00eb plag\u00ebt e t\u00eb shtat\u00eb engj\u00ebjve.\n16:1 Pastaj d\u00ebgjova nj\u00eb z\u00eb t\u00eb madh nga tempulli q\u00eb u thoshte t\u00eb shtat\u00eb engj\u00ebjve: ''Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zem\u00ebrimit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb''.\n16:2 I pari shkoi dhe e derdhi kup\u00ebn e vet mbi tok\u00eb, dhe nj\u00eb ul\u00e7er\u00eb e lig\u00eb dhe e dhimbshme goditi njer\u00ebzit q\u00eb kishin damk\u00ebn e bish\u00ebs dhe ata q\u00eb adhuronin figur\u00ebn e saj.\n16:3 Pastaj engj\u00eblli i dyt\u00eb e derdhi kup\u00ebn e tij n\u00eb det; dhe u b\u00eb gjak si i nj\u00eb t\u00eb vdekuri dhe \u00e7do qenie e gjall\u00eb n\u00eb det vdiq.\n16:4 Edhe engj\u00eblli i tret\u00eb e derdhi kup\u00ebn e tij n\u00eb lumenj dhe n\u00eb burimet e uj\u00ebrave; dhe u b\u00eb gjak.\n16:5 Dhe d\u00ebgjova engj\u00ebllin e uj\u00ebrave duke th\u00ebn\u00eb: ''Ti je i drejt\u00eb, o Zot, q\u00eb je q\u00eb ishe dhe q\u00eb do t\u00eb vish, i Shenjti q\u00eb gjykoi k\u00ebto gj\u00ebra.\n16:6 Ata kan\u00eb derdhur gjakun e shenjtor\u00ebve dhe t\u00eb profet\u00ebve, dhe ti u dhe atyre t\u00eb pijn\u00eb gjak, sepse \u00ebsht\u00eb shp\u00ebrblimi q\u00eb ata meritojn\u00eb''.\n16:7 Dhe d\u00ebgjova nj\u00eb tjet\u00ebr q\u00eb thoshte nga altari: ''Po, o Zot, Per\u00ebndi i plotfuqish\u00ebm, gjykimet e tua jan\u00eb t\u00eb v\u00ebrteta dhe t\u00eb drejta''.\n16:8 Dhe engj\u00eblli i kat\u00ebrt e derdhi kup\u00ebn e tij mbi dielli; dhe iu dha atij t\u00eb djeg\u00eb njer\u00ebzit me zjarr.\n16:9 Dhe njer\u00ebzit u dogj\u00ebn nga nj\u00eb nxeht\u00ebsi e madhe dhe ata blasfemuan emrin e Per\u00ebndis\u00eb q\u00eb ka pushtet mbi k\u00ebto plag\u00eb, dhe nuk u penduan q\u00eb t'i japin lavdi atij.\n16:10 Dhe engj\u00eblli i pest\u00eb e derdhi kup\u00ebn e tij mbi fronin e bish\u00ebs; dhe mbret\u00ebria e tij u mbulua me terr; dhe njer\u00ebzit kafshonin gjuh\u00ebt e tyre nga dhembja,\n16:11 dhe blasfemuan Per\u00ebndin\u00eb e qiellit p\u00ebr shkak t\u00eb dhembjeve t\u00eb tyre dhe ul\u00e7er\u00ebt e tyre, por nuk u penduan p\u00ebr veprat e tyre.\n16:12 Pastaj engj\u00eblli i gjasht\u00eb e derdhi kup\u00ebn e tij n\u00eb lumin e madh Eufrat dhe uji i tij u tha p\u00ebr t\u00eb b\u00ebr\u00eb gati udh\u00ebn e mbret\u00ebrve q\u00eb vijn\u00eb nga lindja e diellit.\n16:13 Dhe pash\u00eb t\u00eb dilte nga goja e dragoit, nga goja e bish\u00ebs dhe nga goja e profetit t\u00eb rrem\u00eb, tri frym\u00eb t\u00eb ndyra, q\u00eb u ngjanin bretkosave.\n16:14 Sepse n\u00eb fakt jan\u00eb fryma t\u00eb demon\u00ebve q\u00eb b\u00ebjn\u00eb mrekulli, q\u00eb shkojn\u00eb te mbret\u00ebrit e dheut dhe t\u00eb gjith\u00eb bot\u00ebs, q\u00eb t'i mbledhin p\u00ebr luft\u00ebn e dit\u00ebs s\u00eb madhe t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb Plotfuqish\u00ebm.\n16:15 ''Ja, un\u00eb po vij si vjedh\u00ebs; lum ai q\u00eb rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta q\u00eb t\u00eb mos ec\u00eb i zhveshur dhe t\u00eb duket turpi i tij''.\n16:16 Dhe i mblodh\u00ebn n\u00eb nj\u00eb vend q\u00eb hebraisht quhet ''Armagedon''.\n16:17 Pastaj engj\u00eblli i shtat\u00eb e derdhi kup\u00ebn e tij n\u00eb er\u00eb; dhe doli nj\u00eb z\u00eb i madh nga tempulli i qiellit, nga froni, duke th\u00ebn\u00eb: ''U b\u00eb''.\n16:18 At\u00ebher\u00eb shkrep\u00ebn z\u00ebra bubullima dhe vet\u00ebtima, dhe u b\u00eb nj\u00eb t\u00ebrmet i madh, q\u00eb i till\u00eb nuk ishte b\u00ebr\u00eb q\u00ebkurse u b\u00ebn\u00eb njer\u00ebzit mbi tok\u00eb, nj\u00eb t\u00ebrmet kaq fort i madh.\n16:19 Dhe qyteti i madh u nda n\u00eb tri pjes\u00eb dhe qytetet e kombeve ran\u00eb, Babilona e madhe u kujtua p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb, q\u00eb t'i jap\u00eb kup\u00ebn e ver\u00ebs s\u00eb zem\u00ebrimit t\u00eb tij t\u00eb t\u00ebrbuar.\n16:20 Dhe \u00e7do ishull iku, edhe malet nuk u gjet\u00ebn m\u00eb.\n16:21 Dhe nj\u00eb bresh\u00ebr i madh, me pesh\u00eb prej nj\u00eb talenti, ra nga qielli mbi njer\u00ebzit; edhe njer\u00ebzit blasfemuan Per\u00ebndin\u00eb p\u00ebr plag\u00ebn e bresh\u00ebrit; sepse plaga e tij ishte me t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb e madhe.\n17:1 Dhe erdhi nj\u00eb nga t\u00eb shtat\u00eb engj\u00ebjt q\u00eb kishin t\u00eb shtat\u00eb kupat, dhe foli me mua dhe m\u00eb tha: ''Eja, do t\u00eb t\u00eb tregoj gjyqin e kurv\u00ebs s\u00eb madhe q\u00eb \u00ebsht\u00eb ulur n\u00eb uj\u00ebra t\u00eb shumta,\n17:2 m\u00eb t\u00eb cil\u00ebn u kurv\u00ebruan mbret\u00ebrit e dheut, dhe banor\u00ebt e dheut u deh\u00ebn me ver\u00ebn e kurv\u00ebris\u00eb s\u00eb saj''.\n17:3 Dhe m\u00eb \u00e7oi n\u00eb Frym\u00eb n\u00eb nj\u00eb shkret\u00ebtir\u00eb, dhe pash\u00eb nj\u00eb grua q\u00eb rrinte mbi nj\u00eb bish\u00eb t\u00eb kuqe, plot me emra blasfemie dhe q\u00eb kishte shtat\u00eb krer\u00eb dhe dhjet\u00eb brir\u00eb.\n17:4 Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me t\u00eb kuq t\u00eb ndezur, e stolisur me ar, gur\u00eb t\u00eb \u00e7muar dhe me margaritar\u00eb; kishte n\u00eb dor\u00eb nj\u00eb kup\u00eb ari plot me neverit\u00eb dhe ndyr\u00ebsit\u00eb e kurv\u00ebrimit t\u00eb saj.\n17:5 Dhe mbi ballin e saj ishte shkruar nj\u00eb em\u00ebr: ''Misteri, Babilona e madhe, n\u00ebna e lavirave dhe e neverive t\u00eb dheut''.\n17:6 Dhe e pash\u00eb gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtor\u00ebve dhe nga gjaku i martir\u00ebve t\u00eb Jezusit. Dhe, kur e pash\u00eb, u \u00e7udita me \u00e7udi t\u00eb madhe.\n17:7 Dhe engj\u00eblli m\u00eb tha: ''P\u00ebrse \u00e7uditesh? Un\u00eb do t\u00eb t\u00eb tregoj misterin e gruas dhe t\u00eb bish\u00ebs q\u00eb e mban at\u00eb, e cila ka shtat\u00eb krer\u00eb dhe dhjet\u00eb brir\u00eb.\n17:8 Bisha, q\u00eb pe, ishte, edhe nuk \u00ebsht\u00eb, dhe do t\u00eb ngjitet nga humnera dhe do t\u00eb vej\u00eb n\u00eb p\u00ebrhumbje; dhe banor\u00ebt e dheut, emrat e t\u00eb cil\u00ebve nuk jan\u00eb shkruar n\u00eb librin e jet\u00ebs q\u00eb nga krijimi i bot\u00ebs, do t\u00eb \u00e7uditen kur t\u00eb shohin bish\u00ebn q\u00eb ishte, dhe nuk \u00ebsht\u00eb, ndon\u00ebse \u00ebsht\u00eb.\n17:9 K\u00ebtu \u00ebsht\u00eb mendja q\u00eb ka dituri: t\u00eb shtat\u00eb krer\u00ebt jan\u00eb shtat\u00eb male, ku ulet gruaja,\n17:10 dhe mbret\u00ebr jan\u00eb shtat\u00eb; pes\u00eb kan\u00eb r\u00ebn\u00eb, nj\u00eb \u00ebsht\u00eb dhe tjetri nuk ka ardhur ende; dhe, kur t\u00eb vij\u00eb, pak koh\u00eb do t\u00eb mbetet.\n17:11 Dhe bisha q\u00eb ishte, dhe nuk \u00ebsht\u00eb m\u00eb, \u00ebsht\u00eb edhe ajo i teti mbret, dhe \u00ebsht\u00eb nga t\u00eb shtat\u00ebt dhe shkon n\u00eb p\u00ebrhumbje.\n17:12 T\u00eb dhjet\u00eb brir\u00ebt, q\u00eb pe, jan\u00eb dhjet\u00eb mbret\u00ebr, t\u00eb cil\u00ebt nuk kan\u00eb marr\u00eb ende mbret\u00ebrin\u00eb, por do t\u00eb marrin pushtet si mbret\u00ebr, nj\u00eb or\u00eb, bashk\u00eb me bish\u00ebn.\n17:13 K\u00ebta kan\u00eb nj\u00eb q\u00ebllim, dhe do t'ia japin fuqin\u00eb dhe pushtetin e tyre bish\u00ebs.\n17:14 Ata do t\u00eb luftojn\u00eb kund\u00ebr Qengjit dhe Qengji do t'i mund\u00eb, sepse ai \u00ebsht\u00eb Zot i zot\u00ebrve dhe Mbret i mbret\u00ebrve; dhe ata q\u00eb jan\u00eb me t\u00eb jan\u00eb t\u00eb thirrur, t\u00eb zgjedhur dhe besnik\u00eb''.\n17:15 Pastaj m\u00eb tha: ''Uj\u00ebrat q\u00eb ke par\u00eb, ku ulet lavirja, jan\u00eb popuj dhe turma, dhe kombe, dhe gjuh\u00eb.\n17:16 Dhe t\u00eb dhjet\u00eb brir\u00ebt q\u00eb ke par\u00eb mbi bish\u00ebn, k\u00ebta do t\u00eb urrejn\u00eb laviren, do ta b\u00ebjn\u00eb t\u00eb shkret\u00eb dhe lakuriq, dhe do t\u00eb han\u00eb mishrat e saj dhe do ta djegin n\u00eb zjarr.\n17:17 Sepse Per\u00ebndia u dha n\u00eb zem\u00ebr atyre t\u00eb kryejn\u00eb mendjen e tij, t\u00eb b\u00ebhen n\u00eb nj\u00eb mendje, edhe t'i japin bish\u00ebs mbret\u00ebrin\u00eb e tyre, gjersa t\u00eb plot\u00ebsohen fjal\u00ebt e Per\u00ebndis\u00eb.\n17:18 Dhe gruaja q\u00eb pe \u00ebsht\u00eb qyteti i madh, q\u00eb mbret\u00ebron mbi mbret\u00ebrit\u00eb e dheut''.\n18:1 Edhe pas k\u00ebtyre pash\u00eb nj\u00eb engj\u00ebll tjet\u00ebr q\u00eb zbriste nga qielli, q\u00eb kishte pushtet t\u00eb madh; dhe dheu u ndri\u00e7ua nga lavdia e tij.\n18:2 Ai b\u00ebrtiti me forc\u00eb dhe me z\u00eb t\u00eb madh, duke th\u00ebn\u00eb: ''Ra, ra Babilona e madhja, dhe u b\u00eb vendbanimi i demon\u00ebve, dhe streha e \u00e7do fryme t\u00eb ndyr\u00eb, dhe streha e \u00e7do shpendi t\u00eb ndyr\u00eb dhe neveritsh\u00ebm.\n18:3 Sepse nga vera e m\u00ebris\u00eb s\u00eb kurv\u00ebrimit t\u00eb saj kan\u00eb pir\u00eb t\u00eb gjitha kombet, dhe mbret\u00ebrit e dheut me t\u00eb u kurv\u00ebruan, dhe tregtar\u00ebt e dheut u pasuruan p\u00ebr shkak t\u00eb luksit t\u00eb saj t\u00eb shfrenuar''.\n18:4 Pastaj d\u00ebgjova nj\u00eb z\u00eb tjet\u00ebr nga qielli, duke th\u00ebn\u00eb: ''Dilni prej saj, o populli im, q\u00eb t\u00eb mos b\u00ebheni pjestar\u00eb t\u00eb m\u00ebkateve t\u00eb saj, dhe t\u00eb mos merrni nga plag\u00ebt e saj,\n18:5 sepse m\u00ebkatet e saj jan\u00eb grumbulluar dhe kan\u00eb arritur deri n\u00eb qiell, dhe Per\u00ebndia kujtoi paudh\u00ebsit\u00eb e saj.\n18:6 Shp\u00ebrblejani at\u00eb q\u00eb ajo ju ka b\u00ebr\u00eb juve, p\u00ebrkundrazi, shp\u00ebrblejani dyfish sipas veprave t\u00eb saj; n\u00eb kup\u00ebn q\u00eb ajo derdhi derdhini dyfishin.\n18:7 N\u00eb mas\u00ebn q\u00eb u vetlavd\u00ebrua ajo dhe shfreu n\u00eb epshe, n\u00eb at\u00eb mas\u00eb i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo n\u00eb zem\u00ebr t\u00eb vet thot\u00eb: \"Un\u00eb rri posi mbret\u00ebresh\u00eb, e ve nuk jam dhe breng\u00eb nuk do t\u00eb shoh\".\n18:8 Prandaj n\u00eb nj\u00eb dit\u00eb t\u00eb vetme do t\u00eb vijn\u00eb plag\u00ebt e saj: vdekja, vaji dhe zia e buk\u00ebs; edhe do t\u00eb digjet krejt n\u00eb zjarr, sepse i fuqish\u00ebm \u00ebsht\u00eb Zoti Per\u00ebndia, ai q\u00eb e gjykon at\u00eb''.\n18:9 Dhe do ta qajn\u00eb at\u00eb dhe do t\u00eb vajtojn\u00eb p\u00ebr t\u00eb mbret\u00ebrit e dheut, ata q\u00eb u kurv\u00ebruan me t\u00eb dhe u dhan\u00eb pas epsheve me t\u00eb, kur t\u00eb shohin tymin e zjarrit t\u00eb saj;\n18:10 ata do t\u00eb q\u00ebndrojn\u00eb larg nga frika e mundimit t\u00eb saj, duke th\u00ebn\u00eb: ''Mjer\u00eb, mjer\u00eb Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqish\u00ebm, sepse n\u00eb nj\u00eb moment erdhi gjyqi yt!''.\n18:11 Edhe tregtar\u00ebt e dheut do t\u00eb qajn\u00eb dhe do t\u00eb vajtojn\u00eb p\u00ebr t\u00eb, sepse askush nuk do t\u00eb blej\u00eb m\u00eb mallrat e tyre:\n18:12 mallra prej ari dhe argjendi, gur\u00eb t\u00eb \u00e7muar dhe margaritar\u00eb, p\u00eblhura liri dhe purpri, mendafshi e t\u00eb kuqeje, dhe gjithfar\u00eb drur\u00ebsh er\u00ebmir\u00eb, e gjithfar\u00eb sendesh fildishi dhe druri shum\u00eb t\u00eb \u00e7muar, bronzi, hekuri dhe mermeri,\n18:13 dhe kanell\u00eb, dhe parfume, vajra er\u00ebmir\u00eb, temian, ver\u00eb, vaj, maj\u00eb mielli, grur\u00eb, gj\u00eb e gjall\u00eb, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njer\u00ebzish.\n18:14 Dhe fryti i d\u00ebshir\u00ebs s\u00eb shpirtit t\u00ebnd ik\u00ebn prej teje, dhe t\u00eb gjitha gj\u00ebrat e pasura dhe t\u00eb shk\u00eblqyerat ik\u00ebn prej teje dhe ti nuk do t'i gjesh m\u00eb kurr\u00eb.\n18:15 Tregtar\u00ebt e k\u00ebtyre gj\u00ebrave, q\u00eb u pasuruan prej saj, do t\u00eb rrijn\u00eb larg p\u00ebr shkak t\u00eb frik\u00ebs s\u00eb mundimit t\u00eb saj, dhe do t\u00eb qajn\u00eb dhe do t\u00eb vajtojn\u00eb,\n18:16 duke th\u00ebn\u00eb: ''Ah! Ah! Qyteti i madh, q\u00eb ishte veshur me li t\u00eb holl\u00eb, me t\u00eb purpurta e t\u00eb kuqe t\u00eb ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gur\u00eb t\u00eb \u00e7muar dhe me margaritar\u00eb! Sepse n\u00eb nj\u00eb moment u shkat\u00ebrrua nj\u00eb pasuri kaq e madhe!''.\n18:17 T\u00eb gjith\u00eb kapiten\u00ebt, t\u00eb gjith\u00eb pasagjer\u00ebt dhe detar\u00ebt, dhe t\u00eb gjith\u00eb ata q\u00eb tregtojn\u00eb n\u00ebp\u00ebrmjet detit do t\u00eb q\u00ebndrojn\u00eb nga larg\n18:18 dhe, duke par\u00eb tymin e zjarrit t\u00eb saj, do t\u00eb klithin: ''Cili qytet i p\u00ebrngjante k\u00ebtij qyteti t\u00eb madh?''.\n18:19 Dhe do t\u00eb hedhin pluhur mbi kryet, do t\u00eb b\u00ebrtasin, duke qar\u00eb e duke vajtuar, duke th\u00ebn\u00eb: ''Ah! Ah! Qyteti i madh, n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn u pasuruan t\u00eb gjith\u00eb ata q\u00eb kishin anije n\u00eb det nga mrekullia e saj, sepse p\u00ebr nj\u00eb moment u shkretua!\n18:20 G\u00ebzohu p\u00ebrmbi t\u00eb, o qiell, dhe ju apostuj t\u00eb shenjt\u00eb dhe profet\u00eb, sepse Per\u00ebndia duke e gjykuar vuri n\u00eb vend drejt\u00ebsin\u00eb''.\n18:21 Dhe nj\u00eb engj\u00ebll i fuqish\u00ebm ngriti nj\u00eb gur t\u00eb madh me p\u00ebrmasat sa nj\u00eb mok\u00ebr dhe e hodhi n\u00eb det, duke th\u00ebn\u00eb: ''Me t\u00eb nj\u00ebjtin vrull do t\u00eb hidhet Babilona, qyteti i madh, dhe nuk do t\u00eb gjendet m\u00eb;\n18:22 dhe z\u00ebri i harpist\u00ebve, i muzikant\u00ebve, i fyelltar\u00ebve dhe borizan\u00ebve nuk do t\u00eb d\u00ebgjohet m\u00eb te ti; dhe \u00e7do mjesht\u00ebr i \u00e7far\u00ebdo eksperti i arteve nuk do t\u00eb gjendet m\u00eb te ti, dhe nuk do t\u00eb d\u00ebgjohet m\u00eb te ti z\u00ebri i gurit t\u00eb mullirit.\n18:23 Dhe drit\u00eb llambe nuk do t\u00eb ndri\u00e7oj\u00eb m\u00eb n\u00eb ty; edhe z\u00eb dh\u00ebndri dhe nuseje nuk do t\u00eb d\u00ebgjohet m\u00eb te ti; sepse tregtar\u00ebt e tu ishin t\u00eb m\u00ebdhenjt\u00eb e dheut, sepse gjith\u00eb kombet u mashtruan me magjin\u00eb t\u00ebnde.\n18:24 Sepse n\u00eb t\u00eb u gjet gjak profet\u00ebsh dhe shenjtor\u00ebsh, dhe i gjith\u00eb atyre q\u00eb jan\u00eb vrar\u00eb mbi dhe''.\n19:1 Dhe pas k\u00ebtyre d\u00ebgjova n\u00eb qiell z\u00ebrin e madh t\u00eb nj\u00eb turme t\u00eb shumt\u00eb, duke th\u00ebn\u00eb: ''Aleluja! Shp\u00ebtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i p\u00ebrkasin Zotit, Per\u00ebndis\u00eb son\u00eb,\n19:2 sepse t\u00eb v\u00ebrteta dhe t\u00eb drejta jan\u00eb gjykimet e tij! Ai n\u00eb fakt gjykoi laviren e madhe, q\u00eb e prishi dheun me kurv\u00ebrin\u00eb e saj, dhe mori hak p\u00ebr gjakun e sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb vet t\u00eb derdhur prej dor\u00ebs s\u00eb saj''.\n19:3 Dhe than\u00eb p\u00ebr t\u00eb dyt\u00ebn her\u00eb: ''Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve''.\n19:4 Dhe ran\u00eb p\u00ebrmbys t\u00eb nj\u00ebzet e kat\u00ebr pleqt\u00eb, dhe t\u00eb kat\u00ebr qeniet e gjalla, dhe adhuruan Per\u00ebndin\u00eb, q\u00eb ulej mbi fron, duke th\u00ebn\u00eb: ''Amen, Aleluja!''.\n19:5 Dhe nga froni erdhi nj\u00eb z\u00eb, duke th\u00ebn\u00eb: ''L\u00ebvdoni Per\u00ebndin\u00eb ton\u00eb, gjith\u00eb ju sh\u00ebrb\u00ebtor\u00eb t\u00eb tij dhe ju q\u00eb e druani, dhe t\u00eb vegjlit dhe t\u00eb m\u00ebdhenjt\u00eb''.\n19:6 Dhe d\u00ebgjova nj\u00eb si z\u00eb i nj\u00eb turme t\u00eb madhe, dhe si z\u00eb shum\u00eb uj\u00ebrash dhe si z\u00eb bubullimash t\u00eb forta, q\u00eb thoshte: ''Aleluja, sepse filloi t\u00eb mbret\u00ebroj\u00eb Zoti, Per\u00ebndia yn\u00eb, i Plotfuqishmi!.\n19:7 Le t\u00eb g\u00ebzohemi dhe t\u00eb ngaz\u00ebllohemi dhe le t'i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij \u00ebsht\u00eb p\u00ebrgatitur!\n19:8 Dhe i \u00ebsht\u00eb dh\u00ebn\u00eb t\u00eb vishet me li t\u00eb holl\u00eb, t\u00eb past\u00ebr dhe t\u00eb shk\u00eblqyesh\u00ebm, sepse liri i holl\u00eb jan\u00eb veprat e drejta t\u00eb shenjtor\u00ebve''.\n19:9 Dhe m\u00eb tha: ''Shkruaj: Lum ata q\u00eb jan\u00eb ftuar n\u00eb gostin\u00eb e dasm\u00ebs s\u00eb Qengjit''. Dhe m\u00eb tha: ''K\u00ebto jan\u00eb fjal\u00ebt e v\u00ebrteta t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb''.\n19:10 Edhe rash\u00eb p\u00ebrpara k\u00ebmb\u00ebve t\u00eb tij p\u00ebr ta adhuruar, por ai m\u00eb tha: ''Ruaju se e b\u00ebn, un\u00eb jam bashk\u00ebsh\u00ebrb\u00ebtori yt si dhe i v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb tu q\u00eb kan\u00eb d\u00ebshmin\u00eb e Jezusit. Per\u00ebndin\u00eb adhuroje! Sepse d\u00ebshmia e Jezusit \u00ebsht\u00eb frym\u00eb e profecis\u00eb''.\n19:11 Dhe pash\u00eb qiellin e hapur, dhe ja, nj\u00eb kal\u00eb i bardh\u00eb, dhe ai q\u00eb e kal\u00ebronte quhet Besniku dhe i V\u00ebrteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejt\u00ebsi.\n19:12 Dhe syt\u00eb e tij ishin si flak\u00eb zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shum\u00eb kurora; edhe kishte nj\u00eb em\u00ebr t\u00eb shkruar, q\u00eb askush nuk e di p\u00ebrve\u00e7 atij;\n19:13 Dhe ishte i veshur me nj\u00eb rrobe t\u00eb ngjyer n\u00eb gjak; dhe emri i tij quhet: \"Fjala e Per\u00ebndis\u00eb\".\n19:14 Dhe ushtrit\u00eb q\u00eb jan\u00eb n\u00eb qiell e ndiqnin mbi kuaj t\u00eb bardh\u00eb, t\u00eb veshur me rroba liri t\u00eb holl\u00eb, t\u00eb bardh\u00eb dhe t\u00eb past\u00ebr.\n19:15 Dhe nga goja e tij dilte nj\u00eb shpat\u00eb e mpreht\u00eb p\u00ebr t\u00eb goditur me t\u00eb kombet; dhe ai do t\u00eb qeveris\u00eb me skept\u00ebr prej hekuri dhe ai vet do t\u00eb shkel\u00eb voz\u00ebn e ver\u00ebs s\u00eb m\u00ebris\u00eb dhe t\u00eb zem\u00ebrimit t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb s\u00eb plotfuqish\u00ebm.\n19:16 Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofsh\u00ebn ishte shkruar nj\u00eb em\u00ebr: MBRETI I MBRET\u00c9RVE dhe ZOTI I ZOT\u00c9RVE.\n19:17 Dhe pash\u00eb nj\u00eb engj\u00ebll q\u00eb q\u00ebndronte n\u00eb k\u00ebmb\u00eb n\u00eb diell; dhe b\u00ebrtiti me z\u00eb t\u00eb madh duke u th\u00ebn\u00eb gjith\u00eb shpend\u00ebve q\u00eb fluturojn\u00eb n\u00eb mes t\u00eb qiellit: ''Ejani, mblidhuni n\u00eb gostin\u00eb e madhe t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb,\n19:18 q\u00eb t\u00eb hani mish mbret\u00ebrish, dhe mish kapiten\u00ebsh, dhe mish njer\u00ebzish t\u00eb fuqish\u00ebm, dhe mish kuajsh dhe kalor\u00ebsish, dhe mishin e t\u00eb gjith\u00eb njer\u00ebzve, t\u00eb t\u00eb lir\u00ebve dhe t\u00eb skllev\u00ebrve, dhe t\u00eb t\u00eb vegj\u00eblve dhe t\u00eb t\u00eb m\u00ebdhenjve''.\n19:19 Dhe pash\u00eb bish\u00ebn, dhe mbret\u00ebrit e dheut, dhe ushtrit\u00eb e tyre t\u00eb mbledhura q\u00eb t\u00eb b\u00ebnin luft\u00eb kund\u00ebr atij q\u00eb kal\u00ebronte kalin dhe kund\u00ebr ushtris\u00eb s\u00eb tij.\n19:20 Dhe bisha u kap, dhe bashk\u00eb me t\u00eb profeti i rrem\u00eb q\u00eb kishte b\u00ebr\u00eb shenja p\u00ebrpara saj, me t\u00eb cilat i mashtroi ata q\u00eb mor\u00ebn damk\u00ebn e bish\u00ebs, dhe ata q\u00eb adhuruan figur\u00ebn e saj; q\u00eb t\u00eb dy i hodh\u00ebn t\u00eb gjall\u00eb n\u00eb liqenin e zjarrt\u00eb q\u00eb digjet me squfur;\n19:21 dhe t\u00eb tjer\u00ebt u vran\u00eb me shpat\u00eb, q\u00eb dilte nga goja e atij q\u00eb kal\u00ebronte kalin, dhe t\u00eb gjitha shpend\u00ebt u ngop\u00ebn me mishrat e tyre.\n20:1 Dhe pash\u00eb nj\u00eb engj\u00ebll q\u00eb zbriste nga qielli, duke pasur \u00e7el\u00ebsin e humner\u00ebs, dhe nj\u00eb zinxhir t\u00eb madh n\u00eb dor\u00eb.\n20:2 Ai e kapi dragoin, gjarp\u00ebrin e lasht\u00eb, q\u00eb \u00ebsht\u00eb djalli dhe Satani, dhe e lidhi p\u00ebr nj\u00eb mij\u00eb vjet,\n20:3 dhe e hodhi at\u00eb n\u00eb humner\u00eb, dhe e mbylli at\u00eb dhe vulosi mbi t\u00eb, q\u00eb t\u00eb mos i mashtroj\u00eb m\u00eb kombet, deri sa t\u00eb mbushen nj\u00eb mij\u00eb vjet; dhe pas k\u00ebtyre ai duhet zgjidhur p\u00ebr pak koh\u00eb.\n20:4 Dhe pash\u00eb frone, dhe ata u ul\u00ebn mbi to dhe atyre iu dha pushteti q\u00eb t\u00eb gjykojn\u00eb edhe pash\u00eb shpirtrat e atyre q\u00eb u ishin prer\u00eb kokat p\u00ebr d\u00ebshmin\u00eb e Jezusit dhe p\u00ebr fjal\u00ebn e Per\u00ebndis\u00eb, dhe t\u00eb cil\u00ebt nuk e kishin adhuruar bish\u00ebn, dhe as figur\u00ebn e saj dhe nuk kishin marr\u00eb damk\u00eb mbi ballin e tyre dhe n\u00eb duart e tyre. K\u00ebta u kthyen n\u00eb jet\u00eb e mbret\u00ebruan me Krishtin p\u00ebr nj\u00eb mij\u00eb vjet.\n20:5 Por t\u00eb vdekurit e tjer\u00eb nuk u kthyen n\u00eb jet\u00eb deri sa t\u00eb mbusheshin nj\u00eb mij\u00eb vjet. Kjo \u00ebsht\u00eb ringjallja e par\u00eb.\n20:6 I lum dhe i shenjt\u00eb \u00ebsht\u00eb ai q\u00eb ka pjes\u00eb n\u00eb ringjalljen e par\u00eb. Mbi ata vdekja e dyt\u00eb nuk ka pushtet, por ata do t\u00eb jen\u00eb prift\u00ebrinj t\u00eb Per\u00ebndis\u00eb dhe t\u00eb Krishtit dhe do t\u00eb mbret\u00ebrojn\u00eb me t\u00eb nj\u00eb mij\u00eb vjet.\n20:7 Dhe kur t\u00eb kryhen t\u00eb nj\u00eb mij\u00eb vjet\u00ebt, Satani do t\u00eb zgjidhet nga burgu i tij,\n20:8 dhe do t\u00eb dal\u00eb t\u00eb mashtroj\u00eb kombet q\u00eb jan\u00eb n\u00eb t\u00eb kat\u00ebr an\u00ebt e dheut, Gogun e Magogun, q\u00eb t'i mbledh\u00eb ata p\u00ebr luft\u00eb; numri i tyre do t\u00eb jet\u00eb si r\u00ebra e detit.\n20:9 Dhe ata do t\u00eb l\u00ebvizin n\u00eb t\u00eb gjith\u00eb sip\u00ebrfaqen e dheut dhe do ta rrethojn\u00eb fush\u00ebn e shenjtor\u00ebve dhe qytetin e dashur. Por nga qielli do t\u00eb zbres\u00eb zjarr, i d\u00ebrguar nga Per\u00ebndia, dhe do t'i p\u00ebrpij\u00eb.\n20:10 At\u00ebher\u00eb djallin q\u00eb i kishte mashtruar, do ta hedhin n\u00eb liqenin e zjarrit e t\u00eb squfurit, ku jan\u00eb bisha dhe profeti i rrem\u00eb; dhe do t\u00eb mundohen dit\u00eb e nat\u00eb n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve.\n20:11 Pastaj pash\u00eb nj\u00eb fron t\u00eb madh t\u00eb bardh\u00eb dhe at\u00eb q\u00eb ulej mbi t\u00eb, nga prania e t\u00eb cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet v\u00ebnd p\u00ebr ata.\n20:12 Dhe pash\u00eb t\u00eb vdekurit, t\u00eb m\u00ebdhenj e t\u00eb vegj\u00ebl, q\u00eb rrinin n\u00eb k\u00ebmb\u00eb p\u00ebrpara Per\u00ebndis\u00eb, edhe librat u hap\u00ebn; dhe u hap nj\u00eb lib\u00ebr tjet\u00ebr, q\u00eb \u00ebsht\u00eb libri i jet\u00ebs; dhe t\u00eb vdekurit u gjykuan n\u00eb baz\u00eb t\u00eb gj\u00ebrave t\u00eb shkruara n\u00eb libra, sipas veprave t\u00eb tyre.\n20:13 Dhe deti i dor\u00ebzoi t\u00eb vdekurit q\u00eb ishin n\u00eb t\u00eb, dhe vdekja dhe Hadesi dor\u00ebzuan t\u00eb vdekurit q\u00eb ishin n\u00eb ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave t\u00eb veta.\n20:14 Pastaj vdekja dhe Hadesi u flak\u00ebn n\u00eb liqenin e zjarrit. Kjo \u00ebsht\u00eb vdekja e dyt\u00eb.\n20:15 Dhe, n\u00ebse ndokush nuk u gjet i shkruar n\u00eb librin e jet\u00ebs, u flak n\u00eb liqenin e zjarrit.\n21:1 Dhe pash\u00eb nj\u00eb qiell t\u00eb ri dhe nj\u00eb dhe t\u00eb ri; sepse qielli i par\u00eb dhe dheu i par\u00eb kishin shkuar, dhe deti nuk ishte m\u00eb.\n21:2 Dhe un\u00eb, Gjoni, pash\u00eb qytetin e shenjt\u00eb, Jeruzalemin e ri, q\u00eb zbriste nga qielli, nga Per\u00ebndia, q\u00eb ishte b\u00ebr\u00eb gati si nuse e stolisur p\u00ebr burrin e vet.\n21:3 Dhe d\u00ebgjova nj\u00eb z\u00eb t\u00eb madh nga qielli q\u00eb thoshte: ''Ja tabernakulli i Per\u00ebndis\u00eb me njer\u00ebzit! Dhe ai do t\u00eb banoj\u00eb me ta; edhe ata do t\u00eb jen\u00eb populli i tij dhe vet\u00eb Per\u00ebndia do t\u00eb jet\u00eb bashk\u00eb me ta, Per\u00ebndi e tyre.\n21:4 Dhe Per\u00ebndia do t\u00eb thaij\u00eb \u00e7do lot nga syt\u00eb e tyre; dhe vdekja nuk do t\u00eb jet\u00eb m\u00eb; as breng\u00eb, as klithma, as mundim, sepse gj\u00ebrat e m\u00ebparshme shkuan''.\n21:5 Dhe ai q\u00eb rrinte mbi fron tha: ''Ja, un\u00eb i b\u00ebj t\u00eb gjitha gj\u00ebrat t\u00eb reja''. Dhe m\u00eb tha: ''Shkruaj, sepse k\u00ebto fjal\u00eb jan\u00eb t\u00eb v\u00ebrteta dhe besnike''.\n21:6 Edhe m\u00eb tha: ''U b\u00eb! Un\u00eb jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij q\u00eb ka etje un\u00eb do t'i jap si dhurat\u00eb nga burimi i ujit t\u00eb jet\u00ebs.\n21:7 Kush fiton do t'i trash\u00ebgoj\u00eb t\u00eb gjitha gj\u00ebrat; dhe do t\u00eb jem p\u00ebr t\u00eb Per\u00ebndi dhe ai do t\u00eb jet\u00eb p\u00ebr mua bir.\n21:8 Kurse p\u00ebr frikacak\u00ebt dhe t\u00eb pabes\u00ebt, dhe t\u00eb neveritshmit dhe vras\u00ebsit, dhe kurv\u00ebruesit, dhe magjistar\u00ebt, dhe idhujtar\u00ebt, dhe gjith\u00eb g\u00ebnjeshtar\u00ebt, pjesa e tyre do t\u00eb jet\u00eb n\u00eb liqenin q\u00eb digjet me zjarr dhe squfur, q\u00eb \u00ebsht\u00eb vdekja e dyt\u00eb''.\n21:9 Pastaj erdhi drejt meje nj\u00eb nga t\u00eb shtat\u00eb engj\u00ebjt q\u00eb kishin t\u00eb shtat\u00eb kupat plot me shtat\u00eb plag\u00ebt e fundit, dhe foli me mua, duke th\u00ebn\u00eb: ''Eja, do t\u00eb t\u00eb tregoj nusen, gruan e Qengjit''.\n21:10 Dhe m\u00eb \u00e7oi n\u00eb Frym\u00eb mbi nj\u00eb mal t\u00eb madh dhe t\u00eb lart\u00eb, dhe m\u00eb tregoi qytetin e madh, Jeruzalemin e shenjt\u00eb, q\u00eb zbriste nga qielli, nga Per\u00ebndia,\n21:11 duke pasur lavdin\u00eb e Per\u00ebndis\u00eb. Dhe shk\u00eblqimi i saj i ngjante me nj\u00eb gur shum\u00eb t\u00eb \u00e7muar, si gur diaspri kristalor.\n21:12 Ai kishte nj\u00eb mur t\u00eb madh dhe t\u00eb lart\u00eb me dymb\u00ebdhjet\u00eb porta, dhe te portat dymb\u00ebdhjet\u00eb engj\u00ebj, dhe emra t\u00eb shkruar mbi to, t\u00eb cilat jan\u00eb emrat e t\u00eb dymb\u00ebdhjet\u00eb fiseve t\u00eb bijve t\u00eb Izraelit.\n21:13 Nga lindja ishin tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga per\u00ebndimi tri porta.\n21:14 Dhe muri i qytetit kishte dymb\u00ebdhjet\u00eb themele dhe mbi to ishin emrat e dymb\u00ebdhjet\u00eb apostujve t\u00eb Qengjit.\n21:15 Dhe ai q\u00eb fliste me mua kishte nj\u00eb kallam ari, p\u00ebr t\u00eb matur qytetin, dyert e tij dhe murin e tij.\n21:16 Dhe qyteti kishte form\u00eb kat\u00ebrk\u00ebnd\u00ebsh, dhe gjat\u00ebsia e tij \u00ebsht\u00eb sa gjer\u00ebsia; ai e mati qytetin me kallamin deri n\u00eb dymb\u00ebdhjet\u00eb mij\u00eb stade; gjat\u00ebsia, gj\u00ebr\u00ebsia dhe lart\u00ebsia e tij jan\u00eb t\u00eb barabart\u00eb.\n21:17 Mati edhe murin, q\u00eb ishte nj\u00ebqind e dyzet e kat\u00ebr kubit\u00eb, me matje njeriu, dometh\u00ebn\u00eb engj\u00ebllit.\n21:18 Muri ishte b\u00ebr\u00eb ishte prej diaspri; dhe qyteti ishte prej ari t\u00eb kulluar, i ngjash\u00ebm me kristal transparent.\n21:19 Themelet e murit t\u00eb qytetit ishin stolisur me gjithfar\u00eb gur\u00ebsh t\u00eb \u00e7muar; themeli i par\u00eb ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i kat\u00ebrti prej smeraldi,\n21:20 i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krizoliti, i teti prej berili, i n\u00ebnti prej topazi, i dhjeti prej krizopazi, i nj\u00ebmb\u00ebdhjeti prej hiacinti, i dymb\u00ebdhjeti prej ametisti.\n21:21 Dhe t\u00eb dymb\u00ebdhjet\u00eb portat ishin dymb\u00ebdhjet\u00eb margaritar\u00eb, secila port\u00eb ishte b\u00ebr\u00eb prej nj\u00eb margaritari t\u00eb vet\u00ebm, edhe sheshi i qytetit ishte prej ari t\u00eb kulluar, si kristal i transparent.\n21:22 Dhe nuk pash\u00eb asnj\u00eb tempull n\u00eb t\u00eb; sepse Zoti Per\u00ebndi i plotfuqish\u00ebm dhe Qengji jan\u00eb tempulli i tij.\n21:23 Dhe qyteti nuk ka nevoj\u00eb p\u00ebr diell, as p\u00ebr h\u00ebn\u00eb q\u00eb t\u00eb ndri\u00e7ojn\u00eb n\u00eb t\u00eb, sepse lavdia e Per\u00ebndis\u00eb e ndri\u00e7on at\u00eb, dhe llamba e tij \u00ebsht\u00eb Qengji.\n21:24 Dhe kombet e t\u00eb shp\u00ebtuarve do t\u00eb ecin n\u00eb drit\u00ebn e tij; dhe mbret\u00ebrit e dheut do t\u00eb sjellin lavdin\u00eb dhe nderin e tyre n\u00eb t\u00eb.\n21:25 Dhe portat e tij nuk do t\u00eb mbyllen asnj\u00ebher\u00eb gjat\u00eb dit\u00ebs, sepse nuk do t\u00eb ket\u00eb asnj\u00ebher\u00eb nat\u00eb.\n21:26 Edhe n\u00eb t\u00eb do t\u00eb sjellin lavdin\u00eb dhe nderin e kombeve.\n21:27 Edhe nuk do t\u00eb hyj\u00eb asgj\u00eb e papast\u00ebr dhe askush q\u00eb kryen neveri e g\u00ebnjesht\u00ebr, por vet\u00ebm ata q\u00eb jan\u00eb t\u00eb shkruar n\u00eb librin e jet\u00ebs t\u00eb Qengjit.\n22:1 Dhe m\u00eb tregoi lumin e past\u00ebr t\u00eb ujit t\u00eb jet\u00ebs, te kthjell\u00ebt si kristali, q\u00eb dilte nga froni i Per\u00ebndis\u00eb dhe i Qengjit.\n22:2 N\u00eb mes t\u00eb sheshit t\u00eb qytetit, k\u00ebtej e andej lumit, ishte druri i jet\u00ebs q\u00eb jep dymb\u00ebdhjet\u00eb fruta, dhe q\u00eb nxjerr frutin e saj n\u00eb \u00e7do muaj; dhe gjethet e drurit jan\u00eb p\u00ebr sh\u00ebrim t\u00eb kombeve.\n22:3 Dhe asnj\u00eb mallkim nuk do t\u00eb ket\u00eb m\u00eb; dhe n\u00eb t\u00eb do t\u00eb jet\u00eb froni i Per\u00ebndis\u00eb dhe i Qengjit, dhe sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebt e tij do t'i sh\u00ebrbejn\u00eb;\n22:4 ata do t\u00eb shohin fytyr\u00ebn e tij; dhe emri i tij do t\u00eb jet\u00eb mbi ballin e tyre.\n22:5 Dhe atje nat\u00eb nuk do t\u00eb ket\u00eb; edhe nuk kan\u00eb nevoj\u00eb p\u00ebr llamb\u00eb, as p\u00ebr drit\u00eb dielli, sepse Zoti Per\u00ebndi i ndri\u00e7on; dhe ata do t\u00eb mbret\u00ebrojn\u00eb n\u00eb shekuj t\u00eb shekujve.\n22:6 Dhe m\u00eb tha: ''K\u00ebto fjal\u00eb jan\u00eb besnike dhe t\u00eb v\u00ebrteta; dhe Zoti, Per\u00ebndi i profet\u00ebve t\u00eb shenjt\u00eb, d\u00ebrgoi engj\u00ebllin e tij, p\u00ebr t'u treguar sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tij gj\u00ebrat q\u00eb duhet t\u00eb ndodhin p\u00ebr s\u00eb shpejti.\n22:7 Ja, un\u00eb vij shpejt; lum ai q\u00eb i ruan fjal\u00ebt e profecis\u00eb s\u00eb k\u00ebtij libri''.\n22:8 Dhe un\u00eb, Gjoni, jam ai q\u00eb kam par\u00eb dhe d\u00ebgjuar k\u00ebto gj\u00ebra; dhe kur d\u00ebgjova dhe pash\u00eb, rash\u00eb p\u00ebr ta adhuruar p\u00ebrpara k\u00ebmb\u00ebve t\u00eb engj\u00ebllit q\u00eb m'i tregonte k\u00ebto gj\u00ebra.\n22:9 Dhe ai m\u00eb tha: ''Ruaju se e b\u00ebn! Sepse un\u00eb jam bashk\u00ebsh\u00ebrb\u00ebtori yt dhe i v\u00ebllez\u00ebrve t\u00eb tu, profet\u00eb, dhe t\u00eb atyre q\u00eb i ruajn\u00eb fjal\u00ebt e k\u00ebtij libri. Adhuro Per\u00ebndin\u00eb!''.\n22:10 Pastaj m\u00eb tha: ''Mos i vulos fjal\u00ebt e profecis\u00eb s\u00eb k\u00ebtij libri, sepse koha \u00ebsht\u00eb af\u00ebr.\n22:11 Kush \u00ebsht\u00eb i padrejt\u00eb, le t\u00eb vazhdoj\u00eb t\u00eb jet\u00eb i padrejt\u00eb, kush \u00ebsht\u00eb i ndyr\u00eb le t\u00eb vazhdoj\u00eb t\u00eb jet\u00eb i ndyr\u00eb, kush \u00ebsht\u00eb i drejt\u00eb le t\u00eb vazhdoj\u00eb t\u00eb praktikoj\u00eb drejt\u00ebsin\u00eb, dhe kush \u00ebsht\u00eb i shenjt\u00eb le t\u00eb vazhdoj\u00eb t\u00eb shenjt\u00ebrohet.\n22:12 Dhe ja, un\u00eb vij shpejt, dhe shp\u00ebrblimi im \u00ebsht\u00eb me mua, p\u00ebr t'i dh\u00ebn\u00eb gjithsecilit sipas veprave q\u00eb ai ka b\u00ebr\u00eb.\n22:13 Un\u00eb jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit''.\n22:14 Lum ata q\u00eb i kryejn\u00eb urdh\u00ebrimet e tij, q\u00eb t\u00eb ken\u00eb t\u00eb drejt\u00ebn p\u00ebr drurin e jet\u00ebs dhe p\u00ebr t\u00eb hyr\u00eb n\u00eb portat e qytetit.\n22:15 Jasht\u00eb jan\u00eb qent\u00eb, magjistar\u00ebt, kurvar\u00ebt, vras\u00ebsit, idhujtar\u00ebt dhe kushdo q\u00eb do dhe zbaton g\u00ebnjeshtr\u00ebn.\n22:16 ''Un\u00eb, Jezusi, d\u00ebrgova engj\u00ebllin tim p\u00ebr t'ju d\u00ebshmuar p\u00ebr k\u00ebto gj\u00ebra n\u00ebp\u00ebr kisha. Un\u00eb jam Rr\u00ebnja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritsh\u00ebm i m\u00ebngjesit''.\n22:17 Dhe Fryma dhe nusja thon\u00eb: ''Eja!''. Dhe ai q\u00eb d\u00ebgjon le t\u00eb thot\u00eb: ''Eja!''. Dhe ai q\u00eb ka etje, le t\u00eb vij\u00eb; dhe ai q\u00eb do, le t\u00eb marr\u00eb si dhurat\u00eb ujin e jet\u00ebs.\n22:18 Un\u00eb i deklaroj kujtdo q\u00eb d\u00ebgjon fjal\u00ebt e profecis\u00eb s\u00eb k\u00ebtij libri, se n\u00ebse ndokush do t'i shtoj\u00eb k\u00ebtyre gj\u00ebrave, Per\u00ebndia do t\u00eb d\u00ebrgoj\u00eb mbi t\u00eb plag\u00ebt e p\u00ebrshkruara n\u00eb k\u00ebt\u00eb lib\u00ebr.\n22:19 Dhe n\u00ebse dikush heq nga fjal\u00ebt e librit t\u00eb k\u00ebsaj profecie, Per\u00ebndia do t'i heq\u00eb pjes\u00ebn e tij nga libri i jet\u00ebs nga qyteti i shenjt\u00eb, dhe nga gj\u00ebrat q\u00eb jan\u00eb p\u00ebrshkruar n\u00eb k\u00ebt\u00eb lib\u00ebr.\n22:20 Ai q\u00eb d\u00ebshmon p\u00ebr k\u00ebto gj\u00ebra, thot\u00eb: ''Po, un\u00eb vij shpejt. Amen''. Po, eja, Zoti Jezus.\n22:21 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoft\u00eb me ju t\u00eb gjith\u00eb. Amen.","title":"Albanian Bible: Revelation","type":"page"}
